KONGRESI AMERIKAN: RREZIKU RUS PËR SHQIPËRINË DHE MBARË EVROPËN

Nga Frank Shkreli

 

Ja, më në fund u zgjua edhe Kongresi Amerikan dhe lëshon alarmin se Rusia putiniste mund të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri dhe në një numër vendesh të tjera evropiane që mbajnë zgjedhjet këtë vit, me qëllim të keq për të ndikuar në rezultatin përfundimtar të tyre dhe në fitoren e kandidatëve ose partive që mbështet Moska për interesat e veta.  Rezoluta e Kongresit u përpilua pas shqetësimeve që janë shprehur kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara në lidhje me rolin rus për të influencuar zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, nepëmjet sulmeve hibernetike kundër Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate dhe kryetarit të fushatës së Hillary Clinton, John Podesta, ndërkohë që numër komisionesh të Kongresit amerikan vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë çështje.

Rezoluta e Kongresit amerikan ve në dukje se 17 agjenci të fshehta amerikane kanë ardhur në përfundimin se Rusia kishte bërë përpjekje për të influencuar zgjedhjet e vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe citon Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare James Clapper se ka deklaruar, në fillim të Janarit, para Kongresit Amerikan se, “Rusia ka përdorur gjithashtu sulmet dhe taktikat hibernetike me qëllim për të influencuar opinion publik anë e mbanë Europës dhe Euro-Azisë”.   Në rezolutën e tyre, kongresmenët amerikanë shprehen se “Vitin e kaluar kanë urdhëruar entet e fshehta amerikane që të hetojnë nëse shërbimet e sigurimit të fshetë rus janë duke financuar aktivitetet e partive politike dhe të organizatave bamirëse mbrenda Evropës, me objektivin përfundimtar për të rrezikuar normat dhe standardet demokratike, për të dobësuar aleancën NATO dhe për të mbështetur kandidatët ekstremistë pro-rus, për poste politike anë e mbanë Evropës.”

Rezoluta numëron një seri përpjekjesh ruse për të influencuar zgjedhjet në disa vende evropiane dhe anëtarët e Kongresit amerikan thonë se disa shtete evropiane kanë denoncuar sulmet kibernetike të hakerava rusë, të cilat kanë marrë ose janë përpjekur të marrin në kontroll servera të rëndësishëm kompjuterikë.   Me rëndësi është gjithashtu fakti se Kongresmët shfaqin gjithashtu shqetësimin e tyre serioz në lidhje me propagandën ruse në fushën e shpërndarjes së lajmeve të rreme nga dy agjensi lajmesh ruse në anglisht, “Russia Today” dhe “Sputnik”.

Në rezolutën e tyre, kongresmenët amerikanë bëjnë thirrje — ndërkohë që një numër vendesh evropiane kanë në plan të mbajnë gjatë këtij viti zgjedhje, parlamentare, federale, vendore dhe presidenciale, duke përmendur Shqipërinë, Armeninë, Xhorxhia-n Gjermaninë, Hungarinë, Lihtenstajnin, Holandën, Irlandën veriore, Norvegjinë, Portugalinë, Serbinë, Slloveninë dhe Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, dhe Serbinë – që Rusia menjëherë të ndërpresë të gjitha sulmet kibernetike kundër qeverive, partive politike, zyrtarëve të ndryshëm qeveritarë, subjekteve zgjedhore dhe sistemeve të ndryshme informuese të publikut anë e mbanë vendeve demokratike të Evropës.

Më në fund, në rezolutën e paraqitur nga kongresmeni republikan i shtetit Illionois, Peter Roskam dhe kongresmeni demokrat David Cicilline i shtetit, Rhode Island, theksohet se “Është politika e Shteteve të Bashkuara që të sanksionohen entitetet dhe individët mbrenda Rusisë, ose ata që bëjnë pjesë në qeverinë ruse, të cilët janë të angazhuar në sulmet hibernetike dhe në fushata propagandistike, me qëllim për të ndërhyrë në proceset e zgjedhjeve demokratike.”   Sponsorizimi i kësaj rezolute nga një kongresmen republikan i djathtë dhe tjetri demokrat i majtë, nënvijon shqetësimin e përfaqsuesve të dy partive në Kongresin e Shteteve të Bashkuara,   me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vendeve perëndimore.  Në lidhje me këtë shqetësim, Kongresmeni republikan Peter Roskam duke folur për rezolutën, është prononcuar për gazetën britanike Guardian se, “Rusia po përpiqet të minojë demokracinë dhe institucionet demokratike anë e mbanë botës perëndimore.  Prandaj është e rëndësishme që të paraqesim një front të përbashkët dhe ta bëjmë të qartë për të gjithë se Kongresi i Shteteve të Bashkuara dënon fuqishëm ndërhyrjet qëllimkëqia të Rusisë në Evropë dhe në mbarë botën”, ka thënë kongresmeni amerikan.

Po si kemi ardhur deri këjo situatë?  Sipas ekspertit James Kirchick pranë entit The Foreign Policy Initiative, situata për të cilën flasim nuk është e rastësishme.  Rusia ka punuar për një kohë të gjatë për të sjellur Evropën në gjëndjen që është sot.  Ai ka shkruar kohët e fundit në revistën Politico se, “Ndërkohë që stabiliteti politik, kohezioni shoqëror, begatia ekonomike dhe siguria në Evropë janë sot më të kërcënuara se asnjë herë tjetër, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, Rusia është duke destabilizuar kontinentin në çdo front”.   Megjithse ish-kandidati republikan për president Mit Romney, i cili gjatë fushatës për president pesë vjetë më parë kundër kandidatit demokrat Barack Obama pat paralajmëruar se, sipas tij, ishte Rusia ajo që përbënte rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, e si rrjedhim edhe për botën.  Por në atë kohë të gjithë u tallën me deklaratën e tij, si jo reale.  Eksperti James Kirchick pjesërisht kritikon ish-administratën Obama për gjëndjen e krijuar me Rusinë, duke thënë se, “Barack Obama zbuloi tepër vonë se regjimi i Putinit përbënte një kërcënim ndaj vlerave dhe interesave perëndimore”, duke e cituar ish-presidentin Obama i cili ka thënë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia se, “Kjo nuk përbën një Luftë tjetër të Ftohtë…ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia nuk kryeson ndonjë blok kombesh. Nuk ka një ideologji globale. Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk kërkojnë ndonjë konflikt me Rusinë”, ka thënë ish-presidenti Obama pesë vjetë më parë.  Por James Kirchick parafrazon Leninin duke thënë se “Perëndimi mund të mos kërkojë konflikt me Rusinë, por Rusia kërkon konflikt me Perëndimin.  Kjo për arsye se regjimi i Putinit në natyrën e tij – nacionaliste, revizioniste dhe ekspansioniste – nuk mund të bashkjetojë me një Evropë demokratike, e gatëshme për të mbrojtur parimet dhe vlerat e veta.”

Hajde se Amerikanët i kanë proceset dhe entet qeveritare, shtetërore dhe ekonomike për t’ju kundërvenë  qëllimeve të këqia të Rusisë ndaj demokracisë amerikane, përfshirë Kongresin, siç pasqyrohet edhe në rezolutën e përmendur më lartë, por si duhet të veprojnë shqiptarët përballë qëllimeve të këqia të Rusisë – tani dhe historikisht –  kundër interesave të shqiptarëve në trojet e veta.  Jo me flirtime që dëgjohen herë pas here të politikanëve shqiptarë ndaj Moskës, por me dënimin më serioz, nga të gjitha palët e politikës shqiptare të përpjkejeve të Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Shqipëri, siç alludohet edhe në rezolutën e Kongresit Amerikan.  Për më tepër, ashtu siç kam shkruar vazhdimisht për këtë temë, madje vite më parë — ndoshta edhe kur pak kush fliste për rreziqet ruse në Ballkan politika shqiptare duhet të deklarohet pa asnjë dyshim dhe me bindjen më të thellë se stabiliteti në Balkan minohet nga obstruksioni ose pengesat ruse, sidomos ndaj njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.  Duke heshtur ndaj këtij obstruksioni, ndihmohet perjëtësimi i mos-stabilitetit në rajon, nga i cili shqiptarët do pësonin pasojat më të këqia.  Drua se politika shqiptare nuk ka qenë aqë e vendosur në kundërshtimin parimor të këtij obstruksioni.  Nuk më duket se është e arsyeshme të quhen “marrëdhënie normale” ato me Rusinë, kur ky vend nuk njeh, lere më interesat jetike, por as ekzistencen e gjysmës së kombit shqiptar. Kapitullimi para interesave të mundshme e të përkohëshme ekonomike e financiare me Moskën, në kurriz të interesave kombetare, duhet të jetë i papranueshëm.

Stabiliteti i Ballkanit është më i qëndrueshëm me pavarësinë e pakëthyeshme të Kosovës, me zbatimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e veta si edhe me kufizimin e politikes ekspansioniste serbe dhe me mos-nderhyrjet obstruksioniste ruse në Shqipëri dhe Kosovë.  Është e pakuptueshme se pse lejohet pasardhsi i Stalinit të ketë një një pikëmbështetje në Ballkan.  Pikësëpari u takon politikanëve të atij rajoni që të mos krijojnë ujëra të turbullta në punët e veta për të lehtësuar ndërhyrjen ruse, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë dhe njëkohsisht të përshpejtojnë plotësimin e kushteve për një antarësim më të shpejtë dhe më të përgjithshëm të dy shteteve shqiptare, në të gjitha organizmat euro-atlantike.

Është e doemosdoshme dhe në interesin kombëtar, që si Shqiperia ashtu edhe Kosova të kenë marrëdhenie të mira, në të gjitha fushat e me të gjitha vendet e botës — të mëdha e të vogëla — duke përfshirë këtu edhe Rusinë e Serbinë. Por këto marrëdhënie duhet të ndërtohen e të kultivohen në bazë të interesit kombëtar të shqiptarëve dhe pastaj, në bashkpunim me partnerët ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara, në interesin e përbashkët dhe të respektit reciprok midis vendeve të rajonit dhe në interes të lirisë, të demokracisë dhe të sigurisë në kontinentin evropian.

Frank Shkreli

 

Comments

comments

-----