Dritëro Agolli, lis gjigant në pyllin e letërsisë shqipe

Nga Dr. Nuri Dragoj

 

Sot po shkojmë në shtëpinë e familjes së Dritëro Agollit. Ai ka 12 muaj që mungon. Sytë më shkojnë te poltroni ku ai ulej vazhdimisht. Sjell ndër mend vitet e kaluara aty, duke pritur e përcjellë qindra e mijëra njerëz, poetë të rinj e të vjetër, të cilët kur kanë dalë prej saj, janë ndierë me krahë, në sajë të mbështetjes që u ka dhënë ai njeri i madh. Aty kanë hyrë miq e shokë, gazetarë e shkrimtarë, historianë e politikanë. Të gjithë kanë kthyer edhe ndonjë gotë dhe në çdo rast kanë folur për Shqipërinë, për të ardhmen e vendit të tyre të raskapitur nga padija jonë, nga lakmitë. Kanë biseduar për poetët e nëpërkëmbur nga sistemi njëpartiak, për thashethemet, për tendencën e të bërit keq ndaj njëri-tjetrit, për fshatin e braktisur, për politikanët e pushtetarët që nuk u ngopën një herë duke vjedhur, për fatin e keq të këtij populli të shumëvuajtur.

Duke vështruar mjediset e shtëpisë ku banonte Dritëroi, një apartament i thjesht në një ndërtesë thuajse të rrënuar nga koha, ndjejmë një farë krenarie dhe trishtimi njëkohësisht. Krenari për veprën që na ka lenë dhe trishtim për mungesën fizike. Ky apartament qe streha e poetit për një jetë të tërë. Brenda mureve të tij u shkrojtën mijëra vargje, të cilët e ngritën në një nivel më të lartë poezinë shqipe. Aty shkroi dhe prozë, me të cilën guxoi të stigmatizonte sistemin burokratik të kohës. Tashmë dihen historitë e Zylos. Pena e tij ishte dalta e dijes, me të cilën gëdhendi gurët e ditëve, për t’i vënë në rresht përpara muzeut të brezave. Dhe ai do të jetë përherë i hapur, si një kujtesë kolektive që vazhdon të pasurohet pa ndalim, me bëma njerëzish idealistë dhe të përkorë, si Agolli. Dhe kjo nuk është pak për jetën e një njeriu, as për jetën e një kombi të ndarë në pesë pjesë si ky i yni, gjithmonë në mbrojtje të sovranitetit të vet, në luftë për të shmangur të keqen fatale, në kërkim të arketipit të lirisë dhe të vlerave.

Duke hedhur sytë në mjediset e shtëpisë ku ai banonte, në divanët e dhomës ku patëm pirë shumë herë kafe e raki, vështrimi më mbeti mbi tavolinën përbri, ku ai hidhte vargjet e veta, pasi kishte pritur e përcjellë me orë të tëra vizitorë. Miqtë që vinin për darkë, binin për të fjetur pas mesnate. Pikërisht kur ata binin në gjum të thellë, poeti diçka shkruante mbi tavolinë, ndërsa Sadija e ftonte të shtrihej për t’u qetësuar, sadopak. Dhe ashtu duke e pritur e zinte gjumi, në një kohë që i shoqi gdhihej duke shkruar.

U mbush një vit pa Dritëroin. Ne që e kemi njohur poetin e kombit, sa herë jemi gjendur në udhëkryqe apo pavendosmëri, i jemi rikthyer figurës së tij, për t’u frymëzuar prej dijes, guximit, përkushtimit të poetit e shkrimtarit të shquar, si edhe për të gjetur drejtimin e duhur në trafikun e rënduar të jetës. Me disa njerëz ndodh që, kur në aktin e fundit të jetës thonë “lamtumirë”, në vend që të largohen prej nesh, afrohen edhe më shumë. Kjo ngjan kryesisht me luftëtarët e lirisë, për të cilët populli ka krijuar dy vargje lapidare: “Bij, ç’është kështu me ju / vitet tutje, ju tëhu”. E njëjta gjë duhet thënë se ka ngjarë edhe me Dritëro Agollin.

Vitet e mungesës së tij, konfirmojnë postulatin e mësipërm, duke e kthyer në një model të përsosmërisë së njeriut, i cili e përdori jetën si gurë themelesh për kështjellën tonë të përbashkët. Kjo edhe për faktin se nëpër vitet e udhëtimit në këtë botë, ai ishte miku ynë i përbashkët, ndërsa gjatë kohës së mungesës së tij, u kthye në dishepull për ne. Një fenomen i tillë ndodh me dijetarët që i shërbejnë kombit të vetë, me luftëtarët që morën në trup koleksionin e plagëve nga plumbat e okupatorëve, apo me njerëzit që ndërtuan familje dinjitoze dhe edukuan fëmijë të devotshëm për shoqërinë.

Gjatë kohëzgjatjes së shekujve, në tokë herë pas here shfaqen profetë e shenjtorë të ardhur me ndriçim hyjnor, ikin dhe mbërijnë të tjerë, duke u ndërruar diku. Shenjtorët i duhen njerëzisë, pasi i japin shpresë, besim dhe dashuri. Një i tillë ishte dhe Dritëro Agolli, edhe pse nuk qe besimtar klasik. Nuk qe profet. As shenjtë nuk qe. Por sjelljen dhe veprimet i kryente prej shenjtori. Dhe ka shumë njerëz që e dëshmojnë një gjë të tillë.

Dëshmitarë të mirësisë së Agollit janë vetë njerëzit që kanë trokitur në atë derë, janë muret dhe orenditë e banesës ku ai jetoi, është Sadija, bashkëshortja, kolegia, shoqja e tij e mrekullueshme dhe e palodhur, me të cilën kapërceu çdo vështirësi. Bashkë rritën dhe edukuan fëmijë me sjellje princërore, të urtë e të ditur, të bindur ndaj ligjit dhe rregullit. Takojmë po atë Sadije që rrinte me orë të tëra mbi poezitë e shkruara nga Dritëroi, pasi ishte përgjegjëse për redaktimin e tyre, zonjën e nderuar që nuk u lodh duke pritur e përcjellë mijëra njerëz, ndonëse çdo natë flinte pak gjumë, shfaqej përherë buzagaz, duke na qerasur me embëlsira e raki. E për të gjitha këto, ajo shtëpi meriton të jetë shtëpi muze.

Është kjo arsyeja që, edhe sot, pas një viti të mungesës së tij, njerëzit e ndjejnë humbjen e njeriut të mençur, të të thjeshtit Dritëro, që e donte shumë jetën e punën, donte Shqipërinë në çdo cepë të saj, ashtu siç ishte, me shpresë për ta bërë më të mirë. Prandaj dhe mbartte në trastë baltën e Devollit, për ta çuar pranë njerëzve të penës, që të mos e harronin tokën, baltën që na ushqen, bujkun që robëtohet ditë e natë, bariun që kujdeset për bagëtinë në shi e borë, mjeshtrin e hardhisë e pemëve drufrutorë, që me punën e kualifikuar na bëjnë të ndihemi më mirë dhe të jemi më të shëndetshëm. Të mos harronin baltën “që është më e embël se mjalta”, atdheun mbi të gjitha.

Mirësinë e Agollit e dëshmon ndihma që i ka dhënë Faslli Halitit e Bujar Xhaferrit, mospajtimi i tij me sjelljen e keqe të pushtetit komunist ndaj Bujar Lakos, Sadik Bejkos, Bujar Kapexhiut, Dhori Qiriazit, Valter Files, Skënder Rusit, Preç Zogajt, Rudolf Markut, Dodë Kaçajt, Koçi Petritit, Lazër Stanit, Jorgo Bllacit etj. Për këtë flet mbrojtja që i ka bërë romanit të Ismail Kadaresë, “Koncert në fund të dimrit”, bllokuar për disa vite. Sjelljen e tij dashamirëse e vërteton mbështetja që u ka dhënë letrarëve të shumtë, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, duke i ndihmuar për të ndjekur studimet e larta, me mesatare dhe pa mesatare, me biografi të mirë apo me cene në biografi.  Nuk ka patur frikë të kritikojë dhe shefat e partisë në rrethe, e deri në Komitetin Qendror, lidhur me qëndrimin jo njerëzor që mbahej ndaj shkrimtarit Pëllumb Kulla, për ndalimin e veprave të Xhevahir Spahiut, Koço Kostës, Mimoza Ahmetit, Mehmet Myftiut e Vehbi Skënderit.  Flet ndihmesa që i ka dhënë Lazër Stanit apo poetes Luljeta Leshanaku, mbesë e Abas Kupit. Dhe dihet çdo të thotë të mbroje atëherë persona nga familje që shiheshin si armike të pushtetit. Shumë prej këtyre njerëzve që kanë patur mbështetjen e Agollit janë gjallë dhe, jo vetëm e dinë, por edhe e pohojnë një gjë të tillë.

Gjithkush që e ka njohur Dritëro Agollin, gjatë viteve kur mësonin në shkollën e fshatit, në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, në aksionet e rinisë, jetës studentore apo në redaksitë e gazetave, në arë duke lëruar apo në Lidhjen e Shkrimtarëve, në diskutimet letrare apo në klube duke kthyer ndonjë gotë raki, vazhdojnë ta përjetojnë mungesën. Kanë të gëdhendur në kujtesë buzëqeshjen, këngën dhe humorin e tij, modestinë, sinqeritetin dhe madhështinë, sepse ai bënte pjesë në ata njerëz që i quajmë tokësorë, ndonëse poetët i përkasin një kategorie të veçantë të njerëzimit, pasi janë të pajisur me antena të veçanta që i kapin valët në gjatësi më të madhe, parandjejnë edhe atë që do të ngjasë.

Ata që e kanë njohur Nderin e Kombit, nuk e kanë të lehtë ta heqin nga mendja, sepse ai i tha sinqerisht mendimet e veta, me dëshirën e ndryshimit të gjërave që po projektoheshin keq, pavarësisht nëse u morën apo jo në konsideratë. Atyre u nevojitet kohë e gjatë të binden për mungesën e shkrimtarit.

Dritëroi besonte te njerëzit, te ndershmëria e tyre, duke e reflektuar dhe vetë atë, besonte te familja, te miqtë e afërt e të largët, te njerëzit e njohur e të panjohur. Kur niste bisedën në mjedise të ndryshme shoqërore, nuk paramendonte se mund t’i ngrinin kurth. Madje nxiste edhe të tjerët të besonin te fryma e mirëkuptimit dhe e bashkëpunimit. Ai pati fatin të përjetonte tri epoka. Ndodh rrallë që njeriu të udhëtojë përmes kaq shumë ngjarjesh dhe atmosfere kohore, jo thjesht si dëshmitarë për të rrëfyer, por pjesëmarrës energjik në to. Në vitet e jetës së tij sintetizohen vuajtjet e fëmijës së vogël, protestat e adoleshentit ndaj realitetit, pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore dhe triumfi i vlerave njerëzore dhe të dijes në kohë paqe. Në bazë të urdhërit të kohës, ky nxënës fshati, ndonëse i mitur, guxoi t’u shkonte pas partizanëve në luftë, mësoi e krijoi që në moshën adoleshente, student jashtë shtetit, gazetarë i pëlqyer, poet e shkrimtar me famë, drejtues i ekuilibruar, deputet i Kuvendit dhe nga të paktët njerëz, pjesë e sistemit të kaluar, që e përjetoi qetësisht ndërrimin e sistemeve, duke reflektuar vlera të reja patriotike e njerëzore, duke orientuar edhe të tjerët për t’u shkëputur nga e kaluara dhe të rendnin përpara për ndërtimin e shoqërisë se re. Por Agolli e vuajti thellë në shpirt paaftësinë e politikanëve për të administruar shtetin e ri e të pafuqishëm. Shtetin e vet, që shpesh herë shfaqej i papërgjegjshëm, pasi burokratët e rinj, ashtu si të vjetërit, filluan të mendonin për interesat e tyre, duke i lënë qytetarët në varfëri, pa punë dhe pa perspektivë.

Tashmë Dritëroi bëri një vit që mungon fizikisht, por jeton vepra e tij, e cila nuk ka nevojë për vlerësimin e njërit apo të tjetrit, pasi çmimin e madh ia ka dhënë lexuesi që e ka ndjekur hap pas hapi. Krijimet e Agollit zënë vend nderi në bibliotekën e shtëpisë së tyre. Njerëzit mbajnë në kujtesë opinionet e dhëna prej poetit, mendimet filozofike të tij, rolin që ka patur në emancipimin e shoqërisë, politikës shqiptare etj. Natyrisht nuk do të mungojnë dhe ata që do ta anatemojnë për një çështje apo për një tjetër. Dhe kjo është normale, sepse siç shkruan diku Sartri, njeriu provohet në një botë të vështruar. Kjo do të thotë se askush prej nesh nuk mund t’i shpëtojë shikimit të tjetrit, ndonëse ndryshon mënyra e të parit. Nga pikpamja sociologjike, shoqëria qëndron mbi individët dhe secili prej nesh jeton me të tjerë, jo i vetmuar, gjë që e kufizon lirinë tonë.

Por në fakt Dritëroi qe i lirë, pasi kishte mendim të pavarur dhe guxoi ta shfaqte atë. Personaliteti i njeriut është produkt i marrëdhenieve shoqërore, i ndërthurjes së interesave, duke nxjerr në pah vetëm një pjesë të tij, dhe duke ruajtur të fshehur më shumë. Në rastin e kritikave që bëheshin, Dritëroi thoshte se te individi ndikonte vetëdija e njerëzve që merrnin pjesë në ato diskutime, shkalla e zhvillimit psikologjik, social e humanitar të tyre. Duke qenë se jeta njerëzore ka qenë dhe është vazhdimisht nën presion, shpesh i detyron individët të marrin përsipër role aktoriale, për t’u paraqitur sa më mirë para padronëve të vetë.

Megjithatë, rrëzimi apo ngritja e poetëve dhe shkrimtarëve, nuk varet nga dëshira e individit. Me një fjalë, nuk mund të largohet një shkrimtar që të ulet tjetri në poltronin e tij. Letërsia ngjason me një pyll të madh, ku ka lisa gjigantë, lisa të tjerë të mëdhenj, disa pak më të vegjël, drurë shkoze, mëlleze, panje e lajthie, për të përfunduar te shkurret. Pikërisht këtu qëndron dhe bukuria e letërsisë, te bukuria e pyllit me shumëllojshmërinë e lisave dhe shkurreve. Në sitemin socialist u bënë përpjekje për të inkurajuar shkurret dhe disa lisa tërë gdhënja, por me gjithë stimulimin e tyre dhe sakatimin e drurëve në rritje a të formuar, nuk mundën të largonin lisat. Ata mbetën përsëri ashtu të lartësuar e krenar.

 

 

 

Comments

comments

-----