Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” me një koncert festiv për festat e fundvitit 2017-të

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Do punoj për Mëmëdhenë/ gjithë jetën sa të rroj/ do t’i zgjoj edhe ata që flenë/ kështu jetën ta mbaroj…  Gjerasim Qiriazi

 

Edhe pse e shtuna e dhjetorit ishte me ngricë dhe në degët e pemëve me trungje të hirta cicëronte ëmbël tek tuk ndonjë zog me pendë të mëndafshta, nxënësit shqiptarë u mblodhën në folezën e tyre të ngrohtë pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” për të kënduar SHQIP.

ABC –ja e Gjuhës sonë Hyjnore në interpretimet mjeshtërore të nxënësve dukej sikur nga prushi i shkronjave të zjarrta, shkrinte ngricat në majat e pemëve si dhe ndër çatitë që në ndonjë cep të tyre varej në ajër si një mini ujëvarë e ngrirë nga e ftohta e dimrit në këto ditë dhe netë të vona…

Rrugët për të ecur në udhët e dritës nuk janë të lehta, por asnjeherë të pakapërcyeshme pasi vetëm këto udhë gjithmonë kanë një kurorë drite që çajnë terrin dhe përhapin atë që ëndërron njerëzimi: dritë dhe dituri.

Dhe s’ka më ëmbël dhe më bukur, kur këtë udhë e bën së bashku me nxënësit dhe ata me abetaren në dorë që e kanë biblën dhe kuranin e shqiptarëve mësojnë SHQIP!  Ndonëse të lindur dhe rritur larg trojeve të prindërve të tyre, ata të befasojnë me vullnetin dhe dëshirën e tyre, ata te magjepsin kur flasin dhe këndojnë shqip.  Nga përvoja me shumë dekada si një mësuese midis dy kontinenteve pohoj se vetëm shkolla është institucioni më i kualifikuar, klasat me grupe moshash të ndryshme, mësimi që dëgjohet direkt nga mësuesi në klasë, përgatitja dhe bashkëpunimi me njeri-tjetrin, arrijnë ëndrrën e tyre dhe të gjyshërve për të mos e harruar kurrë GJUHËN SHQIPE…

Ditën e shtunë nxënësit shqiptarë veshur me ngjyrat kuq e zi, me flamuj me shkabën dykrenore në mes, si dhe me bluzën me logon e “Alba Life”, erdhën të qeshur dhe me sytë që u ndrinin si llambushka nga gëzimi për të dhënë koncertin për festat e fundvitit.

Në këtë festë të Shkollës Shqipe “Alba Life” e cila operon në disa lagje të Nju Jorkut nderuan me pjesëmarrjen e tyre z.Armand Shandro, këshilltar në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara si dhe znj.Teuta Ulaj zv/drejtoreshë në shkollën publike amerikane PS:38.

Prindërit shembullorë që bashkëpunojnë aq ngushtësisht me stafin e shkollës Shqipe “Alba Life”, bisedonin grupe grupe dhe ndanin përvojat e tyre nga jeta e shkollës dhe flisnin plot krenari për fëmijët që sjellin në shkollë për të mësuar Gjuhën Shqipe.

Nuk ka më bukur do të më shprehej një prind kur shikoj fëmijën tim në skenë që këndon dhe flet shqip!  Une lotoj kur shikoj nipin tim kur reciton për Skënderbeun do te më thoshte një nga gjyshërit që morën pjesë në këtë koncert.  Mirënjohje të pakufishme shprehu një gjyshe e moshuar që ka ardhur muajtë e fundit në Amerikë.  Ajo tha se Shkolla Shqipe më krijoi mundësinë për ta sjellë nipin tim dhe të mos e ndjejë aq fort ndarjen nga shokët dhe shoqet e shkollës atje, sepse këtu ai gjeti një vatër shqiptare.

Gjuha Shqipe do të rrojë sa të jetë njerëzimi, sepse për këtë luftuan të parët tanë, për këtë luftuan Rilindasit e shquar të cilët dhanë jetën dhe luftuan deri në frymën e fundit për mbrojtjen e Gjuhës Shqipe, ku sot tingëllojnë mjaft aktuale vargjet nga Rilindasi ynë Gjerasim Qiriazi, si: Do punoj për Mëmëdhenë/ gjithë jetën sa të rroj/ do t’i zgjoj edhe ata që flenë/ kështu jetën ta mbaroj… 

Programi i shkollës Shqipe “Alba Life” për festat e fundvitit

Një atmosferë tejet festive pushtoi sallën kur yjet me simbole të festave në kokë përgatitur nga mësuese Vlera filluan të ngjiteshin në skenë, ndërsa në dy korridoret e auditoriumit parakalonin flamurtarët si Jaiden Doci dhe Brian Muda të cilët mbanin në duar Flamurin shqiptar dhe amerikan. 

Programi është prezantuar mjeshtërisht nga tre Yje: Arsi Muda, Dea Kerliu dhe Boris Pero.

Sapo ata filluan përshëndetjen si: Mirëdita, Mirëdita të dashur bashkatdhetarë, mësues, prindër, nxënës!  Mirë se keni ardhur për të festuar së bashku!  Gëzuar Festat e fundvitit, salla shpërtheu në duartrokitje dhe me kënaqësi ndiqnin gjithçka që po luhej në atë skenë, ndoshta nga skenat më mahnitëset në botë dhe këtu e kam fjalën si shqiptarë duke shpresuar se aspak nuk e teproj sepse kur them mahnitëse, doemos që është për të gjithë nxënësit shqiptarë që janë shpëndarë në çdo cep të globit dhe kryejnë misionin më fisnik: mësojnë Shqip.

Arsi tha se: E hapim programin me këngën “Ty Flamur të duam shumë” 

Le të këndojmë të gjithë së bashku për këtë ditë të shenjtë për të nderuar të gjithë si Ismail Qemalin që ngriti Flamurin në Vlorë së bashku me Isa Boletinin, le të nderojmë të gjithë Rilindasit për kontributin e vyer për Kombin dhe Gjuhën amtare

Të tre drejtuesit prezantuan vehten si:

Unë jam Arsi Muda nxënës i Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island, shkollë që është hapur 10 vjet më parë.  Unë do të prezantoj programin që kanë përgatitur nxënësit e Shkollës Shqipe nën kujdesin e mësueseve të dashura Entela Muda, Vlera Thaqi, Adelina Laçaj, Mimoza Dacaj, Ardita Vadahi, Elda Ahmet dhe Kozeta Zylo nën drejtimin e sopranos së shquar Dëshira Ahmeti Kerliu. 

Unë Jam Dea Kërliu nxënëse e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island!

e cila është një vatër e Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Unë do të prezantoj programin që kanë përgatitur nxënësit e Shkollës Shqipe. 

Ndersa Borisi tha: Une jam nxënës i shkollës Shqipe “Alba Life” dhe kam vetëm nëntë  muaj që jam larguar nga Atdheu, por jam shumë i gëzuar që këtu në New York gjeta një Shqiperi të vogël! 

Ftojmë në skenë z.Qemal Zylo themelues i Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në disa lagje të Nju Jorkut!

Z.Qemal Zylo pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe iu ka uruar atyre gëzuar festat e fundvitit ka falënderuar në mënyrë të veçantë të gjitha mësueset si: Entela Muda, Vlera Thaqi, Adelina Lacaj, Mimoza Dacaj, Ardita Vadahi, Elda Ahmet dhe Kozeta Zylo nën drejtimin e sopranos së shquar Deshira Ahmeti Kerliu. që kryejnë këtë mision të shenjtë, nxënësit që mësojnë me kaq zell nën punën e kujdesshme të prindërve dhe të gjyshërve të tyre. Dua të falënderoj gjithashtu bashkëpunëtorët tanë të TV “Alba Life” ndërkohe dhe prindër pranë kësaj shkolle: si Shpëtim Bardhi dhe Safet Doci, Agron dhe Afrim Tahiri si dhe studentin nga Baruch college Klaus Sharra.

Ai falënderoi dhe shprehu mirënjohjen gjithashtu për z.Amrand Shandro për pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet shkollor dhe kulturor si dhe zonjën Teuta Ulaj z/v drejtoreshë në shkollën publike amerikane PS:38. 

Sot të gjithë këta nxënës që shikoni në skenë janë si rezultat i punës së mësuesëve që përmenda më lart nën udhëheqjen plot përkushtim dhe talent të sopranos së shquar Dëshira Ahmeti Kërliu.

Kur e filluam këtë punë më shumë se 10 vjet më parë patjetër që i parashikuam sukseset dhe pengesat, por Gjuha jonë hyjnore të jep forcë, të jep dritë, energji dhe mbi të gjithë të jep frymë sepse Gjuha Shqipe është identiteti ynë kombëtar do të thoshnin Rilindasit të cilët punuan deri në frymën e fundit.  Z.Zylo iu uroi gjithe pjesëmarrësve dhe nxënësve: Gëzuar festat e fundvitit!

 Arsi me lirshmëri i pyeste: A po kënaqeni me programin?  Pjesëmarrësit shpërthenin në duartrokitje duke miratuar gëzimin dhe kënaqësinë që iu jepnin fëmijët në skenë.

Prezantuesi ftoi në skenë nxënësit e shkollës shqipe në Queens, shkollë që ka vetëm një vit që është hapur.  Nxënësit janë përgatitur nën kujdesin e mësueseve Ardita Vadahi dhe Alda Ahmet

Nxënësit e Ardita Vadahi

Arsi: Ilirjan Karamuca: “Sa të dua o Shqipëri” Asdreni

Nevil Vadahi “Flamuri”

Nxënësit e mësuese Alda Ahmet

Alba Vadahi Për Shqipërinë nga Tahir Hysa

Era Vadahi: 28 Nëntor, i dhe ngjyrë Atdheut nga Alma Papamihali

Pas nxënësve të Quinsit në skenë u ngjitën nxënësit e shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn që është një qendër arsimi dhe kulture në gjuhën Shqipe…  Falënderime të veçanta ju shkojnë mësueseve Adelina Laçaj dhe Mimoza Dacaj

Nxënësit e mësuese Adelina Lacaj

Gjuha e mëmës, Naim Frasheri Eneo Rustani

Dea Kërliu ftoi ne skene nxënësit Blenda Shehu e cila recitoi Sa e bukur Gjuha Jonë dhe o trima luftëtarë. Kelvi Rustani: Flamuri/ Erla Lamçe “Mos harro” që je shqiptar!

Me nxënësit e Mimoza Dacaj:

Amela Myftari Kam një kukull në kuti/ Isabela Myftari Mace mace!/ Rilind Shehu: Unë quhem Rilindi/ Jori Lamce: Abetarja ime.

Pas Brooklinit u paraqitën nxënësit e shkollës shqipe në Staten Island të përgatitur nga mësueset Entela Muda, Vlera Selaj dhe Kozeta Zylo.

Me nxënësit e mësuese Entela Mudës:

Liljana Imerovski dhe Reona Kovaci: Memedheu nga Çajupi/ Arlinda Tahiraj, Laura Tahiraj dhe Alton Selmani: Korça nga Naim Frashëri/ Drilind Bardhecaj Ku kam lerë nga Çajupi/ Rilind Bardhi Korça nga Naim Frasheri/ Loriana dhe Ilirian Thaqi: Gjuha jonë/ Jaiden Doci: Unë jam Ismail Qemali!

Me nxënësit e mësuese Kozeta Zylos

Arsi Muda: Krujë o Qytet i bekuar!  Naim Frashëri/ Dea Kërliu: Gjuha Shqype Gjergj Fishta

Alba Luka: Jam shqiptare/ Boris Pero: Flamuri: Faik Konica

Programi vazhdoi me këngën “Për mëmedhenë” kënduar nga kori si dhe me këngën e Alfabetit:

Udha e shkronjave në të cilën e këndoi kori dhe shoqëruar nga nxënësja e talentuar Dea Kerliu

Teksti është shkruar nga Parashqevi Qiriazi dhe për herë të parë u këndua në mitingun e shkronjave në Korçë, më 14 shkurt 1910, pra është këngë prej 107 vjetësh dhe do të rrojë sa të ketë frymë shqiptari mbi dhe. 

Dea ftoi në skenë korin me këngën: Zilet tringëllijnë,  shoqëruar ne piano nga nxënësja e talentuar Dea Watkins si dhe këngën e Vitit te Ri!

Le ta mirëpresim Vitin e Ri me gëzim dhe dashuri dhe le të këndojmë të gjithë së bashku!

Programi u mbyll me këngën: “Gjuha Shqipe” të cilën e këndoi Kori i shkollës.  Kënga e Gjuhës Shqipe është dhe hymni i Shkollës Shqipe “Alba Life”, kompozuar nga pianisti i mirënjohur Petrika Melo dhe me tekst nga shkrimtarja Kozeta Zylo.

Arsi Muda e mbylli programin duke falënderuar si: “Prindër ju dëgjuat një program të bukur artistik të realizuar plot dashuri nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”, të gjithë ju bashkatdhetarë ju ftojmë të sillni fëmijët pranë shkollës shqipe “Alba Life” dhe të jeni të sigurtë se mot ata do të jenë së bashku me ne në skenë për të nderuar Flamurin Kombëtar dhe Kombin!

Muda ftoi në skenë z.Armand Shundra këshilltar në Misionin e Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara.  Z.Shundra falënderoi në emër të qeverisë të gjithë pjesëmarrësit, themeluesin e shkollës Shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo, gjithë mësueset që punojnë me kaq përkushtim dhe pohoi se ndihej tejet i emocionuar me këtë koncert mjaft të bukur të realizuar mjeshtërisht nga nxënësit e Shkollës Shqipe. 

Z.Shandro përmendi rreth bashkëpunimit me ministrinë e diasporës në Kosovë dhe unifikimin e programeve mësimdhënëse për gjuhën shqipe.  Ai tha se sic dhe e dini është krijuar Ministria e Diasporës e cila do të luajë një rol kryesor për lidhjet e ngushta midis Diasporës dhe Shqipërisë.  Z.Shandro iu uroi gjithë pjesëmarrësve gëzuar festat e fundvitit dhe premtoi për një bashkëpunim dhe më të ngushtë!

Një përshëndetje të ngrohtë dhuroi dhe zonja Teuta Ulaj, z/v drejtoreshë e shkollës publike amerikane PS:38 e cila na nderoi me pjesëmarrjen e saj.  Ajo tha se dua të falënderoj të gjithë nxënësit kokë më kokë për këtë koncert kaq të bukur, mësueset e përkushtuara dhe prindërit që i sjellin me kaq dashuri.  Unë emocionohem shumë kur dëgjoj nxënësit që recitojnë poezi nga Rilindasit tanë, mësojnë Gjuhën Shqipe dhe për këtë na bëjnë të sigurtë se këta po vazhdojnë rrugën e Rilindasve dhe Gjuha Shqipe do të rrojë përjetësisht.  Ju uroj të gjithëve: Gëzuar Festat e fundvitit!

Arsi Muda Dea Kerliu dhe Boris Pero falënderuan së bashku:

Faleminderit, Faleminderit të gjithëve!  Gëzuar Festat e fundvitit dhe mirë u takofshim në vitin 2018-të!

16 dhjetor, 2017

Staten Island, New York

 

Comments

comments

-----