88 VJET RRETH PLANETIT TE BOTEROREVE TE FUTBOLLIT – 15

Amerika “pagëzon”  Brazilin katër herë kampion botëror,(1994) dhe rrëfimet e fundit të   Martelinit

Nga Skiftër Këlliçi

Aty nga fillimi i viteve ’70 të shekullit të kaluar, për ta bërë popullor futbollin në një vend si Amerika,ku sportet më të përhapura janë futbolli amerikan ,bejzbolli basketbolli, golfi noti…u krijua skuadra “Kozmos”, ku luajtën yje të tilla si Pele, Bekenbauri, Besti, Muri, Karlos Alberto, Kinalia e plot të tjerë, emrat e të cilëve i kemi hasur në faqet e këtij cikli.

Ishte preludi që një ditë Amerika të organizonte edhe ajo një “dasmë” të lojës më popullore në botë. Dhe duhet thënë se meritë të madhe në këtë drejtim pati politikani i njohur amerikan, me origjinë gjermane, Henri Kizinger. Ishte pikërisht ai,  ish-këshilltar, pastaj dhe  sekretar i shtetit të SHBA-së, gjatë administrimit  të presidentit Nikson dhe Ford, (1969-77), që luajti  rol  parësor në uljen e tensionit midis Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik dhe afrimit me Kinën e Mao Ce Dunit, me të ashtuquajturiën politikë të “ping-pongut”, që solli acarimin e diktatorit Enver Hoxha, deri në prishjen e plotë me këtë vend, me ndihmat e të cilit ishte mbajtur gjallë, nga viti1961-78, prishje që solli izolimin e plotë të Shqiqërisë  nga bota…Ishte pra,  ky Kizingër, që ende çunak 13 vjecar, në  vitin 1938 kishte luajtur me  vërsnikët e tij në Gjermani me aq dëshirë dhe pasion futboll, dhe po me atë dëshirë  më pas në Londër dhe edhe më pas Nju Jork, ku familja e tij ishte vendosur përfundimisht për t’u shpëtuar ndjekjeve të nazistëve të Hitlerit.

    Dhe po  ky  Kizinger,  i tërhequr më pas nga  politika aktive, nuk kishte  harruar  dashurinë e tij të parë, por të paharruar, futbollin, ndaj më 4 korrrik të vitit 1988, në emër të Federatës Amerikane të Futbollit, kishte bërë propozimin që Botërori 1994 të zhvillohej jo  në Amerikën Latine ,që e kishte radhën, por në SHBA!..  

Ta pret mendja, se pati kundërshtime të baballarëve të futbollit latino-amerikan, sepse dihej se futbolli në atdheun e lëkurëkuqëve të parë, të cilët Kristofor Kolombi, duke pandehur se kishte zbuluar Inditë Perendimore, i quajti indinanë, ishte thuajse  i panjohur, pavarësisht se amerikanët kishin qenë ndër 13 mysafirët e parë dhe të vetëm të botërorit të vitit 1930 në Uruguain e largët dhe 20 vjet më vonë, në botërorin e zhvilluar në Brazil, kishin shkaktuar një nga sencasionet më të mëdha në vjetarët e futbollit mbarëbotëror , duke mundur as më shumë dhe as më pak, por vetë…shpikësit e futbollit, pra anglezët!…

Rreth këtyre çeshtjeve po bisedoja me Nando Martelinin, i cli në ato dy takime të gjata më kishte rrëfyer disa nga kujtimet e tij më tërheqëse që ruante për botërorët e futbollit, të cilët nga viti 1958 e deri më 1986, siç e kemi parë, i kishte ndjekur me mikrofonin e RAI-t në dorë.

Por ndodhi çudia: Edhepse futbolli për amerikanët ende sot   lojë… femrash, (jo më kot është i i dashuruar kaq shumë nga  seksi delikat, aq sa ato, (siç kam vënë në dukjë në pjesët e para të këtij cikli,  kanë arritur të bëhen kampione të botës në këtë sport), edhepse  shumica  dërmuese e amerikanëve nuk dinin regullat e futbollit,  Botërori ’94 u ndoq nga më shumë se 3.500.000 shikues, (66.991 për ndeshje), ose rreth 600 mijë më shumë  se  Botërori Italia ’90 dhe për më tepër, niveli i ndeshjeve qe më i mirë .

    Mirëpo, me keqardhje, në këtë shkrim nuk do të kem rast të ndaj opinionet e mia me Nando Martelinin, sepse,sic kam shkruar, me të u takova në Radio”Dimensione Suono “ të Romës, ku ishte bashkëpunëtor i jashtëm,  në shkurt të vitit 1994, pra katër muaj para se të fillonte botërori amerikan. Do të më mungonin kështu rrëfimet e tij aq tërheqëse, siç më mungonin edhe rrefimet e Anton Mazrekut,që ishte shuar  më 1969.

Para se të ndahesha më të ,më ftoi në një bisedë rreth tryezës, ku merrnin pjesë specialistë të njohur të futbollit. Disktutuam për ndeshjet që “Roma” dhe “Lacio” kishin zhvilluar atë të diel. Gjatë  bisëdës u kujtova atyre se krahas Piolës së famshëm, me “Lacon kishte luajtur Borici,kurse Kryeziu, i cili ndërroi jetë në maj të  vitit 2010 në moshën 89 vjecare,  kishte luajtur me “Romën”. Martelini  dhe kolegët e tij, më të mëdhenj se unë në moshë, i kishin ndjekur nga afër në stadiumet e Romës dhe shprehën respektin më të madh për ta.

Një muaj para se të fillonte Botërori ’94, një nga regjisorët e TVSH-së, duke u nisur nga përvoja ime e gjatë në drejtimin e “Rubrikës sportive”,  më ftoi  të drejtoja një konkurs kushtuar kësaj ngjarjeje të madhe sportive.Pranova me kënaqëisi. Por ’”kryekomentatori bëri ngë nga veprimet më anormale dhe keqdashëse :nuk  përfilli propozimin e këtij regjisori dhe caktoi si  drejtues një tjetër,që ishte aktori i njohur i skenës  teatrore, por jo sportive.Dhe kjo sepse vazhdonte të vuante nga kompleksi i inferioritetit, zilia, nakari…

   Të kthehemi tani te disa nga etapat nëpër të cilat kaloi Botërori ’94. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik solli si pasojë që  Rusia të përfaqësohej në mënjanuest dhe finalet e këtij boteriri me ekip të vetëm. Po ashtu edhe Letonia, Lituania dhe Estonia. Ish-republikat e tjera të  e tjera nuk u paraqitën në këto mënjanuese. Për shkak të gjenocodit të ushtruar nga banda kriminale  e Milloshevocit   në Bosnjë-Hervegovinë dhe Kosovë, Serbia u përjashtua nga ky botëror.

    Kështu nga 17 qershori deri më 17 korrik tëvitit1994 u zhvillua faza finale e këtij botërori,  ku qysh në fillim  regjistruan disa të paritura. Veç Kamerunit, tashmë “ambassador”  i njohur në botëtorët e futbollit që ga vitit 1982, Afrika pati një tjetër  “ministër fuqiplotë”- Nigerinë, thuajse  e panjohur deri atëherë në këtë sesion të jashtëzakonshëm “të asamblesë së futbollit ndërkombëtar”. Këto dy  “skuadrone” arritën në fazën e  dytë të këtij botërori. Bashkë me to për herë ta parë dhe të fundit,u  “akredituan” atje edhe dy përfaqësi nga Ballkani- dy fqinjët tanë, Rumania e Hagit dhe Bullgaria e Stoiçkovit, nga personazhet më intriguese në stadiumet amerikane.  

    Edhe këtë herë  mbeti jashtë dyerve të fazës finale Rusia. I vetmi ngushullim për të ishte fitorja kundër luanëve, atë ditë të dremitur të Kamerunit me rezultatin tenistik 6-1, ku pesë nga të gjashtë golat i shënoi Salienko, rekord origjinal i botëorëve, i cili, duke i shtuar vetes të vetmin gol kundër Suedisë, (1-3),së bashku me Stoiçkovin do të shpallej golshënuesi  më i mirë i këtij botërori.

Por e papritura më e madhe gjatë ndeshjeve në grupe ishte përjashtimi i Maradonës nga ky botëror pas ndeshjes Argjentinë-Nigeri, ku ai hetua nga  komisioni përkatsë se kishte përdorur drogë.Mbase kjo solli që argjentinasit të humbisnin ndeshjen e fundit në grup me Bullgarinë, (0-2).

Të peshkuar në fazën e dytë, argjentinasit hasën në 1/8 e finaleve një tjetër “xhelat” nga Ballkani, Rumaninë, që me gola të Hagit ,(2), dhe Dimitreskut, kundër golave të Batistutës dhe Balbos,u prenë atyre rriskun  drejt një finaleje të mundshme që ata e kishin luajtur dhe humbur me Gjermaninë, siç e kemi parë më 1990, jo pa diskutime  për një 11-metërsh që zgjidhi fatin e lojës kundër tyre.

   Amerikanët të drejtuar nga trajneri jugosllav “ambulant”, Milutunovic, për të cilin rrëfyem në shkrimin e numrit të kaluar,  të nxitur edhe prej tifos  nga shkallët e stadiumit, i hutuan keqas mjeshtrit e “sambas’, sa Leonardo, që vitet e fundit drejtoi  “Milanin”,”Interin” u bë edhe  drejtor teknik i PSG-së , i kapërthyer nga inati, i theu, por jo “figurativisht” amerikanit Ramos hundën e kështu tri herë kampionët e botës mezi mundën të shënonin një gol “vorfanjak”, por që  i dërgoi  në çerekfinale.

   Kur ndiqja në shtëpi ndeshjet e Italisë, sepse të tëra ato i komentoi “kryekomentatori”, kujtova Martelinin. Po ato emicione që po kalonte kolegu i tij, Bruno Piculi, do të kishte ndier edhe ai ai në mikrofon, sepse qenë me të vërtetë ndeshje nga më të ankthshmet, të ngjashme me takimet që  kishte pasur me Argjentinën dhe Brazilin më 1982 në Botërorin  spanjoll, të cilat i kishin hapur asaj rrugën drejt olimpit botëror.

Po ua kujtoj lexuesve,sidomos atyre të rinjve.

Itali-Nigeri. Në 26’ nigeriani Amuniku i lë gojëhapur azurrët. 1-0. Në 64’ në fushë zbret Zola që t’u japë zemër shokëve të tij të trallisur, por dëbohet nga gjyqtari meksikan Brizio Karter. Kur nuk mbeten vecse 100 sekonda, Baxho,me lëvizje të papërfytyruesme mashtruese e shtrëngon portierin Nigerian Rufu të nxjerrë topin nga rrjeta.

     Nigerianët, naivë,j o vetëm nuk arrijnë të shfrytëzojnë epërsinë numerike, por shkaktojnë 11-metërsh, që Baxho e  shndërron në gol dhe kështu atalianët, si të kishin kaluar një ëndërr  të llahtarshme,  arrijnë në cerekfinale.

Përballë tyre tani është Spanja , por jo e  portierit të famshëm Zamora, që 1934 i hipnotizoi axurrët. Këtë herë ndodh e kundërta: e ka radhën sulmuesi spanjoll Salinas, të hipnotizohet nga portieri italian Paliuka .

   Sidoqoftë, me autogol të Benarrivos, pasardhësit e Zamorës përkohëshit janë  gjysmëfinalistë, sepse me dy gola, nga të cilët i dyti dy minuta para mbarimit të ndeshjes, Italia fiton. Së pari barazon Baxho, që pastaj u jep atyre pasaportën për të kaluar në gjysmëfinale, ku italianët  do të përplasen me Bullgarinë,  e cila në një ndeshje më të vërtëte antologjie kishte mposhtur Gjermannë  2-1, pas tri finalesh që ajo kishte luajtur radhazi në botërorët e futbollit: (më 1982 me Italinë 1-3, më 1986 me Argjentinën 2-3, dhe më 1990 fituese me Argjentinën 1-0).

Fillimi i takimit me bullgarët është premtues për italianët, që pa kaluar 20 minuta shënojnë me anë të Baxhos. Eshtë po ai që bën “bis” pas pesë minutash. Stoickovi shkurton larëgësinë nga pika e 11-metërshit  dhe bullgarët do të kishin mundur të shënonin golin e dytë, sikur gjyqtari francez, Kinu, të kishte dhënë një tjetër goditje të tillë për prekje të qëllimshme të topit më dorë nga Kostakurta.

Kështu Italia, jo pa trazira, arrin në finale me Brazilin i cili, edhe ai kishte pasur një rrugë të sëkëlldishme, sidomos në takimin me Hollandën, të fituar 3-2.

Me dy gola të Bebetos dhe Romarios u duk se triherë kampionët e botës po e kalonin serbes këtë ndeshje, por gati e humbën pusullën, kur Berkampi dhe Vinteri barazuan 2-2. Dhe vetëm mjeshtria e Brankos u dha atyre mundësi të fitojë 3-2 dhe të arrijnë finalen me Italinë, ashtu si 24 vjet më parë më 1970 në Meksikë,  kur kishin triumfuar 4-1.

Që nga viti1986, kur kisha rinisur të komentoja botërorët e futbollit, ndonjë shok më kishte pyetur se përsë  gjatë ndeshjes përktheja komentatorët italianë. U shpjegoja se, përderisa nuk ndodhesha me mikrofon në stadiumët e huaja si ata,nuk mund të veproja ndryshe.

    ”Po sikur të na lije të dëgjonim vetë komentatorët italianë , pra të flisje më  pak,”- kërkonin disa të tjerë. ”Po ato që thotë ai përpiqem të them edhe unë,- vazhdoja,- pra,kuriozitete, të dhëna për skuadrat, me ç’skema taktike luajnë, pra ato të veçori të lojës, që komentatorët italianë  i saktësonin shumë më mirë se  unë, që nuk kisha nga t’i mësoja, se ndodhesha në  një…studio të  TVSH-së. Atëherë bindeshin.

       Po të kthehemi te ndeshja finale Itali-Brazil. Besoj se një pjesë e mirë e atyre që lëxojnë këto radhë, e kujtojnë këtë takim të mërzitshëm, shumë larg një finaleje botërori , aq më tepër që, për të përcaktuar kampionen, u deshën 120 minuta, dhe për herë të parë edhe 11-metërshat.

I vetmi çast kulmor në këtë ndeshje u regjistrua në minutën e 75-të, kur pas një aksioni Mario Silva i dha përtacisht topit një goditje, që po aq përtacësisht u prit nga  Paliuka i dremitur, të cilit, për habit të  miliona e miliona shikuesve në tërë rruzullin tokësor, i shpëtoi duarsh, u përplas në shtyllën pingule, nga e djathat e tij dhe që aty, si të ishte penduar, në vend që të drejtohej në portë,  përfundoi përsëri në duart e portieri italian!..

Dhe atij nuk i mbeti vecse ta puthte…me dashuri.

Por nuk ishte e thënë që axurrët të fitonin.Gjatë llotarisë  së  11-metërshave Baxho, ndër më të mirët e këtij botërori  që kishte mundësi të barazonte rezultatin, i cili ishte 3-2 për brazilianët, nuk arriti të mposhtte emocionet, dhe e degdisi topin lart mbi tra, si t’i jepte kështu një meszh lamtumire stadiumit dhe këtj botërori dhe në të njejtën kohë e bëri Brazilin “Tetra Campeo”, pra për të katërëtën herë u kurorëzua kampion i botës.

Përpara se t’ i mbyll shënimet për aventurën amerikane të këtij botërori , ashtu si në pjeëën e 14-të, nënvizoj edhe një fakt të habitshëm. Në mars të vitit 1994 një koleg nga Komiteti i Shkencave më propozoi që libri imi mbi evoluimin e sistemeve taktike të futbollit shqiptar, (1930-1987), ku një një kapitull të veçantë  përfisheshin edhe sistemet   taktike  të botërorëve të futbollit, pra nga sistemi piramidor  2-3-5, i Uruguait, më 1930, 3-2-2-3, (ËM), i Italisë, kampione  më 1938, 4-2-4, i Brazilit, kampion në Suedi, (1958), 4-3-3, i Anglisë, kampione, (1966),  4-4-2, përsëri i Brazilit, kampion në Meksikë, ( 1970), po me këtë sistem e kështu me radhë, pra këtë libër të botuar më 1987 ta paraqitja  pranë  sektorit shkencor të ILKF “Vojo Kushi”, për të fituar gradën shkencore doktor. Ashtu veprova. Por, për çudi, drejtuesit e këtij sektori  krijuan një “bicçm” jurie me pesë vetë, nga të cilët dy që nuk ishin specialistë të futbollit, vetëm e vetëm si e si  ta hidhnin të poshtë. Dhe ia arritën qëllimit.E të mendosh se libri ishte aprovuar nga katedra e futbollt dhe drejtoria e  këtij instituti, sot Akademia e Sporteve!… 

Brazilianët kampionë të botërorit 1994

Rezultatet e fazës finale

 1/8 e finaleve

Gjermani-Belgjikë 3-2

Spanjë-Zvicër-3-0

Arabi Saudite- Suedi 1-2

Rumani-Argjentinë 3-2

Brazil-SHBA 1-0

 Hollandë-Irlandë 2-0

Itali-Nigeri 2-1,( me shtesë)

Meksikë-Bullgari 1-1,( 3-1 me 11metërsh)

¼ e finaleve

Itali-Spanjë 2-1

Brazil-Hollandë 3-2

Bullgari-Gjermani 2-1

Rumani-Suedi 0-1

 Finale për vendin e tretë

Suedi-Bullgari 4-0

Finale

Brazil-Itali 0-0,(3-2 me shtesë dhe 11-metërsha), në Pasadena ,(Los Anxheles) Gjyqtar,Puhl (Hungari)

Brazili-Tafarel,Zhirzhinjo,M.Santos,Aldair,Branko,Mazinjo,M.Silva,Dunga,Zinjo,Babeto,

Romario,(trajner Perrerira);

Italia-Paliuka, Muzi, Barezi, Maldini, Benarrivo, Berti,,Albertini, D.Baxho, (Evani), Donadoni, Masaro, R.Baxho, (trajner Saki).

Golshënuesit më të mirë- Salienko, (Rusi), Stoiçkov,( Bullgari), nga 6 gola.

Përbërja simbolike e botës- Predhom ,(Belgjikë), Zhorzhinjo, (Brazil) ,M.Santos, (Brazil), Maldini, ((Itali), Brolin, (Suedi), Dunga,(Brazil), Haxhi,(Rumani), Ballakov, (Bullgari) ,Baxhio, (Itali), Romario, (Brazil),Stoiçkov ,(Bullgari). Stadiumet-Pasadena,(Los Anxheles),Nju Jork, Boston #Cikago, Dallas ,Miçigan, Orlando, Stanford, Uashington

Ndeshje- 52

Gola- 141, (2,71 për ndeshje) Shikues- 1.587.538, (66.991 për ndeshje)  

 

 

Comments

comments

-----