Për kujtim të tim vëllai

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta

Nga Reshat Kripa

Ka lindur më 4 shtator 1930 në Vlorë. Ishte djali i parë pas katër vajzave, Lirisë, Qamilesë, Dritës dhe Fatushes. Kështu që lindja e tij ishte një gëzim i madh për familjen tonë. Babai i vuri emrin shqiptar Agim duke shpresuar që do t’i sjellë lumturi. Pas dy vitesh lindi vëllai i dytë, Besniku, ndërsa në vitin 1936 unë. Agimi ishte një fëmijë shumë i mbarë. Ishte i përkëdheluri i të gjithë familjes. Shkollën fillore e kreu në Vlorë.

Babai ishte pronari i një fabrike vaji dhe zhvillonte tregëtinë e vajit të ullirit në të gjithë Shqupërinë, madje edhe ne shtetet fqinje. Në vitn 1942 u transferuam në Tiranë ku Agimi kreu shkollën unike. Ishte një nxënës i rregullt me rezultate të mira.

Papritmas, çuditërisht, me vendimin nr.2, datë 21.10.1946 të Komisionit të Urbanizimit të Tiranës, dëbohemi për arsye politike në Vlorë. Aty Agimi fillon shkollën  e mesme në gjimnazin “ Ali Demi “. Ishte klasa e parë e kësaj shkolle që u hap në Vlorë në vitin 1947. Gjimnazin e mbaroi në vitin 1951. Në atë kohë unë dhe Besniku ishim arrestuar. Kjo gjë bëri që t’i mohohej e drejta e studimit për në shkollën e lartë. Pas shumë përpjekjesh mundi të rregjistrohej në një kurs nëntëmujor për topografë që ishte hapur në Tiranë. Ishte periudha kur bonifikoheshin fushat e Shqipërisë dhe kishte nevojë të madhe për topografë.  Kursin e mbaroi me shumë sukses dhe fillimisht u emërua në Levan të Fierit.

Kështu filloi odiseja e gjatë e lëvizjeve të Agimit nga një rreth në tjetrin. Me instrumentin në krah shkonte nga një kënetë në tjetrën ku kryheshin bonifikimet. Por mos harroni, ai në atë kohë ishte me një veshkë. Qysh në moshën dy vjeçare mjeku i njohur Ali Mihali kishte konstatuar se kishte gurë në veshkë. I rekomandoi operacionin në Athinë. Kështu Agimi shkoi atje i shoqëruar nga Gagaj dhe Dedeja që në atë kohë ishte shtatzanë me Besnikun. Me ta ishte edhe doktor Aliu që u interesua shumë deri sa e shtroi në spital ku u operua nga një kirurg i njohur i asaj kohe  atje. I nxorrën shtatë gurë.

Me kalimin e viteve gurët iu përsëritën. Siç duket ishte vetë veshka që i riprodhonte. Por tashmë kishte filluar Lufta e Dytë Botërore. Kështu që Agimi mbeti për një periudhë shumë të gjatë me veshkën me gurë.  Vetëm në vitin 1973 vendosi të operohej. Operacioni u krye në spitalin ushtarak në Tiranë. Meqënëse veshka ishte krejt jashtëpërdorimit ia hoqën atë. Operacioni doli me shumë sukses

 Në atë periudhë familja jonë ishte në një gjendje të rëndë ekonomike. Babanë e kishin pushuar nga puna për shkak të arrestimit të Besnikut.. Një vit më vonë u arrestova edhe unë.  Në punë ishte vetëm motar, Fatushja me Agimin. Me rrogat e tyre duhej të jetonin e gjithë familja, duke përfshirë edhe ne dyve që fati na kishte degdisur larg nëpër kampet e punës së detyruar. Pikërisht në këtë kohë shkëlqeu karakteri i Agimit. Ai për asnjë çast nuk u shkëput nga familja dhe në mënyrë të veçantë nga ne, dy vëllezërit e tij. Na ka ndjekur hap mbas hapi pothuajse në të gjitha kampet ku ne degdiseshim. Dhe kjo në një kohë kur një gjë e tillë nuk shikohej me sy të mirë nga rregjimi.  Por në këtë drejtim kishim edhe ndihmën e motrave të martuara, Likës, Qamos dhe Dritës. Kështu që në sajë të tyre ne mundëm të shpëtojmë pa ndonjë cen nga ajo skëterrë dhe të ktheheshim në gjirin e familjes.

Lidhur me sa shkruajta më sipër dua t’iu drejtohem fëmijve si dhe mbesave e nipërve të mij. Dua t’iu sugjeroj se marëdhëniet që kemi patur ne prindërit e tyre me njeri tjetrin, të mbeten shembull për ta. Këto marëdhënie na ei brumosën prindërit tanë të dashur me sjelljen dhe karakterin e tyre. Dëshëroj marëdhënie të tilla të kenë edhe ata, mbasi nuk ka gjë më të mirë se dashuria për vëllanë, motrën apo kushuririn. Le të jetë ky një mësim dhe një amanet që ua lë atyre.

            Pas shumë sorollatjesh nëpër kantjere të ndryshme, më në fund Agimi vendoset me punë në ndërmarrjen Rruga – Ura. Caktohet në kantjerin e Rinasit, ku ndërtohej aerodromi i parë civil i Shqipërisë. Ky aeroport ndërtohej nga të burgosurit, por midis tyre kishte edhe një grup specialistësh civilë që drejtonin punimet. Midis tyre ishte edhe Agimi si topograf. Në atë kohë, midis të burgosurve ishte edhe Besniku. Kjo gjë nuk i shpëtoi pa rënë në sy komandës së kampit. Agimin e thirrën në zyrë dhe e pyetën. Ai u rrëfeu të vërtetën. Pas disa ditësh Besnikun e hoqën prej andej dhe e shpunë në kampin e Zadrimës.

            Pasi mbaroi aerodromi i Rinasit, Agimin e transferojnë në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së rrugëve në Tiranë. Shef kuadri i ndërmarrjes ishte Hasan Azbiu, vëllai i antarit të Byrosë Politike të P.P.SH –së, Kadri Azbiu. Për të thënë të vërtetën ai, megjithëse si vlonjat, e dinte mirë gjendjen e familjes tonë, u soll në mënyrë korrekte me Agimin. Në këtë drejtim ndikoi edhe qëndrimi shumë korrekt i vetë Agimit, duke kryer në mënyrë të përsosur çdo detyrë që i ngarkohej. Kështu që fitoi simpatinë e gjithë personelit të ndërmarrjes. Filloi studimet e larta  ne fakultetin e inxhinierise ne ciklin e mbrëmjes. Në vitn e fundit ia ndërpresin studimet për arsye biografia. Ishe ndërhyrja e Hasan Azbiut që mundi ta përfundonte. Agimi kishte nje veti që me të gjithë koilegët e tij kishte një sjellje pre fisniku.

Në verën e vitit 1963 martohet me Zakie Hoxhën nga Gjirokastra. Zakia rridhte nga një familje shumë e njohur gjirokastrite. I ati u kishte vdekur kur ishin akoma të vegjël. Nëna e tyre, Hanushja,  me zotësinë e saj kishte mundur të rriste dhe edukonte katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Zakia kishte mbaruar shkollën e mesme dhe punonte si arsimtare në fshatin e Kotës së Vlorës Dasma u zhvillua në taracën e shtëpisë tonë. Ishin ftuar i gjithë farefisi dhe disa nga miqtë më të afërt. Mbas disa ditësh çifti u nis për në Tiranë ku u vendosën në dhomën e vetme që kishte Agimi.

            Fillimisht Zakia filloi punë si arsimtare, por më vonë mundi të rregjistrohej në një kurs për laborante spitali. Kursin e përfundoi me sukses dhe u emërua në laboratorin e spitalit civil të Tiranës, ku punoi me ndershmëri deri në momentin që doli në pension.

            Si rezultat i martesës u lindën dy vajza, Anila më 29 prill 1964 dhe Bendisi më 8 nëntor 1968. Vajzat u rritën të shëndetshme dhe mbaruan studimet e larta në sajë të kujdesit të madh që treguan prindërit e tyre për to. Por edhe ato me sjelljen dhe qëndrimin e tyre ua shpërblyen prindërve kujdesin e treguar. Kjo gjë u dallua më tepër në kujdesin e treguar prej tyre për të atin, Agimin. Ai ka vuajtur gjithmonë nga sëmundja e syve dhe ishte inisiativa e vajzave që e shpunë deri në Stanboll për t’i bërë operacionin e perdes së syrit. Gjatë pushimeve të verës i marrin për pushime në plazhin e Durrësit, apo në Mal të Zi ose Maqedoni, ku shkojnë edhe ato.

            Në vitin 1990 Agimi doli në pension. Bleu një apartament në rrugën “ Him Kolli “, pranë apartamentit të Benës dhe në të njëjtin pallat me mua. Ndërroi jetë më 19 janar 2017.

                                   Nxjerrë nga libri autobiogafik “Historiku i familjes Kripa”

 

 

 

Comments

comments

-----