Heronjë që i rrinë Shqipërisë kurorë

Nga Dr. Nuri Dragoj

 

Monografia “Rrapo Hekali dhe legjenda e një fisi martirësh”, të autorëve Nuri Plaku dhe Robert Hamitaj, është një studim me vlerë të madhe historike, pasi ndriçon për herë të parë, në të gjitha përmasat e veta, veprën heroike të Rrapo Hekalit dhe trimave të fisit Hamitaj, të cilët janë sakrifikuar në breza për çështjen shqiptare. Referimet historike, burimet e shkruara dhe të pashkruara më parë, pasqyrimi me kujdes dhe në gjerësi i folklorit të kohës, përdorimi i metodave krahasuese në beteja të kryera nga trima të tjerë, në atë trevë e më gjerë, ka shërbyer për të saktësuar më mirë përmasat e luftëtarit të shquar.

Autorët na kanë dhënë me kujdes zhvillimet historike të kohës, reformat perandorake, cënimin prej tyre të popullsisë së varfër shqiptare, reagimin e saj dhe kundërveprimin e shtetit osman me anë të dhunës e terrorit, me objekt nënshtrimin e të pabindurve. Por nuk ishte e lehtë për të, pasi në radhët e popullit gjendeshin individë me ndërgjegje e karakter të fortë, që dilnin vetvetiu në krye të turmave dhe mbronin interesat e tyre. Këtë bëri dhe Rrapo Hekali në shekullin e XIX, pasi nuk pajtohej me taksat e larta dhe marrjen e djemve nizam, të cilët shkonin me vite në luftëra të ndryshme të perandorisë, me objekt zgjerimin e trojeve të saj në dëm të popujve të tjerë. Shumica e tyre nuk kthehej më dhe kjo ishte e dhimbshme për popullin fukara. Mjaft interesante është çimentimi i veprimtarisë luftarake dhe qëndrimit kombëtar të Rrapo Hekalit në folklorin e asaj treve, pasqyruar në gjerësinë dhe thellësinë e vetë, duke i dhënë vend të rëndësishëm në këtë aspekt, mbase direkt pas Skënderbeut. Disa nga paria thanë,/ U zu Rrapua me pashanë,…/ – Jemi popull fukara, / Po rrojmë me lakëra,/ Katër shtëpi me një ka.

Në libër na jepet me kujdes revolta për taksat, e cila vjen në rritje dhe gradualisht kthehet në kryengritje të armatosur, duke u shtrirë në gjithë jugun e Shqipërisë. Aty dalin qartë përpjekjet për organizimin e kryengritjes, zgjedhjen e komandantëve dhe vendosjen e trimave nën drejtimin e tyre. Këto zgjedhje bëheshin me kuvend, pasi vetëm në këtë mënyrë i pari i fshatit, krahinës a gjithë trevës, mund të ndiqej me vullnet nga vegjëlia. Dhe kënga thotë:                                   Folën ca, e pastaj thanë,/ Duhet zgjedhur një komandë,/ Njëzëri të gjithë me radhë,/                                     Të parë vunë Rrapo Hekalë… Dhe ai e justifikoi besimin e tyre, pasi nuk u tërhoq nga fronti për asnjë çast, duke qenë vetë në ball të luftimeve: Hajde more Rrapo Hekali,/                                             Kur thërret, sa tundet mali!

Në monografi pasqyrohet me kujdes karakteri burrëror i Rrapo Hekalit, i cili me veprimet e tij nuk lë më të voglin dyshim që, për interesat madhore të kombit të vet, të bashkimit të popullit dhe plotësimit të kërkesave të tyre, bënte gjithçka, me synim pajtimin e familjeve shqiptare në konflikte hasmërie. Ai e kishte kuptuar që, në moment të tilla historike, ishte e nevojshme të linin pas krahëve mëritë me njëri-tjetrin, madje të falnin dhe gjakun, pasi hakmarrja midis shqiptarëve nuk mund të zinte vend në një kohë që mungonte liria, për fitimin e së cilës kërkohej bashkimi i shqiptarëve. Kjo del qartë kur ai i fal gjakun Mane Goxhajt, i cili kishte marrë jetën e babait të Rrapo Hekalit, një xhest ky që mbart vlera të mëdha për dje dhe për sot, madje për çdo kohë.

Libri na tregon dhe na mëson se njeriu me cilësi të larta morale, nuk ka liri të zgjedhë, pasi zgjedhja e tij është përcaktuar që në gjenezë, ngaqë liria e zgjedhjes te njeriu është pjesë e prirjeve të kundërta të tij. Sido që ta bëjmë zgjedhjen, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, dy janë rrugët: Do të përballemi me zgjedhjen që buron nga një veprim i diktuar nga arsyeja apo nga pasione irracionale, sepse problemi i zgjedhjes nuk është çështje e mundësive të barabarta. Në rastin e personazheve të skalitura në monografinë e Plakut dhe Hamitajt, përballemi me njerëz që kanë përqafuar zgjedhjen e progresit në kundërshtim me regresin, të burrave që kanë preferuar të ushqejnë dashurinë dhe të shpërndajnë urrejtjen, të luftëtarëve që kanë vlerësuar mbi gjithçka pavarësinë dhe lirinë në kundërshtim me skllavërinë.

Me gjithë punën e madhe dhe pasqyrimin e gjerë të veprimtarisë luftarake e patriotike të Rrapo Hekalit, autorët kanë bindjen se materiali nuk është shterues, pasi ende ka nevojë të zbardhen dokumente osmane të panjohura deri tani, të sqarohet qëndrimi i qeveritarëve të kohës, rast pas rasti, deri te sjellja e sulltanit ne raport me jetën e veprën e heroit në fjalë.

Praktika e kombit shqiptar dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme vizionin realist në kërkim të lirisë. Nevoja ka bërë që ata të ndërgjegjësoheshin se liria mund të fitohej vetëm atëherë kur kërkohej nga tërësia e individëve dhe jo nga një individ të veçantë. Vetëdija e shqiptarëve, në shekuj, ka reaguar pa ndonjë vendim politik, i çfarëdo lloi qoftë ai, përherë në kundërshtim me mendësitë e regjimit pushtues, pa iu trembur reprezaljeve që ushtronte makina ushtarake, pa u urdhëruar nga askush, duke u përfshirë vullnetarisht në breza, në luftën për liri. Pra kemi të bëjmë me një moral, me rivlerësim të besimeve që udhëhiqnin sjelljen shoqërore të njeriut të lirë, i cili drejtohej nga nevoja e një koncepti shoqërisht të përbashkët, për një jetë më të mirë, gjë që mbështetej krahas përmbushjes së kënaqësive individuale, edhe në gatishmërinë për të shkrirë krejt pasurinë, pa kursyer as jetën për idealin e lirisë.

Është kjo arsyeja që, përpjekjet e autorteteve osmane, për ta detyruar Rrapo Hekalin të tërhiqej nga qëllimi i tij, apo për ta bërë për vete, të dështonin me turp përherë, në një kohë që nuk munguan luftëtarë të tjerë që u nënshtroheshin kushteve të caktuara nga sulltani, në këmbim të parave, ofiqeve apo pasurisë. Pikërisht këto çedime në radhët e luftëtarëve janë bërë shkak për depërtimin e ujit të ndotur nën rrogozin e frontit popullor. Por Rrapo Hekali nuk mund të tradhëtonte vegjëlinë, të cilëve u kishte dhënë besën, sepse edhe ata kishin bërë atë çfarë ai u pati kërkuar. Dhe kjo reflektohet në këngën popullore që thotë me forcën e fjalës: – O Rrapo, jepu, pse s’jepe? / – Si të jepem, ku të vete? / S’i them dot Sulltanit peqe, / Kam fukarenjtë me vete, / Unë thirr e ata lepe

Qeveritarët i kujtonin Rrapos edhe pasojat me të cilat do të përballej për shkak të mosbindjes, por trimi tallej me to, duke vënë në plan të parë interesin e shqiptarëve dhe jo jetën e vet: “Mu në djall le të vete”, – ishte përgjigja e tij. Sepse jeta e individit, nuk kishte kuptim pa atë të tjerëve, pa lirinë e mëmëdheut të vetë. Pikërisht pas kësaj, populli do ta gdhëndte në këngë pavdekësinë e heroit: – Rrofsh, o rrofsh, se e rrëfeve, / Si disa ti su gënjeve, / Kafshatën me gjak e ngjeve, / Si xhevahir shkëlqeve.

Kafshatën me gjak e ngjeve! Një varg goditës, shokues, kryevarg i këngës popullore kushtuar Rrapo Hekalit, që i kumbon në vesh për kohë të gjatë, gjithkujt që e lexon, varg që ngre peshë zemrat shqiptare dhe shumfishon dashurinë për atdheun dhe veprën e heroit. Pasqyrimi me mjeshtëri e realizëm i jetës së Rrapo Hekalit apo breznisë së Hamitajve nga autorët e librit, na tregon dhe njëkohësisht na bind se në çdo kohë duhet të bëjmë zgjedhjen drejt të mirës, sepse kështu bëhemi pjesëtarë të veprimeve pozitive të shoqërisë, në dobi të kapërcimit të baticës së njerëzimit. Sjelljet dhe veprimet pozitive përforcojnë vullnetin e shoqërisë njerëzore drejt prirjes së paqes në botë, në shmangien e forcave regresive që na shpien drejt vdekjes. Regresive nuk janë forcat që ngrihen për liri, por ato që ushtrojnë dhunën, ato që tentojnë t’u zënë frymën popujve, ata që luajnë me jetët njerëzore për zgjerimin e trojeve sunduese, apo për shfrytëzimin maksimal të pasurive dhe djersës së kombeve të robëruar. Nga gjithë historia e heroit tonë të Hekalit dhe shokëve të tij, kuptojmë që njerëzimi dëmtohet, gjunjëzohet, shtypet e masakrohet, jo thjesht nga mizoria e brendshme e zemrës njerëzore, por në radhë të parë nga paaftësia e tërësisë së individëve për të qenë të vetëdijshëm, lidhur me rrugën që duhet zgjedhur. Dhe nëse të gjithë do të vepronin si Rrapo Hekali, nuk do të kishte vend për sundim perandorish, për sundues të egër shekullor, të cilët thellojnë errësirën dhe mjerimin.

Autorët sqarojnë dhe momente kritike, të cilat deri tani kanë qenë të errëta, apo të publikuara pa u menduar, pa analizë të fakteve historike, pa bërë ballafaqimet e tyre në kohë. Një prej këtyre momenteve është pasuria e Rrapo Hekalit. Studiuesit e jetës dhe veprimtarisë së personazhit kryesor të librit tregojnë se ai e vuri pasurinë në shërbim të çështjes kombëtare. Dhe këtë e japin hap pas hapi me një sërë argumentesh, pa u mjaftuar me të dhënat e autorëve të ndryshëm. Natyrisht ato nuk lihen mënjanë, por jepen duke iu nënshtruar analizës historike të ngjarjeve me logjikë të ftohtë, por dhe duke i ballafaquar me të dhëna të tjera, të cilat çojnë në përfundimin se pasuria e tij nuk ka qenë produkt i dhuratës së Alush Bej Frakullës, por e trashëguar nga të parët e vet. Pra është pronë e fisit të tij, e cila ka kaluar në breza, nga njeri tek tjetri.  

Duke lexuar këtë libër, njihemi në detaje me historinë e burrave me emër që kanë patur në gen dashurinë për atdheun, burrërinë, aftësinë organizuese dhe drejtuese, besën e dhënë. Të tillë janë Hasan Hamit Hekali, Hamit Hasan Hekali, Rrapo Hasan Hekali, Selfo Hamit Hamitaj, Kasëm Selfo Hamitaj, Hamit Kasëm Hamitaj, Sabri Hamit Hamitaj, Hajredin Hamit Hamitaj, Qazim Selfo Hamitaj, Hysen Qazim Hamitaj, Rrapo Hysen Hamitaj, Namik Qazim Hamitaj, Hajredin Musa Hamitaj, Shaqir Musa Hamitaj, Novrus Shaqir Hamitaj, Fuat Novrus Hamitaj, Qemal Shaqir Hamitaj, Njazi Qemal Hamitaj, Nasibi Qemal Hamitaj, Behar Qemal Hamitaj, Xhevat Novrus Hamitaj, Riza Musa Hamitaj, Shaban Musa Hamitaj, Nishat Shaban Hamitaj, Bastri Novrus Hamitaj, Ali Muhedin Hamitaj, Hysen Halim Hamitaj, Hajdar Halim Hamitaj, Sami Hajdar Hamitaj etj. 

Pasi lexojmë librin e kuptojmë edhe më mire, që veprimet njerëzore janë të kondicionuara dhe të programuara, por ndërsa kafshët veprojnë të nxitur nga instikti, njeriu udhëhiqet dhe vepron në mënyrë të ndërgjegjjshme. Kush vepron jashtë ndërgjegjes, është e sigurt që humbet. Ruajtja apo shfaqja e identitetit të njeriut, ruajtja apo fitimi i lirisë, është rezultat i veprimeve të veta, të cilat jo në çdo rast arrihen, madje shpesh herë paguhen shtrenjtë dhe kolektivisht, sepse dihet që e keqja është shmangie ndaj ekzistencës së thelbit tonë. Dhe në rastin e monografisë “Rrapo Hekali dhe legjenda e një fisi martirësh”, shohim që sjellja e Rrapos me shokë bëri që të digjej dhe masakrohej tërë fshati. Por të mos harrojmë që ndërgjegja qytetare nuk u përdhos, madje ajo u ngrit edhe më lart, pasi u bë pronë e gjithë banorëve. Madje, bashkë burrat luftuan edhe gratë. Ndaj kënga thotë: Kur u dogj Hekali mjerë,/ Erdhë me mijra asqerë, / U vu flaka derë më derë, / U bë ngado ylyver, / Dolli tym e mori flakë, / Vranë burrat, therën gratë

Populli di t’i mbajë në zemër trimat e vetë. Autorët kanë ditur të na japin në mënyrë të veçantë edhe trimërinë e vajzave dhe grave, përkrahë vëllezërve dhe djemve të tyre, shërbimet që ato kanë kryer në vijën e frontit, duke e ngritur edhe më lart prestigjin e gruas mallakastriote në veçanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi. Në krahë të luftëtarëve ranë shumë gra, midis të cilave ishte dhe njëra me emrin Merushe, nuse e një djali të rënë në betejën e Beratit. Pa u zhytur në arkiva, një pamje të gjallë të pjesëmarrjes së tyre në këtë betejë e përftojmë nga vargjet e këngës së njohur popullore: Moj Merushe, moj burrneshe / Nuk ke vdek, por je pranë nesh, / Me qendresën e trimërinë, / Ti vulose pavdekësinë.

Rezistenca e mallakastriotëve jepet në libër e plotë, me forcën dhe kohëzgjatjen e saj, por ne e dimë që ushtria perandorake ishte e shumtë në numër dhe me armatime moderne, në një kohë që kur luftëtarët shqiptarë qenë në numër të kufizuar dhe zotëronin armë dhe municion të paktë. Për pasojë, rrethimet me ditë të tëra të trimave, shpesh përfundonin me dëshpërim, ndonëse binin disa dhe ngriheshin të tjerë, njëri pas tjetrit, sikur mbinin nga dheu. Rrapo Hekalë e zunë,/ Në Manastir ç’e shpunë, / Në hapsanë seç e funë….

Pavarësisht nga disfatat e pësuara për arsye të ndryshme, autorët na tregojnë se kryengritjet antiosmane të Shqipërisë së Jugut patën rëndësi të madhe, ngaqë e ngritën lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar kundër zbatimit të reformave të Tanzimatit në një shkallë më të lartë, në aspektin e përmbajtjes, shtrirjes e organizimit të tyre dhe, në mënyrë të veçantë, për bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga krahina e banimit apo besimi që përfaqësonin. Ato ishin manifestime të karakterit antifeudal të fshatarësisë shqiptare kundër sundimit osman, dëshmuan solidaritet popullor, shërbyen për rilindjen e Shqipërisë, hodhën bazat për kërkimin e autonomisë kombëtare, rritën ndërgjegjen patriotike, forcuan ndjenjën e ruajtjes së moralit dhe indetitetit kombëtar.

Autorët nashpjegojnë hap pas hapi, se nuk ishte vetëm një Rrapo që bënte kërdinë mbi osmanët i pagjunjëzuar para tyre, por edhe dhjetëra shokë të tij që ndiqnin të njëjtën rrugë. Ata që shiteshin për një qese flori, siç ishte rasti i Shaban bej Peshtanit, të personifikuar me epitetin “dhelpra e marsit”, nuk mund të liheshin të gjallë. Dhuratat e marra nga bejlerët dhe agallarët, të cilët i kishin shërbyer dovletit me tradhëtinë e tyre kundër kryengritësve, u bënë të njohura për ta, ndaj i zunë pritë Shabanit në qafën e Sqepurit, ku morën pjesë edhe komandantët Sulo Zeneli, Rrapo Toro, Likë Zeqo dhe Lulo Duraj. I bënë gjyqin po aty dhe e ekzekutuan. Këtë ngjarje e ka përjetësuar dhe kënga popullore: Shaban Peshtani effendi,/ Me atë që na ke bërë ti,/ I thonë puro tradhëti…/ Shumë nëna janë në zi,/…Nuk mund të lëmë gjallë,/ Se plumbin e ke hallallë, / Nuk jemi neve si ti, / Që të shitemi për flori.

Të njëjtin rrugë ndoqën dhe burra të tillë si Like Zeqo, një nga trimat e Rrapos nga Drizari, i cili i rezistoi rrethimit shtatë ditë dhe, pasi iu mbaruan fishekët, vrau veten. Ja si e përshkruan kënga aktin trimëror të tij: Like Zequa nga Drizari,/ Zuri dyfekun i pari,/                                         Shtatë ditë e shtatë netë, / Luftoi Like Zequa vetë.

Lufta për të drejtat e shqiptarëve nuk është ndalur për asnjë çast. Pas Rrapo Hekalit shohim Selfo Hamitin që bënë të pamundurën për mësimin e gjuhës shqipe. Autorët e librit na japin gjendjen në krahinën e Gjirokastrës, Vlorës dhe Beratit, të cilat në vitin 1878 administronin 80 shkolla në gjuhën osmane, 163 shkolla në gjuhën greke dhe asnjë shkollë në shqip. Me përpjekjet e atdhetarëve filloi mësimi i gjuhës shqipe. Në trevat veriore kujdesej kisha katolike dhe në jug, qendra ku lëvrohej ghuha shqipe, ndonëse me alfabet arab, u bënë teqet e bektashinjëve. Focimi i ndërgjegjes kombëtare çoi në mbajtjen e Kuvendit të Gjirokastrës, më 23 korrik 1880, sipas të cilit populli shqiptar do të mund të siguronte të drejtën e egzistencës së tij, si pjestar i familjes së popujve europian, vetëm duke dalë nga prapambetja dhe duke ndjekur shëmbullin e shteteve më të përparuara.

Në libër na jepet në vijim veprimtaria patriotike e fisit Hamitaj, roli i tyre në kryengritjet e viteve 1911-1912, ndihmesa e dhënë në shpalljen e Pavarësisë dhe stabilitetin e rendit, përballimin e rreziqeve që vinin nga pushtimi grek, serb e malazez, përballja me forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, ku u vra dhe Hajredin Fratari.

Vitet rridhnin dhe zhvillimi i punimeve të Konferencës së Paqes së Versajës (1919-1920) thirri në skenë Kongresin e Lushnjës që kërkoi largimin me forcë të trupave italiane nga Shqipëria. Për organizmin e kryengritjes së armatosur u krijua dhe Komiteti Mbrojtja Kombëtare, i cili nuk u pa me sy të mirë nga Roma, ndaj komanda ushtarake nisi një aksion të ri për të neutralizuar veprimtarinë e tij atdhetare. Veprimi i parë ishte përpjekja për të mbledhur armët që gjendeshin në duart e popullsisë civile. Për të patur sukses në këtë aksion, ata u premtuan njerëzve nga 3 deri 5 napolona për çdo armë që do të dorëzohej. Por kryesia e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e kuptoi grackën që po ngrihej prej ushtarakëve të Romës dhe mori masa për të neutralizuar planin e tyre. Komiteti këshilloi banorët t’i bindeshin vetëm atij, pasi ishte institucion i ngritur prej shqiptarëve dhe do t’u gjendej pranë për çdo rast nevoje. Kjo bëri që jo vetëm armët të mos dorëzoheshin, por të shtoheshin radhët e luftëtarëve shqiptarë.

Ardhja e kolonel Castoldit* me detyrën e komisarit të lartë italian në Shqipëri, krijoi debate midis grupimeve politike e intelektuale. Një pjesë ishin për të mos bërë asnjë lëshim, të tjerët këshillonin të mos nxitoheshin. Madje kishte dhe nga ata që mendonin se një vend i vogël, me politikanë që kishin sjellë vetëm trazira, e kishte të vështirë mbijetesën, aq më tepër që nuk kishte ushtri e disiplinuar, financiat qenë në gjendje kritike dhe nevoja për ndihmë morale e materiale ishte e madhe. Pavarësisht nga gjendja e krijuar, patriotët shqiptarë e kuptuan se për të ardhmen e Shqipërisë nuk mund të kishte zgjidhje tjetër veç pushkës, aq më tepër kur dyert e Fuqive të Mëdha ishin të mbylluara.

Situata vinte duke u tensionuar. Komanda e Tepelenës pati deklaruar se nuk e njihte nënprefektin e caktuar nga qeveria shqiptare, pasi ata vareshin nga Vlora. Në këto kushte, forcat shqiptare u detyruan të tërhiqeshin, ndërsa Piacentini u ktheu topat dhe mitralozët xhandarëve shqiptarë në Tepelenë, sepse kërkuan të merrnin në dorëzim administratën. Madje u burgosën disa nacionalistë që nuk pranonin kthimin e vendlindjes së tyre në koloni italiane. Pas kësaj, nënprefektit të Tepelenës, Sulejman Sefedin Shehu, iu kërkua të jepte dorëheqjen, në bazë të ligjeve të shtetit të ri shqiptar, pasi emërimi dhe shkarkimi i tij varej nga qeveria dhe jo nga komanda ushtarake italiane. Por ai nuk pranoi. Atëherë Komiteti Mbrojtja Kombëtare i Tepelenës vendosi që nënprefekti të vritej dhe më 26 mars, në kohën që kthehej nga Luzati, atij iu bë atentat.

Në kushte të tilla gjithë jugu i Shqipërisë u ngrit në këmbë. Autorët e këtij librit na japin me detaje heroizmin e treguar prej fierakëve në Luftën e Vlorës, ku Qazim Selfo Hamitaj kishte marrë hijen e një udhëheqësi politik, ndërsa komandant i përgjithshëm i forcave të Mallakastrës së Sipërme qe zgjedhur Halim Hamiti. Forcat e Mallakastrës së Sipërme nën udhëheqjen e Halim Hamitit mbajtën me sukses frontin e Risilisë. E njëjta gjë duhet thënë edhe për luftëtarët e Bektash Cakranit. Mdje fierakët zbuluan dhe planet e fshehta të komandës italiane, duke ua djegur planin e bërë dhe vrarë qindra ushtarë. Halim Hamiti dhe shokët e tij morën pas vetes djemtë dhe nipërit dhe luftuan heroikisht. Populli nuk harroi t’u këndonte heronjve të gjallë dhe të vdekur, për gjithçka bënë duke e hedhur ushtrinë italiane përtej Adriatikut. Nëntëqintë e njëzetë viti, / Mallakastra seç buçiti,/ Komandant Halim Hamiti, Vegjëlinë seç e ngriti, / Sipër Vlorës e vërviti

Pjesëmarrja në revolucionin e qershorit 1924 dhe ngjarje të tjera e ngrenë përherë e më lart emrin e luftëtarëve mallkastriot. Ata dalin në plan të parë edhe në organizimin e çetave nacionaliste në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë, i shohim komandat çetash e batalionesh, fis që janë vrarë në shekuj për lirinë e Shqipërisë dhe përsëri djemtë e të vrarëve e pas tyre nipër e stërnipër, kanë bërë të njëjtën gjë. Nuk u dhimbsej jeta kur binin në përpjekje me armikun. Zemra e tyre qe gati të pëlciste kur lufta bëhej për pushtet, kur harroheshin trojet shqiptare të Kosovës e Çamërisë, kur vëllai vriste vëllain, kur urrejtja për njëri tjetrin mbillej me shpejtësi dhe ujitej nga politika e Beogradit. Autorët na japin detaje rreth mendimeve të kundërta që kishin me komunistët, të cilët ndikoheshin nga politika slave. Kjo ndodhte sepse Hamitajt nuk pajtoheshin me yllin e Stalinit, por nga ana tjetër, si nacionalistë që ishin, nuk rezulton për asnjë çast që të kenë hequr dorë nga lufta kundër okupatorit. Megjithatë, terrori komunist i ndoqi hap pas hapi, me synim shkatërrimin e fisit të tyre. Askush mga krerët e shtetit komunist apo të partisë-shtet nuk u kujtua që ata burra të shquar që burgoseshin pa shkak dhe vdisnin qelive, ishin pjesë e asaj familje të lavdishme të krahinës së Mallakastrës. Bukur e thonë autorët e librit. Ndërsa Enver Hoxha fliste me mburrje për traditën luftarake të popullit mallakastriot dhe përmendëte heroizmin e Rrapo Hekalit, pasardhësit e tij vuanin dënimet më çnjerëzore. Është i pakuptueshëm fakti që nxënësit në shkollë edukoheshin me aktin heroik të Rrapo Hekalit, ndërsa stërnipërit e heroit ishin privuar edhe nga e drejta më elementare për arsimim.

E megjithatë, me sjelljen e fakteve të tilla kuptohet lehtësisht se ishte vetëdija ajo që përcaktoi vendimin e zgjedhjes së rrugës më të mirë nga krerët e popullit shqiptar, pavarësisht nga krimet e komunizmit. Kuptohet që kjo nuk ishte vetëdije tradicionale, e sugjeruar nga autoritetet, por një vetëdije që e mëson vetë njeriu, brenda të cilit përfshihen edhe dëshirat e pavetëdijshme. Por nëse kjo zgjedhje nuk bëhej në çastin e duhur, më vonë do të ishte e pafrytshme. Midis skajit kur mund të bëhet veprimi i gabuar dhe anës tjetër kur humbet mundësia e veprimit të drejtë, ka disa shkallë të lirisë së zgjedhjes, ndaj kur merren vendime të rëndësishme në kundërshtim me ndërgjegjen, për shkak të frikës së opinionit, rrezikut të disfatës apo lakmisë së përfitimeve në mënyrë të padrejtë, humbja është e sigurt. Dështimi ndodh kur nuk e shohim që jemi në udhëkryq dhe duhet të vendosim, pasi një pozicion i përcaktuar, në çdo situatë konkrete ka vetëm një mundësi zgjedhje. Pikërisht sepse këta individë kanë bërë zgjedhjen e duhur, kanë siguruar mbijetesën dhe nuk kanë humbur si njerëz. Ata mbetën pjesëtarë të udhëtimit të kombit dhe, me veprën e tyre, do të ndihmojnë vazhdimisht në kapërcimin e baticave me të cilat përballet shpesh njerëzimi. Hamitajt edhe kur dhanë jetën e kishin të qartë se veprimet e mira të çdo kombi përforcojnë vullnetin e shoqërisë njerëzore drejt prirjes së paqes dhe ndihmojnë në shmangien e forcave regresive që na shpien drejt vdekjes. Pavarësisht nga sjellja e komunistëve ndaj tyre, përsëri ata mbeten në piedestalin e atyre heronjëve që i rrinë Shqipërisë, në çdo kohë, kurorë mbi krye, burim frymëzimi dhe shprese për këdo prej nesh. Mospërfillja e sistemit komunist ndaj kësaj kategorie heronjsh, përcaktohet mjaft mirë nga Erich Fromm, i cili në librin e tij “Të jesh apo të kesh”, thotë: “Nëse njeriu bëhet mospërfillës ndaj jetës, nuk ka asnjë shpresë që të zgjedhë të mirën. Atëherë me të vërtetë ai do të bëhet zemërgur deri në atë pikë saqë “jeta”e tij të marrë fund. Nëse kjo do t’i ndodhë gjithë njerëzimit ose pjesës më të madhe të tij, jeta e njerëzimit mund të shuhet në çastin e saj më premtues”.

           

                                              

 

* Kolonel Fortunato Castoldi, ishte anëtar i Komisionit të përcaktimit të Kufijve Jugor të Shqipërisë më 1913, më vonë ka kryer detyrën e këshilltarit të Princit Vilhelm Ëiedit në vitin 1914. Në vitin 1920 iu besua detyra e komisionerit të lartë italian për Shqipërinë.

Comments

comments

-----