Një urim për një zonjë të letrave shqipe

Nga Armela Hysi

E kam zakon që kur fillon një muaj i ri, sjell në mendje ditëlindje të miqve, të afërmve, a njerëzve që ndikojnë në jetën tonë, që njoh ose kam dëgjuar se kanë lindur në atë muaj. Kështu edhe me të filluar dhjetori kujtova mes të tjerëve njerëz të dashur edhe një emër të përvetshëm në vyrtyte e cilësi, por të përbashkët për shumë nga miqtë e librit shqiptar. Kujtova  një Zonjë të Letrave Shqipe që në ditën e sotme, 8 dhjetor, feston ardhjen në jetë, Vilhelme Vranari Haxhirajn, apo Vivrën tonë të thjeshtë, siç kërkon me modesti të quhet nga miqtë e saj dhe që duket se ka jo pak. Padyshim, përderi sa jo pak janë lexuesit e rreth 40 librave që ka botuar në dy dekadat e fundit të jetës së saj, nga të gjitha zhanret e lëvrimit të letërsisë shqiptare. Nuk janë të paktë miqtë shkrimtarë e poet që vlerësojnë prurjet e saj të begata dhe plotë mendimtari jete.

Jeta e një shkrimtari (artisti në përgjithësi, por e shkrimtarit në veçanti) gjithmonë është një jetë e dyfishtë. Brenda një qenieje është ajo që jeton në të përditëshmen dhe ajo që thur brenda botës së vet krijuese. Dhe këto dy botë, të çfarëdolloj kalibri qofshin, ushqejnë njëra-tjetrën. Po të bazoheshim në mendimin e Uaild, sa më e thjeshtë të jetë ajo e para, aq më e mbizotërueshme është ajo krijuesja, si dhe sa më e pakokmplikuar dhe e qetë të jetë ajo e fantazuara e krijimtarit, sa më e reduktuar pra fuqia e veprës, aq më me peripeci dhe me vrull, është ajo e vet autorit. Një llojë përpjestimi i zhdrejtë, përderi sa autori jeton ose në jetën e tij, ose në atë të krijimeve të tij me densitetin e përqendruar, por jo në të dyja, gjë që të vë në dilemë si krijues, se cila vlen vërtetë të jetohet. Por për shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj, këto dy botë kanë qenë, në sytë e mi të paktën, gjithmonë një spiral i vazhdueshëm, i dyfishtë, që spërdridhet e gjarpëron si në skiptrin e Hermesit. Vetë forma e acidit deoksiribonukleik të jetës brenda bërthamës së qelizave të çdo gjallese, që në një vazhdimësi zhvilluese dhe përpjestuese, por gjithmonë si binom i pandarë, krijojnë qelizat e reja, faqen tjetër të jetës dhe librit. Kjo, sepse zonja Vivra nuk ka një jetë të thjeshtë dhe të qetë, as të parëndësishme për kombin tonë dhe as një krijimtari të tillë. Në biografinë e saj do të mund të lexojmë prejardhjen nga një derë fisnikësh, pinjolle e fisit të Arianitëve, një nga familjet më të lashta të Kaninës etj. Por unë nuk do qëndroja aty, sepse ajo nuk është një gjë që e ka në dorë njeriu, është fat, që për mua jo i rastësishëm, por do hynim në degëzime metafizike, që largojnë vëmendjen nga ajo që dua të nënvizojë sot në këtë pikë. Unë do të qëndroja në vetë jetën personale të një fëmije të rritur në acarin e një diktature të egër komuniste, që i mori asaj dhe familjes së saj të drejtat më themeltare të një njeriu e jo pak, por pothuajse për pesë dekada, një jetë të tërë, i kufizoi e ngurtësoi çdo kënaqësi, shpresë, ambicie profesionale apo krijuese, nën tutelën e frikës dhe ndjenjës së inferioritetit ekstrem e pasiv. Kjo është e rëndësishme të njihet mirë, të vihet në dukje për të gjithë personat që e kanë provuar e jetuar, por kryesisht krijuesit. Pikërisht se duke bërë jetë të dyfishtë, jeta e nundimshme e tyre ka vlerë të dyfishtë. Jeta e pajetuar krijuese, është një jetë e vrarë gjithashtu. Prandaj një ditëlindje e festuar sot, ( të mos harrojmë se e nisa këtë shkrim si urim, pra që të gëzojmë) është dhe një ditëlindje e dyfishtë. Një urim për jetë të gjatë të Vivrës tonë dhe një Urim për jetë të gjatë të Krijimtarisë së Shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj.

Kur përmendim të gjitha këto, një mendja të thotë se krijimtaria e autores Vranari, do ishte kryekëput një ankesë e madhe kundër vuajtjeve të saja personale dhe do kishte të drejtë, padyshim, që është dhe detyra historike e sociale e të gjithë atyre që e përjetuan këtë pisllëk mizor shoqëror të ngritjes së vëllait, kundër vëllait, për ideologjinë shterpë të pushtetit, (siç dhe u kuptua se qe ajo periudhë dhe ajo “Luftë klasash”, tashmë që jemi larguar “nga mali i lartë” dhe e shohim të tërin – po perifrazoj me humor të zi për të shprehur atë kohë “famëmadhe”) duhet ta përshkruajnë, dokumentojnë, demaskojnë. Por Vranari është një shkrimtare e vërtetë. Si person unë mohoj ta quaj viktimë të diktaturës, është një e Mbijetuar! Si shkrimtare ajo është në ballin e të fortëve të paepur, që zhvesh padrejtësitë nga kamuflimi luksoz dhe i paraqet me format e bëmat e tyre reale para  lexuesit shqiptar, i cili edhe pse i jeton çdo ditë, me cilësinë e antarit të shoqërisë, jo gjithmonë është i mprehtë për t’i vëzhguar, arsyetuar e logjikuar…

Kjo ndodh se shpesh kominiteti nuk i vë re, madje është prehë e një shprese të paarsyeshme dhe impotente se, gjërat do t’i rregullojnë të tjerët apo koha, gjë që tregon se është i mefshtë në veprim e arsyetim. Autorja flet për të djeshmen, flet për të sotmen, flet për të nesërmen. Flet për shqiptarët, flet për europianët, flet për të gjithë njerëzit që kërkojnë të shohin të vërtetën përmes vetëdijes së saj të gjiganduar në sprova dhe të mishëruar në fjalë.

   Bota ka njohur dhe është frymëzuar nga shumë gra krijuese, aktiviste, me përmasa relative në shumë kohëra historike, dhunuar gjithfarësojësh nga diktatura të shumllojëngjyrash, që fanellat nuk i “shpëtojnë” dot të mos njehsohen në një trup të turpshëm kanceroz, dritëshkurtër. Fjala e tyre, ndoshta vetë vdekja ose jeta e tyre, apo vepra e tyre, gjatë kohës së diktaturës, a si dëshmitare të mbijetuara, kanë një vlerë sublime. Të tilla si:Ahmatova, Isabel Allende, “Las mariposas” Mirabal, Musine Kokalari ka për detyrë t’i nderojë njerëzimi, ashtu dhe të drejtat themeltare të çdo jete, duke marrë gjithsecili, përgjegjësinë e vet reale, personale, në jetën e tij, që sado e papeshë të duket, diferenca është universale. Për këto shkruan shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, që edhe se është nderuar me disa çmime, është ende shumë pak; ashtu siç, prodhimtare siç është në krijimtarinë e saj, ka nevojë të ndihmohet që të botojë më me lehtësi e të përfitojë nga arti e puna e saj, për gjithë dobinë që sjellë në shoqëri.

  Për dashurinë shkruan Vilhelme Vranari Haxhiraj, mes dy shpirtrash, romantike, mëmësore, familjare, shoqërore, erotike, pasionante, profesionale, atdhetare. Për dashurinë për të bërë mirë, për vyrtytin, për drejtësinë – shpirtërore dhe insitucionale. Për dashurinë për dijen, që pothuajëse në gjithë krijimtarinë e saj i ngre pjesë-pjesë një kult. Për fjalën dhe puthjen, për artin dhe heshtjen. Për njeriun dhe mbivlerësimin, apo nënvlerësimin e tij. Për shpirtin dhe jetën, apo nënndarjet e shumëfishimet e tyre.

Gëzime dhe lumturi!Shëndet dhe frymëzim në një jetë të gjatë, plotë suksese!

Armela Hysi

Athinë 8-12-2017

 

 

 

Comments

comments

-----