Një këngëtare e talentuar me zemër të plagosur rëndë

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Në mjediset shqiptare hasen shumë këngë të larmishme, gazmore, por aty-këtu edhe trishtuese, me ritëm të shpejtë dhe të ngadaltë, të cilat lidhen me ndofarë ngjarjesh nga jeta e njerëzve të ndryshëm. Ato janë të pëlqyeshme për tekstin e gjetur dhe muzikën e bukur. Kur i dëgjon këngë të tilla, çdokush përjeton një flatrim ndjenjash. Se kompozitori dhe këngëtari, në zemrën e gjithkujt, zbulojnë pranverën dhe dashurinë.

Para më shumë se dy vjetësh, tek po shtegtoja nëpër faqet e youtubit në kërkim të këngëve shqiptare, hasa në një mrekulli të vërtetë. Gjeta këngën me titull “Thrret Prizreni mori Shkodër”, të ekzekutuar nga bukuroshja bjonde Barbana Dini. E hapa menjëherë dhe e dëgjova me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Që asokohe, kjo është bërë këngë shumë e parapëlqyer për mua, të cilën, sikur ta kisha libër tavoline që i rikthehem kohë pas kohe për ta rilexuar, e dëgjoj sa herë më kaplon malli për Shqipërinë tonë të dashur, e cila ende vazhdon të mbetet me troje etnike, të hallakatura nëpër shtetet e tjera të siujdhesës sonë.

Që asokohe, këtë këngë e kam dëgjuar edhe në ekzekutimin e artistëve të tjerë, si Adem Ramadani, Afrim Muçiçi (me çifteli), Maria Lajçaj, Shkurte Fejza dhe Zef Beka. Megjithatë, për mua, ekzekutimi i kësaj kënge nga zonjusha Barbana Dini, të ngjall të tjera emocione, shumë më të fuqishme, edhe për arsye të orkestrimit mjeshtëror.

Përmbajtja e këngës është me të vërtetë emocionuese. Për të mësuar historikun e krijimit të kësaj kënge, si tekst dhe si melodi, lexuesit e nderuar mund të njihen me artikullin e zotërisë Valmir Gallopeni, me titull  “Thrret Prizreni mori Shkodër” – Historia e këngës dhe autorët e parë të saj. Faqja e internetit “alb365.com”. 11 Nëntor 2016.

       Është tepër kuptimplote koha e krijimit të tekstit të kësaj kënge. Ishte fillimi i dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar, kur perandoria komuniste e vendeve të Evropës Lindore ndodhej në grahmat e fundit. Kësisoj edhe mikroperandoria e stisur jugosllave po merrte tatëpjetën. Prandaj autorët e tekstit dhe të muzikës, mendonin se kishte ardhur koha për ringjalljen e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe me këtë këngë, tërthorazi, i bënin thirrje klasës politike shqiptare që të zgjohej nga gjumi i gjatë letragjik dhe të ndërgjegjësohej se Çështja Kombëtare Shqiptar duhet të gjejë zgjidhjen e vet përfundimtare: të ribashkohen trojet tona etnike në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur.

       Sipas atij artikulli, teksti i këngës është shkruar fillimisht në Rab të Kroacisë, në muajin shkurt të vitit 1991 dhe është ekzekutuar për herë të parë më 27 gusht 1991, në fshatin Bllacë të Kosovës. E patën kënduar Rrahman Pagarusha dhe Hamëz Llapqeva. 

       Me kalimin e viteve, teksti i këngës ka ardhur dhe është pasuruar me vargje të reja, në të cilat tingëllon ushtima për ribashkimin e trojeve tona etnike, duke filluar nga Çamëria, deri në Tivar, Mitrovicë dhe Manastir. Ekzekutimi i këngëtares së talentuar Barbana Dini, në këndvështrimin tim, është i magjishëm. Ajo zbulon mjeshtërinë aktoriale përmes këngës. Se këngëtari është aktor, i cili zërin e shfrytëzon si instrument. Çdo frazë muzikore e Barbara Dinit rrëfen një histori, e cila, gjithashtu, përcillet përmes gjuhës së trupit, shprehjes së fytyrës, shqiptimit dhe dinamikës së zërit. Duke u përgatitur për ekzekutimin e kësaj kënge, këngëtarja ka pasur mirë parasysh idenë që rrezaton çdo varg i saj. Një gjë e tillë është e  domosdoshme, për të kuptuar idenë dhe për ta ndier shpirtin e këngës. Ajo ka parasysh se ç’thotë kënga në letër dhe si t’i përcjellë emocionet e saj në mënyrën më të qëlluar me zërin e saj të magjishëm Në këngën e saj, kjo pjesë e artit të ekzekutimit nuk është më pak e rëndësishme sesa studimi i linjës së vokalit, të ritmit dhe të fjalëve. Prandaj edhe kënga e saj përcjell te dëgjuesit çiltërsinë e ekzekutimit.

Kjo është një këngë që të përkëdhel ndjenjat, të ngre peshë me strukturën e vargut, i cili të mahnit me joshën e linjës melodike dhe me bukurinë e rimave gjëmimtare që shpërthejnë aq ëmbël në zërin magjepsës të këngëtares Barbara Dini. Gjithë videoklipi është ndërtuar në një mënyrë të shkëlqyer, me përcjelljen e zërit të Barbanës herë nga maja e motoçikletës, të ndjekur nga një vargan motoçiklistësh me pamje hijerënda, herë nga mjediset e studios së regjistrimit, herë drejtpërdrejt nga natyra, ku Barbana emocionet e ekzekutimit na i sjell edhe me lëvizje aq të zhdërvjellta të trupit, a thua se kemi para syve një mjeshtre të vërtetë të gjimnastikës. Edhe orkestrimi i këngës është fantastik

       Kënga e bukuroshes bjonde Barbara Dini të ndez fantazinë. Emocionet e kësaj kënge me vlera të jashtëzakonshme epike, m’i nxiti shumë më tepër një intervistë e saj, të cilën e ndoqa në videon e botuar në faqen e internetit “Lapsi Lajme” të datës 05 mars 2017. Intervista e saj titullohej:

       “Barbana: Aksidentin e Ergit e mësova nga një gazetare që më pyeti: “A jeton Ergi?””.

       Nga ajo intervistë mësova për tragjedinë e rëndë që paska goditur Barbanën dhe familjen a saj për vdekjen tragjike, në moshën 22-vjeçare, të vëllait të saj të shtrenjtë, këngëtarit të talentuar Ergi Dini, gjatë një aksidenti me motoçikletë në unazën përballë Tajvanit, më 22 nëntor 2016. Intervista e saj shoqërohej me shumë qëndisma trishtimi që të lëndonin zemrën. Tronditja ndihej tej mase në notat e zërit të saj. Megjithatë, nga intervista e saj tepër brengosëse, lihej të kuptohej se ajo nuk do ta lejonte veten të binte pre e dhimbjës së thellë që i kishte pushtuar çdo qelizë të trupit të saj. Ajo ishte e bindur se veprën e Ergit të saj të dashur, të cilit vdekja ia preu talentin në mes, do ta çonte më tej me këmbënguljen e saj të jashtëzakonshme. Prandaj tha:

       “Në këtë jetë kam një detyrim më të madh, për të jetuar për dy”.

       Ndërsa komentatori që fliste diku në prapaskenë të asaj videoje tronditëse, u shpreh:

       “Sa ishte mes nesh, ai nuk mori vlerësimin që meritonte”.

       Bukuroshja Barbana Dini, e cila, në atë intervistë, në një mënyrë simbolike, mbante syze tepër të errëta, vazhdoi me një zë dridhërues që të prekte telat e shpirtit për atë të vërtetë tragjike që shqiptoi:

       “Jetojmë në një vend, ku, sa më i talentuar të jesh, aq më shumë dyert mbyllen”.

       Ka shumë të drejtë këngëtarja e talentuar zemërplagosur. Në Shqipëri nuk është vlerësuar kurrë mendja, talenti, prandaj edhe populli ynë vazhdon të endet në botën e militantizmit partiak, të politikanëve oligarkë dhe të bandave të gjithfarëllojshme, të cilat, me bëmat e tyre kriminale për kanabizimin e vendit, me përkrahjen e gjithanshme të politikës, Republikës së Shqipërisë ia kanë nxirë faqen para komunitetit ndërkombëtar.

       Fjalët e zonjushës Barbana Dini, e cila e thotë publikisht një të vërtetë tragjike, më sollën në kujtesë një intervistë të zonjës Helena Kadare, në të cilën ajo ka përcjellë diçka tepër domethënëse:

“Para ca ditëve mori në telefon një gazetar amerikan qe kërkonte një intervistë me Is. Dhe bëmë pak muhabet mbasi ai dinte ca frëngjisht. E dini ç’më tha? Në Amerikë shqiptarët e arsimuar që kanë ardhur këtu, bëjnë një përshtypje të jashtëzakonshme. Janë të dijshëm, shumë të zotë, dinë rrjedhshëm nga tri gjuhë të huaja, që i përdorin pa problem, gjë që nuk është aq e lehtë për një amerikan. Shqiptarët e tillë janë shumë të mirëpritur në Amerikë. Unë vetë kam qenë në Shqipëri dhe jam mahnitur nga bukuria e këtij vendi. Dhe kam pyetur veten, përse ky vend me këto kapacitete njerëzore, me këtë natyrë e klimë të mrekullueshme, nuk arrin ta ngrejë kokën, ka përherë probleme, nuk ecën përpara, ashtu siç do të ishte dashur të ecte…” (Citohet sipas: “Helena Kadare: Edhe në Paris jetoj me Tiranën. Intervistoi Mira Kazhani. Faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 08 mars 2017).

Të vësh duart në kokë! Talentet na i vlerëson bota, kurse klasa politike në vendin tonë i ka zënë frymën popullit, duke e braktisur në prehrin e varfërisë dhe duke shpërfillur  talentet që dalin nga gjiri i tij. Sepse talentet janë themeli i ndërtimit të një shteti me norma juridike perëndimore, ku të gjithë, që nga kreu i vendit dhe deri te qytetari më i thjeshtë, duhet të jenë të barabartë para ligjit.

Intervistën e zonjushes Barbara Dini e bënte edhe më lënduese një fakt fort dëshpërues që lidhej me vdekjen e të vëllait. Një gazetare cinike, duke mos njohur normat më minimale të edukatës, e kishte marrë në telefon dhe i qenkej drejtuar me pyetjen e lartpërmendur “A jeton Ergi?”, ndërkohë që Barbana nuk dinte absolutisht asgjë se çfarë i kishte ndodhur të vëllait. Kjo pyetje e kishte flakur në humnerën e përsiatjeve të pafundme për cinizmin e asaj gazetareje. U revoltova tej mase tek ndiqja intervistën e Barbanës, e cila, me një zë plot dridhërimë, gati sa s’po shpërthente në lot. Prandaj thashë me vete:

“Mbaju, Barbanë! Kjo botë është plot me njerëz të gjithfarëllojshëm. Në qenien e dikujt prehet engjlli, kurse në qenien e dikujt tjetër prehet djalli. Fatkeqësia, – thotë Balzaku, – është guri i provës për karakteret e njerëzve”.

E kuptoj shumë mirë gjëndjen tepër të rënduar shpirtërore të këngëtares së talentuar Barbana Dini dhe dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të thella për të, për prindërit dhe për të afërmit, për atë tragjedi aq të rëndë që i goditi atë ditë fatale të 22 nëntorit 2016, dhe, njëkohësisht, t’i uroj asaj të mbahet si burrneshë dhe të ketë sa më shumë suksese në botën e artit muzikor.

Santa Barbara, Kaliforni

10 mars 2017

 

 

 

Comments

comments

-----