Një ditë historike në Mitrovicë!

Nga Rita Saliu

 

 

SHBA, Janar 2018. Si protagoniste në eventin më të rëndësishëm historik, kur u zhvillua Ceremonia e rrivarimit të eshtnave të Heroit tonë kombëtar Isa Boletini, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij të lirisë, po ndaj me ju bashkëkombasit e mi disa momente kujtimi. 

Fotot e mëposhtme janë realizuar në Qershor të vitit 2015 në Mitrovicë. Ishte vërtetë çast shumë emocionues, ku më në fund pushoi odisea e rrivarosjes së eshtnave të heroit Isa Boletini. Ato prehen të qeta në vendlindjen e tij. Me këtë rast përkujtojmë ditën e tij të lindjes së Heroit 15 Janar 1864 dhe vrasjes në Podgoricë më 23 Janar 1916.

Në këtë Ceremoni, e cila u zhvillua ne stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të Institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, familjarë, miq e dashamirës të çështjes kombëtare, si dhe familjarë të firmëtarit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit.

Pas këtij eventi madhor, personalisht kam vizituar Kullën e Bacës Isë si dhe familjarët e tij, Gazmend Boletinin që kujdeset për Kullën, nanën, bashkëshorten e fëmijët e tij. 

Po atë ditë i dorëzova Gazmend Boletinit  “Proklamatën e Nderit” që Bronx Borough President Ruben Diaz Jr. i akordoi Heroit tonë Isa Boletini për ditën e lindjes së tij, të cilën ma dha për t’ja dorëzuar familjes në Mitrovicë nipi i familjes së Boletinëve, patrioti dhe ish i burgosuri politik në Shqipëri Enver Dajçi (ndjesë pastë), i cili jetonte pranë së bijës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazetares dhe aktivistes të drejtave të njeriut  Zj. Mimoza Dajçi.

I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e Isë Boletinit!

Comments

comments

-----