ADELA CAUSHLLARI: “NDOSHTA JEMI SHUME TE TALENTUAR POR SHUME PA FAT QE JEMI LINDUR KETU”

 “Anabela” nga Adela  Prifti – Çaushllari është një nga romanet më të rinj në treg nga Shtëpia Botuese Dituria i cili u ekspozua edhe në Panairin e 20-të të Librit Tirana 2017.  Historia për të cilën flitet nuk ka sic jemi mësuar të lexojmë në qendër të subjektit ndonjë dramë shqiptare apo komuniste a postkomuniste. “Anabela” është tërësisht një risi. Një dramë amerikane për ata mijëra të rinj shqiptarë që e duan ëndrrën amerikane, kinematografinë dhe librat çlodhës rozë. Historia është mbështjellëse, dinamike, e këndshme për lexime,  në fundjavë gjatë  vjeshtës me shi apo në dimër  pranë  oxhakut.

Në këtë intervistë Adela Caushllari ka rrëfen mbi librin e saj e nëpërmjet  këtij rrëfimi deri diku edhe veten si një shkrimtare që premton.

Intervistoi Arben Lagreta

Si ka lindur Anabela, çfarë ju ka ngacmuar që ju jeni ulur dhe keni shkruar?

Unë shkruaj për gjëra që më pëlqejnë, ashtu si çdokush që shkruan besoj. Këtu kam parasysh pasionet e mia të mëdha, gjërat që më bëjnë të mendoj, më lenë pa frymë. Dashuria për kinemanë e cila mblodhi pas vetes dashuri të tjera, më shtyu që të nisja një prozë e cila u bë roman. Që në krye e dija që do të ishte një libër drejtuar tregut ndërkombëtar, prandaj nuk doja që t’i drejtohesha vetëm lexuesit shqiptar. Kjo vazhdon të jetë ëndrra ime. Anabela në kokën time, gjatë kohës që e shkruaja, zhvillohej si një film. Këtë doja ta thoja për ata që mbrojnë tezën se një shqiptare duhet të shkruajë vetëm për Shqipërinë. As Dante Aligeri nuk ka qenë në ferr kur shkroi për të. Imagjinata ka qenë gjithmonë në gjendje të kapërcejë  përtej. Kështu ndodhi edhe me Anabelën 7 vite më parë. Një ditë të bukur befas trillova imazhin perfekt të saj si një aktore e re dhe shumë e bukur.

Flitet për një dramë amerikane, ngjarjet të rrëfyera në libër sa të lidhura dhe i përafrohen realitetit tuaj? Pse një dramë amerikane?

Mund të ishte fare mirë edhe një dramë shqiptare por problemi është se imagjinata ime  ngec. Nuk e trilloj dot. Kjo sepse këtu nuk ka familje aktorësh të llojit amerikan. Këtu ka aktorë të mrekullueshëm por nuk i plotësojnë kriteret në kokën dhe fantazinë time. Kur them se bëhet fjalë për një familje të madhe aktorësh, dramë, 5 motra, shumë para, sukses, etj, ju vjen në mendje ndonjë familje shqiptare? Mua jo. Prandaj nuk mundesha të gjeja një qytet apo qoftë një lagje të Tiranës për ta sjellë në jetë Anabelën. Ndoshta ne shqiptarët jemi shumë të talentuar por shumë pa fat që jemi lindur këtu.

Për sa i përket ndjesive. Ti asnjëherë nuk mund ta dish çfarë ndjen tjetri, i çfarëdo nacionaliteti qoftë. Mundesh vetëm ta imagjinosh. Dhe duhet edhe të japësh gjithçka nga vetja. Vetëm kështu mund të bashkohesh me dhimbjen e personazhit tënd. Nuk është dhimbja jote por ti e ndjen sikur të ishte e jotja.

Pse titulli “Anabela”?

Ishte emri i parë që më erdhi në mendje. A nuk ju ngjan me një aktore apo princeshë? Në një kohë kur nuk ekzistonte asnjë Anabela tjetër publike, për sa informacion kam unë. Pastaj e lashë ashtu, nuk e ndërrova më.

-Në kopertinën e librit, është motra juaj Greta. Na flisni më shumë rreth idesë së kësaj kopertine?

Nuk po gjeja dot asgjë që të më kënaqte shqisat. Kopertina është një nga pjesët më të vështira sepse është komunikim direkt me lexuesin. Gretën ma sugjeroi disa muaj më parë bashkëshorti por e përjashtova sepse sytë nuk më përshtateshin me Anabelën. Më pas ishte Soni, agjenti i Gretës (ajo është modele e Sonny’s Angels) i cili më propozoi të njëjtën gjë. Fotoja në kopertinë ka qenë ndër shkrepjet e para. Ndodhi thjesht, natyrshëm, pa prova. Greta është fotozhenike.

Ky është tashmë libri juaj i parë por i shkruar më herët. Pse vendosët ta publikonit tani?

Është e thjeshtë. Shkrimtarët e rinj e kanë të vështirë futjen në treg. Kostoja e botimit është shumë e lartë. Fitime nuk ka. Humbja e parave është e garantuar. Shtëpitë botuese nuk janë të hapura ndonëse jo gjithmonë.. Frika se publiku nuk do ta presë mirë. Mungesa e kurajos. Mungesa e një redaktimi të mirë. Pata fatin të gjej një redaktor si Bardhyl Xhama. Libri është punuar disa herë. Dua të them gjithashtu për të gjithë ata shkrimtarë të rinj se botimi i librit të parë të shton dëshirën për të vazhduar.

Sic e thatë edhe vetë gjatë bisedës, letërsia, ka qenë një dëshirë e hershme e juaj. Kur e keni kuptuar pasionin për letërsinë?

Po, ka qenë dëshira ime e përhershme, që kur isha në shkollën fillore. Më ka shoqëruar.

Tek cila gjini jeni më shumë e fokusuar në letersi?

Mua më pëlqen jashtëzakonisht rrëfimi dhe proza. Më pëlqen të tregoj. Më pëlqen gjithashtu monologu e dialogu. I dua dramat e Shekspirit. E dua tragjedinë. Kur personazhet flasin me njëri-tjetrin, dhe sidomos kur flasin me veten, tregojnë shumë nga dilema e tyre e brendshme, atë çka mendojnë, atë që kanë në zemër. Ashtu si zonja Makbeth. Dhe në fund ka gjithmonë një mesazh. Është bukur kur vepra ka një mesazh.

Cilët janë autorët që ju frymëzojnë për të shkruar?

Çdo autor është një frymëzim për mua. Kudo mund të marrësh diçka të bukur.

Si një shkrimtare e re që jeni, si e shihni tashmë këtë rrugë që keni ndërmarrë? Si e shihni letërsinë shqiptare?

Shumë të vështirë. Dyert mezi hapen. Megjithatë jetës nuk i dihet asnjëherë. Kryesorja është të të dojë lexuesi. Sa më shumë duar ta prekin librin aq më shumë me fat është autori. Secili nga lexuesit ka një mendim dhe secili mendim është me vlerë. Letërsia shqiptare është e bukur, por ka qenë më e bukur nga ç’është. Migjeni është i papërsëritshëm. Agolli është një humbje e madhe.

Ndonjë projekt së shpejti në krijimtari?

Po shkruaj një tjetër roman mbi një vajzë që e gjen veten vullnetare në Lindjen e Mesme. Kam shumë dashuri për këtë temë. Dhe nëse kam dashuri për një subjekt romani ecën. Dora e parë ka përfunduar. Tani po e rishikoj. Nuk kam qenë ndonjëherë në Lindjen e Mesme, as në Afrikë, as si vullnetare por shpresoj shumë të shkoj një ditë.

INTERVISTOI:   ARBEN LAGRETA

TIRANE, DHJETOR  ‘2017

Comments

comments

-----