Talenti i tij i rrallë, do të shërbente si pasaportë për kampionatet botërore të futbollit.

S’është kombi që nderon njerëzit e shquar, po janë ‘ATA’që ia rrisin vlerat dhe nderojnë KOMBIN!”Vivra

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

Cili ishte ky talent i lindur për t’u ballafaquar me të mëdhenjtë e futbollit shqiptar, veçanërisht me emblemat e futbollit botëror?

Ky djalë i ri që kishte lindur për t’u bërë ikonë e futbollit, ky personalitet dhe individualitet sportiv, qytetar i formuar me shpirt ndër dhëmbë, mes denigrimit dhe mohimit klasor, është vlonjati dhe qytetari i mirë, Mexhit Haxhiu, pinjoll i denjë i familjes fisnike Qataj që më vonë u quajt dhe vazhdon të quhet Haxhiu.

Mexhid Haxhiu “ Mjeshtër i Madh i Sportit” mban disa tituj nderi dhe mirënjohjeje

Mexhiti vjen nga një fis me tradita të hershme atdhetare. Të parët e këtij fisi janë nga Janina. Me përndjekjen dhe shkombëtarizimin që i bëri Krahinës Autoktone Shqiptare Jugore, despoti i egër bizantin Thanas gjakësori në fundshekullin e XIV-të, Qatajt, si shumë fise të tjera shqiptare u vendosën në Anadoll të Turqisë (Konjë). Historikisht të vlerësuar si trima, strateg dhe mjeshtër në artin luftarak, shërbyen në Perandorinë Osmane si ushtarak me grada të larta. Shumë prej të përndjekurve shqiptarë, shfrytëzuan mësymjen e ushtrisë osmane ndaj Ballkanit dhe u kthyen në trojet e të parëve. Për ta verifikuar këtë çështje, po ua lë historianëve të Mesjetës dhe historisë sonë të cunguar e të tjetërsuar. Ndoshta një ditë historia jonë kombëtare do të flasë me gjuhën e së vërtetës. Mexhiti është nipi i Osmën Haxhiut, djali i Galipit, njërit nga djemtë e tij. Osmani njihet si figurë historike, pasi ishte Kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” gjatë Luftës së Vlorës, delegat në Kongresin e Lushnjës, deputet në parlamentin Shqiptar.

Bota nuk i ka heronjtë, por i nxjerr nga dheu, nga hiçi dhe i ngre në piedestal. Kurse Shqipëria i ka pasur me bollëk, por ua mohoi vlerat, i baltosi dhe i zhyti në humnerat e harresës. Mes mijëra vlerave të mohuara apo të pa trajtuara si duhet, është edhe Mexhit Haxhiu, i biri i Galip Osman Haxhiut dhe Fatime Velajt. Si nacionalist, i ati i tij, Galipi u arratis, duke lënë në mëshirën e fatit gruan e re me 3 fëmijë. Ai, motra dhe i vëllai, u rritën nën kujdesin e nënës. Paga e një pune krahu të rëndë ishte e vogël, ndaj s’mjaftonte për të rritur dhe shkolluar 3 fëmijë. Nënë Fatimeja, ajo grua fisnike nga Kanina e lashtë, herë me bukë e herë pa bukë, gjithsesi ia doli mbanë. Kënaqësia e saj ishte pa kufi kur shihte të birin që çdo ditë shpaloste talentin e tij në futboll. Fushë stërvitjeje për futbollistin e ardhshëm u bënë ullinjtë e Kaninës në Ujin e Ftohtë (Vlorë) dhe rëra e bregdetit, ku lindi dhe u rrit Mexhiti. Ai me shokët luanin futboll me top lecke, derisa një i huaj, ingjinieri rus u dhuroi një top.

Rruga e lodhshme plot të përpjeta dhe të tatëpjeta e Mexhitit drejt ëndrrës…

Rrugëtimi i tij drejt ëndrrës dhe suksesit, ishte i vështirë, i lodhshëm dhe me shumë pengesa politico-shtetërore, ndaj dhe çastet kulminante s’mund të shlyhen lehtë nga kujtesa.

Viti 1957, pranverë…Një inxhinier rus, punonte për ndërtimin e fabrikës së Çimentos dhe banonte në 7 vilat e Ujit të Ftohtë, i apasionuar pas futbollit, një ditë u dhuroi fëmijëve një top futbolli. Kjo dhuratë e bukur e inxhinirit, bëri që fëmijët ta flakin tej topin prej lecke!

Traineri Vasillaq Ndini i çeli Haxhiut rrugën e shpresës

Një të diel të muajit qershor 1957, nën një diell të nxehtë, Mexhiti gjuajti një encë, që e ktheu në gol. Shikuesit e shumtë bërtitën dhe duartokitën, ndërkohë aty per aty hyn në fushë një burrë shumë elegant, me buzëqeshje e dashamairësi, pasi i përgëzoi të gjithë për enthusiazmin, iu drejtua Mexhitit. E pyeti si e quajnë dhe nëse donte të mësonte se si luhet futbolli, i tha: “Eja nesër në Shtëpinë e Pionierit dhe më tako mua, pasi unë jap mësim mbi futbollin. Me quajne Vasillaq Ndini !

Ai shprehet me krenari: “Mexhitit i kam dhënë mësim që nga mosha 14 vjeç, ndërsa në moshën 16 vjecare Mexhiti, filloi të luajë me të rinjtë e Flamurtarit. Mexhiti kishte një talent të paparë, ai kuptonte dhe kapte me një zgjuarësi të rrallë çdo mësim teorik, praktik e teknik. Atëherë luante sulmues i majtë, më pas filloi të luajë në qendër dhe shumë shpejt përdorte të dyja këmbët njësoj.

Të rinjtë e Flamurtarit për 3 vjet rresht ishin nënkampion të vendit pas 17 Nëntorit të Tiranës, në vitin 1962, të rinjtë tanë u ndanë vetëm me 2 pikë nga vendi i parë, duke manifestuar një futboll teknik, model dhe kishin një ngritje teknike cilësore me të gjithë komponentet. Ndërsa Mexhiti si individ po shpaloste nga muaji në muaj dhe nga ndeshja në ndeshje aftësi të rralla, për një futboll mbi mesataren për moshën që kishte.

Ndërsa në vjeshtën e vitit 1962 Mexhiti rrjeshtohet me ekipin e parë dhe në krah të tij ka fubollistin tjetër të talentuar Musa Ferkon (Babaçen) i cili ishte një lojëtar plot elegancë e pjekuri. Si për çudi unë jam përsëri trainer i skuadrës së parë. Kështu nisi karrjera e futbollistit Mexhit Haxhiu që me vullnetin dhe talentin e tij arriti të përfaqësojë denjësisht futbollin vlonjat, atë të Partizanit, por për arsye që dihen, nuk dha vlera me kombëtaren. Përkufizimi im për të është ky:

*Mexhiti ishte një figurë e pastër morale dhe me një edukatë familjare të shkëlqyer.
*Njeri tepër i zgjuar në çdo drejtim, si dhe tepër inteligjent.
*Ishte një nxënës gjimnazi me nota të shkëlqyera.

*Karakterizohej si një njeri që kishte komunikim të veçantë, me shokët, pedagogët, trainerët, si në sport dhe në jetë.
*Kishte një vullnet të çeliktë dhe tepër i përkushtuar, këmbëngulës për të përvetësuar çdo gjë që i nevojitej si në teknikë dhe në teori e praktikë, për të mbijetuar e për të përballur vështirësit e kohës që tek ai ishin të shumta e pa mbarim !

*Si futbollist ka qenë sportist dhe njeri model, simbol për të arritur nivele më të larta në këtë fushë, nga kushtet dhe vështirësit që u rrethua gjatë gjithë karrjerës së tij. Mexhiti i përballoi ato, me maksimumin e mundshëm, dhe unë si trainer i parë i tij e kam cilësuar atë si një figurë e veçantë e futbollit Shqipta. Konkretisht kam njohur të madhin Loro Boriçi dhe kam thënë: … në se do t’i ishte dhënë mundësia Mexhit Haxhiut, vetëm ai mund të afrohej me të!” Vasillaq Ndini

Baticat dhe zbaticat e karrierës sportive të Mexhit Haxhiut

Duke parë talentin e tij, ekipi kombëtar e aktivizoi vetëm në ndeshjet brenda vendit në Tiranë. Në ndeshjen me Algjerinë shënon gol. Në qershor 1960 e lejuan të aktivizohej me ekipin kombëtar, ku si për çudi zgjodhën dy ndeshjet në vendet Lindore me Bullgarinë dhe Rumaninë. Urdhërin e kishin firmosur Kadri Hazbiu dhe Beqir Balluku, për t’i lejuar udhëtimin me ekipin kombëtar. Në Varna të Bullgarisë, kur mjegulla kishte mbuluar qytetin atë mbrëmje, në hotel shoku i tij më i afërt nga Kavaja, Muharrem Karriqi, pas një shqetësimi të jashtëzakonshëm dhe i mbuluar me turp, i tha: “Dëgjo Mexhit. Duhet të ruash një sekret. Mua më kanë vendosur të të ruaj ty. Mos ia thuaj askujt këtë, i kupton pasojat”. Nga ajo mbrëmje, mësoi se veç Karriqit, ishte i survejuar dhe nga të tjerë, gjë që i shkaktonte dhimbje shpirtërore dhe vrasje morale, pasi ai e donte me shpirt sportin. Futbolli për Mexhit Haxhiun ishte dhe është një art, që fsheh magjinë e vet të jashtëzakonshme. Por ky art, ky talent i rrallë, do t’i bëhej gjatë karrierës së tij, siç shprehen të mohuarit, si “ferri i fatit të vet”.

Viti 1961-kulmi i lufës së ftohtë, Ekipi i Ministrisë së Mbrojtjes “Partizanit” zgjidhte ushtarët më të talentuar në futboll, ku mes tyre dhe ushtarin e ri Mexhit Haxhiu. Pas betimit, komisari i klubit kishte mësuar biografinë e tij dhe i tha:“Ti djalë je marrë gabimisht ushtar”.U kthye në Vlorë. Pas një muaji e rithërrasin ushtar tek“Partizani”, pra shkoi 2 herë ushtar. Sapo përfundoi ndeshjen e parë tek “Partizani”, njëri nga tribuna qëndore pyeti se cili ishte djaloshi, që vallëzonte kaq bukur me topin? Sapo mësoi emrin ‘Mexhit Haxhiu’, kishte urdhëruar: “Ai djalë duhet të largohet nga skuadra”.

Më degdisën në repartin e punës, në burgun 2200 në Lushnje. Aty punonin gjithë ushtarët, që e kishin biografinë si timen,” – rrëfen dhimbshëm Mexhiti.

Koha kalon, kur shpresat ia kishin vrarë dhe ëndrrat ia kishin shuar, e thërrasin urgjentisht te “Partizani”. E transferuan në Tiranë. Për ironinë e fatit, ndërsa ekipi kombëtar niset në Rinas për të fluturuar drejt Irlandës e më pas drejt Hollandës, Haxhiun nuk e kishin përfshirë në formacion. “Kur Ramiz Alia shkoi për të përshëndetur skuadrën para nisjes, Mexhiti, i kërkoi shpjegim:“ përse nuk më lejuan të shkoja jashtë shtetit me ekipin kombëtar…?-ke të drejtë të luash vetëm në Tiranë”-kjo ishte përgjigja e tij.
Gjithsesi në këtë transferim urgjent Mexhiti
qëndroi 20 ditë në Tiranë. E thirrën përsëri e i thanë: “Ti je transferuar në Vlorë”, por me një kusht, nuk do të lejohesh të shkosh në asnjë ndeshje jashtë vendit.” Më 1973 “Flamurtari”udhëtonte drejt Kosovës, kurse Mexhitin së bashku me Krenar Shakën, Kastriot Çelën, nuk i lejuan të shkonin dhe të luanin në trojet shqiptare.

Revolucioni kulturor kinez solli egërsimin e Luftës së Klasave, prishjen e institucioneve fetare, ndalimin e ushtrimit të fesë, burgosje, internime dhe vrasje pa fund… Pas kthimit nga Varna, nisi ky revolucion famëkeq, që gjithçka mund të ishte po të ishte kulturor as që mund të imagjinohej. Si pasojë Mexhitin e larguan nga ekipi i “Partizanit” me sportistë të tjerë, që i përkisnin klasës së mohuar, fisnikëve dhe intelektualëve me kulturë perëndimore.

Fal aftësive të tij, talentit, vullnetit, palodhshmërisë, teknikës së lartë në lojë, kulturës dhe disiplinës, Mexhit Haxhiu u shpall fitues i anketës “10 sportistët më të mirë të vitit” në 1972-shin. M. Haxhiu u përzgjodh si një nga 11 futbollistët më të mëdhenj shqiptar të të gjitha kohëve pas anketës së zhvilluar në 100 vjet Pavarësi kombëtare. Mexhit Haxhiu është “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Vlorës”.

Kur Mexhiti luante me Partizanin mes muajit shtator 1967 i thirrur në ndihmë të ekipit të “Besës” së Kavajës gjatë një ndeshje në Durrës për kupat e Europës. “Besa” e Kavajës” luajti për kupën “UEFA” me “Edinburgh-un” e Skocisë. Kapiten i ekipit Kavajas ishte Kariqi, kurse trainer ishte Muhamet Vila, ish futbollist për shumë vite me “Dinamon” e Tiranës. Pas hezitimit biografik të autoriteteve, Mexhiti futet në lojë në pjesën e dytë dhe godet një faull. Ja komenti gazetaresk i kohës: “Krosimi dinak i Haxhiut teknik, fton intuitën e Pagrisë të mposht portierin skocez”.Pra me futjen e Haxhiut në lojë Kavaja barazon 1-1 me ekipin skocez.

Mexhit Haxhiu,“Mjeshtër i Madh i Futbollit“, rrëfen se ia vranë ëndrrën, i mohuan profesionin pamëshir duke ia mohuar vlerat dhe arritjet: “Ditë e enjte mbasdite. Zhvillonim ndeshjen e kontrollit. Teksa bëja nxemjen drejt meje vjen këpucari i stadiumit,Thomai,dhe si me drojtje me thotë: Mexhit, më thanë që të largohesh nga stadiumi …je i përjashtuar, nuk do luash më futboll e duke më përqafuar i rrodhën lotë…Shkova në shtëpi, përplasa çantën e sportit,sikur ma kishte fajin ajo. Nëna, u habit, po kur më pa fytyrën dhe shpirtërisht tejet të vrarë, pyeti e shqetësuar, se pse isha kthyer aq shpejt…U merakos se mos isha i sëmurë ?

-Më pushuan nga sporti mamaaa…! -Nëna që më kishte rritur me aq mundime e fiku cigaren dhe me rroku përqafe me mallëngjim…duke më thënë : “bëhu i fortë se kështu të dua më shumë, bir!” Mexhiti mundohej ta qetësonte nënën, por thellë në shpirt e ndjente se nuk ishte kaq e lehtë, ia prenë në mes ëndrrën, i mohuan gjënë më të shtrenjtë, pasionin për futbollin me të cilin u rrit dhe u edukua. Gjithsesi nënat janë ato që u japin zemër fëmijëve: “Ka dhe më keq, o bir! Për mua ka rëndësi që të kem jetën tuaj, të tjerat vijnë më pas…Biro, mos kujto se unë e kam të lehtë të pres këtë gjëmë, se kam kaluar halle e derte dhe hequr shumë nga “këta”…që nga 1945 e në vazhdim. S’ishte e lehtë ikja e babait tuaj, shpronësimet, dëbimi nga shtëpia, na rrëmbyen qindra rrënjë ullinj e qindra hektarë tokë, e vetme, pa burrë dhe mbi njëzet e ca vite punoj në ndërtim me vegla varri, vetëm për të rritur e shkolluar juve dhe përsëri jam e fortë. Kështu të dua edhe Ty, biri im,” – ishte porosia e nënës së merakosur për të birin.

Sportdashësit, që e kanë idhull Mexhitin, thonë:” Mexhit Haxhiu i përket atij brezi futbollistësh që kishte lindur për t’u bërë lojtar i madh, si Loro Boriçi, Panajot Pano etj”.

Kurse unë them: “Nëse Loro Boriçi dhe Panajot Pano do të kishin kushtet biografike të Mexhitit, nuk do të ishin ngritur në nivelin e arritur, kurse Mexhiti po të kishte kushtet e përkrahjes nga Partia-shtet si të famshmëve Boriçi dhe Pano, talenti i tij do të kishte kapëcyer, kufijtë shtetëror dhe do të shërbente si pasaportë ballafaqimi dhe fame në kampionatet botërore. Atëherë bota do të njihte se cili ishte Mexhiti i vërtetë, “Yll i futbollit” duke e ngritur lart krenarinë kombëtare në botë si një legjendë sporti.

Urime Mexhitit për gjithë vlerësimet dhe titujt e merituar, të cilët duhet t’i kishte marrë në kohën e duhur, si Personalitet i Shquar i Futbollit Shqiptar por kurrë si nevojë për plotësimin e kërkesave politike të çdo ngjyre. Në 80 vjetorin e lindjes uroj që “Mjeshtri i Madh i Futbollit”, Mexhit Haxhiu të shpallet “Nder i Kombit.

Një urim të veçantë i jep Mexhitit , i kushëriri, si fans i tij, për lojën e mrekullueshme të futbollit, për të cilën që e ka ndjekur në çdo fushë të Shqipërisë: Urime , o qytetar dhe vlonjat i mirë Fitim Teki Haxhiraj.

Vlorë, 22-4-2018

 

Ps:Mexhiti, i rritur jetim me baba gjallë, shkoi në Francë ku kishte mërguar i ati dhe e solli në atdhe pas 47 vitesh. Galip Osmën Haxhiu kaloi fundjetën pranë gruas dhe fëmijëve. Sot ai prehet i qetë në tokën mëmë, fal djalit të tij, Mexhiti , i cili veç detyrës, kreu dhe një amanet!

Yllit të futbollit, Mexhit Haxhiut!

Qetësi…

Ju lutem, pak qetësi…!

Kudo asgjë s’pipëtinë.

I gjallë Osmën Haxhiu hynë,

hipur mbi Dorinë e bardhë,

me vlonjatët ballë për ballë…

-Dëgjoni t’ju them dy fjalë,

vlejnë për ty, Mexhit, o djalë!

Besa “ është fjalë e lashtë,

lindi me njeriun bashkë.

Ai që besën ka dhënë,

djalin në satër ka vënë.

Kur e pret tjetrin në besë

Njeri” kurrë s’ mund të jesh!

Mexhit, më dëgjo mirë!

-Po qe se nuk je njeri,

ç’i do famë e pasuri?!

Ktheje shikimin pas,

shiko…

si i ngjite ato shkallë,

jetimi me baba gjallë?!

Biro!

Dheu s’do të më kishte tretur,

tët at’ të mos e kishe gjetur.

Bekuar qofsh, more djalë,

solle babanë në vatan!

-Tani do prehem i qetë,

Vlorën ju lë amanet!

Punoni për Vlorën time,

është drobitur,

plot lot,

brenga,

dhembje,

shumë mashtrime.

Ndaj të uroj jetë e fat,

djalo,

shërbeji Vlorës plakë!

Nder për Shqipërinë mbarë!

Vivra

Lexoi autotrja gjatë elektoratit, ku Mexhiti ishte kandidat për Kryetar Bashkie

***

 

Comments

comments

-----