Në Lozanë të Zvicrës u mbajt konferencë njëditore mbi trashëgiminë historike dhe etnokulturore të Shqipërisë

Nga Arif Ejupi

 

Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës,me traditë në organizimin e tryezave,debateve dhe sesioneve të ndryshme shkencore edhe kësaj here ka qenë nismëtar i mbajtjes së një konference njëditore mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sikurse viteve të mëparshme edhe këtë vit pa kurrfarë hezitimi organizimin e këtij seminari me shumëllojshmëri temash e kanë përkrahur:Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë të Zvicrës,si dhe shoqatat voduaze“L’Atelier du Voyage”dhe“Foundation Octopus”.

Hapjes së këtij seminari i kanë paraprirë këngët e bukura të këngëtares sonë të njohur Elina Duni dhe poezitë tejet tërheqëse në frëngjisht dhe shqip të poetes dhe pedagoges Besa Myftiu.

Pastaj zonja Valbonë Hoxha,drejtoreshë e “L’Atelier du Voyage”të Lozanës,para auditorit të përbërë nga profesorë,studentë,nxënës e intelektualë të fushave të ndryshme ka kumtuar emrat e referueseve dhe temat që ata trajtuan në këtë sesion shkencor.

Zonja,Hoxha e përpiktë në respektimin e kohës fjalën ia ka dhënë z.Ilir Gjoni,Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bernë të Zvicrës.

Gjoni pjesëmarrësve të shumtë të këtij seminari u ka shprehur mirëseardhje, e në veçanti ka përshëndetur ekspertët e arkeologjisë:prof.dr.Jean Terrier,Dr.Gionata Consagra.Dr.Saimir Shpuza dhe Julien Pfyffer,udhëheqës i Fondacionit “Octopus” dhe gazetar special i shqyrtimit të temave nga fusha e arkeologjisë,sidomos nga ajo e navigimit dhe e gjetjeve nënujore.

Z.Gjoni nga pozita e diplomatit pahyrë shumë në aspekte të tjera ka folur për Shqipërinë si vend i vogël i Gadishullit Ballkanik.

Ai ka thënë se vendi i tij është banuar qysh para 50000 vjetëve. Shqipëria e gjendur pranë brigjeve të detit Adriatik e Jon,në kryqëzimin e rrugëve midis  Perëndimit dhe Lindjes,Veriut dhe Jugut në vijën detare ka krijuar historinë e saj mijëvjeçare.

Populli shqiptar edhe pse një popull i vogël me punën dhe luftën e tij krijoi vlera të vërteta materiale dhe kulturore. Ai në periudha të ndryshme kohe dha një ndihmesë modeste në historinë e përgjithshme të njerëzimit.

Ambasadori Gjoni me këtë rast përmendi kryeheroin e kombit tonë Gjergj Kastrioti–Skënderbeu,Gonxhe Bojaxhiun alias Nënë Tereza ose Shën Tereza shqiptare.

Ai po ashtu përmendi nobelistin në mjekësi Ferid Murati,shkrimtarin Ismail Kadare,këngëtaret Rita Ora e Dua Lipa, koreografin e vallëzimit klasik Driton Dovolani-Toni,fotografin Fadil Bersisha,paharruar edhe këngëtaren e muzikës popullore dhe xhaz Elina Duni, e cila me prezencën e saj i dha seminarit të sotëm fizionominë e dëshiruar.

Në vazhdim të diskutimit të tij Ambasadori Gjoni foli edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët. Ai tha se Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur pretendime territoriale ndaj fqinjëve të saj.

Ajo vijimisht ndaj vendeve me të cilat kufizohet ka treguar tolerancë e mirëkuptim.

Me këtë frymë vazhdohet edhe sot jo vetëm ndaj vendeve të rajonit por ndaj të gjitha vendeve paqedashëse të botës.

Ambasadori Gjoni me theks të posaçëm vështroi marrëdhëniet e Shqipërisë me Zvicrën,në fusha të ndryshme.

Zvicrën ai e quajti tokë të azilit duke e cilësuar si mike të vërtetë të shqiptarëve.

Në momentet më të vështira dhe më kritike Zvicra priti  dhe strehoi mijëra shqiptarë.

Veç kësaj ajo ofroi ndihmë logjistike pothuajse në të gjitha fushat

Marrëdhëniet tona në të gjitha sferat me Zvicrën po shënojnë rritje dhe progres.

Shumë sipërmarrës zviceranë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për investime në Shqipëri,sidomos në turizëm,i cili me bregdetin e tij të mrekullueshëm ofron zhvillim për Shqipërinë,dhe sjellë dobi për investitorët zviceranë.

Krahasuar me vitet e më parme edhe numri i vizitorëve zviceranë në Shqipëri është shumëfishuar. Vetëm gjatë verës së sivjetme vendin tonë e sidomos bregdetin e tij e kanë vizituar mbi katërmijë zviceranë.

Andaj qëllim ynë është dhe mbetet ruajtja dhe forcimi i këtyre marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona tha në mbarim të diskutimit të tij ambasadori shqiptar.

Më pas në skenë është rikthyer zonja Valbonë Hoxha, udhëheqëse e “L’Atelier du Voyage” dhe konferenciere e këtij seminari duke thënë:”kam kënaqësinë,nderin dhe privilegjin e veçantë që sot para Jush, të prezantoj gruan e guximshme të nismave dhe aksioneve të shumta në Zvicër dhe Shqipëri zonjën Albana Krasniqi- Malaj,e cila edhe pse më 1992 shumë e re migroi në Gjenevë,pashkëputshëm punoi për sensibilizimin e çështjes shqiptare.

Pastaj zonja Krasniqi-Malaj, si çdoherë modeste dhe e matur në trajtimin e temave të mëdha pakaluar për asnjë çast kompetencat e saj si drejtuese e UPSH-së së Gjenevës dhe anëtare e Zyrës Federale për Migracion në Bernë të Zvicrës,foli mbi gjuhën,historinë dhe kulturën shqiptare.

Ajo nëpërmjet pamjeve të paraqitura në ekran plot emocion prezantoi kryeqytetin dhe qytetin më të madh të Shqipërisë-Tiranën.

Për qytetin e saj të lindjes Tiranën zonja Krasniqi-Malaj ,tha se daton qysh në kohët më të lashta,gjë që është vërtetuar edhe nga gërmimet e gjetjet arkeologjike.

Rindërtimi i Tiranës i përket vitit 1614.Qyteti nga të gjitha anët rrethohet nga një kurorë kodrinore-malore.

Lartësia më e madhe arrin në malin e Dajtit me 1612 metra që shtrihet në lindje të qytetit.

Pas këtij prezantimi ajo paraqiti edhe trevat tjera shqiptare dhe pozitën e tyre në Ballkan.

Seminaristët u njohën edhe me krahinat malore veriore të Shqipërisë,dhe ndarjen në:Alpet Shqiptare,Malësinë e Gjakovës,dhe Malësinë e Hasit.

Shpjegime u dhanë edhe për gropat dhe fushëgropat juglindore të Korçës,Përrenjasit,Kolonjës dhe Shkumbinit të Sipërm.

Gjithashtu zonja Krasniqi –Malaj,foli edhe për rivierën shqiptare e cila përfshin një brez të ngushtë dhe të gjatë,duke filluar prej Vlorës në veriperëndim e deri te Kepi i Stilos në jug.

Në këto zona kultivohen agrumet,ullinjtë dhe pemët gjatë tërë vitit kalendarik.

Besimet fetare në vendin e saj të origjinës ajo i cilësoi si shembull për planetin përçarë duhet të na kenë  zili të gjithë.

Në historinë e bujshme e plot rrebeshe të Shqipërisë nuk mbahet mend që të ketë pas ndonjëherë konflikte ndërfetare tha Krasniqi-Malaj.

Edhe sot të tria konfesionet janë kompakte dhe manifestojnë tolerancë dhe bashkëpunim të shkëlqyer.

Zonja,Albana Krasniqi-Malaj, si temë në vete trajtoi migrimet e shqiptarëve jashtë vendit të tyre të prejardhjes.

Ajo tha se migrimet e popullit shqiptar datojnë herët, andaj për t’u studiuar si duhet veç e veç sipas cikleve.

Kësaj radhe ajo u përqendrua në migrimet e shqiptarëve në Zvicër të cilat u shumëfishuan me eksodin biblik të shqiptarëve të Kosovës,të ndjekur dhe të masakruar në fund të viteve të 90-ta nga regjimi i Millosheviqit.

Zvicra një vend i vogël në jug të Evropës Qendrore në këto momente tepër të vështira u solidarizua me mijëra shqiptarë të Shqipërisë,Kosovës,Maqedonisë,Malit të Zi . Preshevës dhe Medvegjës Fatmirësisht edhe pse ka mbetur për t’u bërë ende shumë ata këtë mikpritje po e kthejnë me inkuadrim të gjithëmbarshëm në institucionet  e saj, tha në fund të kumtesës së saj zonja,Albana-Krasniqi -Malaj.

Shqipëria nga jashtë

Duke ditur që Shqipëria gjatë 45 vjetëve të sundimit komunist ka qenë hermetikisht e mbyllur jo vetëm për të huajit por edhe për shqiptarët e mbetur në ish-Jugosllavi,të cilët për shkak të kësaj mbyllje kanë ditur shumë pak për vëllezërit e tyre të një gjaku dhe gjuhe.

Me shembjen e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 u ngjallën shpresat për ditë më të mira edhe për këtë popull të shumëvuajtur dhe të shtypur nga vetvetja.

Me dhënien fund kësaj periudhe të errët në mars të vitit 1992 vendi u demokratizua dhe nisi të shoh kah Perëndimi.

Me hapjen e vendit u ngjallë edhe kureshtja e të huajve për njohje me këtë vend të virgjër dhe me një natyrë të jashtëzakonshme.

Më 2004 Alpeve Shqiptare ua mësyu  Cristian Zindel,profesor i Universitetit shtetëror të Cyrihut, i cili përshtypjet e tij në Shqipëri, i përmblodhi dhe botoi  në formë udhëpërshkrimi.

Kurse më 2007 Universiteti i Gjenevës,i bashkëudhëhequr nga Akademiku Jean-Paul Descoeudres nga Gjeneva dhe Dr.Saimir Shpuza nga Tirana,ka bërë gjurmime në vendin arkeologjik të Orikos,që gjendet brenda bazës detare të Pashalimanit.

Prandaj kjo edhe u bë shkas që sot të organizohet një seminar shkencor nga fusha e arkeologjisë,në të cilin nëpërmjet kumtesave gërmimet në vendin tonë do t’i prezantojnë arkeologët e njohur nga Gjeneva Dr.Jean Terrier dhe Dr.Gionata Consagra.

Pjesë e këtij sesioni shkencorë ishin edhe Saimir Shpuza arkeolog nga Tirana dhe Julien Pfyffer,kryetar i“Fondation Octopus”të Lozanës,njëherit edhe gazetar hulumtues i gjetjeve nënujore.

Së pari mbi gërmimet arkeologjike në Shqipëri ka folur Julien Pfyffer,i cili të gjitha gërmimet e deritanishme i ka argumentuar para pjesëmarrësve nëpërmjet pamjeve dhe hartave duke precizuar lokalitetet në të cilat janë gjetur dhe kohën e tyre.

Ndërkaq  Dr. Gionata Consagra përgjegjës i projektit Orikos një material mjaft  voluminoz nga gërmimet në Shqipëri e ka zbërthyer duke bërë nënndarjen e tij që nga shekulli i- VI- para erës së re e deri në atë të –XI- të erës sonë.

Ai gjatë punës së tij në Shqipëri,është ndarë i kënaqur veçmas i ka bërë përshtypje pritja e ngrohtë nga ana e shqiptarëve.

Ai i vetëdijshëm që secili shqiptar ndjenë nevojën e sigurimit të një kulmi mbi kokë ka këshilluar që në këtë drejtim të kihet kujdes ,sepse ndërtimet e egra dhe pa plan mund të rrezikojnë seriozisht thesaret e fshehura të nëntokës shqiptare.

Jean Terrier mësimdhënës në katedrën e arkeologjisë së Universitetit të Gjenevës, ka thënë se ishte në dijeni që kolegët e tij kishin filluar me gërmime në Shqipëri,por ai në atë periudhë ishte angazhuar në një sit arkeologjik të Kroacisë.

Terrier pohon se me Shqipërinë u njoh në fund të viteve të shekullit të kaluar.

Realisht dija pak mbi Shqipërinë edhe pse ajo gjendej në distancë të njëjtë me Berlinin dhe Madridin”.

Sigurisht izolimi gati gjysmëshekullor bëri të vetën. Prof.dr.Jean Terrier vazhdoi kumtesën e tij duke thënë se Shqipëria është një vend me një natyrë të bukur dhe pothuajse të paprekur.

Andaj Universiteti i Gjenevës, ka shprehur gatishmëri që të bëjë gërmime arkeologjike në bashkëpunim me ekipet shqiptare.

Me kusht që punët të rrjedhin sipas parashikimeve ai tha se është themeluar dhe një fond Zvicër-Lishtejnshtajn me qendër në Cyrih ,enkas për hulumtime të mëtejme në Orikos.

Me kërkime arkeologjike ekspeditat tona do të vazhdojnë deri më 2020.

Kumtesën e tij  arkeologu zviceran Jean Terriere e përfundoi duke thënë së është impresionuar jo vetëm me gjetjet arkeologjike por edhe me florën dhe faunën e shumëllojshme të Shqipërisë.

Rreth kësaj teme diskutoi edhe arkeologu i njohur shqiptar Saimir Shpuza,i cili ka qenë pjesë e ekspeditave hulumtuese në Ornikos.

Dr.Shpuza tha se Shqipëria ka objekte të shumta arkeologjike si ato në  Butrintit që i përkasin shekullit të-IV-të para erës së re.Po ashtu si qendër të një rëndësie të veçantë përmendi edhe Durrësin.

Amfiteatri antik,si dhe gjurmët e tjera tregojnë se Dyrrahu (Durrësi),në kohët antike,ka qenë një ndër qytetet më të mëdha të Adriatikut Lindor,tha Shpuza.

Edhe periudha e ndërtimeve të mesjetës karakterizohet me ndërtimin e kështjellave si ajo e Beratit,Shkodrës.Lezhës,Krujës,Rodonit,Petrelës,Kaninës etj.

Edhe pse në kushte të vështira Dr. Saimir Shpuza tha u zhvillua edhe piktura kishtare me afreska e ikona,meqenëse vendi gjendej nën sundimin otoman.

Nga afreskat më të vjetra janë ato të kishës së  Shën-Mitrit në Poliçan të Gjirokastrës, ekzistojnë edhe shumë kisha të tjera me afreska e ikona që autorët e tyre janë anonimë.

Arkeologu Shpuza po ashtu përmendi edhe periudhën ndërmjet dy Luftërave Botërore,ku aty-këtu hulumtime u bënë nga austro-hungarezët,francezët dhe italianët.

Gjatë sistemit monist gërmime arkeologjike në Shqipëri bënë vetëm sovjetikët.

Dr.Saimir Shpuza diskutimin e tij përfundoi duke dhënë se natyra shqiptare është e paeksploruar dhe fsheh pasuri të llojllojshme jo vetëm në fushën e arkeologjisë por edhe në fusha të tjera.

Shqipëria njihet edhe me botën e zhvilluar bimore. Brenda territorit të saj rriten mbi pesëqind lloje bimësh,duke përfshirë dhe ato endemike,të cilat në vendet tjera të zonës as që ekzistojnë.

Ky artikull do të ishte i mangët sikur të mos citonim dhe pjesëmarrjen në këtë seminar të zonjës Nazane Breca,Ambasadore e Republikës së Kosovës në Zvicër dhe të këshilltarëve Mustafë Xhemaili dhe Fatmire Musliu.

Po ashtu si gjithherë i rregullt në përcjelljen e ngjarjeve u tregua edhe z. Ramadan Avdiu,i cili në këtë sesion të karakterit shkencor-kulturor mori pjesë në cilësinë e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Me të mbaruar shtjellimi i temave në skenë dolën solistë e valltarë të Ansamblit “Ilirët”nga Lozana dhe “Rapsodët” nga Gjeneva.

Të dyja këto shoqëri muzikore ekzekutuan disa valle të bukura të trevave  tona.

Kurse këngëtarja Mimoza Selimi,gjithnjë prezent dhe aktive në manifestime si ky i sotmi deri në mesnatë këndoi potpuri këngësh të zgjedhura të muzikës sonë popullore.

Me këngët e saj të kapshme dhe tonalitetin e mirëfilltë ajo i dha vlerën e duhur këtij seminari që temë bosht pati Shqipërinë, dhe trashëgiminë historike dhe etnokulturore të saj.

Në fund të seminarit organizatorët për të gjithë pjesëmarrësit ofruan ushqime të përgatitura në kuzhinat shqiptare.

Po ashtu nën tingujt e bukur të muzikës sonë u cakërruan edhe gotat me rakinë në zë të Përmetit dhe verën e shijshme të Rahovecit.

Arif  Ejupi

Comments

comments