DHE VJEN NËNTORI…….

Nga Vlashi Fili

 

Nëntori është muaj mbi muaj për ne shqiptarët. Shkëlqen në të data 28, dita e Pavarësisë së Shqipërisë, dita e shkëputjes njëherë e mirë nga robëria shumëshekullore që e kanë shoqëruar kombin tonë që nga lashtësia. Dhe e festojnë shqiptarët këtë ditë si s’ka më bukur. 
            Vitet e fundit, ka filluar të ndihet dukshëm festimi i kësaj date në të katër anët e globit, ku punojnë e jetojnë bashkatdhetarët tanë emigrant. Ndihet shumë ky festim edhe në Filadelfia të Amerikës, ku punon e jeton një komunitet jo i vogël shqiptar, që përfaqësohet denjësisht nga Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “Bijtë e Shqipes”.      
            Këshilli Drejtues i kësaj shoqate, programon qysh herët veprimtaritë që do të zhvillohen gjatë gjithë këtij muaji dhe që mbyllen me ngritjen e flamurit tonë kombëtar në qendër të Filadelfias e që më pas valvitet atje, krahas atij amerikan, për disa ditë.    
            Nuk janë të pakta veprimtaritë e organizuara në këtë qytet ku është shpallur Pavarësia e Amerikës. Ndërkohë nuk është e lehtë të organizosh disa veprimtari brenda një muaji, por anëtarët e këshillit drejtues të kësaj shoqate nuk ndjejnë lodhje, sepse kënaqësia mbas përfundimit të këtyre ngjarjeve e mposht lodhjen. Koha e organizimit të veprimtarive është muaji nëntor, por puna për to fillon shumë kohë përpara me programimin e masave, me ndarjen e detyrave për secilin anëtar të këshillit drejtues dhe herë pas here dhe me dhënien llogari se çfarë është bërë dhe çfarë ka ngelur pa bërë.

MAYFAIR THANKSGIVING PARADE

            Ka vite që organizohet Parada e Thanksgiving në verilindje të Filadelfias, ku parakalojnë shumë grupe, që përfaqësojnë komunitete të ndryshme, përfaqësues të zonave në shtetin e Pennsilvanisë, shoqata e grupime të ndryshme, në formë të një festimi, por edhe të një propagandimi apo njohje..       
            Vitin që shkoi, shoqata jonë, nëpërmjet z. Sadik Elshani, anëtar i këshillit drejtues, kontaktoi me organizatorët e kësaj parade dhe filluam të marrim pjesë në të. Këtë vit, është i dyti përfaqësim i “Bijve të Shqipes” në këtë paradë, njëkohësisht është veprimtaria e parë në këtë nëntor, për komunitetin shqiptar të Filadelfias.   

            Si gjithmonë paradën e çelin motoçiklistat, kalorësit dhe fanfarat. Vjen çasti dhe grupi i “Bijve të Shqipes” lëviz përgjatë intenerarit të caktuar, nëpër Frankford Ave.
            Në krye makina e drejtuar nga Haki Çollaku, para së cilës, mbi kapakun e motorit, është vendosur flamuri ynë, kurse në karoceri valëviten flamuj shqiptar dhe amerikan. Nga qendra e zërit shpërndahen tingujt e këngëve tona të bukura duke filluar me Himnin e Flamurit, “Xhamadanin vija vija” e deri tek ajo për gërmat e bukura shqipe. Grupit i prinë banderola e madhe “15 vjet “Bijtë e Shqipes” Filadelfia, 2002 – 2017” me flamujt shqiptar dhe amerikan në të dy anët, të kompozuar dhe përgatitur nën kujdesin e Llazar Vero-s dhe Haki Çollaku-t. ajo mbahet nga fëmijët e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, të veshur bukur me kostume popullore. Drejton dhe udhëzon grupin  një nga organizatorët e pjesmarrjes në këtë paradë z. Sadik Elshani. Bujar Gjoka së bashku me Bujar Çela-n, jo vetëm që marin pjesë në drejtimin e grupit, por kujdesen edhe për të fiksuar në cellular çaste sa më të shumta nga kjo veprimtari. Në krahun tjetër të grupit z. Tajar Domi me shokë, i bashkuar me grupin, përpiqet që të mbajë gjallë sa më tepër, shoqërimin e këngëve që shpërndan qendra jonë e zërit, ndër fëmijët që kryesojnë grupin. Pas fëmijëve, mesueset e shkollës dhe prindërit e fëmijëve. Në vazhdim anëtarët e shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe anëtarë të tjerë të Komunitetit Shqiptar në Filadelfia. Në gjithë grupin duken flamuj të shumtë shqiptar e amerikan.      
            Gjatë gjithë lëvizjes nëpër rrugën e caktuar për paradën, buçiste kënga e shoqëruar me vallet, që përshëndeteshin në të dy anët e rrugës nga shikuesit e shumtë të vegjël e të rritur.
            Në përfundim të lëvizjes, si gjithë grupeve të tjera, në bazë të programimit të organizatorëve, u la tre minuta kohë për të kënduar e vallzuar, para një podium, prej nga ku dëgjohej fuqishëm herë pas here: “Albania”.    
            U ndjemë krenar për këtë përfaqësim, prej nga ku, zëri i Shqipërisë po ndihet gjithmonë e më tepër në këtë qytet të madh amerikan.

PARADITJA E SË SHTUNËS

          Dhe erdhi e Shtuna e 25 Nëntorit 2017, kur është planifikuar të organizohet Mbrëmja Festive e 105 Vjetorit të Pavarësisë.        
            Qysh në paraditen e kësaj date, ndjehet si asnjëherë tjetër, aroma e festës. Qendra Kulturore e shoqatës është e hapur se pret miqtë e ardhur nga larg, enkas për të festuar ditën e Flamurit në shoqatën tonë. nuk vonojnë bisnesmenët nga Shqipëria Barjam Berisha, Mezan Resuli, përfaqësues të grupit shoqëror “Flaka” në Shqipëri, të shoqëruar nga kryetari i shoqatës z. Tajar Domi dhe i afërmi i tyre Kujtim si dhe bisnesmeni tjetër nga Shqipëria Hazbi Çollaku, i shoqëruar nga i vëllai, Hakiu, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës. I pret me duar në qafë Llazar Vero, anëtar i këshillit drejtues dhe iu uron atyre me plot gojë “Mirëseardhët”. Zënë vend rreth tavolinës në klubin e shoqatës, ku një kafe, e shërbyer me mirësjellje nga Llazari, dhe një godë raki, që kishte sjellë me vete Hakiu, çeli urimet për mirëseardhjen e tyre dhe fillimin e bisedave. Miqtë që janë edhe anëtar të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, nuk vijnë asnjëherë duar bosh. Muaj më parë, kur ata ishin midis nesh, premtuan se për festën e Flamurit, flamujt, për të shpërndarë në të gjitha familjet shqiptare, do i sillnin ata nga Shqipëria. Dhe ashtu bënë. Erdhën “duar plot”, dhuratë e bukur kjo nga këta njerëz zemër gjerë. Veç flamujve që kishin premtuar, sollën edhe bluza të kuqe, të shkruara në to me gërma të mëdha: “BIJTË E SHQIPES” e poshtë tyre një kokë shqiponje, shalle kuq e zi dhe kapele të kuqe me shqiponjën dykrenore në ball. Këtë zemërgjerësi ata e kanë treguar edhe hera të tjera më parë, me dhuratat e tyre apo edhe me bamirësitë që kanë bërë në Shqipëri.       
            Njëri pas tjetrit vijnë edhe anëtarët e tjerë të shoqatës si Hysë Hasa, Eqerem Murataj, Sami Zaimaj, Vangjel Haxhistasa, Anastas Golemi, e më pas edhe Dritan Matraku e Petrit Zanaj, dhe tavolina mbushet palot. Pritej edhe një mik tjetër, i ftuar special për Mbrëmjen Festive, artisti i madh Mirush Kabashi.   
            Rreth tavolinës të gjithë flasin për të njëjtën temë, për festën tonë të madhe, Pavarësinë e Shqipërisë. Nuk mungojë edhe fjalët e mira e urimet për shoqatën “Bijtë e Shqipes”, për punën e madhe që bën kjo shoqatë, e në veçanti për masat organizative që janë programuar për Mbrëmjen Festive, që do të organizohet në mbrëmjen e kësaj dite.
            Dhe z. Mirush Kabashi, që vjen për herë të parë në shoqatën tonë, mbasi ka vizituar të gjithë ambientet e shoqatës, i shoqëruar nga Llazari, që në këto raste nuk lodhet së spieguari, si një cicerone i kualifikuar, shprehet:         
            “……Kam qenë në disa vende nëpër botë, kam njohur shumë njerëz që punojnë pa u lodhur për çështjen tonë kombëtare, kam parë e njohur edhe shoqata e grupime të ndyshme, por organizimin që ka shoqata juaj, punën e madhe që bënë ajo në shumë drejtime, si këtu tek ju, nuk e kam parë asgjekundi. Veçoj dy drejtime të punës suaj të palodhur: bashkimin e shqiptarëve pa dallime krahinore apo mendime fetare e politike, si dhe shkolla e suksesshme për mësimin e gjuhës shqipe, fëmijëve të familjeve shqiptare. Ju përgëzoj dhe ju uroj për këtë…..” 
            Mendimin e tij e mbështetën edhe miqtë e tjerë, zotërinjtë Barjam Berisha, Mezan Resuli e Hazbi Çollaku.        
            Me shkëmbim mendimesh dhe foto të shumta u mbyll ky takim i bukur me miqtë tanë, për t’ia lënë vendin takimit tjetër në Mbrëmjen Festive.

STIKERAT

            Qysh disa muaj më parë, z. Artur Vero, dashamirës i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, nga Kanadaja, i telefonoi xhaxhait të tij në Filadelfia, Llazarit dhe e njoftoi se stikerat për festën tonë të flamurit do i përgatiste ai. Edhe për 100 Vjetorin e Pavarësisë, stikerat, ai na i dërgoi.    
            Disa ditë më parë Llazari erdhi në shoqatë me pakon e ardhur nga Kanadaja e në të 3.000 copë stikera. Fusha e kuqe me shqiponjën dykrenore në mes e në të dy anët e saj vitet 1912 – 2017, i përshateshin për mrekulli kësaj feste. Filluan shpërndarjet e para të tyre, ende pa ardhur data e 28 nëntorit, çka bëri që më vonë bashkatdhetarët t’i kërkonin gjerësisht ato. Kështu filluan të duken nëpër Filadelfia, stikerat e ardhur nga Kanadaja për festën e Flamurit në qytetin ku punon shoqata “Bijtë e Shqipes”, vendosur jo vetëm në gjokset e bashkatdhetarëve, në veshjet e tyre, por edhe në makinat që ata drejtojnë. Nuk është rastësi, që në këto ditë të ftohta nëntori, shikon të qarkullojnë nëpër rrugët e Filadelfias makina me stikerat që bëmë fjalë.    
            Nëpërmjet falenderimit tonë për z. Artur Vero, për dhuratën e çmuar që na bëri, i dërgojmë atij edhe urimet tona për shëndetin e tij dhe të familjes

NUK E LËMË TRADITËN TË ZBEHET

            Qysh sa filloi ky vit, vit të cilin Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” e ka shpallur vitin e Pavarësisë, z. Llazar Vero shprehu mendimin:  
            “……Ne e kemi patur në traditën tonë, që për festat e mëdha venim e vinim në familjet e njëri-tjetrit për të uruar. Këtë traditë të bukur, them që të mos e lëmë të zbehet këtu në Filadelfia. Për 105 Vjetorin e Pavarësisë të fillojmë të bëjmë vizita për të uruar, në familjet e komunitetit tonë. Do të jenë këto vizita që do t’i vazhdojmë, për t’i treguar të gjithëve, jo vetëm brenda Komunitetit Shqiptar, por edhe më tej, që ne jemi të bashkuar, jemi pranë njëri – tjetrit, jo vetëm në raste fatkeqësish, por dhe për festa e gëzime. Festa e Pavarësisë është më e madhja festë jona dhe më e rëndësishmja për të gjithë kombin dhe këto vizita e urime, nëpër familjet e bashkatdhetarëve do të na shërbejnë për të gëzuar së bashku, por edhe për një njohje më të mirë të punës së shoqatës ndër familjet e bashkatdhetarëve, por do të krijojnë mundësi edhe për afrime të reja në radhët e shoqatës…..”      
            Ky ishte mendimi i tij, ndërkohë që bëri të qartë edhe detajet se si do të realizohej kjo nismë. Të gjithë e përkrahën. U la si detyrë për të gjithë anëtarët e këshillit drejtues që të pyeten familjet e bashkatdhetarëve tanë, për këto vizita urimi. Jo se mund të kishte ndonjë familje që nuk do të pranonte vizitat e tilla, por më tepër për të përcaktuar se në çfarë kohe do të ishin të përshtatshëm familjet, për të pritur vizitat e urimit, mbasi dihen vështirësitë që lidhen me kohën e punës tek gjithsecili.         
            Erdhi data 20 nëntor, e përcaktuar si datë e fillimit të këtyre vizitave që do të zgjasnin 10 ditë, deri më 30 nëntor.           
            Vizita e parë u bë në familjen e z. Ahmet Shabani. E pastaj edhe tek ajo e Llazar Veros. Në ditët në vazhdim, u uruan për pavarësinë edhe familjet e Muhamet Bicit, Hajredin Kaca, Agim Barjami, Milot Rukiqi, Bastri Bajo, Dritan Matraku, Lumni Shurdhiqi, etj. Grupe që përfaqësonin Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, të përbërë nga Tajar Domi, Llazar Vero, Hysë Hasa, Idajet Ago, Dritan Matraku, Bujar Gjoka e Bujar Çela, gjetën në këto vizita, një mjedis të ngrohtë dhe dollitë për Ditën e Flamurit shoqëruan urimin për këtë festë.          
            Në të gjitha familjet u shpreh gadishmëria për të qenë ditën e Martë më 28  Nëntor 2017, në sheshin para bashkisë së Filadelfias, në ceremoninë për ngritjen e Flamurit Kuq e Zi.      
            Vizitat për urimin e festës sonë të madhe, vazhduan deri më 30 nëntor edhe në familje të tjera.

MBRËMJA FESTIVE

            Anëtarët e Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” shikoheshin të lëviznin të shqetësuar, për përgatitjen sa më të mirë të sallës, në lokalin Canstater V.V., në adresë: 9130 Academy Rd. Philadelphia PA 19114, ku do të zhvillohej mbrëmja festive e 105 Vjetorit të Pavarësisë. Jo se kishin lënë diçka mangët për këtë mbrëmje, por emocionet e suksesit gjithmonë janë të pranishme në të tilla festa të mëdha. Duke filluar që nga kryetari i shoqatës z. Tajar Domi, i shqetësuar për ardhjen e të ftuarëve dhe deri tek anëtari i thjeshtë, vihej re emocioni. Kështu në orën e caktuar çdo gjë ishte gati. Dritan Matraku qysh ditë më parë kishte përgatitur skenarin e drejtimit të mbrëmjes. Bujar Gjoka kishte përfunduar dhënien e biletave edhe për të ardhurit e fundit. Hakiu, Bashkimi, Hazbiu dhe Bujar Çela përfunduar stendën e festimit, kurse Llazari veç të tjerave kishte marrë me vete edhe vlerësimet që do të shpërndaheshin në këtë mbrëmje.            
            Salla ishte zbukuruar më së miri. Në krye të saj ishte vendosur një banderolë ku lexohej në shqip dhe anglisht: “Gëzuar 105 Vjetorin e Pavarësisë Shqipëri!”. Në hyrje, në krahun e majtë të sallës ishte vendosur një flamur i madh, para të cilit ishte stenda që përmendëm më lartë, me flamuj shqiptar e amerikan, me dy portrete të heronjve tanë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Ismail Qemali dhe me një buqetë të madhe me lule.   
            Dalëngadalë salla mbushet plot, kurse grupi muzikor, i ardhur më shpejt, tashmë është gati.       
            Të ftuar në këtë mbrëmje, Ambasadorja e Shqipërisë në Washington DC, znj. Floreta Luli-Faber me bashkëshortin si dhe kryetari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, prof. dr. Skënder Kodra me bashkëshorten.           
            Mbrëmja çelet me Himnet e Amerikës dhe Shqipërisë e mbas tyre Z. Tajar Domi, përshëndet të pranishmit dhe prezantoi edhe të ftuarit duke i falenderuar ata për praninë e tyre në këtë festim. Më pas ai ia dha fjalën z. Bujar Çela, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës për fjalën e rastit. Z. Bujar, midis të tjerave theksoi rëndësinë e kësaj date për të gjithë shqiptarët si dhe vëmendjen që i kushtojmë ne këtu në Filadelfia. Ai e mbylli fjalën e tij me urimin: “Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti e bekoftë Amerikën”.

            Ishte caktuar që këtë mbrëmje festive të drejtonte z. Dritan Matraku, nënkryetar i dytë i shoqatës dhe duhet thënë që në fillimse ia doli mbanë shumë mirë. Ai ia la radhën grupit muzikor, i përbërë nga këngëtarët Mira Konçi, Edi Duro e Nazife Bunjaku të shoqëruar nga mjeshtri Shpëtim Saraçi në tasierë dhe Sokol Asllani në klarinet.       
            Këngët dhe vallet shoqëruan gjatë gjithë kësaj mbrëmje festive, të ndërthurura dhe me përshëndetje e njoftime të ndryshme.      
            Në përshëndetjen e saj, Ambasadorja znj. Floreta Luli-Faber mbasi foli për rëndësinë dhe vlerat  që ka data e 28 Nëntorit për të gjithë shqiptarët anë e kënd globit ku punojnë e jetojnë, theksoi edhe punën e madhe që bën shoqata “Bijtë e Shqipes” në organizimin e veprimtarive të datave të shënuara për kombin tonë, por dhe në ruajtjen e gjuhës shqipe, nëpërmjet shkollës shqipe që ka hapur prej shumë vitesh.    
            Me shumë admirim dhe duartrokitje u prit i ftuari i veçantë i kësaj mbrëmje, artisti Mirush Kabashi, që me interpretimin e tij virtuoz mori duartrokitjet e forta të pjesëmarrësve në sallë.   
            Një vend të veçantë në këtë mbrëmje patën edhe fëmijët e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” që nën drejtimin e mjeshtrit Hamdi Gjana, u pëlqyen për interpretimin e këngëve shqip.  
            Po ashtu, këshilli drejtues i shoqatës kishte vendosur edhe disa vlerësime, për ata që janë dalluar apo kanë ndihmuar shoqatën. Llazar Vero, Tajar Domi, dhe Bujar Gjoka lexuar motivacionet e vlerësimeve që u shpërndanë.       
            Këngëtarja jonë lirike me famë botërore, soprano Ermonela Jaho u nderua me titullin “Anëtar Nderi i Shoqatës” për kontributin që jep në rritjen e emrit të Shqipërisë nëpër Botë si dhe për vlerësimin që i ka bërë shoqatës tonë, sa herë ka qenë midis nesh.           
            Anëtarët e shoqatës Hysë Hasa dhe Kiço Kokthi u vlerësuan me “Nderi i Komunitetit”, për punën e vazhdueshme që kanë bërë si anëtarë aktiv dhe ndihmën konkrete që kanë dhënë gjatë jetës së shoqatës.           
            Bisnesmenët Barjam Berisha, Mezan Resuli dhe Dorjan Kongoli u vlerësuan me “Mirënjohje” për ndihmën që i kanë dhënë shoqatës, në veçanti shkollës shqipe “Gjuha Jonë”         
            Me “Mirënjohje” u vlerësuan edhe z. Bastri Bajo dhe shtëpitë botuese  në Tiranë, “ALBAS”, PEGI” dhe “Shkronjë pas shkronje”, për ndihmesën e dhënë me libra për shkollën shqipe “Gjuha Jonë”.        
            Me këngë, valle e përshëndetje kaluan shumë shpejt orët sa që askush nuk e besonte se kaloi mesi i natës. 
            Me fotot e shumta  si dhe me urimet:  “Kështu bashkë qofshim gjithmonë” dhe “Ta gëzojmë festën e Flamurit” u mbyll kjo mbrëmje festive, për t’ia lënë vendin ditës së Martë më 28 Nëntor 2017, kur në qendër të Filadelfias do të celebrohet ngritja e flamurit të kuq me shqiponjën dykrenore në mes.
         

 

HAPPY 105TH YEAR OF INDEPENDENCE ALBANIA!

            Kompania elektrike PECO, në qendër të Filadefias, në pjesën më të lartë të godinës kryesore, ka një ekran elektronik ku mund të lexohen apo shikohen reklama të ndryshme dhe urime apo përshëndetje. Pesë vjet më parë shoqata jonë bëri kërkesë dhe ajo u aprovua nga drejtuesit e kompanisë që më 28 Nëntor 2012, me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në këtë pikë të lartë të qendrës së qytetit të shfaqej urimi për festën e Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe ashtu u bë. Qysh nga ai vit, çdo 28 Nëntor shfaqet në ekran urimi.     
            Kështu ndodhi edhe këtë vit. Kërkesa jonë për të shfaqur urimin u aprovua dhe në dy data rresht atë të 28 dhe 29 Nëntorit nga ky ekran elektronik lexohet në të gjithë qendrën e Filadelfias, por edhe më tej urimi me gërma të mëdha:        
             HAPPY 105TH YEAR OF INDEPENDENCE ALBANIA!         
            GËZUAR 105 VJETORIN E PAVARËSISË SHQIPËRI!
            E pamë në video këtë urim dhe nuk mund të rinim pa e parë në vend. Mbas ngritjes së flamurit tonë në qendër të Filadelfias, lëvizëm nëpër disa rrugë në qendër të qytetit dhe ngado që shkuam kthenim kokën nga pozicioni ku ishte godina kryesore e kompanisë PECO dhe lexonim me kënaqësi: “Happy 105th Year of Independence Albania!”. Nuk kishim si të mos ndiheshim krenar kur në qendër të qytetit ku është shpallur pavarësia e këtij shteti të madh, lexojmë urimin për Pavarësinë e Shqipërisë. Është ky urim kuptimplotë që mbyll edhe veprimtaritë që organizoj Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia për festimin e 105 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, këtu në kontinentin e largët.

NGRITJA E FLAMURIT NË QENDËR TË FILADELFIAS

 

                Dhe vjen data 28 Nëntor, dita kur plaku Ismail Qemali, në vitin 1912, ngriti flamurin në Vlorën heroike duke i treguar gjithë botës se Shqipëria e vogël është e pamvarur. 105 vjet më pas, në qendër të Filadelfias ngrihet përsëri flamuri ynë. Krahas atij Amerikan. Ishte kjo ngjarje që do të kurorëzonte me sukses, të gjitha veprimtaritë e muajit nëntor.    
            Në sheshin para bashkisë, flamujt tanë, bënë që ky shesh të dukesh i kuq. Kënga dhe vallja e të rinjve i ndryshojnë pamjen sheshit aq sa edhe kalimtarët kur e mësojnë se çfarë ndodh, futen edhe ata në valle.
            Ora 11:00 AM fillon ceremonia e ngritjes së flamurit. Ekzekutohet Himni Amerikan e pastaj, nën tingujt e Himnit tonë Kombëtar, që këndohet nga të gjithë , në shtizën e caktuar për flamurin tonë, dalëngadalë ai i drejtohet lartësisë. Këtë vit nderin për ngritjen e tij e pati z. Barjam Berisha, bisnesmen nga Tirana dhe anëtar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.      
            Kur të dy flamujt, ai Shqiptar dhe ai Amerikan, u valëvitën në shtizat përkrah njëri-tjetrit, z. Tajar Domi bëri përshëndetjen e kësaj ceremonie.      
            Në përshëndetjen e tij me titull “105 vjet Shqipëri e pavarur”, ndërmjet të tjerave ai theksoi:     
            “…. Ndjehemi të emocionuar që për të gjashtin vit radhasi Komuniteti Shqiptar në Filadelfia, e për rreth saj, bashkohet në këtë shesh qëndror për ceremoninë festive të ngritjes së flamurit tonë Kombëtar, në përkujtim të kësaj dite të 105 viteve më parë….. “  
            Në vazhdim ai përmendi përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri e pavarëësi, padrejtësitë që i janë bërë kombit shqiptar, kontributin që jep vendi ynë në problemet e ndryshme si dhe porositë për të trashëguar te brezi i fëmijëve tanë, gjuhën e bukur shqipe, kulturën dhe historinë tonë kombëtare.  Më tej ai falenderoi bashkinë e qytetit dhe shtetin e Pennsilvanisë për mundësinë që u japin komuniteteve të ndryshme, midis tyre edhe atij shqitar, që të evidentojnë e manifestojnë për ngjarjet e mëdha historike, siç është edhe dita e jonë e flamurit. Në përfundim ai e mbylli me fjalët: Rroftë 28 Nëntori, 105 vjetori i ditës së flamurit. Rroftë Shqipëria dhe Kombi Shqiptar. Zoti e bekoftë Amerikën.          
            Mbasandej përshëndetën edhe dy përfaqësues të bashkisë së qyteti, znj. Sheila Hess, përfaqëauese e qytetit të Filadelfias dhe znj. Symbol Lai, zv/drejtore e zyrës për çështjet e emigracionit. Ato i dorëzuan z. Tajar edhe një proklamatë të Bashkisë së Filadelfias për komunitetin tone.        
            Pastaj përsëri këngë e valle. Në vazhdim festa u çvendos në mjedisin e brendëshëm të bashkisë. Në sallën e caktuar për këtë qëllim, në shoqërinë e një koktejli u festua për rreth dy orë.      
            Kështu u mbyll edhe kjo ngjarje e shënuar, që si thashë më parë ishte finalja e të gjitha veprimtarive të këtij muaji. Edhe ne urojmë:     
            GËZUAR 105 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

    

                        Vlashi Fili

            Filadelfia, 30 Nëntor 2017

 

Comments

comments