NE GREQI, KUR NE ISHIM PESË SHOKË

Nga Nuri Dragoj

 

Bashkim Saliasi, në librin e vet “Ne ishim pesë shokë”, përshkruan vuajtjet e emigrantëve shqiptarë, duke udhëtuar për në Greqi, me qëllim që të garantonin bukën e gojës së fëmijëve të tyre. Shteti shqiptar në vitin 1990 kishte rënë. Superstruktura qe shkrehur. Nuk kishte më administratë shtetërore dhe as institucione shkollore. Njerëzit mbetën në rrugë, në një tjetër udhëkryq fatkeq të kombit shqiptar.

Libri i shkruar prej Bashkim Saliasit është një kujtesë e fuqishme për të gjithë, por sidomos për politikën, e cila duhet t’i dalë zot popullit dhe atdheut. Autori ka vënë shpirtin, patriotizmin e humanizmin e tij në kandarin e drejtësisë së historisë, për të denoncuar çdo fenomen e mentalitet negativ në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë, që ka tendencën të fanitet edhe në ditët tona dhe të helmojë e rrezikojë të ardhmen.

Është një libër, ku historia dhe publicistika gërshetohen natyrshëm. Autori, me ndershmëri dhe me ndërgjegje të pastër intelektuale, ka dhënë historinë e pesë shokëve në ato vite emigrimi, për të shpjeguar të tashmen, ka kryer depërtimet në thellësi të historisë për të pohuar lashtësinë e të dy popujve, vezullimin e pashuar të qytetërimeve pellazge, ilire e greke, kapërcimet në mesjetë, ku fatet e të dy popujve u bashkuan në një emërues të përbashkët, që ishte fatkeqësia e tyre. Nuk ka bërë historinë reale të këtyre marrëdhënieve dhe ecurisë së tyre në vite, por gjithçka nënkuptohet duke lexuar udhëtimin e emigrantëve, postblloqet, problemet në dogana etj. Burra që iknin për bukën e fëmijëve dhe gra që mbeteshin të vetmuara në Shqipëri pa ditur si do t’i bënin ballë jetës. Të tjerë merrnin dhe gratë me vete, madje dhe me fëmijë në krahë. Vajza që besonin se përtej kufijve jeta qe ndryshe, por kur u përballën me realitetin e zi, mallkuan veten. Dhe qe i vështirë, si qëndrimi ashtu edhe kthimi. Djem dhe burra që punonin në frontet më të vështira, aty ku nuk shkonin qytetarët vendas, në ndërtim, në bujqësi për vjeljen e ullirit apo të perimeve e zarzavateve. Vajza dhe gra të diplomuara në universitetin shtetëror të Tiranës, mësuese, inxhinjere, agronome e shumë profesione të tjera, që detyrohehsin t’u shërbenin të moshuarëve, lanin menderet e tyre për pesë dhrahmi. Por nuk mjaftonte puna e rëndë, vështirësitë në kryerjen e saj, por që nuk u ruhej personaliteti, jetonin me indetitet të mohuar apo të shkelur, për shkak të varfërisë. Ky ishte realiteti.

Pas viteve 1990, në Greqi emigruan rreth 400 mijë shqiptarë, ku pjesa më e madhe është pa leje qëndrimi. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës zyrtare kanë bërë që mëritë diplomatike të zbrazen te këta mijëra qytetarë shqiptarë. Operacionet Fshesa, janë arrestime në masë të shqiptarëve prej policisë greke, disa herë në dhjetëra-mijëra, dhe kthimi i tyre në Shqipëri. Në vitet 1993-1995 pati rreth 6 operacione të tilla, ku shqiptarët trajtoheshin në kushte çnjerëzore. Shpeshherë këto operacione organizoheshin pas acarimit të marrëdhënieve politike midis dy vendeve. Nuk njiheshin pasaportat zyrtare të lëshuara nga shteti shqiptar. Quhehsin fallso. Shpesh herë nuk njiheshin as vizat e lëshuara nga konsullata apo ambasada greke, konsideroheshin fallso. Griseshin pasaporta, rriheshin njerëz, vajza dhe djem, pa bërë aspak dallim, dhe shteti heshtte. Nuk kishte forcë të vepronte, as të kundërshtonte.

Sjellja e ashpër ndaj emigrantëve shqiptarë tregoi se politika helene e kishte harruar ndihmën e çmuar të shqiptarëve për fitoren e revolucionin grek dhe shpalljen e Greqisë si shtet i pavarur. Në vitin 1991 mjaftoi një intervistë e Presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia, u bë shkak për një sërë deklaratash dhe notash proteste nga ana e Greqisë. Dhe pse? Arsyeja ishte se Alia pohoi se ka edhe pakica shqiptare në Janinë dhe Çamëri, të drejtat e të cilave nuk janë zbatuar nga Greqia, në një kohë që Shqipëria i ka përmbushur detyrat. Ky zemërim ram bi emigrantët shqiptarë që kishin marrë rrugët, tamam si një tufë dele që ushëton në pyll pa çoban dhe mbrojtje, ku përballej me ujq të uritur.

Dëbimi i një prifti grek nga Shqipëria më 28 qershor të vitit ‘93,  u cilësua prej zyrtarëve helenë, si rikthim i incidenteve të rënda mes dy vendeve. Në atë kohë, prifti grek, Kristostomu Maidonis, u shpall person non grata dhe për aktivitetin e tij të paligjshëm u dëbua nga Shqipëria. Sipas autoriteteve shqiptare, shkak ishte propaganda antikombëtare që bëri ky prift në Gjirokastër, duke shpërndarë, në kishat ortodokse shqiptare, harta të “Vorio-Epirit”, ku jugu i Republikës së Shqipërisë paraqitej si Greqi. Pas këtij dëbimi, Athina zyrtare reagoi ashpër, duke akuzuar direkt Presidentin Berisha për këtë incident.

Në datën 14 korrik 1993, Kryeministri grek, Kostandin Micotaqis, paraqiti një platformë të re prej 6 pikash, për jugun e Shqipërisë. Ky plan ishte hartuar prej këshilltarit të tij, Nikolas Gejxh. Në dokument kërkohej që Shqipëria të përmbushte të drejtat e grekëve etnikë, me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa kushte të priftit, të hapte shkolla greke në Shqipëri edhe jo vetëm në zonën minoritare, të regjistronte popullsinë dhe Epiri të merrte të njëjtin status që do të merrte Kosova. Natyrisht, Tirana zyrtare nuk u pajtua me përmbajtjen e kësaj platforme dhe refuzoi kategorikisht çdo kompromis për të. Por incidentet do të vazhdonin me masakrën e Peshkëpisë, më 10 prill të vitit 1994, kur një komando greke prej 8 personash me uniforma të ushtrisë helene, hynë në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi, pranë një reparti ushtarak. Komandoja vrau në befasi ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehu dhe plagosën tre shqiptarë. Akoma edhe sot prokuroria greke nuk ka mundur të zbardhë plotësisht ngjarjen, për të vënë gishtin mbi organizatorët dhe fajtorët e vërtetë të këtij skenari. Nga ana tjetër, Athina zyrtare, ende nuk u ka kërkuar ndjesë shqiptarëve për këtë masakër terroriste, në një kohë që ushtron presion për varreza të reja të ushtarëve, duke rivendosur edhe një herë vijën Venizellos të kufirit midis dy vendeve.

Autori na jep me imtësi udhëtimin e emigrantëve maleve, merakun e familjarëve që i nisnin në një rrugëtim të vështirë, si dhe dhunën që ushtrohej mbi ta. Ushtarë me automatik më krahë i prisnin tej kufirit dhe i kthenin mbrapsht sërish, duke humbur dhe ato pak para që kishin me vete, e mbi të gjitha shpresën. Por kjo ishte më e pakta, më e mira, pasi të tjerë emigrantë kishin lenë jetën maleve me borë e sidomos nën torturat e kryera nga ushtarët, të frymëzuar nga fryma raciste që mbillte politika. Ktheheshin emigrant shqiptarë që kishin udhëtuar me ditë të tëra, ngrënë e pa ngrënë, një javë pa u larë, që binin erë djersë e ca më keq akoma.

Duke parë skena të tilla, tablot therëse, autorit i vinin ndër mend qëndrimet antishqiptare të politikës greke, në kohën që sapo ishte krijuar shteti shqiptar. Atëherë ajo u vu në krye të politikës vrastare kundër këtij shteti, politikë që u shpreh me aneksimin e territoreve arbërore dhe me masakrat e tmerrshme kundër popullsisë së pafajshme shqiptare, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kombëtare.

Saliasi na sqaron se kyçi i zhvillimit, unitetit dhe modernitetit të kombit shqiptar, është harmonia, toleranca dhe bashkëjetesa fetare. Por ai zbulon, krahas rrënjëve historike, edhe betejën moderne që po zhvillon Greqia e sotme, për ta shkatërruar këtë bazament fondamental. Kjo shihet rresht pas rreshti në libër, te diferencimi i emigrantëve në shqiptarë në doganë nga shteti dhe në punë nga pronarët helenë, duke i ndarë shqiptarë, vorioepirot e grek. Natyrisht shqiptarët trajtohehsin si kafshë pune me pagë minimale, vorioepirotët disi më mirë sepse i bashkonte besimi fetar, dhe grekët si bashkëqytetar të tyre.

Për shkak të nevojës ekonomike, shqiptarët detyroheshin të kryenin çdo lloj pune, madje edhe ato që nuk i kishin kryer kurrë në vendlindje. Nuk mund të thoshe jo, ndryshe mbeteshe pa bukë. Me sensin racional të së drejtës dhe sidomos me dashuri, Saliasi me penën e tij udhëton nëpër dhimbjen shqiptare të sotme dhe të djeshme. Në tregimet e tij nënkuptohet edhe tragjedia çame, pa folur direkt për ta, por duke udhëtuar nëpër koordinata hapësinore e shpirtërore, duke sjellë përpara vëmendjes së çdokujt, jo thjesht faktin historiko-tragjik të shqiptarëve çamë, por edhe përjetimin individual. Ai e tejkalon pozitën vrojtuese apo shqyrtuese të studiuesit, dhe vjen te lexuesi, si “një prej tyre”, mbi të cilët ra mizoria greke në dy shekuj. Madje kjo trysni mizore ndihet edhe sot, kur shqiptari mund të burgoset pa shkak dhe mund të dënohet pa faj, madje pa gëzuar të drejtën e avokatisë mbrojtëse. Shqiptari edhe në këto ditë mund të vritet, vetëm pse mban në dorë flamurin kombëtar. Dhe kjo ndodh se shteti shqiptar është i dobët dhe vazhdon të mbetet i dobët, ngaqë zbatohet politika e nënshtrimit për të mbajtur karrigen, për të plotësuar interest personale të politikanëve.

Duke lexuar këtë libër, çdokush mund të krijojë një përfytyrim konkret, jo vetëm nëse ka qenë në Greqi apo ka patur të afërmit e vet, por edhe për ato çfarë ka parë e dëgjuar, lidhur me pasojat e ofensivës së helenizmit në Shqipërinë e Jugut dhe më gjerë, zhvillimet në shoqërinë shqiptare në ditët tona, si dhe rreziqet reale që rrjedhin prej saj.

Libri është gjithashtu edhe një homazh për shqiptarët që kanë dhënë jetën maleve për të gëzuar të drejtën e punës dhe ushqimit, për ata që u persekutuan dhe u vranë nga dora e zezë e nacionalizmit grek. Për këtë arsye ai ka vlera edukative për brezin e ri, i cili ka njohuri relativisht të pakta për historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Për të gjitha këto risi dhe vlera, kam besimin e plotë se ai do të jetë një botim shumë i preferuar dhe i dobishëm për lexuesit shqiptarë, të të gjitha kategorive e moshave. Ai është shkruar me kulturë, me një gjuhë të thjeshtë, por të pasur dhe me një stil tërheqës, i cili e rendit këtë botim në kategorinë e atyre librave që lexohen me dëshirë.

DOBRUSHA

Bashkim Saliasi ka shkruar dhe një tjetër libër për vendlindjen e vet, fsshatin Dobrush në rrethin e Skraparit. Autori përpiqet të sjellë të dhëna mbi origjinën e bnorëve, historinë shekullore të vendvendosjes së tyre, tenton të tregojë rrethanat historike të krijimit të atij fshati, diçka nga toponimet, etimiologjia etj. Dhe kjo ndodh në një kohë që nga ana e studiuesve tanë, janë të pakta përsiatjet studimore për antropologjinë dhe sociologjinë kulturore. Gjithasesi Saliasi me ato pak gërmime të tijat, bën apel për hapjen e shtigjeve të reja në funksion të historisë së lashtë, por dhe strategjisë kulturore, me qëllim që etnokultura rajonale dhe ajo kombëtare, të pandara me njëra – tjetrën të vendosen në pozicionin që u takon, në raport dhe me fqinjët e vet. Sepse vetëm në këtë mënyrë historia do të mund të kuptojë shkaqet që dërgonin në luftë djemtë e atij fshati dhe që ktheheshin vetëm në këngë. Edhe pse për atë fshat është shkruar pak, heronjtë janë sërish aty, pavarësisht nëse gjenden të gjallë apo të gurëzuar. Dikush tjetër që do të provoj të shkruaj për Dobrushën më pas, e ka të ndezur një dritë nga Bashkim Saliasi, e cila mund ta orientojë për të gjetur hyrjen e tunelit e më tej për të shkuar në fundin e tij.

Zhvillimet historike dhe kulturore të asaj zone, e cila në shekuj është njohur si krahinë e veçantë, me trima të rrallë e të panënshtruar, materilizohet edhe në folklorin e bërë present, por edhe në atë të munguar. Ne rreshtat e hedhura nga Saliasi, nuk është e vështirë të kuptohet që autorin, si intelektual, e shqetëson  mendimi i varfër historik edhe për trevën e tij. Ai tenton të na japë dhe një paralele me botën kulturore europiane, mbase thjesht ne formë refleksionesh, si një diagram të kulturës historike, të përzierjeve të kulturës lindore me atë perëndimotre, ndikimin e sistemit njëpartiak etj. Mungesa e studimeve arkeologjike, apo pamjaftueshmëria e tyre, krijon vështirësi për të thënë dhe dhënë me vërtetësi të padikutueshme mendimin historik e filozofik për një trevë të tërë, ku bën pjesë dhe Dobrusha e tij. Fshati dhe ajo trevë kanë veçoritë e tyre, pasi distanca e madhe nga rruga nacionale, terreni malor, mosnënshtrimi ndaj sundimit osman, meritojnë studim të veçantë, pasi kjo ka bërë që banorët e asaj ane të jenë krenar dhe panënshtruar, ndryshe nga zona të tjera që kanë karakteristika të ndryshme, mbase edhe në ato me të dhëna të përafërta.

Historia e zhvillimit të arsimit, karakteristika e punëve në bujqësi e blegtori, traditat dhe zakonet e fshatarëve të tij, institucionet fetare, paraqitja e fiseve, emrat e shumtë të banorëve, disa veçori individuale e të tjera, janë pasuri e vlerësuar për gjithë fshatin. Pikërisht për këtë arsye libri duhet të bëhet pjesë e bibilotës familjare, pjesë e jetës për secilin banor dhe secilën familje që jetojnë atje, aq më tepër për ata kanë jetuar në fshatin Dobrushë të Skraparit, por janë larguar për asye të ndryshme, politike apo ekonomike.

Të shkruash për fshatin tënd nuk është e lehtë, as punë e vogël. Madje mund të them që ka në botë shkrimtarë, të cilët me historinë e fshatit të vet, sot janë ndër nobelistët e shquar të botës. 

Comments

comments

-----