Përshëndetje publike Zonjës Elida Buçpapaj

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

 

 

E Nderuar Zonja Elida,

Në Portalin“Voal” të datës 24 qershor 2018, lexova me shumë kërshëri analizën tuaj me titull Kampet e refugjatëve në Shqipëri deal i një kryeministri të papërgjegjshëm me një BE raciste e të papërgjegjshme!”

Ju, si një publiciste e shquar, e keni nxjerrë bukur në spikamë karakterin e pamoralshëm të Bashkimit Evropian në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, bash ashtu siç e ka pasë karakterizuar dikur Evropën i Madhi Gjergj Fishta.

Kryeministri Edi Rama, në krye të formacionit politik me emrin parti socialiste, duke hyrë në lidhje të ngushtë me Bashkimin Evropian, gjatë këtyre pesë vjetëve në pushtet, e ka vërtetuar me prova të pakundërshtueshme se ka punuar dhe vazhdon të punojë me një zell të ngutshëm për zbrazjen e Shqipërisë nga njerëzit, çka do të sjellë si pasojë afatgjatë shpërbërjen e kombit shqiptar në mbarë trojet etnike. Statistika për largimin e njerëzve gjatë këtyre pesë vjetëve është me të vërtetë e frikshme. Kjo politikë e Kryeministrit Rama i vjen bukur në osh Perëndimit evropian, i cili, me strategjinë e tij të heshtur në raport me kombin shqiptar, ka pasur, ka dhe do të ketë si pikësynim zhbërjen e kombit shqiptar, në përputhje të plotë me strategjinë mbinjëshekullore të grekosllavizmit.

Kësaj politike të Kryeministrit Rama, opozita e Lulzim Bashës nuk i kundërvihet dot me një vendosmëri të fuqishme, se nuk është e aftë ta ngrejë popullin peshë më këmbë. Nuk është e aftë, sepse populli nuk i beson më, pas marrveshjes së fshehtë të Lulzim Bashës vitin e kaluar me Kryeministrin Rama, marrëveshje kjo që çoi në braktisjen e partisë demokratike nga qindra mijë demokratë dhe simpatizantë, me pasojë rezultatin e saj të vajtueshëm në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Me respekt dhe me mirënjohje të thellë.

Eshref Ymeri

Comments

comments

-----