HAXHI BANI, NJË BURR I RRALLE VLORE

Jetëshkrim i shkurtër, nga Luan Çipi

 

Kam dashur qysh herët të shkruaj për Haxhi Ali Banin, jo thjesht si një detyrim familjar, (jo se ishte babai i Hanëmes, gruas time, pra vjehrri im i dashur), por se më ka tërhequr vëmendjen, figura e tij emblematike e një lloji të veçantë, si “burrë zamani”, me kontribut personal, në gjirin e fisit të madh Banaj, të qytetit të Vlorës.  Burra të kësaj kategorie në Vlorë, numëroheshin me gishtat e dorës dhe ishin objekt vlerësimi shoqëror e deri me rëndësi historike. Ata thërriteshin e pyeteshin kudo e kurdoherë, si persona të rrallë, të urtë e të ditur, veçanërisht kur gjykoheshin e zgjidheshin probleme shoqërore të rëndësishme rang qyteti, mandej u kërkonin mendim e gjykim dhe deri klerikët e juristët e kohës,  .

Haxhi Bani ka lindur në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës, në vitin 1895 dhe është djali i madh i Ali Banit. Kishte një vëlla të vetëm, Gjysh Banin, me të cilin deri vonë banonin në të njëjtën shtëpi (në harmoni për t’u pasur zili) dhe kishin farefisni të shtuar, në të gjithë Vlorën.

Banajt e Vlorës, artizanë e tregtarë të shkathët, e kanë origjinën e lashtë nga malësia e Beratit dhe prej andej kanë sjellë zakone të forta korrektese e bese. Në qytetin e Vlorës janë ngulur qindra vjet më parë, duke blerë njëra pas tjetrës toka, ullishte e dyqane tregtie dhe artizanati. Ata përmenden ndër breza, si vlonjatë e qytetarë të hershëm, punëtorë, të shoqërueshëm e të ndershëm, si dhe dallohen për patriotizëm e shqiptari.

Në luftën me italianët në vitin 1920, Haxhi Bani  me të atin Ali Bani dhe vëllain e tij Gjysh Bani, (një i ri aktivë e me dhunti, në veprimtarinë religjioze të “Rufaive”) krahas atdhetarëve të tjerë vlonjatë si Ibrahim Shyti, (daja i Feines, gruas së Haxhiut) Jani Minga, Tol Arapi, etj., luftuan me armë në dorë e vuajtën deri internimin në ishullin e Sazanit, prej nga u liruan, në saje të protestës masive popullore. Pas kësaj u inkuadruan në çetën e luftëtarëve për liri, me ne krye Rapo Çelon e Sevasterit (që më vonë u bë baxhanak me Haxhi Banin) dhe luftuan, të përfshirë në epopenë legjendare të “Luftës së Vlorës’’, deri sa i hodhën pushtuesit italian në det.

Banajt gjithashtu, morën pjesë e ndihmuan gjerësisht Luftën Nacional – Çlirimtare me shërbime, kujdes e strehim të plagosurish dhe kontribute direkt materiale e monetare në veshje e ushqime. Ata ishin pjesëmarrës aktiv familjarisht, në luftë e teren (Hazbiu, Ulsiu, Hasani, Petrefi, vajza e Haxhiut, Shyretja, etj.) ndërsa kushëriri parë i Haxhiut, Rexhep Hazbi Bani, ngeli heroikisht për mos t’u kthyer më, i masakruar në kampin e  përqendrimit Gjerman në Mat’hauzen dhe u shpall Dëshmor i Atdheut.

Haxhi Bani qysh i ri, u aktivizua në gjithfarëlloj punësh si pajtonist, mekanik, shofer e traktorist, e deri menaxher i pasurive familjare të shumta, duke u dalluar kudo si një profesionist e administrues, që e dashuronte dhe i përkushtohej punës. Më shumë kohë zgjati punësimi i tij si shofer e manovrator, me autoveturat e veta luksoze për kohën, në dispozicion të drejtorit italian të bankës Di Napoli, në Vlorë. Ende në moshë të re, i paraqitshëm dhe me trup elegant, i veshur me sqimë, sipas modës së kohës, me kostum, këmishë të bardhë, kravatë e kapele, ai punonte shpesh në dispozicion të gruas së bukur të drejtorit të vetë, duke qenë njëkohësisht tepër serioz, normal e i distancuar. Ishte kështu objekt admirimi e deri lakmie dhe mbahej në gojën e mjedisit vlonjat, si burrë tepër korrekt e me besnikëri të rrallë e të çmuar.

Familja e madhe në shtim, e vëllezërve Haxhi e Gjysh Bani, punonte me vendosmëri e korrektesë, në administrimin e pronave që kishte në qytet dhe për rreth, në këpucarinë e vetë (ku kishin punësuar dhe një italian) dhe në veprimtarinë e transportit të pasagjerëve, me dy autoveturat që dispononte (ku punësonte dhe shoferë të tjerë) dhe duke jetuar normalisht pa teprime, kursente, fitonte dhe shtonte më tej pasurinë: përveç dy shtëpive në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës dhe një baçeje të madhe që shtrihej deri në kodrat mbështetëse aty pranë, (ku sot shtrihet pjesërisht Varreza e Dëshmorëve të Vlorës), pasuria e tyre përfshinte edhe baçet me ulli në Kodrat e Babicës, Kuzbabasë dhe një sipërfaqe të madhe toke në “Zadrat” në  kufirin perëndimor të qytetit,  afër Portit të Vlorës.

Me ardhjen në fuqi të pushtetit Komunist, kur u shtetëzuan tokat dhe ullishtat, autoveturat, ofiçina dhe u kooperua këpucaria në prodhimin artizanal, u prenë deri burimet financiare dhe u ndie vështirësi edhe për jetesë. Atëhere Haxhi Bani punoi si shofer autoveture në Shoqërinë e Bashkuar të Transportit, fillimisht dhe më pas u punësua si zetorist në Portin Detar të Vlorës, deri sa doli në pension pleqërie, në moshën 60 vjeçare.

Po familja e madhe e Haxhi Banit me katër vajza: Shyretin, Nadiren, Myneren  dhe Hanëmen dhe katër djem: Skënderin, Muratin, Enverin dhe Memduhin, ishte mësuar me nivel jetesë normale qytetare, çka nuk përballohej nga paga shtetërore e ulet e një personi. Të edukuar me punë të ndershme, ata e gjetën burimin plotësues, për rregullimin e mbijetesës: Çelën një aktivitet familjar për prodhim nallanesh dhe me punë e durim, secili, deri te fëmijët e vegjël dhe gra e burra, mori detyrën dhe barrën e vetë: dikush siguronte lëndët e para, dikush sharronte, gdhendte, priste e latonte me sqepar, vinte rripat, i lyente me lloj, lloj bojërash dhe dikush i shiste ato në tregun fshatar. Në krye të organizimit të punishtes familjare, sërish u angazhua mjeshtri i menaxhimit Haxhi Bani, duke punuar kështu për disa vite deri në ditën e fundit të jetës së tij, më 29 Dhjetor 1972.

Haxhi Ali Bani ishte gjithnjë jashtë partive e grupazheve politike, me një ide të përgjithshme bashkimi. Ai shfaqej gjithnjë buzagaz, me tolerancë, dashuri e kurdoherë i pushtuar nga ndjenja e bamirësisë dhe solidaritetit. Deri në fund të jetës së tij edhe pse u gjend me atë minimum të ardhurash sa për mbijetesë, ruajti  besimin në Zot dhe ishte optimist dhe i bindur se me punë, ndershmëri e korrektesë, jeta do bëhet edhe më e mirë, më e begatë, më e drejtë dhe më demokratike.

Duke e kujtuar Haxhi Banin, këtë “burrë zamani”, në 45 vjetorin e vdekjes së tij, i bëjmë nder veprës dhe punës gjatë jetës së tij 77 vjeçare dhe gjithë bashkatdhetarëve moshatar me të, që përballuan  me ndershmëri e korrektesë, po me mund, përpjekje e sakrifica, një jetë të vështirë dhe heroike luftërash, kundër okupatorëve fashistë italo – gjerman dhe vuajtjesh e peripecish, përball terrorit të egër sllavo- komunist.

 Tiranë, më 25 Dhjetor 2017

Comments

comments