Shkrimtari i talentuar, Astrit Hajdini u nda nga jeta

Nga Vilhelme Vrana dhe Fitim Haxhiraj

 

Astrit Hajdini ishte bir i Tepelenës, ku lindi, u rrit, u edukua, u formua si individualitet dhe dha vlera në fushën e arsimit në degën e matematikës. Këto vite ka jetuar në Vlorë, duke iu bashkuar shkrimtarëve vlonjatë.

 Astrit Hajdini,  mësuesi i matematikës, që në vitet 70 ka punuar mësues gjimnazi në Memaliaj, kishte dhunti të rralla letrare prozën e shkurtër, si tregim dhe novelë.

  Astriti,edhe pse u nda nga jeta,ishte dhe është një penë e ndritur e prozës së shkurtër, sepse shkrimtari largohet fizikisht, por ai ngelet gjallë përmes veprës që ka lënë pas. Ndaj Astriti do të kujtohet dhe ndoshta do t’i jepen vlerat e merituara në letërsi. Astrit Hajdini dallon midis penave të tjera në prozën e shkurtër për një mjeshtëri të lartë në tregim, novelë. Ashtu siç ishte vetvetja në letërsi dhe kishte krijuar profilin e tij letrar, i tillë ishte si në letërsi edhe në vlerësimin e veprave letrare të miqve. Ishte njeri pa smirë, pa egoizëm, dinte ta çmonte letërsinë e mirë, pa bërë elozhe duke thënë vetëm të vërtetën.

Për vlerat e tij mësimdhënëse apo si njeri i mirë, kanë dhënë përshtypjet e tyre ish nxënësit e gjimnazit në Memaliaj, si Përparim Halili, i cili shkruan për mësuesin e matematikës, “Flas për mësuesin tim veteran 40 vjet mësimdhënie…Ja çfarë na mëson mësuesi i gjimnazit Astrit Hajdini : “Kur e mora ta uroja për fillimin e vitit të ri shkollor, gjithë të tjerët më falënderuan, kurse ai me njerzillëkun që e karakterizonte më tha: “Nuk të falënderoj që po më uron, por të jam mirënjohës që po më kujton!”

Vladimir Hoxha shkruan: “E takoj shpesh në Tepelenë ish profesorin tim Astritin. Çuditërisht më shumë na respekton ai. Vazhdon të jetë po ai njeri i ëmbël, paqësor, këshillues, që na ka trajtuar si shok, por pa na toleruar në orën e mësimit.”

Adnan Kanani:Kam vite pa e takuar profesor Astritin., por shpesh herë i dërgoj përshëndetje, jo thjesht si ish mësuesit tim, por njeriut të mirë që na respektonte dhe na trajtonte si shok edhe kur gabonim…”

Jani Gjika:”Unë ndiej nostalgji për vitet e gjimnatzit dhe brenda asaj nostalgjie që më kthen shpesh në vitet e gjimnezit në Memaliaj, më duket sikur kam përballë Profesor Astritin, ashtu serioz, të përqëndruar e të zot në orën e mësimit dhe të përkushtuar shoqërisht pas mësimdhënies.”

Vlerësimeve të ish nxënësve të gjimnazit në Memaliaj, u shtojmë edhe ne si çift, Fitim dhe Vilhelme Haxhiraj duke shprehur respekt për vlerat që ka dhënë ky njeri i mirë në fushën e arsimit dhe të letërsisë.

Disa nga botimet e shkrimtarit Astrit Hajdini:

 

*Një hënë e madhe mbi kokën time : tregime dhe novela / Astrit Hajdini

*Milioner prej brumi : tregime / Astrit Hajdini; Hiqmet Meçaj

*Rezervati i derrave të egër : roman / Enver Qama; Astrit Hajdini

*Tregim i trishtuar për gishtin e vogël të dorës së majtë / Astrit Hajdini

*Derrëri e pafund : [Poezi] / Astrit Hajdini

*Çudira në dritare : [Tregim] / Astrit Hajdini

*Foshnja : [Tregim] / Astrit Hajdini

*Shungullonte toka mbrëmë : [Tregim] / Astrit Hajdini

*Poezi / Astrit Hajdini

*Celulari në Pigadha / Astrit Hajdini

*Mish i mrekullueshëm : [tregim] / Astrit Hajdini

*Shtëpi me stilolapsa : tregim / Astrit Hajdini

*Net me të trokitura : [prozë] / Astrit Hajdini,- këto regjistrime munda të gjejë…

Për këtë humbje të njeriut të tyre të dashur, u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta, familjes, fëmijëve dhe gjithë të afërmëve. I qoftë e lehtë balta ku do të prehet trupi i shkrimtarit dhe mësuesit Astrit Hajdini. Iu prehtë shpirti në paqe!

Vilhelme Vrana dhe Fitim Haxhiraj

Vlorë ,17-4-2018

 

Comments

comments

-----