PËR FILMAT E KOHËS SË DIKTARURËS

Nga Thanas L. GJIKA

Falenderoj z. Agron Tufa për hapjen e diskutimit mbi vlerat e antivlerat e filmave shqiptarë të krijuar gjatë diktaturës komuniste. Ai ka të drejtë kur shkruan se disa prej tyre duhen ndaluar të shfaqen, kurse disa të tjerë mund të shfaqen me komente nga specialistet për të sqaruar të metat e tyre ideore.

Si reagim u shkruan disa artikuj prej prof. Fatos Tarifës, regjisorëve Piro Milkani, Saimir Kumbaro, Menvlan Shanaj dhe aktorit Reshat Arbana. Këta dolën kundër mendimit të z. Tufa. Pasi e ndoqa polemikën dhe diskutimet që shkruan poshtë shkrimeve shumë lexues nëpër gazeta, po shfaq dhe une mendimin tim lidhur me dobësinë themelore të atyre filmave dhe të krijuesve të tyre:

Te gjithe ata shqiptarë që morrën pjesë në krijimin e filmave gjatë kohës së diktaturës komuniste, nuk ka pse të mos e pranojnë faktin se kanë qenë bashkëpunetorë të partisë shtet, sepse nuk kishin mundesi tjetër për të krijuar filma. Partia mbulonte shpenzimet e krijimit të filmave dhe ajo diktonte dhe kontrollonte zbatimin e ideologjisë së saj në ato vepra. Pra atëhere u krijuan filma të indoktrinuar ashtu si i donte partia. Aty lavdërohej jeta e popullit tonë nën udhëheqjen e partisë, i thurreshin lavde partisë dhe komunistëve, të cilët gjithnjë jepeshin vetëm si heronj pozitivë e shembull moral e atdhetar. Aty shtrembërohej e verteta e jetës, sepse populli ynë realisht vuante si në fshat e në qytet nga sundimi diktatorial dhe fukarallëku, ndërsa në filmat e asaj kohe tregohej sikur populli ishte i lumtur. Puna e mirë e disa regjisorëve dhe loja e bukur e aktorëve nuk i ka shpëtuar ata filma nga të tilla shtrembërime ideore.

Si e tregoi z. Kastriot Dervishi të gjithe filmat, në nivele të ndryshme, kanë deformime lidhur me të vërtetën historike të jetës kur ndodhin ngjarjet e filmave te realizmit socialist. Të gjithë krijuesit e filmave të asaj kohe (skenaristë, regjisorë, aktorë, kompozitorë, etj) i krijuan ato vepra nga nevoja për të jetuar, për të marrë rrogën dhe se u mungonte guximi për të mospranuar që t’i shërbenin atij regjimi e asaj ideologjie.

Fatkeqesia e këtyre krijuesve është sepse sot po vijojnë të mburren me ato vepra të indoktrinuara që i krijuan në atë kohë. Pra ata po përpiqen për ta mbajtur ende popullin të indoktrinuar (të qorruar). Ky hap është një mëkat (krim) i dytë. Krimi i parë e ka një fare justifikimi tek nevoja për të jetuar dhe tek të mosqënët trima, kurse krimi i dytë është më i rëndë sepse nuk ka justifikim. Të vijosh sot, pas 26 vjetësh përpjekje për demokraci, të lavdërosh filmat që kanë shtrembëruar realitetin për të rihelmuar popullin, do të thotë se krijuesve të tyre që janë ende gjallë u mungon ndërgjegja kritike, u mungon ndershmëria. Ata vuajnë nga deliri i madhështisë që iu krijua nga lavdërimet që u jepte partia shtet me ato ndere si çmime, dërgime jashtë shtetit, lejë krijuese, shtëpi më të mira, etj, etj.

Nipërit e mbesat e tyre, që po formohen në Perëndim do të ndjejnë turp për këtë qëndrim të gjyshërve të tyre, prandaj ju lutem për të mirën e tyre, të largohen nga ky qëndrim i turpshëm ndaj gabimeve e krimeve të dikurshme, që ata i kryen nën dhunën e partisë shtet…

 

Comments

comments