DEKLARATAT E BURRËRISË

Deklarata të burrave trima e atdhetarë, përpara Gjykatës Komuniste, në mbrojtje të pafajsisë së udhëheqësve të Ballit Kombëtar të Vlorës.

 

Nga Enver Memishaj

 

Dëshëroj të plotësoj personalitetin e disa burrave si Murat Tërbaçi, Dhimitër Konomi, Rebi Alikaj, Dr. Enver Zazani, Rexhep Sulejmëni e Halim Dervishaj, me deklaratat që kanë bërë parpara gjykatës komuniste në vitin 1945, kur gjykoheshin udhëheqësit e Ballit Kombëtar të Vlorës, të ashtuquajturit kriminelë të luftës.  

Janë deklarata të dhëna në kohë rreziku, kur shumë burra me emër e atdhetarë shkonin në plumb e litar, nga gjykatësit kriminelë komuniste të tipit Qemal Klosi, Islam Harizi, Mantho Rrapo, Nihat Lekdushi, Themi Konomi, Vefik Sula, Gaqo Floqi, Frederik Nosi, Veledin Zeneli, Selim Alimerko, Namik Xhafa,  etj, pa pasur asnjë faj. Këta terrorist komunist bënin gjyqe qesharake por me përfundime tragjike.

Në ato gjyqe, të shfrytëzuara edhe për hakmarrje dhe inate personale, kriminelët injorantë komunistë i merrnin vendimet mbi bazën e dëshmitareve 17, 20 apo 23 vjeçar, apo edhe më të mëdhenj që dëshmonin apo shpifnin me pasion dhe urrejtje për armiqtë e partisë! 

Në kohë terrori u dalluan disa burra që të udhëhëqur nga tradita dhe zakonet e mira shqiptare shkuan përpra gjykatës komuniste dhe dëshmuan për të vërtetën dhe faktin, në mbrojtje të udhëheqësve të Ballit Kombëtar të Vlorës.  Deklaratat e këtyre burrave, ose daklaratat e burrërisë, të lëshuara në kohë rreziku i ngre lart vlerat e tyre si atdhetarë, si burra trima dhe si qytetar që nuk heshtën përpara krimeve komuniste.

Ato deklarata të shkurtëra na paraqiten sot me ide e vlera të mëdha dhe janë njëkohësisht  shembull i qëndresës ndaj padrejtësisë dhe përbëjnë aktakuza për terrorin komunist të ushtruar mbi popullin tonë.

  1. Deklarimet për Maliq Koshenën

Maliq Koshena kishte lindur në Dukat në vitin 1900. Me thirrjen e Skënder Muços, Tahir Hoxhës dhe Hysni Lepenicës u lidh me Ballin Kombëtar dhe u emërua koamndnat i çetës së Dukatit dhe më pas koamndnat batalioni. Më 30 nëntor 1943  në krye të fshatarve dukatas i bëri ballë sulmit të forcave të Brigadës Parë dhe të pestë që pabessht sulmuan Dukatin.

Në vitin 1945 u denua me 20 vjet burg dhe në vitin 1949 u ridënua me vdekje dhe u pushkatua në prill të vitit 1950. Varri tij nuk u gjet.

Deklarata e Murat Tërbaçi.

“I nënshkruari Murat Miftar Tërbaçi, banues në Ujë të Ftohtë parashtroj sa më poshtë vijon:

I ndjekur dhe i persekutuar nga gjermanët e tërbuar, duke lënë në vend banesën me gjith pasurinë time personale shkova me gjith familje dhe u instalova në katundin Dukat ku qëndrova një kohë të gjatë.

Gjatë kësaj kohe në këtë zonë kanë kaluar shumë ushtri naziste me qëllime opertaive  me objekt spastrimin e zonës nga partizanët dhe nga misionet e huaja.

Është e vërtetë se në atë kohë unë banoja në një zonë jo të Frontit [Nacionalçlirimtar], jo në luftë direkte me okupatorin dhe për pasojë shumë herë e ndieja veten të tronditur. Mirpo nga sa mendoja unë konstatva krejt të kundërtën.

Sa herë që parashikohej të dilte ushtri gjermane Maliq Koshena vetë personalisht  ose me ndonjë të dërguar të tijën më njoftonte situatën dhe merrte masat preventive të sigurimit tim duke më vendosur në familje të tjera. Ai nuk mungonte kurrë të interesohej për sigurimin tonë, sepse ne ishim  shume veta që kërkoheshim e dihej që jeshëm vendosur në Dukat. Janë të pa numurta kujdesjet  dhe sigurimet që Maliq Koshena ka kryer për mua  vetëm mjafton të kujtoj disa fakte:

Në operacionin e dimrit të madhin, ka ardhur në Dukat një kompani gjermane. Maliqi ka marrë të përmëndurit  dhe i ka siguruar në shtëpitë që deshën ata, disa ditë rrjesht dhe më në fund i ka shoqëruar nën përgjegjësinë e tij ku deshën ata dhe për këtë ka hyrë edhe në grindje me eksopnent të Ballit Kombëtar që deshën t’i pushkatonin për hakmarrje.

Maliq Koshena ka qenë komandant i Dukatit dhe neve na ka mbrojtur shumë sado që në luftën e Dukatit [më 30 nëntor 1943] u vranë shumë. Mua bile më ka vënë edhe njerëzit e tij roje. Sado që komandant ai sillej mirë. Bile ky ka zënë edhe nipin tim vëllanë e Hysni Kapos, e mbajti mirë dhe e shpuri atje ku deshi ai vetë. Sa herë që vinin gjermanët na lajmëronte duke më thënë mos u tremb edhe kur më vinin letra nga çupat e mia  dhe nga Hysni Kapua më porosiste që ti grisja se mos m’i zinin. Kudo që ka qenë Maliq Koshena është sjellë shumë mirë  si në Tërbaç  dhe në vende të tjera.

Unë kam konstatuar vetë se shumë partizanë  që kanë ardhur në Dukat ai i ka lënë të lirë dhe mbas disa kohe kanë shkuar ku kanë dashur. Asnjëherë nuk ka penguar ai vetë kalimin e sendeve ushqimore për në zonat e lira.

Kam qënë në mbledhje dhe kam dëgjuar fjalët e tij që i thoshte popullit. Fjalët e tij nuk ishin të një reaksionari koshient në veprimet e tij, porse të një njeriu që për oportunitet interesohej që të mos digjej fshati, rrinte larg nga lufta e hapur me armikun. Ai i cilësonte veprimet e armikut shumë të rënda dhe të rrezikshme. 

Shokë! Unë si njeri i Frontit por jo në korent të çdo veprimtarie duke mos u interesuar për anën e kundërt të pasqyrës biografike të Maliq Koshenës që unë nuk e shof.  I prekur në ndërgjegje dhe për t’i shërbyer drejtësisë së popullit për të vënë në ballancë të drejtësisë veprat e Maliq Koshënës e quaj për detyrë të parashtroj sa më sipër me lutje që të bashkohet me dosjen e Maliq Koshënës.

Vlorë, më 20.2.945 Të fala shoqërore  Murat Tërbaçi”.  (Arkivi MPB, D. 263, f.20)

Deklarata e Dhimitër Konomit.

“Unë Maliq Koshenën e kam njof se në vitin 1943 unë me Murat Tërbaçin kemi qënë me familje në Dukat. Të pandehurin e njof për bujar dhe njeri të ndershëm  dhe të mos ishte ai neve do të ishim të vdekur nga gjermanët. Ai na shpëtoi. Neve në Dukat shikonim të gjitha veprimet dhe kemi konstatuar se ai lehtësonte trasportin e bereqetit të bukës  dhe përkrahte çdo partizan. Mua më ka ndjekur Balli dhe nuk më zuri dot. Kur erdhi gjermani në Dukat për operacion Maliqi na lajmëroi neve.

Kur Fronti sulmoi Dukatin, gjermanët kanë ardhur në Dukat gjashtë orë pas luftës, kur kishin ikur partizanët dhe nuk është e vërtetë t’i ketë thirrur Maliqi.

Kush e njef Maliq Koshenën do e nderojë shumë, do e përkrahë se ka bërë shumë të mira, nderime dhe përkrahje. I pandehuri ka shpëtuar të vëllanë e Hysni Kapos. Pse nuk u hodh me Frontin unë nuk di se ç’arsye e ndaloi. 

Deklaruesi Dhimitër Konomi banues në Ujë të Ftohtë”. (Arkivi MPB, D. 263, f.17)

 

2.Deklarimet për Abdul Kuçin

Abdyl Kuçi leu në Kuç të Vlorës më 12 maj 1883. U laurua në Stamboll doktor në drejtësi. Fliste turqisht, arabisht, italisht dhe frëngjisht.

Punoi në Qeverinë e Ismail Qemalit. Më 1920, ishte një ndër udhëheqësit e Luftës së Vlorës dhe prokuror i Komisionit të luftës. Më 1920 – 1922 botoi në Vlorë gazetën “Fjala e lirë”. Më 1923, u zgjodh deputet i Prefekturës së Gjirokastrës. Më 1924, u emërua Prokuror i Përgjithshëm në qeverinë e Fan Nolit. Në fund të vitit 1924, emigroi jashtë atdheut.

Pas faljes nga qeveria e Ahmet Zogut, kthehet në atdhe dhe ka punuar si avokat, pa u shkëputur asnjëherë nga veprimtaria atdhetare dhe kulturore.

Në Lëvizjen Antifashiste,  ishte një nga udhëheqësit e Ballit Kombëtar në Vlorë.

Në dhjetor të vitit 1944 u arrestua në Tiranë dhe u pushkatua më 13 maj 1945 në Vlorë. Për Shqipërinë, ai ishte internuar nga Turqia në Arabi; nga Austro – Hungaria më 1918; nga Italia më 1920 , Enver Hoxha e pushkatoi më 1945.

Ndërmjet të tjerëve për pafajsinë e Abdul Kuçit dhe Sadik Bora ka deklaruar Rebi Alika.

Cili është Rebi Alikaj?

Ai u lind më 13 mars të vitit 1913, në Kuç të Vlorës. U shkollua në Shkollën Tregëtare. Që në bankat e shkollës nën drejtimin e mësuesve Kolë Kamsi dhe Jani Minga u muar me mbledhjen e visareve folklorike të Labërisë.

Gjatë viteve 1940- 1942, ai punoi si redaktor në gazetën “Tomorri”  dhe gjatë kësaj kohe botoi mjaft artikuj, historik, folklorik, publiçistik etj. 

Në vitet 1945 – 1964, ai punoi si redaktor në gazetën “Bashkimi”, revistat “Bujqësia” dhe “Hosteni” si dhe në  organe të tjera të shtypit. Rebi Alikaj vdiq në një moshtë të re 63 vjeçare, më 8 shtator 1976, duke lënë në kulturën shqiptare gjurmë të pa shlyera.

Deklarata e Rebi Alikaj për Abdul Kuçin.

“I nënëshkruari Rebi Alikaj, nga katundi Kuç i Kurveleshit, i datëlindjes 1913, banues në Tiranë, redaktor i gazetës “Bashkimi”, organ i Frontit Nacionalçlirimtar, kam nderin të parashtroj Gjykatës Ushtarake të Vlorës sa vijon:

Rreth të akuzuarit av. Abdul Kuçi, i cili më kish shënuar si dëshmitar, për arsye se detyra dhe vështirësitë e komunikacionit shkaktuan që të mos vija dot ditën e dëgjimit të dëshmitarëve, lëshoj këtë deklaratë, që gjykata t’a ketë parasysh, duke e përfillur si një dëshmi timen, para se të jap vendimin.

Avokat Abdul Kuçin e njoh prej shumë kohësh si bashkfshatar dhe duke qenë dajua i një kushëririt tim, këjo gjë ka shkaktuar që të kem shpesh herë letër shkëmbim me të dhe takime.

Në sajë të kësaj njohje dhe të kësaj marrëdhënie në fund të dhjetort 1943 i jam lutur me anë të një letre që të njoftonte nënën e vëllezërit e mi në Kuç për vrasjen e vëllait tim Qani Alikaj që ra duke lëftuar kondra gjermanëve dhe mercenarëve në Polis të Elbasanit bashkë me disa shokë të tjerë të Brigadës së III-të, në të cilën ky bënte pjesë. Këtë gjë i akuzuari e ka kryer dhe në një letër që ja ka drejtuar familjes sime në Kuç është shprehur shumë i dëshpëruar për këtë humbje, sipas sigurimeve që më ka dhënë motra dhe vëllai Nexhip.

Në fund të marsit 1944, kur ka ardhur në Tiranë bashkë me familjen e tij, duke banuar disa kohë pranë Demir Kallaratit gjersa gjeti një banesë me qira, ka ardhur dhe në shtëpinë time për ngushëllim dhe aty, pas një bisedimi që kemi patur, av. Abdyl Kuçi u shpreh keq kondra ballistëve dhe qeverisë kuislinge të asaj kohe. Urrente terrorin dhe krimet që kryenin organizata e Ballit dhe qeveria kuislinge… Në observacionin që i bëra përse kishte marrë pjesë në Komitetin e Vlorës [të Ballit Kombëtar], më theksoi se e kishte imponuar populli, ishte zgjedhur prej këtij dhe lidhja e ngushtë që ka patur me familjen dhe pasurine si dhe rrethin shoqëror e detyronin të bëhej viktime, vetëm e vetëm që të mundej të shpëtonte ndokënd nga ndjekjet dhe të evitonte hajdutëritë…

Jam takuar shpesh herë edhe më vonë në Tiranë duke i shkuar edhe në shtëpi, ku shpesh herë kam fjetur atje, kur mësoja se do të bëhej ndonjë kontroll ose kufizim në lagjen ku banoja. Aty nga mezi i prillit më ra rasti që të bisedoj me Hasan Dostin, me të cilin i kishim ngjitur banesat, dhe ky më tha rastësisht se kuçjotët i kanë dalë të pabesë Ballit. Pas observacioneve të mia theksoj se flamurin i pari e kish marrë Abdul Kuçi dhe u shpreh keq për këtë, duke shtuar se më keq për të fliste Lumo Skëndua. Në bisedimin që pata me av.Abdul Kuçin e pyeta se ç’ishin arsyet që ballistët kishin filluar ta urrenin. Ky më tregoi dy letra, nga të cilat njëra dërguar të akuzuarit nga Lumo Skëndua që e ftonte të nisej për në Vlorë dhe i tërhiqte vrejtjen se nuk tregohej besnik karshi Ballit sa duhej. Tjetra e shkruar prej Av. Abdul Kuçit për Lumon, kopje kjo, në të cilën ky i theksonte, midis të tjerave se nuk ishte raja e askujt dhe as që mund të vazhdonte të bëhej vegël e kujt…

Sipas fjalëve të Hasan Dostit, Lumua ish bërë helm e vrer dhe kish thënë se Abdul Kuçi të paktën nuk i kish respektuar moshën, mirë që nuk dëgjoj t’u bindej urdhërave të tij dhe u hoth mënjanë.

Më 20 Maj 1944 më ka arrestuar policia e Tiranës dhe më mban të burgosur, në birucat e policisë ditë me radhë. Gruaja ime mbetej me dy kalamaqër pa asnjë pështetje në mes të katër udhëve të Tiranë. Ajo pas këtij arrestimi për lirimin tim ka shkuar dhe i është lutur Abdul Kuçit të intervenonte pranë Mato Muratit, kolonel i policisë, bashkfshatar i të akuzuarit dhe mik i tij familjar, aq më tepër porsa që rezultonte se arrestimi im ish bërë nga ky dhe në dijeninë e akuzave që më bëheshin ishte Matua. I akuzuari ka përkrahur familjen time dhe po të mos ish interesimi i tij dhe presioni si mik familjar që ka ushtruar mbi Mato Muratin, natyrisht, duke marrë parasysh akuzat e dokumentuara të policisë, i nënëshkruari nuk do ish liruar kurrë dhe kështu bashkë me të tjerë shokë do jeshë dërguar në Prishtinë ku s’ish çudi që të pësoja po atë fat që pësuan shokët e tjerë të pushkatuar. Është fakt konkret që mua më ka shpëtuar jetën, në atë rast Abdul Kuçi.

Aty nga gushti në Tiranë ishin mbledhur një tufë këlyshësh të Gestapos, të larguar nga Vlora, midis të cilëve edhe një farë Sulo Pipa. Një ditë duke kaluar rastësisht u ndala pak për të kërkuar një mik në kafenenë e Shero Eminit që kish në Tiranë, në pazarin e vjetër. Aty kam dëgjuar nga Sulo Pipa që bisedonte me disa shokë se “me anë të gjermanëve do të ja tregonte vëndin trathëtorit Abdul Kuçi”. Mbi këtë gjë lajmërova avokatin dhe pas pyetjeve që bëra më rezultoj se në atë kohë ish lëshuar një trakt kondra të akuzuarit Abdul Kuçi nga Risiliotë dhe se një kapiten i Gestapos që rrinte në Vlorë kish ardhur dhe kish pyetur, bile tek një farë Mehmet Toska, që dinte gjësendi ku ndodhej Abdul Kuçi. I akuzuari rrinte i fshehur prej asaj kohe dhe banonte herë në shtëpinë e Vehbi Toskës, herë në atë të Shefik Kondit dhe herë në banesa të tjera miqsh e të njohurish në Tiranë.

Shpesh herë kisha biseduar me të dhe aty nga fundi i gushtit në shtëpinë e Vehbi Toskës e gjeta tok me Rasim Babameton i cili e ftonte që të largoheshin për të shkuar në Shkodër dhe s’andejmi për të vajtur në mërgim, jashtë Atdheut. Avokat Abdul Kuçi nuk pranoi një propozim të tillë dhe bile shtoi se pranonte që të vdiste në Atdheun e tij dhe për fajet që mund t’i atribuoheshin të jepte llogari, duke shtuar se ay e kish ndërgjegjen të qetë dhe se karshi Atdheut nuk kish bërë ndonjë gjë të keqe.

Herë pas here i kisha folur për të marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe të hidhej në radhët e kësaj, por ky shtoj se konstitucioni fizik nuk e lejonte për një ndërmarrje të tillë. Bile kështu m’u shpreh edhe kur dolli thirrja e lëshuar nga Fronti më datë 22 shtator 1944.

Midis këtij dhe ballistëve kish hyrë një urrejtje dhe bile këta të fundit e akuzonin rëndë. Një ditë, në një vënd të pa diktuarëshëm nga organet e sigurimit, u takua me Xhemil Meçon nga Smokthina dhe aty bisedim pas bisedimi, u kapnë me këtë. Xhemili e akuzonte këtë si sabotator të Ballit dhe simpathizues të Lëvizjës Nacionalçlirimtare. Bile ju shpreh dhe kështu: “Ti që kur erdhe në Tiranë, duket se të hoqi për hundësh Rebiu”. Kam ndodhur vetë prezent kur kanë zhvilluar këtë bisedim. Abduli i tha: “Kur mbeti politika në dorën tënde që di vetëm të shesësh qep e piper, lumi pse s’na merr”.

Në bazë të instruksioneve që kisha kam intervenuar tek Abduli duke i thënë që të këshillonte miqt e të njohurit e tij të braktisnin radhët e Ballit dhe të kuislingëve.

Në sajë këshillave të tij ka dalë si përfundim se janë arratisur plot 47 vetë të tillë, duke marrë dhe materialin ushtarak që kishin, sidomos tre mitralozë të lehtë e një të rëndë dhe vetë i kam shpurë në radhët e partizanëve në Babrue të Tiranës si udhëheqës pasi nuk e dinin vëndin.

Aty nga tetori, në shtëpinë e të akuzuarit kam takuar edhe Shefqet Musarajn që kish ardhur nga Priska me shërbim dhe qëndronte i fshehur.  Kam konstatuar në atë rast, se në shtëpinë e tij hynin e dilnin, për bisedim me Shefqetin, njerëz të lëvizjes, për punë shërbimi.

Në ditën e fundit të Shtatorit, duke shkuar për një vizitë tek i akuzuari, kam gjetur një veturë tek dera e shtëpisë. Mësova se ja kish dërguar Isuf Luzaj nga Kanina, për ta marrë që të qëndronte tek Bazi i Canit dhe po ta shihnin keq të kalonin jashtë atdheut. Njeriut të dërguar i është përgjegjur negativisht duke i theksuar se nuk munt ta bënte një akt të tillë, pasi e kish ndërgjegjen të qetë karshi vendit të tij.

Shtoj se një ditë më thotë një tiranas, Sherif Putra, që Abdul Kuçi ta mbyllte gojën sipas pikëpamjes së zogistëve. E pyes këtë sesi dhe më thotë Sherifi se kish dëgjuar nga disa Beshiraj sikur gjoja Abdul Keçi e kish sharë partinë e Legalitetit dhe këta e kishin halë në sy. Këto deklarata janë që di dhe i kam konstatuar vetë, kam parë me sytë e mi e dëgjuar me veshët e mi, për tjetër as që kam dijeni.

Vlorë, 6 Maj 1945. Deklaruesi Rebi Alikaj” (Arkivi MPB D. 380, 35-37)

 

3.Deklarimet për Sadik Çoban Bora

Sadik Bora kishte lindur në Vajzë në vitin 1903. Me thirrjen e Hysni Lepenicës ai u angazhua në radhët e Ballit Kombëtar kryesisht në prapavijë në bashkpunim me Uan Filipin. Ishte nje autoritet i kësaj organizate në Vlorë. Sadikun e akuzuan se kishte bashkpunuar me italianët dhe mbante përgjegjësi për pushkatimin e  katër fshatarve të tij nga italianët, por dëshmitarët dhe të afërmit e të pushkatuarve e nxjerrin të pafajshëm. Në vitin 1945 Sadik Bora u dënua me burgim të përjetshëm, pas disa vitesh doli nga burgu dhe vdiq në Vlorë. 

Deklarata e Rebi Alikaj për Sadik Çoban Bora.

“I nënshkruari Rebi Alikaj nga Kuçi Kurveleshit i datëlindjes 1913, me qëndrim në Tiranë, redaktor pranë gazetës “Bashkimi” deklaroj:

Sadik Çobanin nga Vajza e kam njohur gjatë vitit 1944 në Tiranë dhe me të nuk na lidh asnjë miqësi ose gjini.

Në saje të kësaj njohje qysh aty nga gushti i vitit 1944 kam biseduar me të për t’u hedhur në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar. Ne saje të këtyre bisedimeve Sadiku ka dhënë pëlqimin e vet dhe kështu më 13 tetor 1944 kish nisur vëllanë e tij Myqeremin për në Priskë. Unë e kam takur këtë pranë teqes bektashiane në Tiranë kur kthehesha nga Shtabi Korparmatës së Parë që e kish qendrën në Shkallë të Tiranës. E ktheva nga rruga dhe po atë ditë bisedova me Sadikun që t’i vihej punës të tërhiqte edhe elementë të tjerë. Sadiku dërgoi njerës në Shijak për të këshilluar miqtë e të njohurit që ndodheshin atje, që kishin ardhur me çetat e Ballit Kombëtar për të braktisur radhët e asaj organizate. Di se janë larguar nga Shijaku për në Pezë në radhët partizane disa vetë, në bazë të këshillave që ju kish dërguar i akuzuari si miq që i kish dhe kanë marrë pjesë në luftimet kundra gjermanëve.

Një gjë të tillë e ka kryer edhe me shokë e miq të tjerë që ka pasur Sadiku në Tiranë. Në këtë mënyrë kemi qënë në kontakt me njeri tjetrin. Sadiku ka bindur  një sasi të mirë gjindarmësh dhe ish ballistë nga qarku i Vlorës me të cilët më 26 tetor 1944, së bashku kemi dalë nga Tirana për t’i udhëhequr  duke i shpurë në Shtabin e Batalionit të Tretë të Brigadës së Parë. Njerëzit që janë rekomanduar  dhe përqafuan këshillat e Sadikut kanë marrë me vete dhe materialin luftarak. 

Në atë kohë që jemi nisur Sadiku ka ardhur vetë bshkë me dy vëllezërit e tij Myqeremin dhe Metlli Çobanin dhe me njerëzit që ky kish mundur t’i bindte  për t’u hedhur në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ky kish dashur të shkonte më parë  por mbasi u ndie nevoja që të tërhiqeshin e të këshillohshin të gabuarit u ndal për deri më atë datë që iku për në radhët e Frontit Nacinalçlirimtar.

Di gjithashtu se Sadik Çobani gjatë muajve të fundit në Tiranë rrinte i vetmuar  dhe nuk shoqërohej me asnjë nga ballistët. Tjetër nuk di. Për sa më sipër e lëshoj këtë deklaratë të nënshkruar prej meje.

Vlorë, më 9 maj 1945    Vdekje Fashizmit. Liri Popullit. Rebi Alikaj” (Arkivi MPB D. 3953, f. 16 )

Deklaratë e Rexhep Sulejmënit

“Unë i nënshkruari Rexhep Sulejmëni nga Vajza deklaroj sa më poshte:

Me qën se para Gjykatë Ushtarake kur u thirra si dëshmitar i Sadik Borës nuk m’u dha rasti të dëshmoja rreth arrestimit të katër vajziotve [fshtarëve nga Vajza]  gjë për të cilën akuzohet Sadik Bora prej basaj gjykate.

Një akuzë e tillë nuk është me vend dhe kam bindje se Sadik Bora nuk ka qenë shkaktar në asnjë mënyrë i këtij arrestimi. Për hir të së vërtetës lëshoj e nënshkruaj këtë deklaratë.

Vlorë më 29.5.1945  Vdekje Fashizmit. Liri popullit. Deklaruesi Rexhep Sulejmëni

(Arkivi MPB D. 3953, f. 18 )

4.Deklarimet për Dhimitër Kol Bala                                                            

Dhimitër Bala ka lindur në Vuno në vitin 1908. Ka qenë mësues dhe emigrant në Amerikë. Në vitin 1920 vullnetarisht u kthye për të luftuar në Luftën e Vlorës. Për trimëri dhe zotsi të treguar në atë luftë u gradua officer xhandarmërie në Delvinë, Tepelenë etj. Pjesmarrës në revolucionin e qershorit 1924. Emigroi jashtë shtetit dhe u kthye në vitin 1939. U emërua kuestor në Vlorë e Durrës, por ka ndihmuar fuqishëm Luftën Antifashiste. Më 25 qershor 1945 u dënua me vdekje dhe u ekzekutua. Djali tij Foto Bala vuajti 25 vjet burg.

Deklaratëa e Dr. Enver Zazanit

“I nënshkruari dr. Enver Zazani, mjek, banues në Bulevardin e Madh, nr. 6, deklaroj:

Gjatë kohës që ka qenë si kuestor në Durrës z. Dhimitër Bala kam patur rastin të bisedoj shumë herë me të. Ai ishte shumë i matur, ishte në favor të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

Një herë kur më patën arrestuar nipin tim Fiqiri Sinoimeri tash komisar politik në batalionin e Brigadës 22 i cili ishte kapur në manifestimin e popullit të Durrësit ditën e Flamurit, shkova tek z. Bala  me gjith vështirësitë se kërkonin ta mbanin në bug e lëshoi menjëherë, brenda ditës. Ai më këshilloi që ta largoja nga Durrësi sa më parë se do ta kapnin përsëri agjentët e SIMI –t. Kur u arrestua Masar Shehu, di nga vetë Masari, që Dhimitër Bala e ka liruar dhe këshilluar  të largohej prej Durrësit.

Kaq di për Dhimitër Balë. V.F., L.P. Tiranë më 9.5.1945  Dr. Enver Zazani” 

(Arkivi MPB D. 397, f. 21)

5.Deklarimet për Qemal Xhelo Musaraj

Qemal Musaraj kishte lindur në Matogjin të Smokthinës në vitin 1907. Djali xhaxhait të tij Shefet Musaraj ishte një nga 200 komunistët e parë dhe bashkpuntor i Enver Hoxhës, por Qemali me thirrjen e Skënder Muços dhe Hysni Lepenicës luftoi në radhët e Ballit Kombëtar si komandnat çete i fshatit dhe komandnant i batalionit “Beuni”, që e krijoi vetë. U dënua me vdekje, me burgim të përjetshëm dhe vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1952.

Deklarata e Halim Dervishaj nga Ramica:

 “Qemal Xhelua vërtet ka qënë një elemet i Ballit Kombëtar  dhe komandant çete i Matogjinit, por mbi sa unë kam pyetur dhe për sa di për të nuk është e vërtetë që Qeriba dhe Elmas Derri të jenë dorëzuar në besim të Qemal Xhelos, por në besim të bashkkatundarëve të tyre e sidomos të Halim Imerit dhe Haxhi Hysenit. Nga ana tjetër sa për ekzekutimin e tyre në Vlorë Qemal Xhelua nuk ka qenë kopetent as t’i vrit as t’i shpëton, sepse aty ishën Sulo P. me të vëllan dhe Reis Sh. me të tjerë.

Sa për çështjen e Boderit që janë vrarë 11 vetë nga gjermanët, jo vetëm që Qemal Xhelua nuk ka qenë në këtë çështje, por ku pyesnin Hamdi Xh. e Ali R. sa që bënë si deshën vetë. Mbi sa lart shkruaj jam i sigurtë” (Arkivi MPB Dosja 516 fletë 42)

*     *    *

Nuk është vetëm një dëshmitar që ka deklaruar pafajsinë e të dënuarve të sipërm, ata janë shumë, por unë zgjodha ato dëshmi që janë bërë prej personaliteteve të njohura dhe të besur prej komunistëve. Kështu del më e qartë pafajsia e të dënuarve, që sot është konfirmuar me ligj dhe që janë duke u dëmshpërblyer për burgim të pa drejtë. 

Comments

comments

-----