Përse shkruan bariu i maleve të Gumenicës Nuredin Veshaj?

Nga Albert HABAZAJ

Edhe pse nuk përbën lajm… Para se të shprehemi se përse shkruan bariu i maleve të Gumenicës Nuredin Veshaj, dëshiroj të spjegoj shkurt, unë përse e bëj këtë shkrim për këtë njeri krejt të zakonshëm, që për shumëkënd nuk përbën lajm. Jemi mësuar të shkruajmë apo të lexojmë shkrime bombonerikë për artistë e shkrimtarë të mëdhenj, për burra me kollare të rënda, akademikë, profesorë, bubullimtarë, për trima me dekorata të larta heroizmi, edhe për gra me peshë (pavarësisht se shkrimet për to janë dytësore). Pra, është një tendencë e shkruestarëve që të shkruajnë për lartas, për njerëz të mëdhenj, që ne i bëjmë akoma më të mëdhenj e super të mëdhenj. Ia kalojnë edhe Gjergj e Elez Alisë e Gjeto Basho Mujit nga bëmat e “papame”… Ndërsa Nuredini… Nurua është një njeri të thjeshtë, malësor lab, banor i maleve, një çoban, që mbushet me erën e trëndelinës, por faqerrahur nga suferina e maleve të Labërisë në dimër dhe rreshkur nga vapa zhuritëse atyre qafave e shtigjeve pas dhive në verë. Nuredin Shefqet Veshaj nuk është profesor i auditoreve universitare. Ai është profesor i universitetit të malit dhe akreditimin e ka fituar bindshëm e besueshëm jo nga kompanitë e specializuara angleze të linjës, por nga bashkësia e banorëve konsumatorë të Lumit të Vlorës, të qytetit të Vlorës dhe të krahinave të tjera përqark. Nuredini është bari shembullor, sedërtar e bujar, sipës në malet me trëndelinë të Gumenicës. Zbret jo shpesh në Vlorë, se nuk e lënë sezonet zinxhir të shërbimeve, mbarështrimit, prodhimit të produkteve dhe nënprodukteve të kampingut univesitar të stanit. Kur zbret, nuk nguron të takojë dhe as nuk druhet të dëgjojë me respekt fjalën e profesorëve me emër, të cilët kur venë atje sipër, ngelin në klasë, sepse profesioni i bariut, aq i bukur, aq i domosdoshëm e i dobishëm është shumë i vështirë dhe po aq jetik. Jo çdokush mund ta bëjë. Kanë qenë në stanin e tij profesorë e shkrimtarë dhe janë mrekulluar nga kopeja e madhe e me zile e këmborë, aq e mirëtrajtuar. Kush udhëton përgjatë rrugës së Lumit të Vlorës e tej Kotës hedh sytë djathtas lart, atje sipër në mal të Gumenicës mund të dallojë një stan me flamur kombëtar. Ai është stani i të zotit të kopesë me nishan, si i thonë pastërtorit Nuredin Veshaj, që më ngjan me një sorkadh mali në formë njeriu. Nuredini ka miq në fshat, në krahinë, në qytet, ka edhe në Greqi ku ka punuar. Edhe unë e kam mik të mirë të thjeshtin e të padjallëzuarin Nuredin, këtë lab të zakonshëm, gjalmëzi për furtunë e mik sy më sy. Përveç se kaq, më detyron të shkruaj këtë profil në gazetë, sidomos mesazhi që bariu i Gumenicës kërkon të shpërndaj nëpër njerëz. Ai nuk ka nevojë për asgjë. Me djersën e ballit e ka siguruar jetesën normale për vete e për fëmijë. Nuk di të pushoj ai njeri. I vjen keq kur shikon njerëz të pamundur, të vobektë. Do t’i ndihmojë. Kur ka mundësi, merr pjesë në veprimtari të ndryshme shoqërore e kulturore. Patjetër e pa i thënë njeri, Nurua e jep vetë ndihmesën e mundshme. Dua të bëj një parantezë. Gati një vit më parë Nuredini bëri një libër me vjersha. E realizoi me ndihmën e prof. Gaçes së mirënjohur dhe shkrimtarit E. Canaj. U mblodhëm në Bibliotekën e qytetit dhe folëm me dashamirësi e pa e tepruar për të. E dhanë dhe televizonet lokale veprimtarinë, që doli aq thjesht e bukur, siç ia kishte ënda bariut të malit. “Atdheun pashë në sy” ia kishte vënë emrin. “Më pëlqeu ky emër ndaj kështu e fola librin”-më thotë Nurua. Ai edhe dhitë, lopët apo kuajt i ka secilën me emër të përveçëm dhe e njeh morfologjinë e kopeve të tij shkëlqyeshëm. Se si flet, si komunikon me to… Po si e dëgjojnë?! Si ia kuptojnë, xhanëm, shënjat, thirrjet?! Si veprojnë ashtu?! Si njerëz të mirë, të urtë, të sjellshëm, të edukuar. Stani i tij ka një organigramë prefekte. Vetëm të shkoni atje dhe ta shikoni çdo gjë me sytë tuaj. Do të mahniteni. Model. Sidomos sot kur shumë gjëra po veniten, po thahen. Begatia materiale dhe jomateriale (ajo shpirtërore) vijnë me punë, vullnet, durim, besim e shpresë, pa rënë, se po re, s’ta ka kush ngenë. Kështu thotë Nuredini. Dhe kështu vepron. Udhëtimi vazhdon.

Po kush është ky bari i Gumenicës, që i jep emër vetes, familjes, fshatit, por edhe krahinës?

Albert Habazaj duke folur para Tv 6+1 Vlora. Atdheun

Nuredin Shefqet Veshaj ka lindur më 10 janar 1956 në Gumenicë të Vlorës, ka kryer arsimin e mesëm bujqësor, është i martuar, dhëndër në Dukat. Edhe e shoqja, Ervehe Skëndo Haskaj (Veshaj) me arsim të mesëm bujqësor është. Kanë dy djem e dy vajza, Edisonin dhe Bardhoshin, si dhe Matildën dhe Floretën. Matilda është infermiere-mami, jeton e punon në Greqi. Floreta vazhdon universitetin për mësuesi, të cilin e përfundon sivjet me rezultate të larta. Nurua dhe Vevua kanë dy nipër dhe një mbesë. Gëzojnë për familjen e tyre që të bëhet si ajo pema plot me fruta. Nuredini ka dhe dy vëllezër në Itali, të dy me universitet, janë në punë të tyre dhe bëjnë jetë normale atje. Vetë Nurua, qysh mbas përfundimit të shkollës të mesme, iu vu punës për të kryer detyrat e familjes e për të përballuar denjësisht sfidat e jetës. Duke u ballafaquar me jetën reale, shfaqi talentin e tij në tre fusha: në punët e bujqësisë, në punët e blegtorisë dhe në punët e vjershërimit. Dy të parat i bënte dhe i bën dhe sot e kësaj dite me përpikmëri, si ai. Edhe në thurjen e vargjeve poetike me frymën e ngrohtë popullore po përpiqet ta shprehë si e ndjen botën e tij të brendshme nëpër vjersha, të cilat shpesh herë i këndon si këngë polifonike në udhët e jetës, në vendlindje, në emigracion, në Vlorë. Profesor Gaçe e ka profilizuar kështu Nuron: “Bota e tij poetike dëshmon bujarinë dhe fisnikërinë e tij, duke u shfaqur me ndjenja të fuqishme epike e shoqërore, si një tablo e gjallë e jetës shqiptare nëpër kohë”. Nuk do të merrem me librin, se kanë folur të tjerë më parë, edhe unë po ashtu. Ka dalur dhe në televizon Nurua e ka folur. Ata e kanë kërkuar, jo bariu ynë.

Nuredin Veshaj, bariu i Gumenicës që shkruan vjersha

Mesazhet e filozofisë jetësore të bariut. Në këtë shkrim të vogël, thjesht po përçojmë mesazhet e këtij bariu tipik të malësive labe. Ai është një atdhetar në vendin e tij, në familjen e tij, atje ku e ka vendin e tij, jo thjesht sipas gjendjes civile, por sidomos sipas hierakisë morale, që çdo kënd na bën përgjegjës para atdheut tonë të dashur, Shqipërisë.

Nëpër faqet e librit Atdheun pashë në sy të Nuredin Sh. Veshaj

Nuredin Veshaj është duarflori. Ka punuar 15 vjet në emigracion, në Greqi. Në Athinë i kaloi 15 vitet e mërgimit, ka ndërtuar ura e palate atje, i punësuar në firma ndërtimi serioze dhe i siguruar qe sa punoi jashtë shtetit. “E njoh ligjin, – më thotë – e zbatoj dhe e nderoj kudo që jam, si këtej dhe andej”. Ka blerë makinë pune, që e nget vetë. Me të vjen në Vlorë e takon miqtë. Me të lëviz nga stani në fshat e nga Gumenica në Kotë për punët e brendshme të stanit dhe për tregimin e prodhimeve bioblegtorale. Ai i ka ndërtuar vetë stallat e dhive në mal, 60-70 m të gjata. Ka 350 krerë dhi, 10 lopë e 10 kuaj; gjithashtu ka mbjellë dhe 100 rrënjë ullinj, të cilët kanë vite që i kanë dhënë prodhim. Me duart e tij ka hapur 2 km rrugë, dikur e pakalueshme, (pyllishte e dendur), e ka bërë xhade që lidh segmentin lokal dytësor Gumenicë-Fushë-Gropë e Fikut-Rrëza e Malit. Tek stani i tij në mal sot shkon me makinë fare pa problem. Ndërkohë, Nuredin Veshaj respektohet edhe si një sponsor i njohur në fshat e në zonë, edhe pse kapitali i tij janë vetëm bagëtia e stanit në mal, gjaku e djersa e tij. Dhe nuk i përmend, nuk e ngre zërin të duket, të mburrte e të krekoset. Ndër kontributet humane të Nuros mund të përmendim sponsorizime për veprimtari atdhetare kulturore që ka bërë shoqata e fshatit të tij Gumenicë, sponsorizime për kujtimoret e 5 Majit me veteranët e Luftës për liri, takime brezash në vendlindje, nderime për mësuesit, për vlerësime të emrave të fshatit që kanë bërë histori si Refat Bajrami etj., të cilat ai s’do t’i përmendë dhe unë mezi ia nxjerr, si me çengel, duke e pyetur thjesht për kërshëri, se s’do që s’do të flasë për veten Nurua. “E çar’ kam bërë, a i uruar – ma kthen me të qeshur – si gjithë të tjerët. Bëj atë që mund e duhet të bëj për të mbajtur familjen, jetën dhe fëmijët, sa të kem takat. Ndihem mirë kur ndihmoj të tjerët, se më del. Ja kaq…”. Po 10 milionë lekë i bënë stallat. Po aq xhadeja deri në mal, te stani. Punon dhe jeton normalisht. Me sakrifica të mëdha është puna e çobanit në mal, edhe në vërri nuk është e lehtë, por ai e shijon mundimin e tij me familjen. Me shoqëri e miqësi ndjen kënaqësinë e të qënit individ i socializuar. Jep dhe kontribute modeste për nderim të vendlindjes, artit, kulturës e letërsisë në qytet. Aq sa ka mundësi. Pa i a kërkuar kush. Ç’t’i thuash këtij njeriu? A nuk e meriton një shkrim përshëndetës ky lab i urtë nga Gumenica e Vlorës? Vini re si rrjedhin gjërat. Me ndarjen e re administrative-territoriale, Gumenica bën pjesë në njësinë administrative të Kotës, bashkia Selenicë, qarku i Vlorës. Është një nga fshatrat me histori të Lumit të Vlorës dhe të Labërisë. Një këngë e vjetër thotë : “Që në Gumenic’ e lart/ Himarë i  thonë çdo fshat” dhe i cilëson gumeniciotët “sofërmbudhë”, domethënë bujarë, sofër e madhe e sofër e shtruar, që pret e përcjell miq vazhdimisht, se janë siç kanë qenë mikpritës, fisnikë. Gumenica vazhdimisht lind bujarë. Qysh me Dudë Sinan Gumeniciotin, që historia e njeh si Nur Duda Gumenicë. Një nga ata të pabujshëm është edhe Nuredin Veshaj. Ka dhe një tjetër emër të nderuar Gumenica e sotme, Fatmir Hodon, ish-kryetar i Komunës Kotë, sot kryetar i kësaj njësie administrative, njohur për bujarinë e tij, për urtësinë, shpirtgjerësinë dhe ruajtjen e ekuilibrave midis banorëve sipas traditës pa dëmtuar ligjin. Fatmiri e përkrah me shpirt punën e palodhur të vëllait të tij gumeniciot Nuredin Veshit. Duke pirë një kafe buzë detit Jon, bariu i maleve labe të Gumenicës Nuredin Veshaj më dukej se zbriste në Vlorë i mbushur me mesazhet e filozofisë së jetës së malit. Ai është i zoti të mbajë qytetin, fshatin, malin. “Të më rrojë kali me shalë – shprehet Nurua me të qeshur, duke nënkuptuar krahët e tij. -Pa punë nuk jetohet. Me punë, njeriu mban jetën në këmbë, nderon dhe mikun. Isha mirë në Greqi. U ktheva në Shqipëri, se më piku malli për atdhe, për fëmijë e për fëmijën e fëmijës. I shkrova në letër ndjenjat e mia, ashtu siç më vinin drejtpërdrejt nga shpirti. I botova në librin “Atdheun shoh në sy”. I ke lexuar ti Berti e ke folur. të falënderoj, për sytë e ballit! I jam mirënjohës profesor Bardhoshit, Eqeremit, atij gazetarit, Fatmirit, të gjithë atyre njerëzve të mirë, që më kanë bërë dhe mua të kemë këtë emër. Kemi nevojë për njerëz të mirë. Kemi nevojë të ndihemi njerëz. Të vjetrit thonë: “Fëmija i fëmisë-mjalt’ i mjaltit”. Ndaj gjyshi e gjyshja i përkëdhel, i merr për dore, i ngre kalipeçi, i qafos e i puth gonxhet e njëma të jetës. Bijtë e atdhetarëve janë mjalt i mjaltit për Atdhe. Mesazhi i Nuros është ç’ka Urtësia popullore na kujton: Miq të rinj bëj kudo, të vjetrit mos i harro, se kush humbet mikun e vjetër për hatër të mikut të ri, i humbet të dy (e kam llafin për të majtë e të djathtë), humbet veten e tij, pasuri e Shqipëri.

Vlorë, e martë, 23 janar 2017

 

Comments

comments

-----