“IN HOC SIGNO VINCES”

Përgatiti Fritz Radovani

 

                        

    AT  GJERGJ  FISHTA O.F.M.

    “IN  HOC  SIGNO  VINCES”

                  “ME  KËTE  SHENJË  DO  TË  FITOSH”

Tue zbardhë mosha dhetepestë e jona

Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem

Hanza pergjakshem, nisë mbi Europë t’ kukzohet.

Ishte zotmadhi i turqvet, që në krye

Të ma s’ rreptes ushtri  së jetës s’ atëhershme

Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,

Edhe betohej n’ mëni të vet mizore,

Se shpirti trupit s’ do t’i ndahej para

Se hanzen t’ ngrinte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit

E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vênte kalit.

E pse ai burrë dokrrash e pallavrash  s’ ishte,

Perpara tij ranë frone e ranë therore;

U rroposen mbretni  e u shkimen fise,

E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.

Greku, bullgari humben, humbi serbi,

– Humbi, po, serbi, madhështia e t’ cilit,

Atje te e vona boten mbarë në zi

Do t’a mështiellte. – T’ felgruem droje, shuejtën

Zanin mbretent e Europës. Zâmaret heshten,

Heshti edhe kanga e nji mjerim i shemtuem,

I  ra mbarë dheut.

                                       

GJERGJ KASTRIOTI
SKENDERBEU
1468 – 2018

  Kur, qé, mbi kep të Krujës

Titanike po del nji hije burri,

Vetullat ngerthye, si dy hulli rrufeje,

Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thijtë, e cila

Shtëllungë gjatë nofullash i derdhej, si ajo mjegulla

Rreth njaj curri t’ thepisun. N’ krye trishtueshëm

Flakë shkelqen tarogza brinatake,

Që, tmershem ka ‘i vezullon nen rreze t’ diellit,

Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.

Ai asht fatosi i ndiemun Gjergj Kastriota,

I Madhi Gjergj Kastriota Skënderbeu,

Që, prej atij kepi, si nji shqipe mali

Kundron kah forca e barbarisë lindore

Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,

E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e njerit;

Si rribë veriu, qi rêtë i fshin prej qielli

Dhe e lên token me u tha. Edhe tue pa

Se anmiku i rreptë i qytetnisë njerzore

Po nis per s’ afermi Shqipnisë t’ kercnohej

E se prej njerit s’ kisht’ pse ndimë me pritë,

Çon syt kah qielli, e zemra gjak tu’ i shkue,

“O Zot! – gerthet, – O Zot i Madhi i Ushtrive!

E po a njëmend se ma s’ do t’ ketë Shqipnia

Nji vend ku me t’ u lutë?… E se gratë tona

Djepat  n’ Azi mbas sotit do t’ përkundin?…

E se Shqiptari tokën do t’ punojë

Veç per me kndêllun n’ mish gocat çerkeze,

Që nji tirani t’ i sherbejnë ma kandshem?

Oh! Pse ia mbrrimë ksajë dite, e s’ ka shperthye

Toka q’ me kohë, me na perpi per s’ gjalli!

Ti, o Zot i Madh i Ushtrive, Ti prej qielli

Zemer e forcë m’ dergo, që këtij tartari

Barbar unë t’ ia diftoj, se Shqiptaria

S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé

Di t’ vdesë Shqyptari”. Permbi flatra

Të bardha t’ fésë kjo lutje u çue kah qiella

E i shkoi n’ vesh Perendisë e e preku n’ zemer.

I Amshuemi, atëherë, prej visarit t’ qiejvet

Nxjerrë nji pelhurë të ngjyme “kuq e zi”,

Që engjujt vetë n’ Parriz endun e kishin:

E mbasi e puth’ i Lumi e ven në ballë,

Nji kerubini t’ lehtë i urdhnon tue’ i  thanë,

“Na, e ketë Flamur Skanderbeut çoja

Atje poshtë n’ Krujë,  e thuej prej anës s’eme,

Se dersa t’ rrijë tok fisi i Shqiptarit

Nen hije t’ ktij emblemi t’em t’ bekuem,

Zot m’ veti e i lirë gjithmonë ai ka me kenun”.

Kështu tha i Amshuemi; e ai kerubini i qiejvet

Palosun  n’ parsmë Flamurin e Shqypnisë,

Hapë flatrat e prarueme, e poshtë Empirit

Shigjetë n’per nji rreze drite dirgjet n’ Krujë.

Ku Skënderbeut n’ dorë dhuntinë e Zotit –

Flamurin e Shqipnisë – ia jep e këshillin

E t’ Lumit ia difton: Se si Shqiptari

Zot m’ veti e i lirë gjithmonë do t’ mund qëndrojë.  

Si ai njeri, që trishtue njaj andrre s’ keqe,

Kur gjumi i del, me vedi xen e gëzohet,

Se n’ hije e jo njëmendtë iu shfaq rreziku:

Kështu Skënderbeu nis me u gëzue me vete,

Si Lajmi i qiejvet n’ dorë ia dha Flamurin

E i tha se per nën hije t’ tij Shqipnia

E lirë e zojë m’ vetvete përherë do t’ mbetej.

Edhe armatoset Burri i dheut krejt m’ hekur,

Ngjesh pallen  n’ ije – pallen t’ rreptë, mizore,

E n’ patershanë, me pafta arenzi t’ mathun,

Njet Flamurin kuq e zi, që vetë i Amshuemi

E kishte puth edhe mbi shpinë të kalit,

Që, fry turinjtë, njuhatte erë të gjaku,

Hidhet porsi duhi e rreptë. Prej millit

E nxjerrë pallen mizore, e drejtë kah qielli

Heshten e ngre. Nji  fllad i lehtë, i ambel –

Flladi i Dashtnisë – po e zhdrivillon Flamurin.

– Flamurin e Atdheut  t’ em – që tue gufue

Mallnueshëm nepër ajr të lirë t’ Shqipnisë,

Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,

Si ai skundilli i petkut t’ Perendisë,

Që, mirë qëndisë me hana, yj e diej,

Prej krahvet t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm

I varet poshtë neper hapësi t’ Empirit,

Kah, mështetë n’ stuhi e n’ flatra t’ rribës s’ murranit

Sheston boshtin e moknes s’ rrokullisë.

E ashtu n’ atë dukë të rreptë e t’ perfrigueshme

Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Krujës

Po u thërret Shqiptarve t’ vet e u thotë: “Këtu burra!

Këtu eni, o t’ bijtë e Maleve! Shqipnia

Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuen

Malet e fushat e Shqipnisë kreshnike,

Edhe një çetë e vogel homeridësh,

– Burrash si motit veç që bante nana –

Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit

Nji  bé të madhe bajnë e lidhin besën,

Se i pëllâmbë toke t’ Atdheut s’ ia lëshojnë tartarit,

Po s’ e lánë para me gjak t’ tij t’ perdhosun.

T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh

E shpresë n’ Zotin tue mbajtë e n’ krah të vetin,

Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,

Poshtë errmorevet t’ maleve t’ thepisuna

Si rreshme boret prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshem,

Rrâjnë fulikare permbi radhë t’ turqvet,

Të cilët, prej s’ largu  tue ua pamë hovin,

Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Edhe mnershem nisë lufta titanike.

Kah t’ idhtat shpata, kah gjakbâset heshta

Çeken nder shkëndija me vringllimë t’ trishtueshme,

E bumbullojnë henike edhe gopedra,

E vrrasin keqas të varruemt përdhé.

Kaq nji  zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme

Çohet per ajr të terratuemun pluhuni,

Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Ballkani.

Shkon gjaku rrëkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës

Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mbulue. Hidhet,

Hingëllon, trumhaset kali i Skënderbeut,

Kah thundra e mbathun thellë i humbë në dhé

Të rijtun n’ gjak t’ barbarit. N’ dhambë brén buzen,

Atëherë zotmadhi i turqvet pendohet

Që i ra kurrë n’ mend t’ mësyjë Shqipninë mizore.

E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet

Ai dhé, ku  Flamuri kuq e zi valvitet.

 

  ■Shenim nga Fritz Radovani: Viti 2018, i Gjergj KASTRIOTIT – Skënderbeut, pa Emnin  e At Gjergj Fishtës e t’ Atdhetarve të tjerë të Veriut, të “lanun në harresë” , nuk ka me pasë asnjë vlerë, ashtu si “shkollat Shqiptare pa shkrimtarët e Veriut”!

Po ju persëris se:          “E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet

  Ai dhé, ku  Flamuri kuq e zi valvitet…”

          Melbourne, 9 Dhjetor 2017.

 

 

 

Comments

comments

-----