ARTISTI I MADH KOMIK LEKA KRUTA

Në 7 vjetorin e vdekjes

Nga Luan Çipi

Nuk mund të rrija pa shkruar për Leka Krutën, artistin e madh komik të Estradës së Vlorës, padyshim personalitetin më të shquar në veprimtarinë artistike e kulturore të qytetit të Vlorës, për një periudhë të gjatë kohe , nga viti 1944 deri në 2011.

Leka Kruta u lind në Vlorë më 19 shtator 1927 dhe rrojti, duke qenë aktiv si artist komik në skenë dhe jashtë saj, deri në moshën 84 vjeçare. Vdiq, po në Vlorë, më 22 Mars 2011.

Qysh në fëmijëri dallohet për prirjet e tij të spikatura artistike në teatër e muzikë. Aktivitetin artistik e fillon që në moshën 13-14 vjeçare. Në jetën e tij të gjatë krijuese si aktor, ka interpretuar në 150 premiera me rreth 800 personazhe. Një shifër e madhe, por specifike për aktorët e varietesë, mbushur me një jetë të bukur e interesante, por edhe shumë të vështirë e të lodhshme.

Gjatë jetës së gjatë prej aktori, Leka Kruta ka bashkëpunuar me regjisorët Nazmi Bonjaku, Minella Mita, Myqerem Ferra, Luftar Veshi, Pëllumb Kulla, Gaqi Vishi, Qiriako Sava, Vasil Beqari, Albert Verria, Thoma Mile, Gjergj Vlashi, Bujar Kapexhiu, etj. , të cilët kanë ndjerë nga afër, aftësitë e rralla të interpretimit dhe talentin e tij të natyrshëm prej artisti komik.

Jeta skenike e Leka Krutës, ka nisur si amator, në vitin 1944, (përjashtuar fillimet e vitit 1942 në Korrin e Kishës) kur, ai së bashku me Gaq Vishin, një tjetër artist i shquar komik vlonjat, jepnin shfaqje për qytetarët në sallën e kinema “Ali Demi”, në pushim të pjesëve të filmit. Ai vazhdoi të luante si aktor amator në trupën e Estradës së qytetit dhe qysh prej vitit 1955, kur u krijua trupa profesioniste, u bë pjesëtar i saj, duke vendosur kështu veten si një prej gurrëthemeleve të humorit dhe aktrimit shqiptar. Ai ka bashkëpunuar me aktorë të tjerë të talentuar, si Gaqi Vishi, Myqerem Ferra, Evgjeni Shtrepi, Pirro e Qirjako Sava, Vangjel Panozaqi, Minella Mita, Meliha Ferra, etj., si dhe me instrumentistët Dola Sorreto, Taq Diamanti,Thoma Çaçi, Kol Ceca, Mishel Lako, Mojze Negrini, etj.

Për fillimet e veprimtarisë së vetë artistike, Leka Kruta, me nostalgji, ka treguar: “Kemi luajtur mjaft pjesë me estradën e qytetit të Vlorës. Jepnim shfaqje pothuajse çdo natë, në sallën që ishte pranë Xhamisë së Muradies, e cila sot nuk është më. Përmbajtjet e skeçeve që interpretonim, i merrnim nga jeta. Kritikonim drejtorë, magazinierë, berberë, specialistë të fushave të ndryshme. Si rregull, nuk përmendnim emra, megjithatë gjithsekush që ishte në sallë, e kuptonte se për cilin drejtues, apo “usta”, bëhej fjalë.”

Më vonë, sipas libreteve cilësore të hartuara kryesisht nga Flamur Laro, Vangjel Pici dhe Dashamir Çipi, Estrada Profesioniste e Vlorës, e ngriti nivelin e vet artistik dhe u dallua në kuadër kombëtar. Janë për t’u përmendur premierat e suksesshme të shfaqura ndër vite nga Estrada e Vlorës si: “Të fala nga fshati”, “Maska dhe fytyra”, “Zëri i Gruas”, “Gati Pompa”, Në Botën e Fëmijëve”, “Zgjidh e Merr”, “Familja e Gëzuar”, “U takuam në udhëtim”, “Dy shokët”, “Çan anija Shqiptare”, “Xhevahiret e orës 19”, “Banorët e Pallatit Tonë”, “Pallati 176’, etj. Pikërisht në këto premiera ka interpretuar me mjeshtëri të lartë dhe ka lënë gjurmë të thella edhe protagonisti ynë i nderuar, Leka Kruta.

E shihnin në skenën e estradës së Qytetit të Vlorës, apo të qyteteve të tjera të vendit dhe në më të shumtat e rasteve në fshatra në skena të improvizuara, Lekën me shokë dhe harronin lodhjen, mundin dhe hallet tona. Shumë nga ato ngjarje që luheshin në estradë, ishin falsitete dhe shtyrje të improvizuara bukur enkas në skenarët, ku kritikoheshin rastet e shkeljeve ekstreme të disiplinës në punë, mbahej qëndrim për ndonjë vjedhje, qortohej ndonjë burokrat, fyej ndonjë klerik, apo shahej “imperializmi dhe revizionizmi modern”. E kundronim me interes e kërshëri Lekën në rolin e Hitlerit, të ndonjë ballisti, të ndonjë punëtori dembel, apo fshatari hileqar, qoftë të ndonjë burokrati, ndjenim neveri për ata, qeshnim e bënim shaka me fundin e tyre gjithnjë të përcaktuar dhe harronim sadopak, se na priste radha e qumështit, apo se do shkonim në darkë për të ngrënë një copë bukë misri me djathë, se dhe vezët e mishi, ishin me racion. Sidoqoftë, të përfshirë nga roli magjik interpretues, si spektatorë të hutuar e të magjepsur, ne, flinim rehat dhe me iluzionet e pastrimit shpirtëror, e të dënimit të akteve negative, sipas porosive të përcjella e të ngulitura artistikisht në mendjet tona, nga i madhi Leka Kruta me shokë.

Vlerësimin më zëmadh Leka Kruta e ndjeu për së gjalli nëpërmjet duartrokitjeve të pareshtura të zjarrta të spektatorëve. Ai, kudo ku shkonte ndeshte me dashurinë, adhurimin dhe respektin që kishte për të spektatori i thjeshtë shqiptar. Për këtë kontribut të gjatë në karrierën e tij 40-vjeçare, Leka Kruta është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Qytetar Nderi i Vlorës”, dhe së fundi Presidenti i Republikës Bamir Topi, i akordoi Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.

Mjeshtëria e tij e lartë interpretuese, marrëdhëniet e shkëlqyera me kolegët dhe kontributi i tij i shquar në skenat e varietesë, ka qenë dhe mbetet gjithnjë i vlerësuar nga miqtë dhe kolegët e tij të shumtë.

Ja, seç thonë për personalitetin e Leka Krutës, disa figura të rëndësishme artistike të kohës:

-Aktori vlonjat i Teatrit Kombëtar, Andon Qesari. Artisti i Merituar, ka thënë: “Leka Kruta është simbol i humorit vlonjat! Ai së bashku me Myqerem Ferrën, e ngritën estradën e Vlorës në një stad të ri, duke u mbështetur në trashëgiminë e humoristëve paraardhës dhe duke lënë dhe vetë një trashëgimi të shkëlqyer, që do t’i jepte frytet e saj përfundimisht tek “Parodistët e Vlorës”. Leka Kruta ishte një nga aktorët më të mëdhenj të komedisë shqiptare i kompletuar në improvizim, gjest, plastikë dhe muzikalitet”.

-Kostaq Skrame, aktor dhe ish drejtor i Teatrit te Vlorës dhe deri i Teatrit Popullor, ka thënë se Leka Kruta ishte humorist i jashtëzakonshëm në skenë dhe në jetë, i pajisur me mirësi që e shprehte në çdo gjë, kombinuar me mjeshtëri të lartë artistike. Ai ishte artist i madh e i jashtëzakonshëm, mirësia vetë, në virtytet e larta vetjake.

– Luftar Paja, Artist i Popullit, një ndër aktorët komik më të mirë të vendit, ka thënë: “Leka Kruta është legjenda, simbol i humorit tipik vlonjat me të gjitha karakteristikat e kësaj zone. Ai ishte i madh në skenë, po dhe i madh ne shoqëri. Nga ai kemi mësuar shumë.”

– Piktori i shquar vlonjat,  Nestor Jonuzi (Piktor i Popullit), ka thënë: “E kam njohur Lekën që kur isha fëmijë. Ai ishte një talenti lindur për aktor. Ai i kishte të gjitha parametrat dhe të gjitha komponentët që i duhen një aktori të humorit për të qenë vital. Kishte në pantonimë, gjestin, timbrin e zërit, të paparë. Edhe në rrugë ishte njeri në radhë të parë, ashtu si dhe një aktor i talentuar. Në paraqitjen e tij, në të folurën e tij, në mimikën e tij, kishte një diçka të veçantë. Tingulli  dhe timbri i zërit kur ai tregonte, kumbonte aq bukur, sa që kur e dëgjoje, afroheshe vetiu dhe kënaqeshe. Ai në çdo  bisedë të tërhiqte, të bënte për vete, sepse të tillë e kish gatuar natyra me një cilësi të rrallë, pasi ai ishte  dhe mbetet vetvetja. Pra kjo është vlera kryesore e një njeriu. Ai kudo, në rrugë, në familje, në skenë, ishte vetvetja. Ai jetonte jetën e vërtetë, duke bërë gjetje në jetën e përditshme. Edhe kur vinte në radhën e qumështit në regjimin komunist (që kush futej pa radhë edhe mund të shahej) atij i hapnin radhë, duke u kërkuar që të tregonte një barsoletë. Ai ishte i natyrshëm në gjithçka tregonte. Ai krijonte situata të këndshme. Është i papërsëritshëm dhe i rrallë, që zor se do ti vijë prapë humorit vlonjat”.

-Timo Flloko, aktor, regjisor, poet dhe pedagog, Artist i Popullit, ka thënë shkurt:

“Leka  është një emër i madh i skenës shqiptare sidomos i humorit. Ai ishte një nga majat e frymëzimit dhe modelit. Ishte Fernandeli shqiptar deri me aftësi për të kënduar, me grotesk të admirueshëm dhe vesh muzikor të mrekullueshëm”.

-Albert Verria, aktor, Artist i Popullit dhe shkrimtar ka thënë: “Leka Kruta ishte i veçantë si artist, se jo vetëm e interpretonte bukur rolin, po improvizonte me lehtësi dhe ishte gjithnjë i freskët dhe origjinal, aq sa 100 herë ta përsëriste rolin, në çdo rast merrte pëlqim masiv pse jepte nuanca të veçanta. Ai do të mbetet një aktor brilant dhe i papërsëritshëm”. 

-Filip Çakulli, shkrimtar humorist i shquar, thotë se “Ishte kënaqësi të rrije me Leka Krutën, mjeshtër humori, që ka shkëlqyer në kohën e tij, po edhe që ishte mësuesi i mirë, për brezat e ardhshme që do vijnë në humoristët shqiptar”.

-Kmpozitori vlonjat Artur Dhamo ka thënë se Leka Kruta ishte dhe muzikant i mirëfilltë, që e njihte dhe e deshifronte në mënyrë fantastike melodinë dhe me njohje disa vjeçare si instrumentist.

-Fuat Boçi, Artist i Popullit, aktori komik i shkëlqyer i Estradës së Fierit ka thënë se Leka Kruta zë vend nderi në humorin shqiptar.

-Vlonjati Albert Minga, regjisor dhe Artist i Popullit ka thënë: “Leka Kruta është një aktor i vërtetë me një plastikë të jashtëzakonshme, gjithmonë në kërkim të së resë në role. Ai është i pari aktori modern i estradës shqiptare, me diksion të shkëlqyer, elegancë në interpretim, dhe vokal të mrekullueshëm, që këndon bukur, flet bukur dhe ndërton karakteret në mënyrë të shkëlqyer.”.

– “Artistja e Merituar” Liza Laska, bashkëmoshatare dhe bashkudhëtare e skenës vlonjate me artistin Leka Kruta, me rastin e përcjelljes se fundit të artistit të madh, kujtoi thënien e tij se “Unë humorin e solfexhoj, e bëj muzikë”. Ajo, e cilëson këtë “një shprehje aq të goditur, e të përdorur shpesh nga humoristi i madh Leka Kruta, që vjen sërish i gjallë sot dhe sa herë përmendet emri i tij. Edhe pse Leka Kruta tashmë është ndarë nga jeta, do të mbetet gjithnjë “legjenda e humorit vlonjate dhe shqiptar”. 

-Arben Kruta, djali i vetëm i Leka Krutës edhe ai me profesion aktor, duke kujtuar me respekt atë, thotë se: ‘’Babi im ishte një gjenerator gjigand, që prodhonte vetëm të qeshura dhe mirësi. Ta bësh njeriun të mërzitet, shton ai, është e thjeshtë, ta besh të qesh, është e vështirë. Babai im kishte zgjedhur të vështirën, ndaj do të ngelet për mua idhull i çmuar”.

-Bamir Topi (ish President i Republikës) ka thënë: “Një emër i veçantë që do të respektohet gjithmonë.  Një emër i që i ka dhënë shumë si qytetit të Vlorës, por edhe Shqipërisë në gjininë e humorit.”

Shtatë vjetori i vdekjes erdhi e iku shumë shpejt. Vite e dekade të tjera, do bëhen shekuj. Ne e kujtojmë me respekt dhe kujtimet e tij i ruajmë si të gjalla, se artisti madh komik Leka Kruta është sa i paharruar dhe i pavdekshëm!

Tiranë, më 22. 03. 2018

Comments

comments

-----