Bëj gajret, ore burrë i dheut

Nga Prof. Dr. Eshref  Ymeri
Jeta është shkollë

Mosmirënjohja është dobësi e karakterit
(Gëte)

Para pak ditësh, nga një shoku im i vjetër nga Tirana, me të cilin jam njohur para shumë vitesh, mora një letër, në të cilën, veç të tjerash, më shkruante edhe për një shqetësim të madh që kishte pasur kohët e fundit. Një miku i tij i afërt ishte treguar mjaft mosmirënjohës ndaj një nderi që ky i kishte bërë para ca kohësh. Një gjë e tillë e kishte befasuar tmerrësisht. Mosmirënjohja e mikut të tij e kishte tronditur aq shumë, saqë ishte katandisur në një gjendje të rënduar shpirtërore. Menjëherë më erdhi ndër mend një thënie e artë e Shekspirit në formë pyetjeje:
“A ka gjë më të përbindshme sesa mosmirënjohja e njeriut?”.
Megjithatë, dëshiroj që shokut tim t’i qetësohen tallazet e shpirtit dhe t’i sjellë në vëmendje, jo se ai nuk e di, por thjesht për t’ia kujtuar, se mosmirënjohja në mërrëdhëniet e njerëzve është një dukuri e shëmtuar që zë fill që asokohe kur njeriu u shfaq mbi tokë. Më këtë rast, dua t’i përmend një aforizëm mjaft të goditur të gjuhës angleze :
God defend (ose deliver) me from my friends; from enemies I can (ose will) defend myself (m’i hiq qafe, o Zot, miqtë, se armiqtë i heq qafe vetë).
Ky aforizëm, që prej shekullit XVIII, i vishet Volterit (François Marie Arouet; Voltaire – 1694-1778). Por, në të vërtetë, as në veprat e Volterit, as në letërsinë memorialistike, nuk haset kund. Ai i vishet, gjithashtu, strategut francez, dukës Vilar (Claude Louis Hector de Villars – 1653-1734), sikur ai gjoja ia paska thënë Luigjit XIV kur po nisej për në ushtri. Është edhe një fjalë e urtë italiane po me këtë kuptim, e cila ka pasë qenë në qarkullim në formulime të ndryshme shumë më herët se shek. XVII. Ekziston një numër i konsiderueshëm burimesh historike, në të cilat ky aforizëm haset në variante të ndryshme. Në Bibël haset shprehja:
“Largohu nga armiqtë e tu dhe kij kujdes me miqtë e tu”.
Te Kuintiliani ( Marcus Fabius Quintilianus – 35-96), mësues romak i gojëtarisë, haset shprehja:
“Më kanë dëmtuar më shumë miqtë sesa armiqtë”.
Shprehje të ngjashme hasen te poeti i lashtësisë romake Ovidi (Publius Ovidius Nasō – 43 p.e.r.-18 e.r.) dhe te historiani i lashtësisë greke Tukididi – 460-400 p.e.r.). Në veprën “Fjalë të urta moralizuese të filozofëve” në arabisht, thuhet:
“Unë mund ta mbroj veten nga armiqtë e mi, por nuk mund ta mbroj dot veten nga miqtë e mi”.
Personaliteti politik i Romës së lashtë Manli (Marcus Manlius Capitolinus; nuk dihet datëlindja, ka vdekur në vitin 384 p.e.r.) rrëfen sesi mbreti Antigon i pati dhënë urdhër priftit të tij pagan të bënte kurban për Zotin që ta ruante nga miqtë. Pyetjes “Po pse jo nga armiqtë?”, mbreti iu përgjigj:
“Nga armiqtë mund ta mbroj veten vetë, kurse nga miqtë jo”.
Alecandrit të Maqedonisë (Alexander III Magnus – 356-323 p.e.r.) i vishet shprehja:
“Mbromë nga miqtë e rremë, se nga armiqtë e mi të hapur unë edhe vetë do të jem në gjendje të mbrohem”.
Mbreti i Polonisë Jan Sobjeski (Jan III Sobieski – 1629-1696), strateg i shquar ushtarak, kishte një shpatë me mbishkrimin:
“Ruaju nga miqtë e pabesë, se nga armiqtë të mbroj unë”.
Poeti dhe filozofi gjerman Frederik Shiler (Johann Christoph Friedrich von Schiller – 1759-1805) ka thënë:
“Zelli i miqve më merr në qafë, jo urrejtja e armiqve”.
Bota e çdo njeriu është një pus i thellë dhe nuk dihet me siguri se çfarë ndjenjash prehen në qenien e tij apo çfarë emocionesh përjeton ai kur dikush i bën një nder, i gjendet pranë apo i del në krah në një situatë të vështirë. Në varësi të karakterit të tij, vjen dhe përceptohet nderi që i ka bërë dikush, çka e bën të reagojë ndaj nderbërësit: nëse ai vuan nga kompleksi i inferioritetit, atëherë thellë-thellë në shpirt, në heshtje të plotë, ai e ndien veten ngushtë që nuk qe në gjendje ta zgjidhë hallin që e kishte zënë, por u desh ndërhyrja e mikut të tij për të shpëtuar nga një situatë e vështirë. Por mund të qëllojë që qenia e tij të jetë e kapluar edhe nga ndjenja e fodullëkut dhe ndihma e mikut të tij për zgjidhjen e një situate të sikletshme, t’i duket si fyerje për personalitetin e vet dhe, kur rasti e sjell që mikut t’ia shpërblejë të mirën që i ka bërë, ai manifeston mosmirënjohjen e vet ndaj tij. Prandaj Servantesi thotë:
“Mosmirënjohja ëshë bija e fodullëkut dhe njëra nga mëkataret më të mëdhaja që ekzistojnë në rruzullin tokësor”.
Jeta na përplas me plot të papritura, prandaj shoku im le të bëjë gajret, të mbahet si burrat dhe të vazhdojë jetën normalisht. Jeta është shkollë e përditshme dhe ne duhet të jemi përherë nxënës të zellshëm të saj. Mikun e rremë le ta “zbresë” nga kujtesa një herë e mirë dhe ta lërë rrugës, duke e braktisur në humnerën e harresës së madhe.
Santa Barbara, Kaliforni
27 janar 2018

 

Comments

comments

-----