U nda nga jeta historiani dhe atdhetari, Rasim Bebo!

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

     U nda nga jeta, Rasim Bebo, sot më 12 dhjetor 2017, historiani ,studiuesi, publicisti nacionalist dhe shqiptari që e donte kombin e tij të pagjymtuar.

  U njohëm me Z.Rasim vitin e kaluar më 14 tetor 2016 ,në Tiranë,  ku kaluam një ditë të bukurbashkë , Z. Rasim, Vullnet Mato, Bashkëshorti im ,Fitim Haxhiraj dhe unë. Ishte kënaqësi ta dëgjoje kur rrëfente.U ndamë si miq të vjetër, me shpresë se do të ritakoheshim, por…

    Shqiptari i madh, Rasim Bebo kishte lindur në Shalës, të Çamërisë, më 14 prill të vitit 1926 . Ka pasur një jetë mjaft aktive. Qysh në rini u rendit në Batalionin e parë të Shqipërisë Jugore  më 1943, me emrin “Çamëria”. I përndjekur nga forcat shoviniste greke,si gjithë thesprotët,  emigroi në tokën amë , më në veri, në Shqipërinë Londineze.

Ka kryer studimet e larta në Katedrën  Histori  Filologji. Si gjysma e shqiptarëve,  ka provuar  luftën e egër  të klasave nga diktatura komuniste. Ka punuar mësues, ushtarak si tankist, por qysh në vitet 60, ia mohuan profesionin .Pas viteve ’90 emigroi në ShBA, u vendos në Çikago, ku u muar me aktivitetet shoqërore ,  me studime historike dhe me publicistikë, duke realizuar ëndrrën që ia prenë në mes.

   Ka botuar  shumë libra, si:

“Zeusi”,

“Dodona”,    

“Artikuj dhe ngjarje “- (Pjesa- e parë dhe e dytë).

“Shqipëria në gjurmët e kohës”.

“Histori me shlkronja gjaku”.

 “Amerika me rrënjë shqiptare.” 

Shala e kalit të jetës”, – si dhe autor i shumë artikujve  historiko-socialo-politik, në organet e shtypit, mediat vizive dhe ato elektronike. Në gjithë krijimtarinë e tij Rasim Bebo dallohet për atdhedashuri, nacionalizëm  në mbrojtje të etnogjenezës së shqiptarëve, lashtësisë së kombit dhe si e ka vlerësuar bota kombin më të lashtë të kontinentit.

Le të shohim disa nga artikujt publicistikë të Rasim Bebos:

 

*Kristo Frashëri preu me gërshërë rrënjët tona pellazge”. 

*George Washington me nënë shqiptare”.  

*Frika e intelektualëve të politizuar nga emri “Pellazgë”. 

*Historia e Çamërisë së sakatosur”.

*Ç’përfaqëson Dodona mijëvjeçare  pellazge-për mollosët,

   thesprotët, kaonët e pasardhës”.

*Figura historike në Harresë”

*Strategjia e Ramiz Alisë”. 

*Pellazgpo-spartanët”- studim

*Rezoluta Çame u tradhtua”

*Kur del armike vete pjella çame! Fatkeqesia me e madhe”

*Çamëria e përgjakur”

      Rasim Bebo, si intelektual i mirëfilltë,i kompletuar  me arsim të lartë, njohës i gjuhës gjermane, dhe pse në moshë të madhe ,dallohet si activist në problematikat kombëtare. Të gjitha këto bënë që Rasim Bebo të fitojë respektin e shqiptarëve që u dhemb Shqipëria.
Punoi ky njeri i mirë, la vepra të vyera, la një emër që do të shkruhet me shkronja të arta , gjë që e bënë të paharrueshëm.. Por fatkeqësisht  Rasimi, ky njeri i dashur për të gjithë ata që e njihnin apo e kishin lexuar,  u nda fizikisht për t’u transformuar në një gjendje tjetër që e bën të përjetshënm portretin e tij.

 Qoftë i paharruar kujtimi i Rasim Bebos, si bashkëshort e prind shembullor, si gjysh  i dashur për nipër e mbesa, si dhe mik i shtrenjtë për të gjithë ata që e kanë njohur  dhe e kanë lexuar krijimtarinë e tij.Lamtumirë, o shqiptar i mirë! Lamtumirë miku ynë! E lehtë të qoftë balta!I përjetshëm qoftë kujtimi juaj!

Ngushëllime të përzemërta familjes Bebo!

 

Vilhelme e Fitim Haxhiraj

Comments

comments

-----