Kur flet dhe shkruan me gjuhën e bilbilave

Recensent i librit  “Shitësi i vogël i kekëve” të shkrimtarit Viron Kona

Nga Bashkim Saliasi

 

          “Bilbilat zë bukur sfidojnë zërat çjerrës të egërsirave të pyllit”

  1. Një takim i rastësishëm afër ish stacionit të trenit me miqtë e mi shkrimtarin Viron Kona, Prof. Murat Gecaj dhe studiuesin e letërsisë Sejdo Harka. Në dorë Vironi mbante një dorëshkrim me një kopertinë që nuk di pse zgjoj kureshtjen time.

-Është dorëshkrimi i një libri të ri për fëmijë. Porsa e kam përfunduar dhe e kam sjellë për ty, – më tha Vironi, – nëse dëshiron hidhi një sy përpara se ta çoj te botuesi.

-E mora librin në dorë dhe sytë më shkuan te titulli: “Shitësi i vogël i kekëve”.

-Kam dhe një kopje për Sejdo Harkën, – tha ai, – Mendova se ju të dy punoni drejtpërdrejtë me fëmijët dhe e njihni mirë botën e tyre. Për mua ka shumë rëndësi mendimi juaj.

E falënderova për besimin. Sakaq në tavolinën tonë erdhën Prof. Murat Gecaj dhe studiuesi Sejdo Harka. Pas përshëndetjes së zakonshme mes miqsh, ku gjithmonë dëgjon të flitet për letërsinë dhe problemet e ruajtjes pastër të gjuhës shqipe, natyrshëm u krijua një atmosferë e këndshme dhe bashkëbiseda jonë, ashtu si dhe herë të tjera, ngjasoi me një mozaik  shumëngjyrësh mendimesh dhe shprehjesh për kohën dhe jetën tonë. Nuk lamë mënjanë bisedat për Panairin e 20-të të  Librit, që sapo kishte përfunduar, folëm për takimin me disa nga miqtë tanë nga Kosova dhe nga Suedia, për Sokol Demakun dhe  Shyqyri Demakun, Sadulla Zendeli-Dajën, Xheladin Mjekun…Folëm për festat e 28 dhe 29 Nëntorit, për vitin e Skënderbeut…Thuajse të gjithë kishim qenë aktiv atë javë: Prof. Murati në përurime librash dhe duke shkruar artikuj, ndërkohë që po nxirrte edhe një libër të ri kushtuar femrave krijuese; Sejdoja veç një shkolle të mesme që drejton, po redaktonte një libër me poezi; unë po shkruaja një vëllim me tregime, kurse Vironi sapo kishte nxjerrë librin e  tij me poezi  “Thashë të bëhem edhe unë poet!”, kishte futur në botim librin me tregime “Rruga Miss Durham” dhe, tani, po përgatiste për botim librin e ri për fëmijë “Shitësi i vogël i kekëve”. Ndërkaq, ai na tha se para një jave kishte qenë në universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, ku bashkë edhe me dy shkrimtare, ishte ftuar nga biblioteka e universitetit për të diskutuar rreth romanit të tij të njohur  “Drithërimat e yjeve”.

–Kurse dje isha prapa Dajtit, – tha ai dhe duke zgjuar kureshtjen tonë, nisi të na tregojë me entuziazëm për zonën malore të Dajtit, veçanërisht për fshatrat e komunës Dajt, për histori dhe legjenda të rralla të asaj zone…E dëgjoja shkrimtarin dhe thosha me vete se për të nuk ka kuptim dita dhe java, nëse nuk shkon diku, të bashkëbisedojë me lexuesit, të vizitojë bukuritë e vendit, të shkruaj pa u lodhur…. Në përfundim të atij takimi, një fotografi, kujtim i bukur përpara lokalit ku pimë çaj dhe kafe, dhe u ndamë duke i uruar njëri – tjetrit: Gëzuar festat e nëntorit!

2.

Mora rrugën për në Kinostudio. Nisa të lexoj dorëshkrimin e novelën  “Shitësi i vogël i kekëve” dhe si pa kuptuar më tërhoqi aq shumë, saqë nuk e ndjeva që kisha mbërritur te stacioni i parafundit ku unë zbres gjithnjë. Fatorinoja, që është edhe një i njohuri im, më pyeti:

-Nuk do zbresësh këtu, apo do shkosh më tej…?

-Jo, jo, këtu do të zbresë, – i thashë me të shpejtë kur pashë se autobusi ishte duke u nisur përsëri. Shkova në shtëpi dhe për një kohë të shkurtër arrita të mbaroj leximin e novelës, e cila më përfshiu në botën e fëmijëve aq sa më dukej vetja se edhe unë isha një nga personazhet. Dhe, më tej nisa ta lexoj përsëri dhe, pse të mos e them, herë pas here më vinin në mendje ngjarje që i kam parë e përjetuar edhe vetë, si në fëmijërinë time, por edhe në vitet e para të emigracionit në Greqi, ku fëmijë të klasave të gjashta, të shtata dhe të teta, në grup udhëtonin me mijëra kilometra dhe punonin e flinin gjatë natës në ferra apo strehe të braktisura. Por këto pamje që i shihja atëherë, fatkeqësisht i shohë herë-herë edhe tani, edhe në rrugët e Tiranës, kur fëmijët vijojnë edhe të vërtiten nëpër rrugë, duke shitur paketa cigare, çamçakëz, fara kungulli dhe luledielli, misra të pjekur, gjithçka me të cilat ata mund të nxjerrin qoftë edhe pak përfitime minimale, që u nevojiten aq shumë familjeve të tyre të varfra…Një periudhë migjeniane, që shkrimtari Viron Kona me një gjuhë të pastër letrare, pa huazime, me mendime të shkruara rrjedhshëm dhe me stil origjinal, e sjellë përpara lexuesve të vegjël. Duke e shoqëruar librin me gjuhën e metaforave dhe të  sarkazmës, ai përpiqet me mënyrën e tij si shkrimtar të ndihmojë sadopak në mjekimin e plagëve të shoqërisë sonë në këtë fillim mijëvjeçari. Kalojnë si në paradë dhe në përfytyrimin tonë si lexues personazhet e librit: Erlindi dhe familja e tij, babai invalid, nëna shtëpiake, që përpiqet të gjejë rrugë për mbijetesë pas aksidentit të bashkëshortit të saj; motra e vogël Ana, që shkon në klasën e parë. Pastaj, personazhi simpatik Diellori, një ish kapiten anije, i cili kishte rënë viktimë e kontrabandistëve dhe aktualisht, për të mbijetuar, ishte i detyruar të shiste gjithfarë lloje gjërash në tregun  madh. Po aq simpatike është shoqja e Erlindit, Fluturushja, e cila me takt dhe kujdes i hap atij sytë drejt vlerave të librave…Në këtë rrjedhë janë edhe policët, për të cilët autori edukon ndjenjën e respektit si njerëz që ndihmojnë shoqërinë nga keqbërësit dhe zbatojnë ligjet…

Në mënyrë sa të thjeshtë dhe mjeshtërore, autori sjellë me gojën e personazheve gjuhën e bukur shqipe, ose, thënë në mënyre metaforike: gjuhën e bilbilave, e ku gjithkush prej tyre përpiqet të këndojë me zërin e  tij origjinal, duke u harmonizuar me shushurimat dhe simfoninë e  pyllit, teksa përpara lexuesit të vogël krijohen skena teatrore, dialogë të thekur dhe të gjetur, batuta që godasin me sarkazëm veprimet e keqbërëse dhe humor kundrejt veprimeve dhe mendimeve të pafajshme  fëmijërore. U them lexuesve që, kur ta lexojnë këtë novelë, do të binden në përfundimin tim, kur them se Viron Kona, tashmë shkrimtar shumë dimensional, poet, tregimtar dhe romancier, guxon dhe sfidon padrejtësitë me gjuhën e tij origjinale disa nga realitetet e errëta dhe të ashpra shqiptare, ashtu si bilbilat zë bukur sfidojnë zërat çjerrës të egërsirave në pyllit e errët dhe të frikshëm. Për analogji, shkrimtari ynë, duke përdorur herë-herë gjuhën e sarkazmës, ia arrin që nëpërmjet kësaj novele të trajtojë problemet e mprehta të ditës, duke demaskuar padrejtësitë që ju bëhen njerëzve në nevojë, ashtu dhe shfrytëzimit të fëmijëve, qoftë në qytete si shitës ambulantë, por edhe në fshatra në punët e rënda të bujqësisë, apo në miniera, duke mbledhur kromin për ta shitur për një copë bukë, apo në emigracion si skllevër të kohëve moderne. Shkrimtari u bie forta kambanave drithëruese, që shigjetojnë shfrytëzimin e popullit dhe të fëmijëve, të cilët, për shkak të varfërisë së skajshme luftojnë për mbijetesë, ndonëse Shqipëria është vendi me më shumë potenciale, e ku populli i ka mundësitë për një jetesë me standarde të larta ashtu si dhe vendet e zhvilluara të Europës dhe të botës. Me gjuhën e bilbilave, të fëmijëve të pafajshëm që e duan aq shumë jetën, autori na “detyron” ta lexojmë këtë vepër tërheqëse, e cila arrin të përshkruaj në mënyrë origjinale ngjarjet e ditës, duke sjell te lexuesi realitetin e ashpër dhe aktual, i cili shihet përditë në rrugët e qyteteve tona, teksa shkrimtari përballë tablove kritike, nuk harron të na sjellë shpirtin e madh popullor, ndjeshmërinë dhe mesazhet dashamirëse, mirëkuptimin dhe dashurinë mes njerëzve në nevojë, por dhe realitete dhe copëza të gjalla që janë përvoja jetësore që i përkasin më shumë dramës së thellë, të fëmijëve tanë që janë të detyruar të mos jetojnë fëmijërinë, por të kapërcejnë etapat e moshës për shkak të varfërisë, ata rriten shpejt sepse ndryshe nuk shkëputen dot nga dara e hekurt e varfërisë që i ka mbërthyer fort.

2.

Një ndihmesë për t`i kushtuar “Shitësit të vogël të kekëve” këta reshta ma dha ime mbesë Sila, që ndjek klasën e tretë. Kur pa në tavolinën time të punës këtë libër, ajo, si e dëshiruar shumë të lexojë gjithçka, e mori dorëshkrimin e librit, u struk në një cep të divanit dhe për katër orë e lexoj të gjithë librin, ndërsa më pas, herë pas herë i rikthehej pjesëve që duket se i kishin bërë më shumë përshtypje.

-E Sila, si t`u duk libri që lexove? – e pyeti e ëma.

-Shumë i bukur mami, më pëlqeu shumë. Nga ky autor,Viron Kona, kam lexuar edhe “Kolipoçi ngrënësi i qershive”, edhe ai më ka pëlqyer dhe të dy këta libra janë shumë të bukur sepse janë të vërtetë dhe tregojnë jetën e shumë fëmijëve shqiptarë.

Për ta ngacmuar më tej e pyeta edhe unë:

-Mund të më tregosh diçka që të mbeti në mendje?

-Po ja, o gjysh, – ia nisi mbesa,- edhe unë e ndihmoj mamin në punët e shtëpisë, kujdesem për motrën time më të vogël Aurën, ashtu siç ka bërë edhe personazhi i librit Erlindi për të ndihmuar familjen e tij, mamin, babin dhe motrën e vogël, që ajo të shkonte në klasën e parë me çantë të kaltër, e veshur bukur dhe me një tufë lule për mësuesen. Por edhe pashë se si e pësojnë ata që u bëjnë keq të tjerëve, që tallen, fyejnë dhe shajnë më të dobëtit. Ata i ranë në qafë Erlindit, e bezdisën atë dhe  e pësuan nga kekët që Erlindi u kishte hedhur nga pak spec të kuq djegës, ashtu si ata e meritonin.

Për të shtyrë bisedën e pyes:

-Po ti o Sila përse  kërkon pica me perime fshati kur shkojmë në lokal për të drekuar në raste festash.

-Më pëlqejnë o gjysh, perimet kanë vitamina dhe shumë vlera ushqyes, ashtu si tregon ai personazhi i librit Diellori për vlerat e kungullit, rigonit, shegëve…Edhe në libra të tjerë kam lexuar për këto vlera, por nga ky libër ato më mbetën më shumë në mendje, ja t`i them unë se çfarë vlerash ka kungulli dhe shega, apo të tregojë për rigonin dhe bimët e tjera mjekësore…

3.

Me një mjeshtëri artistike, Viron Kona ia arrin të zhvillojë fantazinë e bilbilave të vegjël, të zhytet natyrshëm në botën e tyre, dhe, ashtu si peshkatarët e perlave zbulojnë margaritarët e rrallë dhe vezullues, shkrimtari arrin të na prezantojë natyrshëm botën e gjallë dhe të mrekullueshme fëmijërore, atë botë që edhe ne  kur ishim të vegjël e kemi kaluar, atë botë që kalojnë fëmijët dhe mbesat dhe nipërit tanë sot, dhe që do të kalojnë edhe në të ardhmen, botën e të vërtetës, të pafajësisë dhe të çiltërsisë…teksa ata janë të detyruar të rriten si drerë e sorkadhe në pyllin ku kafshët e egra të mëdha bëjnë kërdinë…

Leximi i novelës “Shitësi i vogël i kekëve” i emocionon, por dhe i argëton fëmijët, nxit dhe zhvillon  tek ata të menduarit kritik dhe artistik, ndërkohë që ata mësojnë dije të sakta shkencore për të cilat jo vetëm fëmijët, por të gjithë kemi shumë nevojë. Mendoj se mesazhi më mbresëlënës i këtij libri është përballja me vështirësitë dhe triumfi mbi to, ndërkohë që kërkohet më shumë nga shteti dhe shoqëria për shërimin e plagëve të rënda të varfërisë, që sot janë bërë gangrenë dhe kërkojnë një bisturi të mprehtë veçanërisht kundër çibanëve, që prishin dhe dëmtojnë imazhin e shoqërisë së pastër shqiptare. Ndërkaq, libri i përgatit dhe i bënë të ndërgjegjshëm fëmijët, që të bëhen të zotë të vetes dhe të ecin të sigurt në jetë. Nëse keni fatin ta lexoni këtë libër, kam bindjen se nuk do të zhgënjeheni, sepse Viron Kona është një dashamirës dhe zëdhënës i mrekullueshëm i fëmijëve, njohës i thellë i botës së tyre. E kam parë këtë edhe vet kur ai kuvendon me fëmijët  në takimet e organizuara, kur atë e ftojnë për biseda, veçanërisht për librat e tij që ata i kanë shumë të dashur. Ndërkohë që ai, duke zotëruar  gjuhën e bilbilave, di t`i ledhatojë dhe t`i edukojë lexuesit e vegjël në rrugën e së drejtës dhe të mirësisë, të dijes, të dashurisë njerëzore dhe të punës. E kam parë këtë aftësi të këtij shkrimtari në takimet që kam qenë prezentë e kur fëmijët zënë e pyesnin pareshtur dhe sa s`i përpijnë fjalët dhe mendimet e  tij të sinqerta, si kur u tregon episode nga fëmijëria e tij dhe e bashkëmoshatarëve kur kanë qenë të vegjël, ashtu dhe kur futet aq natyrshëm në botën e  kërkesave dhe të nevojave të fëmijëve të sotëm, pasurisë më të vyer që kemi. Këtë  tregon dhe mbyllja mjeshtërore dhe  besueshme e novelës, ku në mendjen e lexuesve mbeten vlera të tilla njerëzore si dashuria për njeri-tjetrin, shpirti i sakrificës për t`u ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë dhe orientim  tyre në rrugën e dijeve, të mësimit dhe të kulturës. Duke paraqitur bukur dhe natyrshëm ngjarjet dhe episodet, Viron Kona arrin të ndezë zjarre krijuese te lexuesit e tij, ai i nxit ata për veprim, u zgjon emocione dhe ëndrra, u mprehë më shumë guximin për të ecur dhe besuar në rrugën e drejtë të jetës.

Shumëllojshmëria krijuese e Vironit në gjininë e tregimit, romanit, poezisë dhe artikujve të shumtë: reportazhe, intervista, epigrame etj, flasin për një vizion dhe kulturë akademike që ofron autori i novelës “Shitësi i vogël i kekëve”. Krijimtaria e më shumë se 40 librave, veçanërisht për fëmijë, disa prej tyre të përkthyer deri në Suedi, e ka bërë sot shkrimtarin Viron Kona mjaft të dashur dhe të pëlqyer  për fëmijët, ai noton si një ajsberg i lirë, është gjithnjë bashkëkohor dhe i vlefshëm në atë çfarë shkruan dhe transmeton te fëmijët.

 

Comments

comments

-----