Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë Kombëtare!

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

     Unë jam Rainhard Haxhiraj.

Sot mbusha 5 vjeç. Jam nga qyteti i Pavarësisë, nga Vlora e bukur. Në të gjithë Shqipërinë vetëm qyteti im, laget nga dy dete, që janë: Adriatiku i kaltër dhe Joni blu.

     E dini pse ndryshon ngjyra e tyre? Deti Jon ka shumë thellësi, prandaj e ka ngjyrën blu. Kurse deti Adriatik është më pak i thellë nga Joni. Ndaj ai ka ngjyrën e kaltër. Të dy detet sjellin freski mbi tokë. Kur rrezet e diellit bien mbi sipërfaqen e ujit, deti Adriatik na dhuron buzëqeshje. Kurse deti Jon na fal shumë dashuri e bujari dhe të dy na bëjnë miq me të gjithë ata që vijnë për pushime në brigjet e këtyre dy deteve .

  Besoj se e dinë të gjithë….Unë jam i lumtur që linda në vitin 2012, disa orë para 100 vjetorit të Pavarësisë së Atdheut tim. Unë e festoj ditëlindjen time së bashku me Ditën e Pavarësisë.

     E dini që ditëlindja ime bëhet festë për disa ditë?  Festa nisi në kopsht, vazhdoi në familjen time, pastaj bëmë një ekskursion me mësueset, prindërit dhe fëmijët dhe përfundon më 28 nëntor në Sheshin e Flamurit, ku çdo vit më 28 Nëntor, ngrihet Flamuri i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit.

 

    Nëse dëshironi të mësoni diçka, ju lutem, më ndiqni pak…

 Ditën e premte, në datën 24 dhjetor, ora 10 e 30’ nisi Festa e Pavarësisë në Kopshtin nr-10 të Vlorës. Gjithë lagjia 28 Nëntori buçiste nga këngët e kopshtit tonë.

    Unë me shoqet dhe shokët e mi ishim veshur kuq e zi si ngjyrat e Flamurit tonë. Të gjithë mbanim në duar nga një flamur.

    Edhe sallën ku u bë festa, mësueset e të dy grupeve: mësuese Blerta, Rovena, Mimoza dhe Doloresa e kishin zbukuruar me lule dhe flamuj. Aty kishin vendosur një qendër zëri dhe mikrofona për fëmijët që do të recitonin e do të këndonin. Bashkë me ne në festë kishin ardhur prindërit tanë dhe gjyshat apo gjyshet tona gojëmjalta.

Mua më kishin ardhur e gjithë familja: Mami Rezi,  Babi Ladi, Nëna Vili dhe Gjysh Timi. Isha shumë i lumtur që ata erdhën në Festën e Flamurit.

***

Rainhardi mendon se si do të kalojë festa?A do ta bëj dot rolin e palkut që mbjell ulli?

    Një nxënëse parashkollore, Olesia, çeli programin duke uruar:

  “Gëzuar Festën e Flamurit!”

 Mësuese Rovena, që ka qenë nxënëse e Nëna Vilit, filloi të thërrasë fëmijët me radhë për të recituar. Kur thirri emrin tim: Rainhard Haxhiraj, dil në skenë të recitosh!

Mësuese Moza më dha mikrofonin dhe unë recitova poezinë me zë të lartë dhe pa gabime si të gjithë shokët  e mi. Poezia ime kishte titullin:

“U valvite o Flamur!

U valvite o Flamur

nëpër shekuj, në furtunë,

nëpër gjak e nëpër luftë,

shkëmb u bëre si një gur,

historinë na i ndrite

dhe s’u shove nëpër vite,

Shqipërinë e bëre dritë,

lart ta ngrehim në këtë ditë!”

   Ne ishim 70 fëmijë dhe të gjithë recituam vjersha për Atdheun, për flamurin, për trimërinë e luftëtarëve, për Skënderbeun, për Donika Kastriotin, për Ismail Qemalin etje.

  Unë si gjithë të tjerët, recitova edhe një poezi tjetër. Ju lutem, ndiqeni pak:

Përkrenarja me dy brirë

 Pyet Andi, nxënës i mirë,

 mësuesen e klasës së parë:

-Pse Përkrenarja ka dy brirë…

tek heroi ynë  kombëtar?

-Përkranarja me kokë dhije,

thotë historia dje dhe sot,

të falë një pamje trimërie,

e bën luftëtarin të zotë…!

Sa bukur që i  kënduam këngët për Pavarësinë apo Himnin e Flamurit.

Tani  i erdhi radha e roleve tona si aktor të vegjël. Ne fëmijët e kopshtit luajmë pak role nga jeta, se si duhet të kujdesemi për bimët frutore. Ashtu si Skënderbeu kur erdhi në Kaninë, ku mori për grua Donika Aianitin, mbolli 10 rrënjë ullinj, ashtu do të bëjmë edhe ne kur të rritemi.

E dini që Ulliri është bima e jetës?

Sepse nga ai marim vajin, ullinjtë për t’i ngrënë, si dhe marim drutë  kur krasiten  që i përdorim në soba apo oxhak për ngrohje. Ulliri ka edhe një veti të veçantë se lëshon aromën e tij në zonën rretherrotull tij. Si dhe kur digjet në oxhak lëshon në dhomë  një aromë të mirë vaji që është shumë e shëndetshme.

Rainhardi ka hapur flamurin, kurse shokë rreth tij kërcejnë dhe këndojnë këngën e Marigos.

    Gjithashtu bima e ullirit është shekullore, ndaj gjatë gjithë vitit pastron ajrin nga pluhurat, sepse gjethet e ullirit bijen pasi lindin  gjethet e reja. Pra ulliri është gjithmonë i gjelbër. Për të gjitha këto, quhet Pema e jetës. Tani, ju lutem, mund të ndiqni aktorët e vegjël në skeçin tonë me titull:

     “Mbjellim ulli sot, të hanë të tjerët”.

  *Del Dejvi që paraqet: -Të dashur gjyshe, gjysha dhe prindër! Dhe tani para jush aktorët e vegjël të skenës do të zbukurojnë  festën e kopshtit tonë. Ju lutem na ndiqni me vëmendje:

 *Amelia:-Një plak 90 vjeçar po mbillte një rrënjë ulliri. Një mbret që kaloi aty pranë u çudit shumë nga kjo punë dhe e pyeti plakun.

  *Mbreti: – Kur mendon të japë fruta kjo pemë, zotëri?

 Amelia me flamur në dorë, pas saj Dejvi,në mes  Rajnhardi duke punuar ullirin dhe mbreti që vështron i çuditur plakun 90 vjeçar.

 *Rainhardi me bastun në dorë, me llullën në buzë, i përkulur nga mosha, e kishte mbjellë ullirin në një vazo. Kur po hidhte dheun me lopatë rreth trungut, e vështroi mbretin me shumë kujdes e i tha…

  *Rainhardi: – Pas 30 vjetësh, Madhëri.

  *Mbreti: -Mos vallë ke shpresë që të rrosh aq vite, sa të hash nga ky ulli?

  *Rainhardi:  -Jo… Mbollën të tjerët , hëngra unë. Po mbjell unë dhe do të hanë të tjerët.

Ne u larguam nga skena, duke i falënderuar dhe u bashkuam me shokët

nën tingujt e muzikës, me recitime këngë, valle dhe duartrokitje, kaloi festa jonë e bukur. Të gjithë ishim të lumtur.
   Mirë u pafshim në çdo 28 Nëntor në ditën e bukur të Pavarësisë Kombëtare!

Ne, fëmijët u larguam të lumtur sepse kënaqëm mësueset tona, prindërit dhe gjyshat, që krenohen me ne.

Nëna Vili e Gjysh Timi, të lumtur urojnë : Rainhard, nipi ynë i shtrenjtë, “Gëzuar festën e Pavarësisë dhe pesëvjetorin e lindjes, zemra jonë e vogël! Të urojmë të rritesh i lumtur me mamin dhe babin!

Shqipëtarë, kudo që jeni, Gëzuar Ditën Pavarësisë së Atdheut!

Ju përshëndet  Rainhard Haxhiraj  

Vlorë 27Nëntor 2017           

 

Comments

comments