FORCAT PARTIZANE SI ATO BALLISTE BËNË KRIME NË POPULL

(Portret biografi për Gëzim e Linda Meçe)

Nga Thanas L. Gjika

 

          Me çiftin Gëzim dhe Lindita Meçe u njohëm gjatë mbrëmjes festive që u organizua për Ditën e Flamurit sivjet në “Best Western Royal Plazza Hotel” Malborough MA.

          Ky çift ka ardhur në SHBA me lotari në vitin 1997 bashkë me djalin e tyre të madh që ishte 1 vjeç e gjysëm. Këtu kjo familje u shtua dhe me një djalë të dytë. Duke punuar fort e me ndershmëri, bashkëshortët e riardhur rritën dhe shkolluan dy fëmijët dhe tani kanë disa vite që kanë blerë shtëpi dhe kanë hapur biznesin e vet. Biznesin “Golden Steps Child Care” e drejtuar nga Linda e ndihmuar prej djalit të madh, Eni-t. Gëzimi punon si shitës (seafood clerk) në “Wholefoods Hingham” MA. Kurse djali i vogël, Hiqmeti ndjek studimet e larta për Elektronikë (Computer Science) dhe punon part-time për kompaninë e madhe “Apple”.

* * *

          Dy vëllezërit Meçe u shpallën armiq të popullit pa bërë asnjë krim

          Gëzim Xhevat Meçe është një burrë me trup mbi mesatar, me flokë ngjyrë gështenje. Tek ai bie në sy qetësia, e folura ngadalë e me zë të ulët. Të krijohet ideja sikur ai nuk di të nxehet e të bërtasë, sikur me urtësi arrin t’i zgjidhë gjithë problemet e veta. Gëzimi u lind më 14 shkurt 1969 në një familje të internuar në fshatin e vogël Fier-Seman pranë Gradishtës së Lushnjës. Biografia e familjes së tij ishte njollosur që më 1945, kur u arrestua gjyshi Enver Meçe (1910 – 1947). Në atë vit babai i Gëzimit, Xhevati (1940 – 2010), ishte 5-6 vjeç.

          Gjyshi i Gëzimit, Enver Meçja, bashkë me vëllain e vet Hyqmetin, ishin bij të Elmaz Meçes, pronar tokash dhe pyjesh në Myzeqe. Ata kryen studimet e larta për drejtësi në Romë dhe masterin e mbrojtën në France me paret që u dërgonte babai. Pas diplomimit erdhën në Tiranë, ku më 1937 hapën një zyrë avokatore. Kjo zyrë shërbente edhe si zyrë avokatore e Madhërisë së Tij Mbretit Zog i Parë.

          Gjatë pushtimit italian ata vijuan punën e avokatit duke qëndruar larg politikës. Mirëpo një ditë shtatori të vitit 1944, në zyrën e tyre shkoi një partizan, i cili u tha me zë urdhërues: “Ose ejani e delni malit me ne, ose ju pret plumbi”. Hyqmeti e vlerësoi rrezikun që i priste pas këtij kërcënimi, prandaj vendosi të largohej nga atdheu. Ai ishte i pamartuar. Në Romë kishte lënë të dashurën me të cilën nuk mundi të martohej sepse ajo nuk pranoi të vinte e të jetonte në Shqipëri. Kurse vëllai i madh, Enveri, nuk deshi të largohej nga atdheu.

          “Unë kam grua dhe fëmijë- tha ai. Duart nuk i kam lyer me gjak. Me partizanët nuk bashkohem, por këta nuk kanë arsye të më vrasin”.

          Atëhere vëllezërit bënë marrëveshje midis tyre: Hyqmeti bëri aktin e shitjes së pronave në emër të vëllait. Kështu Enveri u bë pronar i vetëm i tyre duke ia paguar vlerën në monedha floriri. Hyqmeti mori shumën e pareve ne flori dhe shkoi në Itali.

         Në vitin 1945 qeveria komuniste e arrestoi Enver Meçen dhe e dërgoi ne burgun e Beratit. Gjithë pasurinë: toka, pyje, tre shtëpitë (vilën e Tiranës, të Lushnjës dhe atë të Fierit) ia shtetëzuan dhe familjen ia internuan në Fier-Seman, në mes të baltrave dhe mushkonjave.

          Në vitin 1947 Hyqmeti hyri ilegalisht në Shqipëri për ta marrë vëllain dhe familjen e tij. Mirëpo, pasi mësoi se Enverin e kishin burgosur dhe familjen ia kishin internuar, u kthye mbrapsht sepse e kuptoi se nuk do t’ja arrinte qellimit. Në Romë u martua me të dashurën e tij italiane. Për të mos u bërë viktima të agjentëve të Sigurimit shqiptar, të dy bashkëshortët u larguan nga Italia dhe u sistemuan në Toronto të Kanadasë. Aty u lindi një djalë, të cilin e pagëzuan me emrin George (Xhorxhi) pra Gjergji, për kujtim të Gjergj Kastriotit. Më vonë u lindi dhe një vajzë, por kjo nuk jetoi gjatë. Xhorxhi, duke ndjekur traditën e babait, kreu studimet e larta për avokati dhe bashkëpunoi disa vjet me të atin duke punuar në zyrën e tij. Rreth vitit 1970 familja e tyre u kthye në Romë. Këtu djali hapi zyrën e vet për avokati ndërkombëtare. Gëzimi e Linda patën rast ta vizitonin atë në vitin 2009. Babain dhe nënën e Xhorxhit nuk i takuan dot sepse ata ishin larguar nga jeta disa vjet më parë.

          Sigurimi shqiptar pasi mori vesh ardhjen në Shqipëri dhe largimin e Hyqmetit, dërgoi në qelinë e burgut tek Enver Meçja, myzeqarin Kiu Bozo, një ish partizan, njeri i pashpirt. Edhe pse nuk kishte përgatitje profesionale atë e kishte caktuar qeveria të gjykonte avokatin e diplomuar Meçe. Duke e ditur se do të dështonte në procesin gjyqësor, ish partizani Bozo dha urdhër t’i bënin Enverit një gjëlpërë, gjoja për ta mbrojtur nga epidemia që kishte rënë në burg. Enver Meçja e ndjeu se me anën e asaj gjëlpëre iu dha helm. Këtë fakt ai ia tha bashkëvuajtësit kosovar të qelisë, z. Selim Gurguri, i cili ia dëshmoi Gëzimit pas vitit 1991. Pas disa ditësh, në vjeshtë të vitit 1947,  Enver Meçja dha shpirt duke lënë jetimë kater fëmijë, dy djemtë: Xhevatin e Yllsiun dhe dy vajzat: Bukuroshen e Semihanë.

          Xhevati, babai i Gëzimit, u rrit me mundime dhe pas përpjekjesh të shumta mundi të bëhej traktorist, zanat që e ushtroi për pak vjet, sepse më pas u rropat gjithë jetën si punetor i thjeshtë kooperative . Kurse Gëzimi pasi mbaroi shkollën e mesme me profil bujqësor në Fier-Seman shkoi ushtar në Palermo të Himarës, ku kreu shërbimin ushtarak dy-vjeçar. Pas ushtrisë u regjistrua në Ndërmarrjen e Shfrytëzimit të Naftës me drejtori në Patos. Aty filloi punën si teknik gazi në Povelçë të Fierit për shfrytëzimin e puseve të gazit. Ndërkohë gjithë familja e tij, përfshirë vellain e tij më të vogël dhe dy prinderit kaluan me banim në Fier tek ish zyrat e N.SH.N-së, të cilat ishin të mbushura me dokumente dhe letra deri në tavan, pra të pabanushme. Këtu e gjetën vitet e shkërmoqjes së diktaturës 1991-1992.

          Duke qenë bir i një familjeje të përndjekur e të shpronësuar, Gëzimit iu afrua Bujar Kaloshi, Drejtor i Policisë Financiare të Qeverisë së parë të Sali Berishës. Zoti Kaloshi i propozoi Gëzimit të linte punën e teknikut të puseve e të vishej polic për të shërbyer në Policinë Financiare ose në Policinë e Rendit. Mirëpo Gëzimi mbajti porsinë e babait: “Shiko punën dhe mos u përzje në politikë”. Në vend që të vishej polic vijoi punën.

          Endrra e Gëzimit ishte Amerika. Atje ai kishte vëllain e Lumturisë, nënës së tij, Prof. Ismail Çeprati (Mustafaraj), i cili e kaloi gjithë jetën duke shkruar skenarë dokumentarësh për Hollivudin dhe si veprimtar i shoqërisë “Vatra”. Ismaili njihet në SHBA si atdhetar nacionalist i arratisur që në vitin 1950. Dhe sot ai jeton në Kaliforni. Ai është bir i Hamdi dhe Merjeme Çepratit. Ati i tij ishte një nga komandantët e shquar të çetave të Ballit Kombëtar. Konkretisht ai ishte komandanti i çetës balliste të Vlorës, e cila kishte kryer aksione të armatosura kundër pushtuesve italianë dhe aksionin më të rëndësishëm e kreu kundër një autokollone gjermane te Qafa e Llogarasë, të cilën e mbajti me zjarr për dy orë. Mirëpo Hysni Kapua, i cili i njihte shumë mirë trimëritë e kësaj  çete, duke zbatuar porositë e udhëheqjes së Partisë Komuniste, më 1946 dha urdhër që të arrestoheshin e të pushkatoheshin 11 luftëtarët më të shquar të ish çetës balliste të Vlorës bashkë me komandantin e saj Hamdi Çepratin. Duhej fshirë nga kujtesa lufta heroike e asaj çete, ashtu si dhe e gjithë veprimtaria atdhetare e ballistëve…

* * *

          Në vitin 1993 Gëzimi u fejua e u martua me zonjushen Lindita Hoxha, një vajzë brune simpatike dhe shumë e gjallë, familja e së cilës ishte me prejardhje nga qyteti i Fierit, por e internuar në fshatin bregdetar Seman të Fierit.

          Lindita, shkurt Linda, kishte mbaruar shkollën e mesme më 1988 dhe kishte ambicie të vijonte shkollën e lartë. Ajo ishte regjistruar për të ndjekur me korrespondencë Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dega Mësuesi Cikli i Ulët, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1995.

          Nga ana e saj Linda është bijë e një familjeje të madhe. Babai i saj zoti Gani Hoxha dhe nëna e saj zonja Nadire Hoxha (Behari) lindën gjashtë vajza dhe një djalë. Babai i saj ishte lindur më 1938. Ai punoi si zetorist në Seman që nga viti 1963 deri sa u pensionua. Në vitin 1963 familja e tij u shpall “familje me biografi të prishur”. Shkak i këtij ndryshimi u bë kapja e vëllait të tij, e Beqir Hoxhës (1923 – 2011) te kufiri me Greqinë, ku ai tentoi të arratisej. Gjatë gjyqit që iu bë me dyer të mbyllura, Beqiri pa u trembur, mbajti një qëndrim kritik ndaj regjimit komunist. Ligji për tentativë arratisjeje parashikonte dënimin me 7-10 vjet burg, kurse Beqir Hoxhën e dënuan me 35 vjet burg, të cilat i kaloi të plota në burgun e rëndë të Spaçit, prej nga doli më 1988, i raskapitur, por jo i mposhtur. Ai pati fatin të shijonte në vitet 1991-1992 shkërmoqjen e diktaturës komuniste dhe të shikonte sesi katandisën ata që e kishin torturuar në hetuesi dhe munduar në burg…

          Babai i Lindës, zoti Gani, erdhi këtu në SHBA për vizitë në mars të vitit 2012. Gjatë një vizite mjekësore pas disa muajsh, në qershor të atij viti, mjekët amerikanë konstatuan se ai vuante nga enjtja e aortës te kofsha e djathtë (Aneurysm) dhe ngulën këmbë që ta operonin sa më parë. Operacioni u krye me sukses dhe ai tani gëzon jetën e dytë në Itali, ku jeton bashkë me gruan e vet, zonjën Nadire, me djalin e nusen e tij dhe fëmijët e tyre që e mbushin me gëzim sa herë i sheh e përqafohet me ta.

          Edhe ne partizanët bëmë masakra në popull

          Gjyshi i Lindës nga nëna, i paharrueshmi Elmaz Behari (1922 – 2009), kishte qenë partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, me komandant Mehmet Shehun. Pas mbarimit të luftës qeveria komuniste, duke e vlerësuar si njeriun e saj besnik, e emëroi ndihmës gjykatës. Mirëpo Elmaz Behari, në pleqërinë e tij ndjente në shpirt peshën e padrejtësive dhe krimeve që ishin kryer në prani të tij prej komandantit të Brigadës I, si dhe të gabimeve që ishin bërë në praninë e tij gjatë proceseve gjyqësore.

          Gëzimi kujton se gjatë vitit 1994, në një nga takimet e para me gjyshin e urtë Elmaz, ky i pati thënë: “Historia jonë e Luftës dhe e Socializmit është shkruar ashtu si deshën fitimtarët, por ajo ka shtrembërime të mëdha. Unë kam qenë i pranishëm më 1944 në fshatin Sulaj të Fierit, kur Mehmet Shehu u tha pleqve të fshatit: ‘Jeni me ne apo kundër nesh?’ Ata iu përgjigjën: ‘Ne jemi popull dhe duam lirinë, duam të punojmë e jetojmë. Na erdhën këtu disa ballistë dhe na plaçkitën dhe na muarrë me zor tre djem. Po kur komandanti i tyre e mori vesh këtë poshtërsi, i solli këtu dy prej atyre “trimave” dhe pasi vërtetoi ngjarjen, i vrau me revolen e vet në sytë tanë. Tani, ti po na kërkon të vijë gjithë fshati me partizanët. Ne nuk themi dot se mund të vijë gjithë fshati apo jo.’

Komandanti Mehmet Shehu, nuk priti, dha urdhër të mblidheshin gjithë burrat e fshatit dhe i pushkatoi, pa gjyq. Kjo masakër më ka vrarë në zemër, por kisha dhënë besën e nuk guxova të kundërshtoja, sepse do të dënohesha si armik e tradhëtar dhe familja ime do të vuante pasoja të rënda…

          “Më vonë, shtoi Gëzimi, mësuam nga gazetat se forcat partizane kishin bërë dhe masakra të tjera, si në Bozhigrad të Devollit, në Libohovë të Gjirokastrës, në një fshat të Lushnjës, në Mirditë e në vende të tjera. Mirëpo ende ka ish partizanë që vijojnë të shkruajnë kujtime ku përmendin vetëm gabimet dhe krimet e ballistëve dhe i fshehin me qëllim krimet që kryen në popull forcat partizane.”

          Ish partizanë si Elmaz Behari ka pak, shumica e tyre nuk e kuptuan derisa vdiqën dhe ata që janë gjallë ende nuk e kanë kuptuar se janë fatkeqë, njerëz të mashtruar prej udhëheqjes së PKSH / PPSH-së. Partizanët tanë ishin njerëz idealistë kur dolën malit për lirinë e atdheut, por mbas luftës shumica e tyre u kthye në shërbëtorë qorrë të diktaturës më të egër komuniste që u instalua në Europë…

          Me emrin Enver ngjallëm Enver Meçen, jo Enver Hoxhën.

          Më 9 mars 1996 Gëzimi e Linda u shtuan me një djalë, të cilit i vunë emrin Enver. Shoqet e punës së Lindës u revoltuan dhe filluan të mos i flisnin me gojë. Pas nja 10 ditësh, Linda i mblodhi shoqet dhe u kërkoi ta sqaronin pse i mbanin mëri. Ato i thanë se në kohën e ndryshimeve demokratike, kur krimet e diktaturës e të diktatorit u bënë të njohur, në Shqipëri duhej të mos përmendej më emri Enver. Gjithë ata që kishin emrin e tij, sipas tyre, duhej të ndërronin emrin e të quheshin me emër tjetër. Kurse Linda dhe Gëzimi që kishin qenë të përndjekur dhe të shpronësuar, e quajtën djalin me emrin e urryer Enver.

          – “Kjo na u duk shprehje nostalgjie ndaj diktatorit, nostalgji që e kanë dhe e shprehin shumë ish komunistë e sigurimsa, që përfituan poste e detyra prej tij”, i thanë shoqet në fund. Atëhere Linda u sqaroi shoqeve të veta se kush ishte Enver Meçja dhe si e kishte pësuar ai prej regjimit të diktatorit Hoxha.

          “Moj shoqe, moj motra, e mbylli ajo bisedën, unë dhe Gëzimi ngjallëm intelektualin antikomunist Enver Meçe, jo diktatorin Enver Hoxa. Këtë edhe ne e urrejmë si ju. Mos mendoni se çdo njeri që quhet Enver, shpreh respekt për diktatorin”.

          Jeta në atdheun e ri, ku shpërblehesh sipas punës

          Po gjatë vitit 1996 familja e re aplikoi lotarinë amerikane të Green Card-it, të cilën e fitoi. Në shtator të vitit 1997 Gëzimi, linda dhe Eni (shkurtimi i emrit Enver) erdhën në SHBA në qytetin Quincy MA, pranë Bostonit, ku e priti z. Bashkim Malasi, mik i Gëzimit. Ky i sistemoi në një shtëpi me qira dhe e punësoi Gëzimin si pjatalarës te “Pier Four Restorant” i z. Antony Athanas.

          Linda duke qenë shatzënë në muajin e shtatë, nuk kërkoi punë. Kur Gëzimi mori pas dy javësh çekun e parë me 140 dollarë, u mërzit dhe shkoi tek pronari, të cilit i tha:         – “Zoti Athanas, me pagesën tuaj prej 140 dollarë në dy javë, pra me 280 dollarë në muaj, unë nuk mund të jetoj dot. Qiraja e apartamentit tim është 600 dollarë në muaj.”

          Zoti Anton, iu përgjigj: Gëzim, ti nuk di anglisht dhe nuk i ke reflekset e punës në kuzhinë. Unë nuk mund të të paguaj më shumë. Ti duhet të punosh edhe një punë të dytë, ose shiko të gjesh punë tjetër, ku mund të paguhesh më mirë. Amerika është e madhe, mundësi ka plot”.

          Atëhere Gëzimi i tha se nuk do vinte më në punë. Pronari nuk u mërzit, i dha dorën duke e uruar: “Paç fat!” Gëzimi kaloi me punë si pree-cook (ndihmës kuzhinier) te restoranti “Hearth’n Kettle” në qytetin ku banonte, me pagesë $ 8.50 në orë. Në këtë restorant ai punoi 2 vjet. Gjatë katër muajve të parë, muaj dimri, ai e përshkonte rrugën vajtje-ardhje (rreth 5 km.) me biçikletë, dy herë në ditë. Më tej ai u punësua si  kuzhinier (line-cook) tek “Toni’s clam shop“, ku punoi gati 12 vjet. Paga i rritej çdo vit. Kur u largua, paga kishte arritur në $ 15.00 në orë. Ndërkohë zuri dhe një punë të dytë. Dita e punës për Gezimin fillonte më 8:00 të mëngjezit dhe mbaronte më 24:00, në mesnatë. Flinte gjithsej 6-7 orë. Vitet 1998 – 2015 janë vitet e punës heroike të Gëzimit, kur ai punonte në dy punë të lodhëshme. Në ato vite ai filloi të blinte dhe rrush Kalifornie dhe të bënte verë e raki sa për nevoja familjare. Ata që dijnë t’i shijojnë këto pije, i kanë dhënë përshtypje nga më të mirat. Këtë hobi ai e vijon dhe sot.

          Linda lindi djalin e dytë në nëntor 1997, Metin (Hiqmetin). Duke mos ditur gjuhën dhe duke mos pasur mundësi të paguanin njeri për t’u kujdesur për dy djemtë, Linda u detyrua të rrinte katër muaj  në shtëpi pas lindjes se tij. Filloi të mësonte vetë anglisht dhe kur e ndjeu veten të aftë dha disa provime, unifikoi diplomën për mësuese dhe u punësua në disa shkolla për nxënës parashkollorë. Ajo arriti te ishte dhe drejtoreshë për parashkollorë në “Lighthouse baptist Christian Academy” gjatë vitit 2002. Më pas ajo dha mësim në “Beachwood on the Bay” pranë Marina Bay ne Quincy MA. si  mesuese drejtuse (lead teacher ) deri ne vitin 2007.

          Në vitin 2000 familja Meçe shfrytëzoi një rast të mirë për blerje shtëpie pa dorëzuar para në dorë (down payment). E blenë një shtëpi të vogël, të cilën pasi e pastruan dhe e ndreqën, në vitin 2003 e shitën dhe blenë një shtëpi të madhe, atë që kanë dhe sot. Mbas disa rregullimesh e ndryshimesh, sistemuan në katin e parë biznesin e vet “Golden Steps Home base child Care”, të cilën e hapën me katër fëmijë në vitin 2007.

          Vitet e punës së stërlodhshme

          “Këtu në Amerikë, sa më shumë para të kesh aq më shumë të duhen”, thotë Linda me të qeshur dhe vijon: “Në vitin 2010 pasi kishim sistemuar biznesin me fëmijët, dhe djemtë tanë po shkonin mirë me mësimet, na lindi dëshira për të marrë me qira një restorant, ku do të punonim krahas biznesit tonë. E morëm restorantin “Sunset View ” në Quincy MA. U robtuam së punuari në dy punë për një vit e gjysëm. Aty vinin dhe djemtë na ndihmonin, paguanim dhe kater punëtorë. Por pas një viti e gjysëm e ndjemë se nuk mund t’i mbanim më gjatë dy punët. Kështu tani mbajmë vetëm biznesin brenda shtëpisë unë me Enin, kurse Gëzimi ka gati dy vjet që punon në “Whole Foods” ne  Hingham MA. si shitës me pagë të mirë.”

          Meti, djali i vogël, po mbaron vitin e parë të shkollës së lartë “Wentworth Institute of Technology” për ingjineri elektronike (computer science) në Boston. Ai punon part-time për kompaninë “Apple”, për të lehtësuar shpenzimet e shkollimit, sepse kjo shkollë kushton shumë.

          Të dy djemtë, Eni dhe Meti, flasin shumë mirë shqip, por si shumica e fëmijëve që nuk kanë shkuar në ndonjë kurs për mësimin e gjuhës amëtare, edhe këta nuk dijnë ta shkruajnë gjuhën shqipe. Kjo është dhe një nga pengjet e prindërve të tyre.

          Lindita dhe Gëzimi të detyruar të punonin gjithë kohën me dy turne, nuk u jepej mundesia as të mblidheshin në tavolinë së bashku. Pikërisht, këtu është dhe asrsyeja kryesore pse djemtë nuk mundën ta mësonin gjuhën shqipe edhe me shkrim. Pavarësisht nga fakti se ata ende nuk e kanë zotëruar edhe me shkrim gjuhën amëtare, prindërve u vjen mirë kur ata shprehen se janë krenarë që janë shqiptarë. Madje ata zemërohen kur dëgjojnë disa fëmijë shqiptarësh që flasin vetëm anglisht me prindërit tyre në vende publike dhe kur i pyesin amerikanët për origjinën e tyre etnike, thonë: “I am American” dhe nuk thonë se janë “Albanian-American”.

 

Comments

comments

-----