NJE LIBER ME KENGE, HIMNE E MARSHE “TE NDALUARA”

Rreth librit të Enver Lepenicës “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

 

Nga Petrit Derraj – Smokthina

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka botuar studimin voluminoz i z. Enver Lepenica “Kënge, himne dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, 504 faqe, 16.5 x 23.5. Konsulenca: Dr. Bujar Leskaj. Recenca: Prof.dr. Agron Fico, h.c.albanolog, etnolog, n/kryetari Akademisë Shqiptaro-Amerikane dhe poeti Qazim Shehu.

Ky libër nga rëndësia e përmbajtjes dhe nga zbulimi i këngëve popullore historike të panjohura mendoj se jo vetëm do të tërheq lexuesin e zakonshëm por edhe studjuesin e profesorin. Vetë tema të detyron për ta parë librin me vëmendje, dhe pas kësaj lexuesi do të ndiej kënaqësi së tepërmi për disa të vërteta historike kulturore të një rëndësie të veҁantë.

Kur shfleton faqet e këtij libri, jo vetëm që befasohesh për larminë e këngëve të mbledhura nëpër zona të ndryshme të vendit, por edhe për punën këmbëngulese e të palodhur të autorit. Dihet se historianët janë shërbëtorë të zellshëm e të vëmendshëm të popullit ku i sjellin atij në kujtesë ngjarje të rëndësishme, të ndodhura në kohë e vende te ndryshme. Me këtë libër Enver Memishaj na shfaqet një shërbëtor i zellshëm i popullit të tij pasi është treguar i vëmendshëm dhe këmbëngulës për të pasqyruar këngët, himnet e marshet patriotike të Ballit Kombëtar, një pjesë e trashgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.

Populli i kishte ruajtur këto visare me fanatizëm e xhelozi në sirtarët kujtesës së  vet. Këto krijime me shumë vlera nuk ishin publikuar në sistemin socialist, pasi siҁ dihet ideologjia ekzistuese me komunistët në krye kishte hedhur vazhdimisht llum e baltë të panevojshme mbi udhëheqësit dhe krerët e Ballit Kombëtar. Vlera e rëndësia e autorit Enver Memishaj është se ka ditur me kompetencen e nje studjuesi serioz të hedhë dritë tek një miniminierë e pasur dhe e pazbuluar këngësh popullore të krijuara ndër vite. Politika e mbrapshtë e atij sistemi kishte krijuar nje imazh të keq dhe jo real për nacionalistet duke i paraqitur nëpermjet skeҁeve të esdradave partiake, apo fejtoneve si njerëz frikacakë, të pabesë  e duke përdorur ndaj tyre jo vetëm nje luftë klasore por edhe racore, kur i paraqiste edhe me deformime fizike, të shëmtuar e me epitete nga më poshtëruesit, pavarësisht se ata ishin pjesë e këtij populli.

Libri është një antologji e pasur këngësh që populli i vlerëson si për luftën që bënë nacinalistët kundër pushtuesve , ashtu edhe për trimëritë që ata treguan në betejat për të fituar lirinë. Diukush ka ndërhyrë dhe ka shprehur mendimin se në këtë antologji duhej përdorur nje sitë më e imtë dhe më e hollë, me qëllim që të ruhej sistemi estetik, por unë jam i një mendimi me autorin, kur ai ja heq të drejtën vetes për të bërë seleksionime për ta lënë të lirë lexuesin për t`i shijuar vet pa ndërhyrjen e askujt. Këto këngë e himne, të pasqyruara në këtë libër paraqesin ca të vërteta të rëndësishme historike, të cilat nuk duhet harruar e fshehur, sepse siҁ thote Niçja të vërtetat e fshehura kthehen në katastrofë. Libri është i ndarë në disa kapituj.

                                                          *     *     *

Petrit Derraj – Smokthina

Në kapitullin e parë pasqyrohen himnet ku autorë me kulturë të gjerë e me dije të plota, patriotë të zjarrtë e ftonin popullin dhe i bënin thirrje për luftë të vendosur e të panderprerë kundër pushtuesve. Midis shumë himneve spikat ai i Vedat Kokonës “Kushtrimi” ku autori me buҁimin e një trumpete alarmuese duket sikur thërret fort: Dhe ja sot n`ato lëndina/ Të Shushicës/ Ҁ`janë mbledhur ata trima / T`Lepenicës… Vlorë ,Vlorë, e zeza Vlorë/ Seҁ më digje/ Seҁ të bien djemtë deshmorë / Nëpër brigje.

Po ashtu të bukura, tërheqese, emocionuese janë edhe himnet e patriotëve të tjerë, si Kol Tromara, Dom Zef Shestani,  Xhevat Kallajxhi, Hysni Sheme Sadiku e të tjerë. Tek këto himne brilante nga ana artistike dhe ideore bie në sy niveli i kenaqshëm letrar, i cili qëndron larg manipulimeve artistike e kopjimeve të rëndomta e vulgare. Në përmbajtjen e tyre shfaqet një patroitizem real e jo fiktiv. 

Në mënyre te veҁantë të tërheq vëmendjen himni i poetit trim gjirokastrit Xhevat Kallajxhi: “Shqipetar po të thërret nderi të vraposh/ Rroki armet si stergjysherit/ Të luftosh/ Të luftosh zaptimn`e huaj, robërinë/  Të luftosh armiqtë e vendit, tradhetinë/, apo  “Kush nuk lufton me të vertetë/ Nuk e fiton lirinë e vet”/.

Pra, tek himnet e ketij lloji, nacionalistet e kishin vetëdijen në alarm dhe nëpërmjet thirrjeve të ngrohta e vëllazerore ftojnë këdo për të rrokur armët në lufte kundër okupatoreve për të fituar sa më parë lirinë e shumepritur. Duke lexuar me vëmendje këto thirrje të sinqerta  tek këto himne bindesh plotësisht se krerët e Ballit Kombetar dhe nacionalistet e thjeshtë  e donin Atdheun ajërpastërtin, dritëshumin , diellnxehtin  e qiellkthjelltin. Duke i lexuar këto himne e shumë kënge të tjera popullore tejet interesante bindesh plotesisht se nuk ka asnjë bazë reale e asnjë të vërtetë mendimi i komunistëve se gjoja krerët e Ballit Kombetar  nuk ishin patriotë dhe se ata bashkëpunuan me armiqtë, përkundrazi, udhëheqësit e kësaj organizate jo vetem që i pritën të parët me luftë fashistët, po e ngritën në kupë të qiellit zërin  që shqiptaret të linin mënjanë dasitë, gjaksinë, mosmarrveshjet, mërite, po të gjithë pa dallim krahine, feje dhe ideje të bashkoheshin e ngriheshin  për të luftuar me vendosmëri armiqtë, duke u përpjekur medoemos që të mënjanonin vëllavrasjen.

Letërsia mbi të gjitha ështe liri, thotë një mendimtar, mirëpo ideologjia komuniste artin dhe letersinë e konsideronte nje materie artistike që kishte karakter klasor, d.m.th i shërbente klases në fuqi, duke i dhënë gabimisht karakter klasor në një kohë kur arti, kultura e letërsia u shërbejnë të gjithve. Letërsia e realizmit socialist dhe ideologjia komuniste ua privuan të drejtën e të shkruarit klasave të përmbysura duke i dhënë përparesi një pseudorealizmi  ku krijimet e tij ishin bajate e të rëndomta ku në qendër të tyre ishin personazhet qesharake e të rëndomtë, të cilët në një dorë kazmën e në tjetrën pushkën shuanin gjoja me trupin e tyre zjarre pyejsh e puse nafte, apo punëtorë pararojë që punonin për llogari të më shume se 20 vjtëve të ardhshëm (!) Pra imagjinata e sëmure e shkrimtarëve te politizuar sajonte heronj të punës socialiste qesharakë e të pabesueshëm që me në krye partinë ”ҁudisnin”  botën duke i kthyer shekujt në vite, që hapin e kishin kilometer (!)  Pra, këta personazhe butaforik  nuk ishin as më shumë e as më pak veҁse skrap social.

Krejt ndryshe jane këngët, himnet e marshet, që na paraqet në këtë vepër Enver Memishaj, ku autorët nacinalistë e populli pasqyrojnë në to njerës realë, të besueshem, duke shmangur ҁdo lloji manipulimi artistik. Të tillë personazhe janë të shumtë te ky libër me shumë vlera historike e kulturore që për shumë vite populli i ruajti të fresketa në kthinat e kujtesës së vet.

Janë shumë me vlera vargjet interesante të vjershës “Djaleria “: Rroftë gjithë kjo djalëri/ Që mori vdekjen në sy/ Plot shpresë e trimëri/ Gjithë shqiptarëve me u pri/ Për Kosovë e Ҁameri… Vetëm duke u përqendruar tek keto vargje bindesh se prokupimi i krerëve të Ballit Kombetar ishte lufta gjithë përfshirëse për një Shqipëri jo të ndarë në disa shtete, po për një Shqiperi të lire e të bashkuar, duke luftuar me vendosmëri dhe largpamësi  orekset e shfrenuara të shovinisteve, të cilët e luftonin vendin tonë deri në mosekzistencë.

Po ashtu te himnet: “Besa besë”, “Luftëtarët e maleve”, ”Bini toskë e bini gegë”, ”Detyra po na prêt”, “ Marshi i bataljonit Besnik Çano” etj, tregojnë se lufta e nacinalistëve nën udhëheqjen e krereve të Ballit Kombëtar kundër okupatorëve ishte aktive, dhe e vendosur.

Te kapitulli i Dyte i këtij libri ka shumë kënge e krijime të Luftës Antifashiste 1939-1944. Rreth më shumë se 60 kengë e krijime në këte kapitull dëshmojnë se lufta e nacinalistëve dhe udhëheqësve të Ballit Kombëtar kundër armiqve okupatorë ishte një kontribut i ҁmuar e shumë i vyer ku u zhvillua në shumë rajone e krahina te vendit tone.Vlen të theksohet pritja me armë e pushtuesve në Durres më 7 prill 1939 dhe veҁanërisht lufta e pergjakshme në Gjorm të Vlores, ku fshatarsia nën komanden e udheheqesit Hysni Lepenica dhe Ҁetes së Neki Imerit  dhane nje shmbell të shkelqyer të heroizmit, duke i shkaktuar armikut dëme te medha: ”Mbi ure të lumit Shushica/ lufton trimi Hysni Lepenica/ Përmbi urë n`ato lëndina / Qëllon tanku e autoblinda/ Po shqiptarët s`e lëshojnë/ Mbi armikun po sulmojnë”. Tek këto vargje shihet qartë se Ballistët ishin trima të ҁartur e jo frkacakë e të pavendosur, siç na është thënë nga komunistët. Luftime të ashpra kunder armiqve me pjesmarrjen e nacionalisteve u zhvlluan edhe në Drashovicë të Vlorës, ku morën pjese çeta të Ballit Kombetar, ardhur nga fshatrat përrreth. Ranë deshmorë nga ana e nacinalisteve në këtë luftë: Hekuran Xhindi nga Kanina e Vlorës,Veledin Brahimi, Hetem Alushi, Nasip Arapi etj: ”Ballistë me partizanë/ Ndezën luftën me gjermanë/ Mbenë shehitë ata asllanë/ Tok e zune istikam/ edhe gjakun tok e dhanë (Lufta e Drashovices).  Beteja te Uji i Ftohtë në Tepelenë ishte përseri heroike ku forcat e Ballit Kombëtar të Gjirokastrës nën komanden e Ismail Golemit i  pritën gjermanët me armë duke u shkaktuar dëme të medha: ”Top e mitroloz qëllon/Aeroplani bombardon/ Një çete e vogel lufton/ Gjermanet i përballon / Shtëpëza rrëzë një shkëmbi/ Po lufton e tundet vëndi”/ 

Në këtë kapitull flitet edhe për vëllavrasjen. Kjo gjëmë e iniciuar nga komunistët nën influencen e Dushan Mugoshes e Meladin Popovicit, sakrifikoi kot së koti shumë njerëz nga të dy palët. Popullit i dhemb shpirti për bijtë e tij që ranë në vellavrasje: ”Janë vrarë armiqësuar sa nuk ka vend pajtimi/ Veҁ të zhduket njëra pale ? T`i mbetet tjetres fitimi, shkruan Isuf Luzaj tek fragmenti “Terrori dhe vëllavrasja” Mjaftojnë këto vargje per t`u bindur plotësisht se Partia Komuniste, e nisur nga qëllime ogurzeza nuk pranoi të bashkëpunonte me Ballin Kombetar, pasi pas lufte ajo donte gjithe pushtetin në duart e veta, madje që në luftë ajo nisi të hidhte bazat e tij. Pasojat katastrofike të vëllavrasjes dihen shume mire: U vrane në prita kot së koti njerës të pafajshëm, u grabit malli i nacinalisteve, u dogjen shtepi, u torturuan barbarisht shumë njerës të tjere…” Tokë e shenjtë  e të parëve, Ҁ`u gjakos nga gjakatarë / Që kanë shitur shpirt e ndjenjë  për të huaj/ Që mohuan gjinë e Nënes dhe u bënë tradhëtarë/ Shtynë vendin në greminë, bënë Kombin që të vuaj, shkruan Xhevat Kallajxhi tek krijimi vjersha: “Ndizet Flaka e Lirise” 

Këto këngë e shumë të tjera autori Enver Memishaj, i vemëndshëm e i kujdesshem, gjithë durim, vullnet e talent, i mblodhi në treva e krahina të ndryshme të vendit, nëper arkiva e shtypin e shkruar, në gazeta jashtë vendit duke shrytezuar edhe rapsodë që ruanin në thesarin e tyre mendor shumë krijime ineresante kushtuar nacinalisteve të vërtetë.

Tek kapitulli i Tretë përmblidhen këngë e poezi për dëshmorë e personalitete të Ballit Kombëtar. Mbi 100 këngë, krijime e poezi u kushtohen të rënëve dëshmorë nacionalistë. Nacionalistët që ranë në luftë kundër pushtuesve për ҁlirimin e vendit pushteti komunist nuk i njohu si dëshmorë. Fëmijët dhe familjarët e dëshmorëve nacinalistë u persekutuan barbarisht, duke u privuar të drejtën e arsimimit, u internuan e u burgosën, detyrohshin të bënin punë shumë të vështira krahu dhe ishin të privuar nga ҁdo liri dhe e drejtë. Madje, të afëmit e të rënëvë për liri nuk mund të gjenin as eshtrat e të rënëve. Shumë i trishtueshëm është fakti kur bijtë e nacionalistëve të pushkatuar zbuluan nje varr të përbashkët dhe, pasi i grumbulluan eshtrat e tyre, nuk mundën që t`i  identifikonin: emrat nuk ua gjetëm dot dhe eshtrat i ndamë me short (!!!) Te kngët për dëshmorët nacionalistë vëren vargje mjaft të goditur, strofa të blinduara me figura të bukura artistike ku mund të përmenden  krijimet e Veip Nexhip Kapaj, Musa Maliq Koshena, Xhevat Kallajxhi, Isuf Luzaj etj ”Të kish hije burrëria/ Fjala prush e flake  baroti/ Flamurtar të ka liria/ Rrapo Meto patrioti/ Vargun, këngën ku s`e mbolle/ Në ballë të valles i pari/ Nëpër breza e përcolle/ Rrapo Meto këngëtari/ Disa vargje shumë emocionuese këto për Rrapo Meton nga Vranishti i Vlorës që ishte jo vetëm një luftëtar i vendosur antifashist, po edhe një rapsod e valltar i talentuar. Partia Komuniste që lindi me triskë e vdiq me tollonë, i vrau e i ndoqi këmba-këmbës. Disa nacionaliste për t`i shpëtuar pushkatimit u ndanë nga familjarët e ikën në emigracion, po populli ynë i mrekullueshëm, nuk i harroi, duke i kujtuar me këngë të rralla të ligjërimit të bukur popullor.

Te kapitulli i katërt gjen këngë atdhedashurie të emigrantëve politikë të Ballit Kombëtar. Mjaft të goditura e me ngarkesa të veҁanta emocionale janë “Shkaba e 28 Nëntorit “ (Xhafer Sali Butka), ”Moj e zeza Shqipëri” (Veip Nexhip Kapaj ), etj.

Në kapitullin e pestë përmblidhen këngë humoristike të Ballit Kombëtar. Edhe te këto krijime të popullit tonë vërejme një humor të hollë e të kripur, por në disa raste ai bëhët thumbues e stigmatizues. Komanda e luftës bëri gati dhe organizoi partizanët që të sulmonin fshatin e Dukatit. Ata nuk pyesnin se në këtë fshat kishte fëmijë, gra, pleq të pamundur dhe nisën kundër gjithë fshatit një sulm të rrufeshëm. Fshati ishte shumë i pasur, ku veҁ mallit, gjësë së gjallë, kishte edhe bletë, kështu që komunistët sulmuan me parullën: Na do te marrim Dukanë/ Mish e revani do hamë!

Prandaj komunistët nganë dhëmbët e lëpinë buzët duke menduar se do hanin mish e do shijonin mjaltin. Dukatasit kishin të drejtë ta mbronin fshatin e tyre, nuk u dorëzuan, luftuan trmirërisht, dhe, pasi u vrane shumë bij nënash nga të dy palët, partizanët u tërhoqën me bishtin ndër shalë. Këtë ngjarje të dhimbshme vëllavrasëse e dëshmon edhe kënga ku me shumë finesë dhe satirë vihen në lojë partizanët plaҁkitës: ”Brinë shoqet a u sera/ S`qënka si vendet e tjera/ Dukat paska zot ahuri/ S`qënka koqe fike muri/ Matanë një zë burri/ Huri shoqe huri/ gaveta , shokë gaveta/ po mbetet bosh e shkreta”/

                                                         *     *     *

Në këtë libër voluminoz Enver Memishaj- Lepenica, hedh dritë e zbulon disa të vërteta të mohuara, të falsifikuara, të pamohueshme e të pazbuluara më parë. Po ashtu autori si gjithnjenjë i vëmmëndshëm, i kujdesshëm e tepër korrekt tek ngjarjet e faktet, jep burimet për ҁdo këngë e krijimi poetik.

Libri hapet me një studim të gjatë të autorit për temën që trajton, është i paisur me shumë burime referimi, me shënime për këngët, për të gjith rapsodët e poetët, dëshmorët dhe kompozitorët e këngëve. Në këtë mënyrë libri paraqet një enciklopedi të historisë dhe trashgimisë shpirtërore të Ballit Kombëtar. Autori vjen të mbush me këtë libër një boshllëk të kulturës dhe tashgimisë shpirtërore të popullit tonë. Shoqëria duhet ta vlerësoi e ti jetë mirënjohëse Enver Memishajt se nuk la humbasin visare të çmuara të shpirtit të popullit tonë, por i mblodhi ato dhe na i dhuroi neve si një tufë me lule të bukura. Këto janë vlerat e veprës së tetëmbëdhjetë të Enver Lepenicës.

Jam më se i bindur se lexuesi do ta shikojë me vemendje dhe interes të veҁantë këtë libër. Le t`ia lëmë atij në dorë për ta shijuar e vlerësuar.

Comments

comments

-----