XHAXHAI IM, ILMI ÇIPI

Me rastin e 117 vjetorit të lindjes

Nga Luan Çipi

Xhaxhai im, Ilmi Çipi, pasardhës në një familjeje të hershme të lagjes Palorto, të qytetit Gjirokastër, ishte djali i dytë i Bejtash Çipit (pas Qamilit e para Hasanit dhe Kamanit)  i lindur rreth vitit 1890, në qytetin e Gjirokastrës. Vdiq në Tiranë, në vitin 1982,  nga pleqëria, kur jetonte prej disa vjetësh, te djali i tij i vogël Pëllumb Çipi.

Ilmi Çipi ishte i gjatë dhe i pashëm dhe vishej thjeshtë e mbahej me sqimë deri në moshë të madhe. Në qytetin e Gjirokastrës kreu shkollën plotore turke dhe mësoi vet si autodidakt gjuhën shqipe prej kushëririt të tij Asaf Çipi, mësues në Gjirokastër dhe një nga lëvruesit e parë të shqipes atje.

Ilmi Çipi, u shpërngul shpejt nga qyteti i Gjirokastrës drejtë Vlorës, pasi u përpoq të qëndronte, pak kohë pa sukses si emigrant Amerikan, ku ishte bashkë me të vëllain e tij  më të vogël, Kaman Çipi, dhe me shumë bashkëqytetarë gjirokastritë. Ilmiu u kthye në dhjetor 1913, pas pak muajsh qëndrimi, nga Amerika direkt e në Vlorë. Çeli atje, fillimisht një librari-kinkaleri në rrugën që më vonë u quajt “Justin Godard”, në qendër të qytetit. Pas dy vjetësh, me ndihmën e të vëllait Kaman Çipi, që vazhdonte të punonte suksesshëm në Amerikë, hapi po në qendër të qytetit të Vlorës, një hotel-restorant me emrin “Korça”, vendosur në krahun e djathtë të rrugës kryesore, që shkon drejt Qafës së Koçiut, për midis Bashkisë dhe Prefekturës, afër Xhamisë së Madhe  të Tabakëve. Ky emër, “ Hotel Korça”, paksa i largët për një gjirokastrit apo vlonjat, u caktua në nderim të përpjekjeve bashkëkohore atdhetare të korçarëve, trima të asaj kohe, që vepronin për të përballur ndërhyrjen në Shqipëri të shtetit lakmitar Grek, që, në katrahurën e porsa shpallur të Pavarësisë, synonte të aneksonte sa më shumë territore shqiptare. Ishte koha, kur luftonin me vetëmohim e guxim korçarët, me Sali Butkën në krye, kur dhe u shpall “Republika e Korçës” e Themistokli Gërmenjit, me sakrificat e zgjuara e të mundimshme të këtyre heronjve, për t’i shpëtuar okupimit dhe makinacioneve greke. Pra, emri “Hotel Korça” në Vlorë, ishte simbolik për kohën, nder dhe respekt për gjithë Kombin Shqiptar.

Shkak kryesor dhe rrethanë ndihmëse e lehtësuese, për ardhjen e Ilmi Çipit, djalë 25 vjeçar, nga qyteti i Gjirokastrës në Vlorë, u bë motra e tij e madhe, Zejnua. Ajo ishte gruaja e bankierit gjirokastrit Xhelal Sharra (Banka), i cili kishte mbaruar Universitetin për Ekonomi-Bankare në Stamboll dhe kishte qenë për disa vjet Drejtor i Degës së Bankës së Shtetit Turk në qytetin e Gjirokastrës. Bankierin energjik, me përvojë dhe me vendosmëri atdhetarie shqiptare, Xhelal Sharra, e përzgjodhi Kryeministri i parë Shqiptar në Qeverinë e Përkohshme, plaku i mençur Ismail Qemali dhe e emëroi si Drejtor të  Parë të Bankës së Re të Shtetit Shqiptar.

“Grand Hotel Korça”, shpejt u bë qendër grumbullimi për takime e grumbullim, e deri për ngrënie e fjetje, të atdhetarëve të shumtë gjirokastritë që vinin për tregti në Vlorë, apo të gjirokastritëve e lebërve, që udhëtonin drejt qyteteve të tjerë për tregti apo për veprimtari politike pro shqiptare. Këtu, në dy dhoma relativisht të mëdha për kohën, organizoheshin, dëgjoheshin e solidarizoheshin, në mbrojtje të Atdheut, adhuruesit e Ismail Qemalit, me simpatizantët e djemve, që ranë dëshmorë në “Orman Çiflig”  të Korçës dhe me luftëtarët e  tjerë të çetave korçare e të gjithë Shqipërisë, që luftonin me vendosmëri për liri e pavarësi.

Ky hotel, me sallën e mëdha dhe pajisjet cilësore, shpejt u kthye në bazë edhe për demokratët revolucionar të kohës, që qëndronin aty, për të pirë kafe, për dreka e darka, si dhe për të fjetur. Aty e kishin selinë e tyre shoqëritë atdhetare të krijuara njëra pas tjetrës nga Avni Rustemi dhe Halim Xhelo Tërbaçi, (që kanë fjetur shumë kohë aty, në dhoma të veçanta) si “Djalëria e Vlorës”, “Bashkimi”, “Opinga”, “Mësuesit e Labërisë” etj., si dhe veprimtarët e tjerë të “Klubit Labëria”, themeluar qysh në vitin 1908 nga Ismail Qemali.

Po këtu më vonë, ka bujtur personalisht për shumë ditë, në vitet 1923-1924, Theofan Noli, shoqëruar nga përkrahësit e tij, midis të tjerëve dhe nga babai im, Kaman Çipi, veprimtar me stazh dhjetë vjeçar, qysh në Amerikë, i shoqërisë panëshqiptare “VATRA”, si dhe ndihmës e veprimtarë të tjerë aktivë të lëvizjeve atdhetare të viteve 1920, 24 e 32, midis të tjerëve Çerçiz e Bajo Topulli, Mihal Gramenua, Rexhep e Laze Sulejmani, Safet Butka, Bahri Omari, Omer Nishani , etj.

Gjallëri të madhe pati në këto mjedise, koha kur në Vlorë u organizua ceremonia e varrimit të patriotit të shquar Avni Rustemi,  që përkon me periudhën e fillimit të “Revolucionit Demokratik të Qershorit”, si dhe ca më pas, gjatë periudhës së veprimtarisë së Qeverisë NOLI.

Grand Hotel “KORÇA” veproi  gjatë, me gjallëri e sukses dhe me pronarin e urtë e të mençur, xhaxhain tim të nderuarin Ilmi Bejtashi Çipi, ishte gjithnjë çerdhe e ngrohtë për luftëtarët e lirisë, nacionalistë dhe antifashistë,  duke përfshirë dhe periudhën e rezistencës dhe të Luftës Nacional Çlirimtare, kur djali i tij i madh, Bardhyl Çipi, u aktivizua, deri sa doli në mal, si partizan.

 

Në vitin 1947, me konsolidimin e regjimit komunist në Shqipëri, “Grand Hotel Korça” në Vlorë, u shtetëzua dhe emri i tij, dhe pse i miratuar në Bashkinë e Vlorës qysh në vitin 1914, u hoq në mënyrë të paligjshme, para shtetëzimeve masive të pronës private dhe pa vendim shtetëror, me pretekstin se atje kishin fjetur gjithashtu, nacionalistë të shquar, si Mitat Frashri, Ali Këlcyra, Safet Butka,  Bahri Omari,  Hasan Dosti, etj.

Ilmi Çipi pati tre djem: Bardhylin ekonomist, ish partizan dhe më pas drejtues në disa ndërmarrje në Vlore, Dashamirin mësues dhe drejtor shkolle dhe Pëllumbin, agronom me gradë shkencore dhe pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor Kamzë, si dhe dy vajza: Rahimenë  shtëpiake dhe Lulen mësuese. Nga djemtë e Ilmiut u lindën vetëm vajza dhe përjashtim bëri Pëllumbi, që la si trashëgimtar Artur Çipin, inxhinier mekanik, edhe ky, emigrant në Itali.

Xhaxha Ilmiu, apo Çeloja, siç i thërrisnim ne me dashuri, rrojti mbi 90 vjeç. Atë, nga që e kishim fare afër dhe e njohëm më mirë, e donim dhe e respektonim shumë, se ishte i gjendur, na vizitonte shpesh e na sillte dhurata,  ishte gojë ëmbël e  i urtë, i sjellshëm dhe dashamirës. Gruaja e tij, Fetie Poshi, që ne e thërrisnim mama, ishte vajzë e një doktori gjirokastrit. Edhe ajo rrojti shumë dhe deri në fund nuk e ndante librin nga dora. Na priste e na përkëdhelte me zemërgjerësi e ngrohtësi, na tregonte përralla e vjersha të bukura dhe na përcillte duart mbushur me fruta, arra, bajame e sheqerka..

Është për t’u përmendur me këtë rast  edhe gruaja e Pëllumbit, djalit të vogël të xhaxhait tim. Ajo quhej Zishan dhe ishte vajzë nga familja tradicionale Libohovite, Kasimati. Zishani, ekonomiste në profesion, u dallua edhe si një shtëpiake familjare korrekte për mirësjellje dhe kujdes të veçantë për xhaxhain tim, Ilmi dhe për gruan e tij, që i pleqëroi me kujdes, dashuri dhe devotshmëri të veçantë. Ajo, e dashuruar, si rrallë çifte bashkëkohëse, gjithashtu u ndodh në gatishmëri të përhershme me ndihmë, kujdes e shërbime, pran burrit të saj, agronomit shkencëtar Pëllumb Çipi, deri në fundin e jetës së tij.

 

Duke paraqitur kujtimet për xhaxhain tim Ilmi Çipi, me rastin e 117 vjetorit të lindjes së tij, u përpoqa të ndriçoj sadopak, një periudhë përpjekjesh të pararendësve tanë, për ekzistencë, liri, pavarësi e bashkëveprim në qytetin tim të lindjes në Vlorë dhe si i moshuar (tani  mbi 80 vjeç) u bëj thirrje bashkëmoshatarëve, për të ndriçuar pjesë nga jeta e tyre, (sipas shembullit Evropian) për të plotësuar boshllëkun, që ekziston rëndomë në jetëshkrimet e historitë familjare Shqiptare.

 

Ripunuar në Tiranë, 20.02.2017

Comments

comments

-----