“KAM DERDHË DJERSË ME BA SHQIPNINË”

Nga Fritz RADOVANI

 

At Anton HARAPI O.F.M., Françeskan Shqiptar, asht le me 5 Janar 1888 në fshatin Shirokë pranë qytetit të Shkodres. Studimet e nalta i ka perfundue në Universitetin e Vjenës dhe u shugurue Meshtar në vitin 1916. Me kambnguljen e Lef Nosit u zgjodh Antar i Rregjencës Shqiptare tue u vue si kusht nga At Antoni që: “Marr pjesë në Rregjencë me kusht mos me nenshkrue asnjë dënim me vdekje.” Dhe, i qendroi vendimit të Tij deri në fund. Në nandorin e 1944 asht në ilegalitet në Dukagjin.

5 Qershor 1945: Arrestohet nga forcat e Ndjekjes komuniste i tradhtuem.

DOSJA 1086: Trupi gjykues i perbamë nga Kryetari major Irakli Bozo, antarë majorët Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, sekretar aspirant Thoma Rino dhe Zalo Xhomaqi, e prokuror major Misto Treska, me daten 1 Janar 1946 marrin në pyetje At Anton Harapin.

Prokurori kerkon dënimin e At Antonit me vdekje. Ky dënim ju dha Lef Nosit dhe Maliq Bushatit,  Antarë Rregjence. Me 14 Janar i dergohet per aprovim Gjykatës Ushtarake.

At Anton Harapi edhe perpara se të shkonte në Rregjencë ishte një personalitet Fetar, antar i Institutit Studimeve Shqiptare, drejtues i “Orës së Maleve”, “Hyllit të Dritës” dhe letrar i njohun… Një predikatar dhe konferencier i persosun…

Dosjet, deponimet, kallximet e dhunueme në tortura, ballafaqimet apo mohimet e pakta nen dhunen mizore të Sigurimit komunist, janë dishmi që kanë vlerë të madhe per me dashtë me kuptue karakterin e të pandehunit në hetuesi.

AT ANTON HARAPI O.F.M.
(5 JANAR 1888 – 20 SHKURT 1946)
Punim me vaj nga Piktori Pjerin Sheldija

Në vitin 1998 kur kam pa disa Dosje, unë jam ndalue kryesisht tek Fjala e Fundit që ka thanë i dënuemi me vdekje. Aty shihet kjartë aktivizimi i qelizave të trunit që per të gjithë jeten janë kenë të paaktivizueme asnjë sekond… Aty shihet vetem e verteta!

Prandej në këte pervjetor të At Anton Harapit, zgjodha Fjalen e Fundit në gjyqin e Tij: 

“Falnderoj Drejtësinë Popullit që po më jep fjalen e fundit në këte kohë të kritikshme per mue. Fjala jeme e fundit asht kjo: Nuk shembet Shqipnija pse gjykohet per dekë Padër Anton Harapi. Gjithashtu, nuk prishet Shqipnija nëse nuk gjykohet per dekë Padër Anton Harapi. Kur përpara 40 vjetëve, në Shkoder u perpiqshim me ba Shqipninë, shumë gjysha na thojshin se nuk duem Shqipni, por na nuk i kena vue këta n’ litar.

Nuk kerkoj z. Kryetar, nji tolerancë: unë, simbas mundit, kam derdhë djersë me ba Shqipninë. Franca e qytetnueme asht shembulla e Revolucioneve popullore, e gjykoi Petain dhe e fali, e këte nuk ja njoften per të keq, por ja njoften per mirë. Kujtoj se edhe Shqipnija kur gjykon Regjentat, besoj se sikur t’i falin këta, nuk ka me kenë ligësi per Shqipninë, por besoj se ka me kenë mirë. Unë qëkur se kam hy në gojen e ujkut, Hausdingut, etj., jam përpjekë me ba mirë e me pështue ndonji jetë prej egersinave. Por mekenëse ishin bisha t’ egra, nuk kam mujtë me i zbutë, por prap, me mundin tem kam pështue mjaft. A ka pasë Shqiptarë të marrë si unë që, për me pështue njerëz, me shkue e me u futë vetë në gojen e ujkut?! Ka pasë që sakrifikohen moralisht. Këte e kam thanë edhe në ligjeraten teme. Mue më shtyni marrija me shkue e me u përpjekë per me lehtësue vuejtjet  e disa familjeve dhe kam ba mjaft punë morale, sikurse e jueja që asht materjale. Gja tjetër nuk kam me thanë: Rrnoftë Shqipnija!”

20 SHKURT 1946: Vite mbas, njeni prej ekzekutuesve ka me kujtue atë mengjes të vrantë ndersa, At Antonin po e çonin me e vra në periferi të Tiranës, e frati i hidhte hapat me kujdes, tue ngritë herë – herë kindet e zhgunit, per mos me ju sterpikë nga baltat.

“Mos kij dert, o Prift, i paskesh folë njeni prej ekzekutuesve, – se tek balta ke me perfundue!”…

“Atje tek shkoj, – ia kishte kthye Frati, – due të shkoj i panjollë, siç kam kenë tanë jeten!”

***

E ashtu shkoi… Pa asnjë njollë, per me i qendrue deri në fund edukatës Harapjane:
“PER NJI SHQIPNI TË BASHKUEME E T’ LIDHUN ME IDEALIN E HEROJVE!”

MË THONTE I NDJERI CAFO BEG ULQINI ATY NGA VITI 1968 NË SHKODER: “AT ANTON HARAPI ASHT KENË NJI E S’ BAHEN DY !”

            Melbourne, 4 Janar 2018.

 

 

 

 

Comments

comments