88 VJET RRETH PLANETIT TE BOTEROREVE TE FUTBOLLIT – 4

TREGOJNE NANDO MARTELINI,  ANTON MAZREKU DHE UNE

 

   Nga Skifter Këlliçi

 

Uruguajanët ,përsëri kampionë, kurse Martelini…radiokronist           

                             sportiv, (Brazil,1950)

Vazhdon rrëfimi i Martelinit, komentatorit të madh të Televizionit Italian, RAI,  për botërorët e futbollit…Për të parin, të zhvilluar  më 1930, siç kam shkruar në pjesën e parë të këtij cikli, ai, atëherë  9- vjecar, mësoi shumë ngjarje vetëm kur u rrit. Kurse për të dytin dhe të tretin udhërrfyes u bë radiokronisti legjendar  Nikolo Karozio, zëri i të cilit nga stadiumet e Italisë dhe Francës, më 1934 dhe 1938   solli jehonën e dy botërorëve të futbolli, bashkë me lavdinë e axurrëve, dy herë kampionë të botës.

“Studioja për t’u bërë diplomat,- nisi  tregimin e tij Martelini, duke vazhduar bisedën në Radio “Dimensione Suono” në Romë,- por në shpirt më vlonte dëshira për t’u bërë gazetar sportiv dhe, mbi të gjitha, radiokronist. Kështu braktisa diplomacinë dhe më 1946 komentova të parën ndeshje  për RAIN, Bari-Napoli dhe u bëra kështu edhe  koleg i Nikolo Karozios, për të cilin kam folur disa  herë gjatë gjatë bisedës sonë.

Por edhe Botërorin e 4-t, të zhvilluar në Brazil më 1950, e ndoqa nga Italia. Ende  e raskapitur nga pasojat e Lufta e Dytë Botërore, që pëngoi zhvillimin e botërorëve të viteve 1942 dhe 1946, Italia  ishte në gjendje shumë të vështirë ekonomike.

Ndoshta kjo është edhe një nga arsyet që udhëtimin për në Brazil delegacioni italian e bëri me anije, ashtu si Kolombi më 1492, kur zbulonte brigjet e një toke të re, që do të quhej Amerikë nga italiani tjetër, Ameroko Vespuçi. Me vete kishte Kupën e Botës, të cilën presidenti i Federatës italiane të Futbollit e kishte ruajtur në fshetësinë më te madhe për të mos rënë në duart e nazistëve gjermanë.

“Gjatë udhëtimit – më shpjegonte  Martelini,-  axurrët i bënin stërvitjet në sheshin e anijes, para syve të çmeritur të turistëve që qeshnin kur topat e futbolit jo rrallë përfundonin në ujërat herë të qeta dhe herë të rrëmbyeshme të Atllantikut. Si belgët, francezët dhe rumunët, që udhëtuan me anije nga  porti i Gjenovës, në Montevideo për Botërorin Uruguajan të vitit 1930.

E telendisur nga ky udhëtim aventuresk, është e kuptueshme që ne, dy herë kampionët e botës, kapitulluam pa kushte: së pari,  para suedezëve të freskët, që fituan 3-2 dhe pastaj,  ndonëse në ndeshjen e dytë e morëm vetën, edhe me paraguajanët   me të cilët humbëm 2-0 dhe u u mënjanuam nga vazhdimi i këtij botërori të palavdishëm…

Por duhet pohuar se në dështimin përfaqësues italiane ndikoi  edhe  një arsye shumë e fortë: Më 5 maj  të vitit 1949, pra një vit më parë, avioni me të cilin  përfaqësuesja italiane po kthehej nga Portugalia,u përplas në kodrën e Supergës, në afërsi të Torinos . Mbetën të vdekur tërë futbollistët, ndër të cilët Rigamonti, Kastiliano, Macola,(babai i Sandro Macolës,që do të bëhej i famshëm në vitet 60-70) ,Bacikalupo, Osola, Morozo, Monti dhe Balarini. Mund të kishte humbur jetën edhe komentatori, Nikolo Karozio,por ai në çstin e fundit nuk u nis së bashku me skuadrën nga Lisbona”.

Më historinë e këtij botërori jam njohur më 1956, student 18-vjecar  i vitit të dytë  të UT-së,- kur fillova të lexoja gazetën “Sovjetski Sport”. Ashtu si në fund të viteve 30-dhe në fillim të viteve 40-të  në Shqipëri vinte thuajse cdo ditë  “La Gaxeta dello Sport”, ashtu edhe kjo gazetë ruse  vinte dy herë në javë  me avion nga Moska.

Në faqet e “Sovjetski Sportit” pata mësuar se  ky botëror qe zhvilluar në periudhën e Luftës së ftohtë, kur 60 mijë ushtarë të Koresë së Veriut kishin kaluar paralelin 38, për t’u hedhur në Korenë e Jugut, se amerikanët nuk kishin qëndruar asnjanës, por kishin zbarkuar atje me  ushtri, të drejtura nga gjenerali Mek Artur, se Gjermania dhe Japonia nuk ishin ftuar të merrnin pjesë në këtë botëror, si  shtete që shkaktuan Luftën e Dytë Botërore, se për herë të parë  në  një kampionat botëror të futbollit denjonte të merrte pjesë… Anglia, se për shkak  të pasojave të rënda ekonomike, edhe vende të tjera nuk merrnin pjesë në këtë botëror, se  numri i pjesëmarrësvë arrinte vetëm 13, aq sa grupi i IV përbëhej vetëm nga Uruguai dhe …Bolivia.

“Kur në Itali, si dhe në vende të tjera,- vazhdoi Martelini,- u mor vesh lajmi se amerikëkanët kishin mundur  Anglinë 1-0, shumëkush pandehu se mos ndoshta kjo ishte shaka e 1 prillit , ndonëse botërori kishte nisur më 24 qershor, për të përfundur më 16 korrik  të  vitit 1950”.

Ndeshjet e këtij botërori u zhvilluan në stadimet e Belo  Horizontes, Kuritubës, Porto Alegres, San Paolos dhe Rio de Zhaneiros.

…Çuditë në këtë botëror priten nga Brazili, skuadër me të vërtetë magjike, e përbërë nga një “kostelacion futbollistësh jashtëtokësorë”, sic përcaktohet jo rrrallë nga specialistët. Favoritë janë edhe uruguajanët, që më 1934 dhe 1938  kanë  refuzuar të marrin  pjesë në botërorët e Italisë dhe Francës. Varela, Andade, Skiafino dhe futbollistë të tjerë të këtij vendi të vogël, vërtet nuk  zotërojnë elegancën dhe teknikën e zhonglerëve brazilianë, por janë më racionalë, më të përmbajtur, më praktikë.

Suedezët shquhen për zbatimin me fantazi të sistemit ËM, duke luajtur me ritëm të habitshëm, të mbështetur në një përgatitje fizike , që u dha mundësi të mposhtnin axurrët.

Këto  tri skuadra kaluan pa vështirësi ndeshjet në  grupe, deri sa u ndodhën të parat në grupin final. Brazilit i mjaftonte vetëm një barazim me Uruguain, që të fitonte kupën e Botës.

Por 50 milionë brazilianë kërkonin fitore dhe vetëm fitore. Ata ndiqnin çdo ndeshje në shtëpi, kafene, parqe, rrugë, ku bucisnin fortafolësit, që kumtonin fitoret e bujshme të “sambas braziliane’’, të drejtuar nga trajneri Flavio Kosta.

 Para ndeshjes ishte krijuar një gjendje euforie dhe deliri. Drejtuesit e skuadrës uruguajane së bashku me futbollistët u ndodhën para një “shoku”, madje pati nga ata që gjykonin se do të ishte në nderin e  tyre që të mundeshin… të paktën me një rezultat sa më të ngushtë.

Kështu më 16 korrik  të viti 1950, në stadiumin “Marakana”, të ndërtuar enkas për këtë botëror, mbi kurrizin e të cilit u ulën atë ditë rreth 200 mijë shikues, shifër që nuk arriti të thyhej asnjë  herë tjetër, Brazili u “kacagjelos”me Uruguain.

Nuk mund të merret me mend se ç’ndodhi në minutën e 47, kur Friaka shënoi golin e parë për brazianët. Hare deri në çmenduri!..Pritej që pas  kësaj rrjetëtundjeje në portën kundërshtare do të niste një “goeladë”. Por uruguajanët nuk e humbën torruan. Në minutën e 60-të, pas  një topi të saktë  të Gixhës, barazoi Skiafino.

Hareja në “Marakana” zuri të platitej. Kishte arritur një çast i ankthshëm. Por,vetëm për një grimë, se shpejt shkallët nisën sërishmi të gumëzhinin. Mirëpo, sikur brazilinët të kishin qenë më gjakftohtë dhe të kishin marrë masa ndaj kundësulmeve, sidomos të Gixhës, Moranit dhe Skiafinos, ata pa vështirësi mund ta kishin mbyllur takimin të paktën në barazim.Por turmat mbi shkallët e stadiumit vazhdonin  kërkonin  fitore dhe vetëm fitore. Madje të bujshme!…

Ndaj Ademiri me shokë filluan një ofensivë në shkallë të gjerë  ndaj portës kundërshtare që mbrohej nga Maspoli. Miërpo, siç ndodh në të tilla raste, hullitë e mbrojtjes   zunë të hapeshin gjithnjë e më shumë. Kështu në minutën e 69-të Mikuesi goditi  traun e portës braziliane dhe pesë minuta më pas Skiafino ftoi Gixhan,i cili, i kërrsur ,si një kalë gërmuq i legjendave,pasi çarmatosi mbrojtësin e majtë, Bigode , shënoi.

…Gjigandi “Marakana” hesht, tkurret,  akullohet. Futbollistët në fushë janë të çoroditur dhe porta uruguajane u tretet   sysh. Ndeshja ka mbaruar dhe hallku në shkallët e stadiumit nuk u beson syve. Për më tepër, ka nga ta që në cçste halucinimi pandehin se futbollistët do të reshtohen përsëri në fushë, për të filluar… pjesën e treë!..Por kur Zhyl Rimeja, presidenti i FIFA-s ,u dhuron uruguajanëve kupën, gjithcka bëhet e e qartë.
Klithma brengosëse, deri në lotëri të paprashme… Për më keq, 56 infarkte  në stadium në ato minuta.Rasti më patetik është ai i mbrojtësit brazilian, Danilo, që kërkon të vrasë veten. Por arrijmë ta shpëtojnë. Por jo 56 të tjerë që gjejnë mënyra të tjera që  t’i japin  përgjithmonë  lamtumirën kësaj bote.  Dhe jo nga skamja, mjerimi që mbështjell  Brazilin…Jo,nga një humbje në fushën e futbollit. Dashuri verbuese deri në fanatizëm të skajshëm…

Mijëra sy nguliten mërishëm mbi urugujanin Gixha,  që është shkaktari i kësaj llahtare. Po të mos ishte policia, vështirë se do te mbetej gjallë, bash si gjyqtari belg Langenus pas finales Uruguai-Argjentinë në botërorin 1930. Por ai për nafakën e tij qe veshur me zhaketë dhe kilota. Kurse Gixha me fanellë e të mbathura sportive.  Sidoqoftë arrin  me paterica arrin gjalla me  në atdhe. Dhe  pritet si hero. Ashtu si uruguajani tjetër,  Skiafino, që kujton:

”Shikoja nga fusha mijëra e mijëra që qaniin me kuje në shkallët e stadiumit. Ata nga hidhërimi, kurse ne në vetevete nga gëzimi, duke menduar për famljet tona”.     

Brazili është në zi. Uruguai, kur nuk e priste- kampion i botës për të dytën dhe të fundit herë deri tani.

 Të  dyja skuadrat luajtën në këtë finale historike më këta futbollistë:

Uruguai:

Maspoli, M.Gonzales, Tehera ,Gambeta,Varela, Andrade,Gixha,Perez,Miguez, Skiafin,.Moran;

Brazili:

Barbosa, Augusto, Juvena,.Bauer,Danilo, Bigode,Friaka, Zizinjo, Ademir ,Zahir, Kiko

Gjyqtar- Reader,(Angli).

 

Tabela e rezultateve:

Gr. I

Brazil-Meksikë 4-0

Jugosllavi-Zvicër 3-0

Brazili Zvicra  2-2

Brazil-Jugosllavi  2-0

Zvicër-Meksikë  2-1

 Gr. II

Spanjë-SHBA 3-1

Angli-Kili 2-0

Spanjë-Kili 2-0

SHBA-Angli 1-0

Spanjaë-Angli 1-0

Kili –SHBA 5-2

Gr III

Suedi-Itali  3-2

Suedia-Paraguai  2-2

Itali-Paraguai  2-0

Gr IV

Uruguai-Bolivi 8-0

GR Final

Brazili-Suedi  7-1

Uruguai-Spanjë  2-2

Brazil-Spanjë 6-1

Uruguai-Suedi  3-2

Suedi-Spanjë  3-1

Uruguai-Brazil  2-1

Renditja

Uruguai 5 pikë, Brazili 4 pikë, Suedia,2 pikë,Spanja 1pikë.

Golëshënuesi mi i mirë: Ademir, (Brazil),9 gola.

Nga galeria e yjeve:

Skiafino, (Uruguai),Ademir, (Brazil),Metjus, (Angli), Skoglund, (Suedi), Gixha,(Uruguai).

Ndeshje-22

Gola-88

Shikues-1.036.000,(47.091 për ndeshje)

-Një kuriozitet:

Kur me Anton Mazrekun bisedonim një dite  vere të vitit 1962, disa ditë para se të fillonte botërori  kilian,për të cilin do të flas  në vazhdim të këtij cikli, natyrisht për temën tonë më të parapëlqyer,futbollin, prej tij mësova se nuk ishin Lojërat Olimpike të zhvilluara më 1948 në Londër  dhe  Botërori i vitit 1950 në Uruguai veprimtaritë e para ndërkombëtare në rruzullin tokësor, pas Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi, e para veprimtari sportive pas kësaj lufte, ishte Ballkaniada e zhvilluar në Tiranë më 1946, që përfshinte dy sporte, atletikën dhe futbollin, dhe ku në këtë të fundit Shqipëria  u shpall kampione e Ballkanit.

 Vërtet fakt interesant, po të marrim parasysh gjendjen e përvajshme të Shqipërisë pas kësaj lufte shkatërrimtare…

 

Comments

comments

-----