PSE DUHET SHTETËZUAR NAFTA DHE GAZI NË SHQIPËRI?

Nga Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici/

Toronto

Nafta dhe gazi në Shqipëri duhen shtetëzuar, sepse ato janë e vetmja mundësi për ta nxjerr vendin nga kriza e thellë ekonomike. Ato janë e vetmja shpresë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për rritjen e mireqënies së popullit. Asnjë pasuri tjetër e Shqipërisë nuk mund ta shpëtojë Shqipërinë dhe popullin shqiptar nga varfëria. Kundërshtarët e shtetëzimit të naftës dhe të gazit u shërbejnë vetëm të huajve dhe vetes së tyre, por jo popullit.

Shqipëria ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz, sidomos Shqipëria Lindore (Brezi Ofiolitik Mirditë-Kosovë). Në qoftë se kjo naftë-gazmbajtje e madhe e pritëshme, do të ishte e shtetëzuar, kjo do të ishte një dhuratë shumë e madhe për kombin shqiptar. Në qoftë se kjo naftë-gazmbajtje e madhe e pritshme jepet me konçesione, ose privatizohet, ky do të ishte një mallkim i madh për kombin shqiptar. Për këto dy mundësi duhet të vendosë vet populli, dhe jo qeveria, pa e pyetur fare popullin, siç po ndodh në Shqipëri.

Nafta dhe gazi në Shqipëri duhen shtetëzuar, që t’i shërbejnë mirëqënies së popullit dhe jo të huajve. Ato duhen shtetëzuar, sepse borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka arritur rreth 11 miliardë dollarë. Edhe borxhi i brendshëm është shumë i lartë. GazetaTema (30 prill 2015): Rekord historik, borxhi publik i Shqipërisë (borxhi shtetëror, ose borxhi i popullit) për herë të parë mbi 1 trilion Lekë (mbi 1000 miliardë Lekë (të reja). INSTAT zbulon sa Lekë borxh ka çdo shqiptar (Gazeta Tema, 20 korrik 2016): Çdo shqiptar sot ka borxh 270 mijë Lekë (të reja). Borxhi publik i Shqipërisë (borxhi shtetëror, ose borxhi i popullit) në muajin qershor 2016 arriti 1 trilion e 68 miliardë Lekë (të reja). Populli po përjeton një krizë të thellë ekonomike. Ai është varfëruar shumë. Si do të shlyhen këto borxhe të larta, që sa vjen dhe shtohen? Si do të zhvillohet ekonomia? Si do të rritet mirëqënia e popullit? Si do të zhduket papunësia? Për këto probleme jetike nuk ka asnjë plan dhe perspektivë nga të gjitha qeveritë e njëpasnjëshme, që janë plotësisht të njëllojta. Vetëm shtetëzimi i naftës dhe i gazit mund ta shpëtojë Shqipërinë nga kjo greminë ekonomike. Kështu do të shlyhen borxhet, do të zhvillohet ekonomia, do të rritet mirëqënia e popullit, do të zhduket papunësia…. Prandaj, duhet ndryshim rrënjësor politik ndaj sektorit të naftës, dhe gjeologjisë në përgjithësi. Këtë ndryshim nuk mund ta bëjë kjo klasë politike (PD, PS, LSI etj.), sepse është kundër interesave korruptive të saj. Shteti ta marrë në dorë naftën dhe gazin. Investimet kryesore, tani për tani, të bëhen në sektorin e naftës, i cili do t’i kthente këto investime shumë shpejt dhe shumëfish. Ky sektor shtetëror është e vetmja mundësi shpëtimi. Më poshtë po japim një shembull:

Gazeta Mail Online (18 dhjetor 2017): Secili person norvegjez bëhet një milioner (1 milion korona norvegjeze të depozituara për çdo person, që është baraz me 100 000 Paund britanikë, ose 134 120 dollarë amerikanë). E gjithë kjo pasuri e madhe u arrit nga nafta dhe gazi si pasuri shtetërore. Zhvillimi i sektorit të naftës solli zhvillimin ekonomik të Norvegjisë, zhdukjen e papunësisë, zhdukjen e emigrimit masiv, rritjen e madhe të mirëqënies së popullit. Atje nuk ka dallim pagash, sepse ka programe sociale, që i barazojnë ato. Tek Norvegjia duhet të marrim shembull, dhe tek askund tjetër!!                 

 

Comments

comments

-----