HEROI I FITOREVE TË LAVDISHME

Nga Vlashi Fili

            550 vjet më parë mbylli sytë përjetësisht Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, duke mbyllur kështu, periudhën 25 vjeçare të fitoreve të lavdishme të kohës, në krye të ushtrisë shqiptare. 
            Ishte fëmijë, vetëm 13 vjeç, kur sulltani i perandorisë më të fuqishme të kohës, e ndau nga familja, e largoi nga trojet e veta, për ta marë pranë tij e për ta edukuar me idetë ushtarake të Perandorisë Osmane. Dhe u rrit ai atje vit pas viti, Në fitoret e para luftarake ai tregoi se u bë një komandant i zoti.    
            Por gjaku nuk bëhet ujë e kastrioti i ri nuk kishte si t’i harronte trojet e veta, popullin e tij prej nga rridhte, sepse në dejet e tij rridhte gjaku i kastriotëve. 
             Nëntor të vitit 1443 ai kthehet në atdhe, bashkon princët shqiptar, krijon Lidhjen e famshme të Lezhës dhe vihet në krye të ushtrisë shqiptare të sapo krijuar. Parashikonte se me çfarë sfida do të përballesh në vitet që pasonin, se me çfarë force ushtarake do të kishte të bënte dhe e çfarë fuqie ishte ajo, prandaj dhe u përgatit për këtë.         
            Koha tregoi se ai ishte një parashikues i saktë. Gjatë 25 vjetëve tregoi cilësi të jashtëzakonëshme. Theu me ushtrinë e vogël shqiptare, për të disatën herë, ushtrinë osmane, shumë herë më të madhe në numër e të paisur me teknikën luftarake më moderne të kohës. Për një çerek shekulli bëri ballë furisë osmane, që deri në atë kohë nuk kishte njohur humbje, mbrojti vëndin e vet nga pushtuesi, por u bë edhe pengesë e pakapërcyeshme për përparimin e saj drejt Europës. Ai u bë një legjendë e popullit tonë dhe shpresë për Europën.          
            Gjatë viteve të luftës kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane ai tregoi se ishte jo vetëm një komandant i zoti, por dhe një strateg me vision të qartë, një politikan i gjithanshëm dhe një diplomat i madh.
            Në përkujtim e në nderim të Heroit tonë Kombëtar në përvjetorin e 550 të vdekjes së tij, viti 2018 është shpallur Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu.        
            Në këtë kuadër edhe shoqata “Bijtë e Shqipes” organizoi veprimtarinë me temë: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Burrë shteti dhe strateg i luftës kundër pustuesit otoman”.
            Ditën e Shtunë më 20 Janar 2018, në ora 6:00 PM, në Qendrën Kulturore të shoqatës, u mblodhën anëtarë të Komunitetit shqiptar në Filadelfia për të mare pjesë në këtë veprimtari.            
            Veprimtarinë e hapi z. Tajar Domi, kryetar i shoqatës, i cili përshëndeti dhe falenderoj të pranishmit në sallë. Ai theksoi gjithashtu që kjo veprimtari, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, zhvillohet në kuadrin e Vitit të Skënderbeut, mbas asaj të organizuar nga Akademija Shqiptare – Amerikane e Shkencës dhe Arteve në Nju Jork, ku mori pjesë, si I ftuar edhe një grup nga Shoqata “Bijtë e Shqipes”. Pastaj iu la radha referimeve të temave.        
            Z. Llazar Vero në materialin e tij me temë “Gjergj Kastrioti-Burrë shteti dhe vizionar i shquar europian” ku cilësonte Skënderbeun me vetit e shumta, midis të tjerave vuri në dukje:    
             “………
Unë do të bëj një përçapje tepër modeste për ta parë Gjergjin tonë të madh jo vetëm si gjeneral por si burrë shteti, politikan, diplomat, njëri me një kulturë të gjerë dhe si një vizionar europian.


            Nuk pretendoj të luaj rolin e një historiani, por thjesht të një adhuruesi të jetës dhe veprës së tij, që reflekton deri në ditët tona.


                 Akt i rëndësishëm politik në fillim të epopesë së tij 25 vjeçare, ishte fakti se ai diti që me një mënçuri të jashtëzakonshme , të bashkonte princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës. Midis princërve kryeneçë të trojeve tona ai veproi me mënçuri largpamësi, ose thënë ndryshe ,”ishte i pari midis të barabartëve.” dhe kur ishte nevoja si më 1451: ” i barabartë midis të parëve”. Edhe në situatat më të vështira siç ishte rënia e Konstandinopojës më 1453 apo disfata në betejën e Beratit, ai diti të ringrihet në marrëdheniet e brendshme dhe të jashtme, megjithëse Huniadi apo pasuesit e tij u lëkundën nga këto ngjarje të rënda, si rënia e Konstandinopojës, dhe Venetiku i dhënë pas interesave te tij tregtare,  filloi tu shmangej marrëveshjeve të mëparshme: Në këtë situatë si mjeshtër i diplomacisë së konfliktit Gjergj Kastrioti realizon ndërmjetësimin në këtë mosmarrëveshje të Mbretit të Napolit ndaj Venetikut. Pas kësaj ai u shpërblye njëjtin autoritet brenda dhe jashtë vendit.        
                 Gjergj Kastrioti  si burrë shteti me aftësi të jashtëzakoshme, diti të ndërthurte mjeshtërisht politikën e brëndshme me atë të jashtme.  Në  planin e brëndshën kërkonte që bashkimi i princërve shqiptar të mos ishte rastësor, momental, me interesa të ngushta por të përfshihej në çështjen e madhe të një lufte të përbashkët, me rezultate për të gjithë, por të ngjallte besim dhe siguri tek aleatët. Ai e kishte ndërkombëtarizuar luftën e popullit tonë duke e inkuadruar në përgatitjet për kryqëzatën e madhe kundër Perandorisë otomane. Princat shqiptar duke i bashkuar  në një qëllim dhe betejat e mëdha të fituara, rriste autoritetin  e besëlidhjes në botën perëndimore, ashtu si respekti i botës perëndimore, forconte Lidhjen, besimin në të ardhmen  tek princat shqiptar. Lufta e popullit shqiptar nuk mbeti një luftë e veçuar. Ajo ishte e lidhur juridikisht me atë të kundërshtarëve të perandorisë otomane……..”.           
                 Në materialin e tij z. Bujar Veliaj me titull: “Strategjia dhe taktikat luftarake të ushtrisë shqiptare nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, trajtonte luftrat kundër ushtrisë otomane në prizmin ushtarak. Midis të tjerave ai theksoi:   
                 “…..Arti ushtarak që ndërtoi dhe përpunoi Skënderbeu, në procesin e zhvillimit të luftës, parashikonte parimet, format dhe metodat e një lufte të rregullt, zhvillimin e betejave në fushë të hapur, por edhe parimet, format dhe metodat e luftës guerile. Furnizimi i ushtrisë ishte i siguruar për çdo rast, duke gërshetuar drejt burimet e rëndësishme siç ishin ekonomija e vendit, plaçka e luftës dhe ndihma e jashtme. 
                 Në asnjë dokument të kohës, qoftë dhe të ushtrisë osmane, nuk është gjetur që të vërtetohet se ushtria shqiptare të jetë gjendur pa ushqim, pa paisje apo pa armatim, megjithëqë luftrat shqiptaro-osmane të asaj kohe zgjasnin nga disa ditë në disa muaj……..”         
                 Në vazhdim e mori fjalën z. Sadik Elshani. Ai referoi materialin me temë: “Skënderbeu i lavdisë së përjetshme”, ku midis të tjerave vuri në dukje se:    
                 “……..
Skenderbeu me bëmat e tij e shkroi kapitullin më të ndritur, më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare. U hapi shqiptarëve dyert e historisë botërore, i futi në faqet më të lavdishme të saj. Nga largësia shumëshekullore, në atë errësirë shumëshekullore, Skenderbeu përherë i ndricoi rrugën popullit tonë. Ishte dhe gjithmonë mbeti ylli ynë polar që na orientonte, na drejtonte, na tregonte rrugën e drejtë. U bë flamur, burim frymëzimi për të gjithë brezat e shqiptarëve, mishërim, personifikim i vlerave tona të larta kombëtare e njerëzore: trimërisë, burrërisë, nderit, besës. Skenderbeu simbolizon bashkimin kombëtar, synimet e popullit tonë për liri e pavarësi.   
                
Nuk ka shembull në historinë e kombeve tjera (me ndonjë përjashtim të rrallë) që një figurë si Skenderbeu që ka 550 e vite që nuk është më në këtë botë e të jetë mjaft i pranishëm edhe sot në jetën tonë të përditshme. Skenderbeu më tepër se një emër, një njeri, është një vizion, është një epokë, është mbijetesa e një kombi. Skenderbeu nuk simbolizon vetëm forcën e muskujve, por edhe mencurinë, zgjarësinë, urtësinë, intelektin. Ishte një figure interesante që ka gëzuar adhurimin e figuarave të njohura jo vetëm të kohës së tij, por edhe kohërave të mëvonshme dhe vazhdon edhe ne ditët tona. Shkrimtarë e filozofë i kushtuan vepra, poetët i thuren vjersha e poema, piktorët ia pikturonin portretin, kompozitorët i thurën vepra muzikore, opera (Vivaldi)………….”.     
                 Në mbyllje z. Tajar Domi, mbasi i falenderoj edhe një here të pranishmit i ftoj ata në koktejlin që organizon shoqata gjithmonë, mbas çdo veprimtarie.


                                          Vlashi Fili

            Filadelfia, 21 Janar 2018

Comments

comments

-----