ALI ASLLANI, “NJERIU I BUKURISË”

Ese nga Luan Çipi

 

Ali Asllani u lind në fshatin Vajzë të Qarkut Vlorë, më 28 Nëntor 1884 dhe vdiq në Tirane, në moshen 82 vjeçare, më 20 Dhjetor 1966. Ishte poet i shquar dhe atdhetar, drejtues shtetëror dhe diplomat.

Ai ngeli jetim, pa të dy prindërit, fare i ri dhe streh e përkrahje iu bë familja e kushëririt të tij në Vajzë, Rexhep Sulejmanit, si dhe të afërtit dhe miqt e babait. Kështu, Ali Asllani, u lidh shumë me njerëzit që e rritën, me mjedisin ku u rrit dhe kulturën e kësaj treve, të cilën  e reflektoi gjatë gjithë jetës së tij në karakter dhe në krijimtari. Ata u kujdesën që të ndiqte Ruzhdijen e qytetit të Vlorës dhe nje shkollë greke po atje, ku mundi të nxënte dhe alfabetin grek.

Babai, Asllan Sulejmani, kish qenë teolog me arsim të lartë islam, po pas vdekjes së tij, për të birin qenë përkujdesur teologë të tjerë, të afërm e miq të të atit, prej të cilëve mori mësime fetare në turqisht, persisht dhe arabisht. Pastaj në Vlorë, kish ndjekur shkollën e ruzhdie të Muradies dhe qe shoqëruar me shokë greqishtfolës, nga kish përvetësuar dhe më mirë greqishten.

Më 1898 nisi të studiojë në Gjimnazin Zosimea të Janinës. Gjatë kësaj periudhe nisi të thurte poezi në turqisht dhe persisht. E kish tërhequr pa masë kënga labe aq e këndshme dhe e kultivuar në mjedisin e në fisin e tij, në Vajzë, në fshatin e babait, po akoma më tepër në Trevllazër, te njerëzit e nënës, ku qe rritur jetim. Një nga dajallarët e tij, Ahmet Memini, rapsod me emër në gjithë Labërinë e Vlorës, kish ndikuar fort mbi të nipin, që kish një natyrë të ndjeshme e shpirt delikat prej artisti. Aliu i vogël, para se të thurte vargje, do të mësonte të këndonte, duke iu bashkuar dajës, kur ia merrte këngëve labe nëpër odat e miqve. Pikërisht në “Zosimea”, nën ndikimin e Ahmet Meminajt dhe Sulejman Kapos, njerëz të njohur dhe me ndikim në Vajzë dhe në Vlorë, Ali Asllani nisi të shkruante vjershat  e tij të para. Dy poezitë e para të tij titullohen “Fshati im” dhe “Kroi”.

Në vjeshtën e vitit 1902 Ali Asllani shkoi në Stamboll për të filluar studimet universitare. Pasi qëndroi një vit në Fakultetin e Mjekësisë, për shkak të një ndjeshmërie të lartë shpirtërore, në vitin 1903, me ndihmën e djalit të Ismail Qemalit dhe Mulla Xhaferr Drashovicës, ai regjistrohet në ”Mylqie”, në Institutin e Lartë të Shkencave Politiko – Shoqërore – Administrative dhe e përfundoi atë në vitin 1906. Gjatë gjithë kohës së studimeve larg atdheut e veçmas Vlorës së tij të dashur, Ali Asllani ndiqte me vëmendje të gjithë zhvillimet në vendin e tij. Pas shkollës kreu stazhin në Janinë.

Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e  Delvinës dhe më pas u kthye përsëri në Janinë.

Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit atdhetar shqiptar “Bashkimi”, që drejtohej nga Ismail Qemali.. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit, filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohejnë Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës.

Në vitin 1910 u kthye në Stamboll. U emërua sërish nënprefekt me ndërhyrjen e Shahin bej Kolonjës, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi,  Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll.

Shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali e mësoi përmes lajmeve, kryesisht të Egjiptit. Pavarësia qe një moment i rëndësishëm edhe në jetën dhe aktivitetin e Ali Asllanit. Kështu, ai menjëherë u paraqit në selinë e Qeverisë së Vlorës nga fundi i dhjetorit të vitit 1912.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 Janar 1914.

Në shkurt të vitit 1914 ai emërohet nënprefekt i Fierit me urdhër të Komisionit të Fuqive të Mëdha, e që nga korriku i vitit 1914, deri në shkurt të vitit 1915, qe i papunë. Më pas punoi si sekretar i Përgjithshëm i Administratës së Vlorës. Në dhjetor të vitit 1918, me kërkesë të Avni Rustemit, Halim Xhelos dhe Tol Arapit, Ali Asllani bëhet kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në këtë detyrë, Asllani i la qytetit ndërtimin e merkatos, rrugën Vlorë – Skelë dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme, që do t’i shërbenin si transformime qytetit të bukur bregdetar.

Me rastin e vdekjes së Ismail Qemalit, Ali Asllani, si shumë njerëz dhe personalitetet të tjera të kohës, u pikëllua shumë për këtë humbje të madhe.  .

Me këtë rast, ai i kushtoi një poezi, Plakut të Vlorës, e cila u mësua përmendësh nga qindra vetë.

Pas largimit të Princ Vidit. Ali Asllani, shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish kur administrata lokale e caktoi Sekretar të Përgjithshëm (10 Nëntor1915 – 1 Janar1917).

Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna.

Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Në ato ditët e zjarrta te Luftës së Vlorësër të vitit 1920, në asnjë rast Ali Asllani nuk u shkëput dhe nuk i anashkaloi njerëzit e mençur, trima dhe atdhetarë të Vlorës dhe Labërisë, të cilët luajtën një rol të jashtëzakonshëm në historinë kombëtare. Ali Asllani nuk ishte anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, por bashkëpunimi me patriotët, qe kthyer në një moto jetësore. Viti Njëzetë, njohur në historinë tonë kombëtare dhe si viti i Luftës së Vlorës kundër fashizmit Italian, Ali Asllani bashkë me patriotët vlonjatë Osman Haxhiu, Abaz Mezini, Halim Xhelo, Jani Minga, Aristidh Ruçi, Tol Arapi, Tod Filipi, Arshi Selfo, Murat Tërbaçi, Beqir Velo, Myqerem Hamzarai, Duro Shaska, Hamza Isai, Spiro J. Koleka e shumë të tjerë, qenë protagonistët e rezistencës antifashiste, e njohur si lufta me “40 milionët”.

Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithëshëm i saj.

Pas tallazeve politike, që kulmuan me epopenë e Vlorës, kërkoi të hynte në shërbimin diplomatik dhe nuk ia refuzuan. Do ta niste punën si Konsull në Trieste, ku do të qëndronte afro tre vjet deri në fund të prillit 1925. Këtu do ta gjenin ngjarjet e 1924-ës, ardhja dhe rrëzimi i Nolit nga pushteti si dhe lëvizja anasjelltas e Zogut..

Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”.

Në vitet 1930 – 1932 ishte Ministër i akredituar në shtetin Grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti për banim në fshatin Vajzë të Vlorës.

Me ardhjen e regjimit komunist është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.

Ali Asllani për herë të parë botoi vjersha në gjuhën turke në gazeta dhe revista të Stambollit e të Konjës së Anadollit. Po, kur ndjeu në shpirt frymën e lëvizjes kombëtare dhe u bë adhurues e ndjekës i Ismail Qemalit, aty nga vitet e fundit të “Zosimeas”, filloi të vargëzojë në gjuhën amtare. Ishin këto, siç kujtonte poeti, vjersha dashurie dhe trimërie, që ia këndonte shpirti.

Në fakt, do të qenë ngjarjet që erdhën më pas, siç qenë shpallja e Hyrjetit, Kongreset Shqiptare e sidomos Shpallja e Pavarësisë që e bënë Ali Asllanin të angazhohej në lëvizjen kombëtare dhe t’i këndonte zemra për idealet e saj.

Dhe zemra tani e përngaherë do të këndonte vetëm shqip. Këtë do ta dëshmonte me vitin 1914, kur i internuar nga italianët në Itali do të shkruante mbi pesëdhjetë vjersha kryesisht me tema patriotike.

Ato do të qenë ditë e netë plot emocione të papërsëritshme Do të ishte kjo atmosferë e ndezur, që e bëri të shkruante marshin “Vlora, Vlora, bjeri më t’u lumtë dora”, të cilin ia kërkoi shoqata patriotike “Përlindja e Shqipërisë” për himn të saj.

Para çlirimit poeti arriti të botojë librin “Mbreti ynë” dhe përmbledhjen “Hanko Halla”, ku, veç poemës, përfshiu dhe vjershat e gjata “Vajza shqiptare” dhe “Dasma”. Gjatë okupacionit fashist vërejmë një vërshim të poezisë së tij, sidomos në suplementin letrar “Tomorri i vogël”. Janë vjersha erotike, po nuk mungojnë dhe vjersha me frymë të fuqishme atdhetare. Një pjesë të këtyre të fundit i kish shkruar në vitet 20, por që, duke u botuar në kohën e rezistencës antifashiste, merrnin një tingëllim aktual patriotik. Pikërisht në këtë kohë kish shkruar vjersha kundër pushtuesve. Ishte fjala kryesisht për vjershat “Perlat Rexhepi” dhe “Hakërrim”, dy krijime poetike tepër të ndjera, që mund të lindin në zemrën e poetit vetëm në atmosferën e pushtimit.

Ai nuk ka shkruar kurrë prozë dhe për dyzetë vjet merret vetëm me poezi. Me këtë rast ai i bën vetes autoportretin me fjalët: “Poeti është si guri i strallit. Zjarri i tij nuk mbarohet kurrë. Poeti heq, rënkon, qesh, digjet e djeg, por zjarri i tija nuk mbaron”.

Një bashkëkohës, i viteve të para pas Çlirimit, studiuesi dhe shkrimtari i shquar Nasho Jorgaqi, redaktor në Shtëpinë Botuese të Librit, e kujton dhe përshkruan kështu pamjen e Ali Asllanit të moshuar: “E kam parasysh si tani kur, pasi trokiste lehtë dera, shfaqej pamja e poetit plak, shtatmesatar, me trup të ronitur, por të drejtë, me një fytyrë të kuqërremtë, me ca sy të vegjël, por tepër të gjallë e të ëmbël. Ashtu i ndrojtur hiqte kapelën republike dhe na zgjaste dorën. Kishte në sjelljen e tij jo vetëm shumë mirësjellje, por dhe elegancë e delikatesë, që me kohë do ta kuptoja se kjo i vinte jo aq nga që kish qenë diplomat, se sa nga shpirti i artistit. “Jemi njerëz të bukurisë, or tungjatjeta”, do të më thoshte më vonë. Ai kish një natyrë të afrueshme, pa kurrfarë sqime, një zë të butë dhe vështrim ngaherë dashamirës, gati prekës. Dinte të komunikonte me të gjithë, madje me ne të rinjtë ndjehej çuditërisht në mjedisin e tij. Më pas ai do të më thoshte se “Vërtet ju të rinjtë fitoni nga ne pleqtë, por ne të moshuarit fitojmë më shumë nga ju, fitojmë nga energjia dhe freskia e vërsës së re, nga risia e mendimeve dhe e sentimenteve. Në mes jush ne ndjehemi më të rinj dhe kjo është gjë e madhe, kur ke shumë mote mbi kurriz”. Me Ali Asllanin zhdukeshin jo vetëm kufijtë e moshës, por edhe kufijtë mes jetës dhe artit, të cilat ai i bënte pjesë të njëra-tjetrës. Ai arrinte që me thjeshtësinë dhe konfidencën që krijonte, të mos ndjehej diferenca e brezave, madje të ndjeheshe i barabartë me të. Aq e vërtetë ishte kjo sa, në bisedë e sipër, pa kuptuar, e harroje distancën dhe i hapeshe vetiu. I rrëfeje gazet e dertet rinore dhe ai në ato çaste lumturohej dhe përsëriste, herë me zë e herë nën zë fjalët italisht “Amore e feliçita” që ishte kryefjala e tij. Ai fliste për dashurinë me gjallëri e ngazëllim.

Dhe vazhdon shkrimtari Nasho Jorgaqi të tregoj me simpati të veçantë, ç’i kishte thënë Ali Asllani: Në Athinë, në shoqërinë e Pallamasit, ai kish pasur rast të takohej e të njihej dhe me shkrimtarin e madh indian Rabindranat Tagorën. Ishte kjo një ngjarje e rrallë, për të cilën poeti mburrej. Edhe prej tij kish përkthyer nja dy proza poetike që s’dinte se ku kishin përfunduar. Me Pallamasin do të ruante miqësinë deri në fund, aq sa dhe kur vdiq, në ditët e rënda të pushtimit fashist (1941) i dërgoi të afërmve të tij një telegram ngushëllimi.

Shkrimtari Jorgo Jorgo Bllacit, që ka shkruar gjithashtu, me dashuri për Ali Asllanin thotë: “Për fat të keq, kritika jonë tej mase e politizuar i ka anashkaluar vlerat padiskutueshme të këtij vjershëtori…”, ndërsa Bardhosh Gaçe, që e ka studjuar bashkrahinarin e shquar ka cituar për të: “… poeti jonë ka qenë një njeri me mendime të thella, nga të paktët e Shqipërisë”. Dhe për të shpjeguar vlerat e tij artistike e filozofike, profesor Bardhoshi vazhdon: “Nga jetëshkrim i Ali Asllanit duket qartë lidhja e tij me kulturën orientale qysh në fëmijëri duke qenë bir i një familjeje me frymë orientale, dhe me një baba të brumosur me dije teologjike islame në universitetin e Stambollit. Më pas një prezantim më të gjerë me orientin, sidomos me letërsinë e tij ia mundësoi vazhdimi i shkollës së mesme “Zosimea” në Janinë. Vite më vonë ai pati një ndryshim drejtimi njëqind e tetëdhjetë gradë duke i kthyer sytë dhe interesat nga perëndimi, gjë që më pas solli përshtatjen prej tij të kulturës dhe mënyrës së saj të jetesës.”

Në të njëjtin pozicion, qendron edhe poeti i mirënjohur Fatos Arapi, që shprehet:
“I plazmuar si ai me kulturën e madhe të Orientit – sidomos atë persiane – dhe pastaj i kredhur përgjithmonë në kulturën dhe mënyrën e jetesës europiane, verbi i tij poetik vibron nga buzëqeshja e lehtë e një ironie të mençme, i një urtësie filozofike që vjen nga kuptimi ekzistencial të jetës.”

Ali Asllani filloi të shkruaj turqisht dhe vjershat e para i botoi në gazetat turke të kohës.

Tërë poezia e Ali Asllanit shquhet për figurshmëri fringëlluese, që fryn nëpër vargje si një puhizë që ndez flakën e mallit, në të cilën poeti vetëdigjet: “rroj për ty e vdes për vete!” thekson, plot adhurim per të, studiuesi i mirënjohur vlonjat, Bardhosh Gaçe. Gjykojeni vetë, nëpërmjet vargjeve të tij si më poshtë:

Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije 
i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie 
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije 
ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije 
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…”

Ushqimi i preferuar dhe më frytdhënës i poetit nga poezia orientale ishte poeti persian, Omar Khajami. Ai ka marrë nga Khajami frymën epikuriane dhe hedoniste. Ai e do jetën dhe është optimist i madh për të. Ai gjithashtu e do vashën dhe verën duke i barazuar ato me lumturinë kur thotë duke i dhënë të drejtë Omar Khajami. Aliu i ka lexuar poetët lindor për së gjalli, në gjuhën e tyre, të cilën ai e zotëronte mirë si një mbështetës tjetër i erudicionit të tij, por edhe pse ndikimi perëndimor është më i zbehtë, ai nuk mungon.

Ali Asllani na dhuroi një nga krijimet më të bukura të letërsisë shqiptare, poemën “Hanko Halla”, me brumosjen e tij të dyanshme kulturore, atë orientale dhe perëndimore, gjë e cila e ka bërë poetin ta shpreh mendimin e tij në letër për të dyja kulturat duke u nxjerrë të metat dhe të mirat herë njërës e herë tjetrës, duke shfrytëzuar më së shumti për këtë personazhin kompleks të Hanko Hallës.

Një kurorëzim i origjinalitetit krijues të poetit, ku ndeshën dhe mentalitetet e njerëzve në shoqëri, Hanko Halla është poema humoristike që u botua më 1933 në revistën “Minerva”. Botimin e parë të plotë të veprës e kemi në vitin 1942. Kjo vepër u bë shumë shpejt popullore dhe mbeti kryevepra e tij poetike, duke lënë prapa lirikat e dashurisë apo lirikën satirike. Kjo vepër shfaq karakterin krijues të Ali Asllanit si dhe metodën e tij krijuese.

Prandaj tërë vepra është një monolg i Hanko Hallës, ku ajo shpreh emocionet dhe qëndrimet e saj për mjedisin që e rrethon dhe për kohën e shkuar. Ndërsa Hanko Halla e kundërshton apo e interpreton botën nëpërmjet monolgut, autori e shfaq veten rrallë për të mbështetur monodramën e tij. Atëherë shtrohet pyetja, ku qëndron autori? A fshihet ai pas tonit të ligjërimit të Hanko Hallës, apo në tonin e theksuar humoristik, që e përshkon gjithë tekstin e poemës? Janë bashkë, të dya!

Ashtu si impresionistët, edhe Ali Asllani nuk ka ambicje të paraqesë botën objektive, por vetëm ndjenjat që nxit ajo. Por ndryshe nga poetët impresionistë, sepse kjo botë për të është e harmonishme dhe në të ai e ndjen veten shumë mirë, dhe kështu, si shumë të tjerë poet te rendesishme quajnë formën, rimën, ritmin, muzikalitetin me motiv dominant bukurinë dhe dashurinë. Për këtë shkrimtari Arif Demollari shkruan për të “Identifikimi i bukurisë me dashurinë dhe këto të dyja bashkë me lumturinë, është një ndikim i padiskutueshëm naimjan”. Dhe shpjegon me tej Demollari: “Këta dy poet i afron më tepër përdorimi i mjeteve të ngjashme artistike dhe gjuha e pastër. E kjo mund të shpjegohet me mbështetjen e fort të të dyve në letërsinë popullore, me njohjen e kulturës orientale si dhe me autoritetin që kishte Naim Frashri te të gjithë poetët shqiptar të mëvonshëm.

Ali Asllani ka një shije të hollë për gjuhën. Megjithatë, ai përdor “turqizma dhe arabizma” në poezitë humoristike-satirike për të tipizuar personazhet. Në poezitë e dashurisë ai është ndryshe. Në këto poezi hasen tepër rrallë huazime, si nga ato shekullore edhe nga ato më të fundit për përdorimin e të cilave ishte ngjallur një prirje në kohën e tij me që sytë e tyre ishin drejtuar nga perëndimi. Ai vazhdon rrugën e rilindësve në këtë drejtim, por edhe jep kontributin e tij në pasurimin e leksikut të shqipes.

Një tjetër vlerë dhe karakteristikë e pozisë së Ali Asllanit sië thotë Sabri Hamiti: “…stili i tij i ngritur mbi modelet e letërsisë popullore, kanë bërë që vjershat e tij të mësohen përmendësh e të përsëriten sikur të ishin krijime popullore shpesh duke humbur autorësinë e tyre.”

Poeti Ali Asllani vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966, i përcjell me modesti nga miq e dashamirës.

Veprat letrare

Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën “Hanko – Halla” që u botua në vitin 1942.

U gjet në dorëshkrim përkthimi i gjysmës së dytë të viteve ’40 të kujtimeve të Syrja bej Vlorës, përkthim i cili nga dialekti i përdorur dhe nga inicialet A. A., mendohet të jetë i Ali Asllanit.

Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960 – 66 përmendim:

Vidi – vidi pëllumbeshë” (1960),

Shqipëria kryesorja” (1961),

Vajzat dhe dallëndyshet” (1964),

Kur merr zjarr rrufeja” (1966) dhe pas vdekjes iu botua

Poezia shqipe” 1973.

Është autori i këngës së njohur “Vlora, Vlora“.

Pas viteve 90 iu botuan disa libra si:

Poezi të zgjedhura” në 1996, dhe

Vidi, vidi pëllumbeshë” në 1999.

Hakërrim

Për këtë jetëshkrim është shfrytëzuar interneti: Wikipedia si dhe shkrime të Nasho Jorgaqit, Bardhosh Gaçes, Gëzim Llojdisë, Hiqmet Meçes, Zymer Mehani, Rei Hodo, Razi Brahimi, Sabri Hamiti, Agim Nivica, Arif Demollari, etj.

Vlorë, më 15 Qershor 2018

Comments

comments

-----