DRITEROI I VËRTETË, NË LETRAT E DASHURISË!

Nga Kadri Tarelli

 

Jemi mësuar, që poetët, shkrimtarët dhe krijuesit në përgjithësi, t’i vlerësojmë, t’i nderojmë, madje edhe t’i përfytyrojmë si portrete dhe personalitete në gjininë e artit, nëpërmjet shkrimeve të tyre dhe kritikave, apo çka kanë thënë të tjerët për ta. Nuk di sa jam i saktë, por ne lexuesit dimë, pak a shumë, për jetën e tyre krijuese, si autorë veprash, por shumë më pak për jetën e zakonshme, të përditshme, në marrëdhëniet me njerëzit që e rrethojnë, meqënse edhe ata janë të gatuar prej mishi dhe gjaku, një lloj si ne. Kështu, ne e pikturojmë apo gdhendim portretin, sipas shijes dhe mbresave tona, të yshtura dhe të nxitura më së shumti, nga veprat që lexojmë, ku vetiu, secili mban një ngarkesë ndjesie të caktuar.

Jo rrallë, jemi të ndikuar edhe nga mendimi i shoqërisë, pa vënë në kandar dijet, njohjen, shijet dhe prirjet, që ka individi dhe grupi shoqëror, që lexon dhe gjykon, se çfarë njohje kanë për artin, letërsinë dhe krijimtarinë në tërësi. Kjo vjen, sepse edhe kritika letrare është e shpërndarë dhe e copëtuar, diku-diku e pa thelluar. Jo pak herë, për fat të keq ndodh te ne, që arrijmë deri aty, sa shprehim edhe paragjykime për përkatësi partiake dhe politike të autorëve, duke i ndarë në tanët dhe jo tanët, duke zbehur, me apo pa dashje, vlerat letrare dhe ideore.

Shpesh lexojmë edhe monografi kushtuar autorëve me emër, për t’i njohur më mirë, për t’i pasur model e shembull jete. Nuk mendoj se këtu duhet të ndalemi, pavarësisht që në ditët e sotme, sikur po tejkalohet masa, sepse shkruhet edhe për njerëz të zakonshëm, që vërtet mund të jenë njerëz e qytetarë të mirë, profesionistë e zanatçinj të përkryer, por që s’kanë asnjë rol në veprimtari shoqërore, as në krijimtari, por kjo nuk e dëmton thelbin e çështjes. Edhe monografia më e bukurujdisur, është disi e ftohtë, sepse nuk ka ato vogëlsitë, që kallin zjarrin dhe mbajnë prushin ndezur.

Thënë shkurt, për teoritë dhe fjalët, që nuk shtojnë grurë në hambar të dijes, përfundimi më i mirë, më i bukur dhe më i arsyeshëm është, të qëndrojmë e të shikojmë, se çka thonë ata vetë me gojën dhe penën e tyre, në përditësinë e jetës, si i zgjidhin problemet e punës, hallet vetjake dhe familjare, si i krijojnë marrëdhëniet në vatër e komshi, shoqëri e miqësi, si dashurojnë e adhurojnë, si urrejnë e mallkojnë, etj, etj.

Me të drejtë, kritikët dhe autorë studimesh, shprehen se, në letërsinë shqipe ka pak shembuj të letërkëmbimeve, sa numërohen me gishtat e dorës, por aspak në letrat e dashurisë, si nëngjini me vlera njerëzore. Mbase një temë tabu, nga kultura jonë e tejngopur me fanatizëm, dikur edhe e ndaluar për hir të pastërtisë së moralit. Po ja që Sadija, e dashura dhe bashkëshorte e Dritero Agollit, e thyen akullin dhe na sjell librin: “Dashuri në moshën e Krishtit”, një titull ngacmues, për një përmbledhje të letërkëmbimit dashuror, mes dy të dashuruarve. Është një përpjekje serioze, me shumë sinqeritet dhe dashuri bashkë, për të treguar atë pjesë të pathënë të shpirti; dashurinë si ndjenjë, që lind e madhohet, forcohet e shuhet bashkë me njeriun, si për t’u bashkuar me Platonin e lashtësisë, që thotë: “Nëse nuk të ka prekur nga dashuria, ecën nëpër terr..”.

Në këtë libër, fatmirësisht janë shkrirë në një të vetme, dashuria dhe letërsia, si kumt, që i përcillet jetës që kur lind dhe vazhdon te brezat që vijnë, për të mbetur hyjnore dhe e pavdekshme, në mot-mot të jetëve. Libri në vetvete, është një përmendore në mbretërinë e letërsisë shqipe, që i ngrihet dashurisë, e cila frymon e lartohet në shenjtërim, sepse njerëzit dashurojnë pa dallim, shpesh deri në marrëzi dhe flijim. Për t’i dhënë të drejtë shkrimtarit dhe poetit Shpendi Topollaj, që shprehet: “Kanë dashuruar mbretër e perandorë dhe, po me atë fuqi shpirti, kanë dashuruar edhe shërbëtorët e ushtarët, druvarët e minatorët, bujqit e blegtorët”.

Vetë Driteroi shkruan: “…dua të mbaroj një artikull….. Nuk më punojnë mentë. M’u kujtove ti dhe, në vend të artikullit, po të shkruaj këtë letër. Sikur ta merrte vesh kryeredaktori, ç’komedi do të ishte!”. Sa sinqeritet ka në këto pak fjalë. Ky është njeriu dhe shpirti i pa treguar i tij, për të kaluar në një përkufizim filozofik, kur thotë: “….Sepse nuk ka gjë më të keqe se sa ambientimi në marrëdhëniet e dy njerëzve…. Ambientimi është si uji i fjetur, bile fare i palëvizshëm….. këtij unë i kisha frikë, frikë si djalli….. Unë të dua ty në një mënyrë tjetër….”. Diku më tej: “Është një kërkesë shpirtërore e madhe, janë ca ndjenja të turbullta, bile nga një herë edhe si të egra.”

Edhe unë, si çdokush, që do të ketë kënaqësinë të lexojë sado pak radhë të këtij libri magjik, do të çuditet, kur të lexojë të shkruar nga dora e vetë shkrimtarit të madh: “E, si vajti kjo punë….. E di ti, se unë nuk di të shkruaj letra dashurie? Është çudi për t’u çuditur, sepse qenka e vështirë të rrëfesh atë që ndjen thellë në shpirt. Kjo “sëmundje” hyjnore ka prekur edhe Driteroin tonë, megjithatë ai shkruan qetë, pa psherëtima e ngashërime, pa fjalë të mëdha e thirrje bubullimë. Ai shprehet shtruar, ashtu siç rrjedhin e gurgullojnë mendimet, nga burimi i zemrës.

Në çdo letër, që lëçisim në faqet e këtij libri, pavarësisht se është nisur e bitisur, si të gjitha letrat, autori përcjell frymëzimi poetik, i shfaqur natyrshëm, pa rënë në romantizëm, për të qenë i vërtetë dhe i drejtë me vetveten dhe me të dashurën, Sadijen. Poeti ynë Driteroi, mbase mendonte si Faik Konica, që thotë: “Dashuria është dhembje nga të zemrës, që zgjat ndonjëherë për shumë kohë dhe është një dobi e madhe për pjekurinë e mendimit”.

Lexuesi mund ta quajë me të drejtë librin, “ditar dashurie”, titull që mund t’i shkonte goxha mirë, sepse renditja dhe datat shumë të shpeshta, na japin përshtypjen e ditarit pa ditar. Veç këtu do të ndjehemi si në boshllëk, sepse zakonisht nëpër ditarë, cilido shkrues flet me vete, nuk ka kundërshti e përplasje mendimi, ndërsa në letra, bisedon me dikë që të dëgjon e të beson, që e ke larg, por e ndjen afër, i qan një hall, i shfryn një brengë e një mall, ndan një shqetësim të ditës, kërkon një këshillë, një ndihmë, një mendim. Të gjitha në emër të dashurisë tokësore, sepse dashuria si frymëzim rinie, vazhdon edhe në pleqëri. Këtu Driteroi është vetvetja, përdor pak figura letrare fluturuese. Ai është mbështetur mbi truall të fortë, ku ecën me çap të sigurt, me mendim të pjekur, pa u hedhur degë më degë, pasi dashuria nuk është vetëm një çast, një ditë, por një jetë dhe përtej jetës.

– “Do të të shkruaja më parë, – thotë diku Driteroi, – por pata frikë se nuk do të ishe në shtëpi……. Në Tiranë bie shi dhe unë mendoj për ty”. Sa njerëzisht, thjesht, bukur e madhërisht. Ndaj poeti Vladimir Masallov, diku shkruan: “Në do të jetosh prej dashurisë, duhet të jesh i pushtuar prej saj”. Driteroi ishte i pushtuar prej saj, aq sa edhe Sadija e ndjente që larg nga Shkodra, shiun dhe psherëtimën e “princit” të saj.

Nuk di si do t’i përjetojë lexuesi këto pak rreshta të shkruara çiltërsisht, në një tjetër letër: “Nuk di se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit të bëhem kaq i papërmbajtur në shfaqje e ndjenjave? Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Në mesditë të jetës, dashuria qenka e çuditshme”. Është një rrëfim malli, përkëdhelje shpirti dhe prehje në krahët e tërheqjes universale të dashurisë, ndaj shkruan: “Dua që këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote?

Një vend të rëndësishëm në libër, zenë letrat e Sadijes, që i përgjigjen aq thjesht, sinqerisht dhe letrarishte, bukurisë së letrave që merrte nga Driteroi. Aty, përmes një romantizmi jo të ndezur, ndjehet shpirti i butë dhe delikatesa femërore e pleksur në ëndrrat dashurore. Si qumështi i gjirit, rrjedh kujdesi dhe admirimi, meraku dhe ledhatimi, ndarja dhe përqafimi, takimi dhe përmallimi, pse jo edhe malli e halli.

Ajo që bën përshtypje, duke lexuar nëpër rreshta, janë cikërrimat e zakonshme, që e mbushin ditën, javën dhe kohën, të sjella aq lirshëm, si biseda me dy shokëve, sepse flitet, për thashethemet, qepje kostumi, dolli e dehje rakie, udhëtime, çanta, këpucë, blerje valute, transferime, çaste pune dhe teshtitje gripi, lexime, shkrime e botime, kritika letrare dhe përplasje në redaksitë botuese, më tej edhe për fustan të bardhë dhe makinë për të marrë nuse, etj, etj si këto. Aq sa lexuesi, vetiu njihet edhe me problemet e shumta të kohës, kur ka jetuar ky çift i dashuruar.

Lexuesi ndjehet, sikur po bisedon me Driteroin, ballë për ballë pranë oxhakut, për punë e halle, duke pirë kafe, shoqëruar edhe me një gotë raki, për ta zgjatur muhabetin. Këtu qëndron edhe madhështia e Driteroit, si shkrimtar, poet e mendimtar, sepse çdo letër është një krijim i mirëfilltë letrar, me kumt njerëzor të papërsëritshëm, por të dobishëm e frymëzues. Gjykoni vetë këto pak fjalë, që i drejtohen Sadijes: “Unë në përgjithësi, kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, por tani i kam mbyllur fare. Kudo vetëm ty të shoh”.

Kam përshtypjen dhe do të më japin të drejtë të moshuarit, që e kanë jetuar moshën dhe kohën, bashkë me heronjtë e letrave, Driteroin e Sadijen, mbase edhe do të mallëngjehen, nga djegia e prushit të mbuluar nën hi, mbetur nga koha e shkuar, kur pavarësisht vështirësive, dashurohej. Këto letra kanë një lloj romantizmi të fshehur. Copëzat e tyre janë si shkëndijat që nxjerr stralli, kur goditet me masat, për të ndezur eshkën e thatë.

Edhe lexuesi në moshë mesatare, të cilit po i veniten vrullet rinore, do të ndjehet pak i cimbisur në sedër, se krahas punëve të shumta dhe andrallave, duhet të kujtohet, se ka vend edhe për pak dashuri, që nuk duhet lënë të ikë bashkë me vitet. Zjarri duhet ushqyer deri në fund….

Ndërsa të rinjve, mbase do t’u vijë “pak marre”, siç thotë shkodrani, që me telefona në dorë dhe portale interneti, po e zhveshin shpirtin nga magjia e dashurisë dhe veprimeve intime, të bukura e të lakmuara, por të fshehta për sytë e botës ngatërrestare. Jeta sot, vërtet ka vrullet dhe kërkesat e saj, që të përfshin e të turbullon, por dashurinë, si frymë e bekim shpirti e kërkon dhe nuk e lëshon.

Kam përshtypjen, se disa edhe na qortojnë, që kemi mbetur pas në kohë, por vonë do ta kuptojnë, dhe do na japin të drejtë, se dashuria është një, mot e jetë, kështu ka qënë e kështu do të jetë, nuk bëhet e dytë, edhe kur je në gjumë, edhe kur hap sytë. Ajo nuk shbëhet e nuk ndryshon, siç mund të ndërrojmë kostumin e vjetër, këmishën e grisur, markën e makinës apo telefonit.

Letrat e Driteroit dhe të Sadijes, zbulojnë një botë të vërtetë jete në dashuri, për t’u kujtuar e lakmuar. Askujt nuk i del keq, nga ky mësim i jetës, mbushur me magji dashurie.

Lexuesit të nderuar, do tu kujtoj këto fjalë të Driteroit:

Ngrive ti sot tek autobusi, moj e dashur; dimri është stinë e vështirë për dashnorët”.

Kadri Tarelli

Durrës më: 28, të fundpranverës, 2018.

 

 

Comments

comments

-----