BASHKONI KOMBIN NË LIDHJEN PREJ GJAKU!

Nga Luan Çipi

 

Për kohën e shkuar kam ca derte e mall,
Tridhjetëmijë fletë kalendari grisa…
E pyes veten shpesh: Ç’ kam kuptuar vallë?
-Vrapim të mundimshëm në rrugë me plisa!

Fëmijërinë, e shkova me zhurmë e tallaze:
Avionë, anije, topa e tanke, fashistë e nazistë;
Në Rini, u përplasa me luftë t’ ashpër klase:
Borgjezë e Proletarë, Komunistë e Ballistë.

U pleksëm në beteja të forta në jetë
Për dije, arsim, kulturë e liri.
Ishte kohë rrebeshi, stuhi e tërmet,
Për të ruajtur nderin dhe emrin njeri.

Të vetëm luftonim kundra botës mbarë
Në kushte rrethimi të plot e në izolim,
Perëndimit shfaqej ”imperializmi barbar”,
Në lindje e përtej, revizionistët na mbinë.

Mbinë si kërpudhat mbi tokë bunkerët,
Ditën rraskapitur me lodhjen që të mund,
Natën “mësymje”, urdhëronin kapterët,
Sajoheshin në ëndrra gënjeshtra pa fund:

“Prona private, e keqja më e madhe,
Besimi fetar, opium i njerëzimit,
Çdo gjë kolektive, të heq brengë e halle,
Tufëzat edhe arëzat, shpresa për shpëtim”.

U ndamë nga Serbi e u prishëm me Rusët;
Kinezët e Maos, (që me ne hiqnin valle),
Me krerët e Amerikës, kishin puthur buzët,
Ndaj  e “meritonin” shuplakën e madhe!

Bashkë u bënë “armiqtë”, po ne tjetërsoj:
Me Flamurin Marksist e yllin shpëtimtar,
“Bota drejt të ardhmes pas nesh le të shkojë,
Marshojmë drejt suksesit, përherë fitimtar.”

Kalërojmë fitues, me ne, “Donkishoti”!
Po, Muri i Berlin nuk mban e rrëzohet.
Rikthyer të gjithë, kush qe më i zoti,
Një zgjidhje e re nis përfytyrohet…

U grisën kufijtë, djemtë e rinj, u gënjyen,
Me mushka e vaporë, në emigrim po shkonin
Disa mbetën rrugëve, shumë as nuk u kthyen,
Po “ajka” vendosi shtetin të formonin.

Erdhi polipartizmi dhe demokracia!
Ëndrrat dhe zhgjëndrrat, sërish po faniten,
Ashtu si e deshëm, në ballë prapë rinia.
Rrugë e gjatë na doli, kallot po na rriten…

Amerika e Madhe, na e mësoi notin:
“Notoni, peshkoni, bëni çfarë të doni!”
Dhe Evropa plakë na riktheu “Zotin”:

“Nisni e  mendoni, drejt qiellit shkoni,

Kur të jeni gati, vetë të na tregoni,
Duke u marrë vesh më parë shok me shok;
Veç, pa Islamikët, ata t’i mohoni,
Pastaj në Evropë do bëhemi tok”.

*

Po ne mbajmë traditat dhe zakonet tona:
Çdokush e zë radhën, do vendin e parë!
Më lehtë merren vesh mija milingona,
Se të mirëkuptohet një grusht Shqiptar.

*
Ma dëgjoni mua, një këshillë plaku:
I lini përçarjet, grindjet e mëritë;
Bashkoni Kombin në lidhjen prej gjaku,
Mëma Shqipëri, qëndron mbi partitë!

Ripunuar Vlorë, më 05.02.2017

 

Comments

comments

-----