DITA E FALËNDERIMEVE NË AMERIKË, 2017

Nga Frank Shkreli

Për shumicën e amerikanëve, imazhi i Ditës së Falënderimeve lidhet me gjelin e detit të pjekur dhe me një festë familjare që normalisht bashkon familjet.   Njihet gjithashtu edhe si një ditë paradash, qoftë ditë me borë, apo shumë e ftohtë.   Por edhe një ditë kur luhet futboll amerikan.

Por kjo festë ka një domthënje më të madhe se kaq.Dita e Falenderimeve në Amerikë është një ditë e dalluar në kalendarin vjetor të këtij vendi.   Është me të vërtetë një festë kombëtare, në të cilën përfshihen dhe marrin pjesë të gjithë qytetarët, për një qëllim të përbashkët dhe pa dallim feje, pikpamjesh politike ose origjinë etnike — vetëm e vetëm për të falenderuar Perendinë për bekimet që u ka dhenë atye individualisht, familjeve dhe vendit të tyre, ku ata jetojnë.

Pak histori në lidhje me këtë fetes tipike amerikane.   Çdo vit, Dita e Falënderimeve shënohet të ënjten e katërtë të muajit Nëntor.  Kjo festë e ka origjinën në fillim të historisë së këtij vendi kur kolonët e parë pelegrinë nga Anglia u vendosën në këtë hapësirë në shekullin e 16-të dhe të cilët, pas të korrurave të bollëkshme,vendosën që të pushonin nga puna e mundshme, me qëllim për të falënderuar Perëndinë, për të gjitha bekimet që u kishte dhënë atyre gjatë një periudhe shumë të vështirë për ta.   Thuhet se pelegrinët e parë mësuan nga indianët vendas për të mbjellur misër, fasulje dhe kunguj, ashtuqë në Vjeshtën e vitit 1621, nja 90 prej tyre, së bashku me indianët vendas, përgatitën një darkë të madhe për të shënuar ditën e parë të Falënderimeve.

Por historia e kësaj feste e ka zanafillën zyrtare në vitin 1789, pas një deklarate nga presidenti i parë i këtij i vendi, Xhorxh Uashingtoni, kur Amerika festoi zyrtarisht ditën e parë të Falënderimit ndaj Zotit, në bazë të kushtetutës së re, të caktuar si, “Një ditë Falënderimesh publike, kushtuar të Madhit Zot, Autorit të të gjithë të mirave që kanë qenë, që janë dhe që do të jenë”. Presidenti Xhorxh Uashington, duke caktuar ditën e Falënderimeve si festë kombëtare, ka përdorur një ton gjithëpërfshirës, pa preferuar ndonjë fe ose besim, por në të njëjtën kohë, ai ka theksuar edhe “Bekimet politike, morale dhe politike për demokracinë e re” – të cilat sipas tij bëjnë të mundur funksionimin e një qeverisjeje të mirë, duke perfshirë edhe “Pendimin personal dhe kombëtar”, kur është e nevojshme për të pranuar gabimet, madje edhe në nivel kombëtar, sipas Xhorxh Washingtonit.

Historia amerikane shënon se në Tetor të vitit 1777, të gjitha 13 kolonitë e para amerikane të asaj kohe, u bashkuan për të festuar ditën e Falënderimeve, që në të njëjtën kohë shënoi edhe fitoren e kolonive të reja amerikane në luftën e tyre kundër Perandorisë së atëherëshme britanike.  Gjatë viteve që pasuan, festimi i kësaj dite ka pësuar disa ndryshime, por më në fund, presidenti Abraham Linkolni më 1863 ka shpallur zyrtarisht të Ënjtën e katërt të Nëntorit si Ditën Kombëtare të Falënderimeve.

Disa prej presidentëve më të dalluar të Shteteve tëBashkuara, siç janë  Xhorxh Washingtoni, Abraham Linkolni dhe Franklin D, Rusvelti — kanë luajtur rol me rëndësi për të bërë  që Dita e Falënderimeve të jetë për të gjithë amerikanët, pa dallim,  një ditë për të festuar me familjet e tyre, traditat, vlerat dhe idealet amerikane.   Urata e Xhorxh Uashingtonit për Ditën e Falënderimeve ishte kuptimplotë nga pikpamja përsonale si dhe në nivel kombëtar si udhëheqës i këtij vendi por edhe , pasi i lutej Perëndisë edhe për shtetet mike të Amerikës, me uratën:  “Le të bashkohemi dhe t’i lutemi me përvjutërinë më të thellë të Madhit Zot dhe Udhëheqsit të kombeve dhe t’i kërkojmë Atij që të na fali gabimet tona kombëtare dhe mëkate të tjera dhe i lutemi të na mundësojë që në jetën tonë private ose publike të kryejmë detyrat tona ashtu siç duhet dhe siç kërkohet nga ne; që qeveria jonë të jetë gjithmonë e mençur, e drejtë dhe të zbatojë ligjet kushtetuesee me besnikëri…Që Perëndia të ruaj dhe të mbrojë të gjitha shtetet sovrane, sidmos ato që janë mike me ne dhe bekojë të gjithë ata o Zot me një qeveri të mirë, falu atyre o Përendi paqë dhe mirëkuptim”, ishte shprehur Xhorxh Wasshingtoni.   

Duke i qëndruar besnikë kësaj tradite, gjatë gjithë historisë amerikane, presidentët amerikanë i kanë ofruar lutje dhe falënderime Perëndisë për bekimet ndajë këtij vendi — por pa preferuar një besim fetar ose një tjetër.   

Edhe sivjet, me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën e shoqërisë amerikane, Presidenti Donald Trump, në deklaratën e tij me rastin e Ditës së Falënderimeve të këtij viti — që festohet të ënjtën me 23 nëntor ka theksuar se, “Në këte Ditë Falënderimi – ashtu siç kemi bërë për pothuaj katër shekuj –Amerikanët falënderojnë Zotin e Plotëfuqishëm për bekimet tona të bollëkshme.   Me këtë rast ne mblidhemi së bashku me të dashurit tonë për të falënderuar Zotin për liritë tona që gëzojmë, për miqët dhe për familjet tona si dhe për Atdheun tonë të begatë”.   Në meazhin e tij, Presidenti Trump u kujtoi amerikanëve tragjeditë shokuese me të cilat është përballur vendi gjatë këtij viti, siç ishin uraganët shkatërrues, zjarret që goditën rëndë pjesën perëdnimore të Amerikës, si dhe aktet e dhunës dhe të terrorit në Las Vegas, në qytetin e New York-ut dhe në shtetin Teksas. “Ndërkohë që mbajmë zi për këto ngjarje të dhimbëshme, ne jemi si gjithmonë të bindur se vendosmëria dhe optimizmi i popullit amerikan do të triumfojnë”, u shpreh Presidenti Trump në deklaratën e tij me rastin e Ditës së Falënderimeve të këtij viti.  “Ashtu siç kanë bërë dikur pelegrinët e parë në këtë vend, Amerikanët sot janë të fortë dhe të vendosur për të mbrojtur familjet dhe të ardhmen e tyre, për të ruajtur dhe për mbështetur vlerat e tyre dhe për t’u përballur me çdo sfidë”, tha Presidenti amerikan Donald Trump, në mesazhin e tij drejtuar bashkëkombasve të vet, në shënim të Ditës së Falënderimeve, festës së përvitshme, tradicionale amerikane.

Amerikanët, nga natyra janë popull optimist madje edhe në kohë të vështira dhe plot sfida me të cilat është përballur dhe përballet vendi i tyre, në fushën politike të mbrendshme dhe ndërkombëtare.   Megjithë problemet ekonomike, shoqërore dhe megjithë fatkeqsitë natyrore me të cilat u pëball ky vend gjatë këtij viti e të cilat i përmendi edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë në mesazhin e tij, në Ditën e Falënderimeve, Amerikanët  kujtojnë ditët e para të demokracisë së tyre si dhe vështirsitë dhe fatkeqsitë e brendshme dhe të jashtme gjatë historisë së tyre, përfshirë edhe luftën civile, ndërkohë që përballë të gjitha këtyre problemeve në të kaluarën dhe atni, ata janë të vetdijshëm se jetojnë në një vend me shumë bekime për veten, për familjet e tyre dhe për kombin — dhurata të Përendisë këto ndaj këtij vendi, në të cilin çdo qytetar I këtij vendi ka të drejtë të jetojë, të punojë dhe t’i lutet Perendisë në liri të plotë dhe në mënyrën që dëshiron vet – jo vetëm Ditën zyrtare të Falënderimeve, por çdo ditë.

Frank Shkreli

 

 

Comments

comments

-----