Bijtë e Shqipes” në Philadelphia përkujtuan e nderuan Sabiha Kasimatin e Musine Kokalarin me rastin e përvjetorëve të tyre të lindjes

Nga Sadik Elshani

Ndër veprimtaritë e shumta që organizon shoqata “Bijtë e Shqies” në Philadelphia, një vend të rëndësishëm zënë edhe ato përkujtimore, në të cilat përkujtohen e nderohen figura të ndritura të historisë, artit, shkencës, kulturës e traditës sonë kombëtare. Një veprimtari e tillë u zhvillua në fund të tetorit (28 Tetor 2017), në mjediset e shoqatës, ku u përkujtuan dhe u nderuan dy mendje të bukura, dy mendje të ndritura, dy gra të jashtëzakonshme: Sabiha Kasimati (1912 – 1951), me rastin e 105 vjetorit të lindjes dhe Musine Kokalari (1917 – 1983), me rastin e 100 vjetorit të lindjes. Për të përcjellur këtë veprimtari ishin mbledhur me dhjetëra bashkatdhetarë. Në tavolinën kryesore ishin vendosur portretet e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit dhe në mes tyre një vazo me lule. Veprimtarinë e hapi zoti Tajar Domi, kryetar i shoqatës, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe bëri një pasqyrë të shkurtër për punën dhe veprimtaritë e shoqatës, duke theksuar rëndësinë, porosinë dhe vlerat e kësaj veprimtarie. Pastaj ai ia dha fjalen z. Sadik Elshani, i cili e mbajti materialin kryesor të kësaj veprimtarie titulluar: “Sabiha Kasimati e Musine Kokalari – dy mendje të bukura, dy mendje të ndritura, dy gra të jashtëzakonshme”.

Qysh në fillim ai vuri në dukje shumë gjëra të përbashkëta që kishin në mes tyre këto dy gra të jashtëzakonshme, dy intelektuale të rralla, dy gra të guximshme: “Të dyja kishin lindur jashtë Shqipërisë, në Turqi, ishin të bukura, intelegjente, të zonjat, të parat shqiptare në limitë e tyre përkatëse, të dyja patën njohje me Enver Hoxhën dhe të dyja patën një jetë tragjike. Kur mendoj për jetën e tyre në mend më vijnë vargjet e Mjedës te vjersha “Bilbili”: “Vetë bukuria, o i shkreti/Kenka për ty nji kob””. Në vazhdim ai pastaj foli veç e veç për jetën dhe veprën e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit, duke paraqitur disa të dhëna jetëshkrimore dhe duke bërë një vlerësim të përgjithshëm për rëndësinë e këtyre dy figurave të rëndësishme për shkencën dhe kulturën tonë kombëtare.

Sabiha Kasimati ishte gruaja e parë që e kishte mbaruar shkollën e lartë franceze në Korçë. Në vitin 1936 fitoi një bursë për të studiuar jashtë vendit dhe ishte përcaktuar për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Në vitin 1941 përfundoi studimet, ku me sukses mbrojti edhe doktoraturën. Edhe pse kishte oferta per te punuar jashtë, ajo u kthye në Shqipëri. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet më 1945, ajo filloi një bashkëpunim me biologun, profesor Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. Këtu iu dha rasti që t’i fillonte hulumtimet ihtiologjike, duke i dhënë asaj një vend brenda Institutit në kuadër të Seksionit të Botanikës.

Më 19 shkurt të vitit 1951 ndodhi një shpërthim bombe në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Autoritetet shqiptare të asaj kohe, pa kurrëfarë fakte, si fajtorë i konsideruan një grup prej 22 intelektualëve, përfshirë këtu edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Këta u pushkatuan pa gjyq në natën e 26/27 shkurtit 1951. Jeta e Sabihasë u shua në mënyrën më barbare në kulmin e pjekurisë së saj shkencore e intelektuale, duke lënë një zbrazëti në jetën arsimore e shkencore të Shqipërisë, pikërisht kur Shqipëria kishte nevojë për njerëz të kalibrit të Sabiha Kasimatit e shumë të tjerëve. Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës e faunës së Shqipërisë, u botua në vitin 1955, por nën emrin e shkencëtarit sovjetik, Anatolij Poljakov, si dhe dy studiusve shqiptarë.

Sabiha Kasimati ishte e para femër shqiptare që mori doktoraturën, e para shkencëtare shqiptare. Ishte një grua e jashtëzakonshme, një intelektuale e rrallë që me tërë përkushtimin e saj iu përvesh punës për zhvillimin e shkencës shqiptare, ndërtimin e institucioneve të larta shkencore. Ajo jo vetëm që ishte një shkencëtare e një kalibri të lartë, por ishte edhe një intelektuale e angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare, e shqetësuar për fatin e kombit, vendit të saj. Ajo u indinjua pa masë kur regjimi komunist kishte filluar të eliminonte elitën kombëtare. Meqënëse e kishte shok shkolle Enver Hoxhën, ajo kërkoi një takim me të dhe me guxim e kishte ballafaquar diktatorin: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucëtarët?!” Kuptohet, ky ballafaqim e kishte zemëruar shumë Enver Hoxhen dhe ky ballafaqim njëherësh kishte qenë edhe nënshkrimi i dënimit të saj me vdekje.

Edhe në hetuesi Sabihaja mbajti qëndrim burrëror dhe nuk u përkul para xhelatëve të kombit. Me hetuesinë e shkurtër të Sabihasë u angazhua personalisht edhe Mehmet Shehu, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, të cilit ajo me kurajon karakteristike të saj, ndër të tjera ia tha këto fjalë që tingëllojnë edhe profetike: “Ju jeni kriminelë dhe tiranë, që kërkoni të nënshtroni shqiptarët me terror, por do të vijë dita që këto mizori do t’i paguani.” Dhe këto fjalë të Sabihasë tani i ka dëshmuar edhe vetë historia.

Shkencëtari i vërtetë është edhe trim, i guximshëm dhe nuk pranon asgjë përveç të vërtetës. E tillë ishte Sabiha Kasimati, ajo nuk mund të qëndronte indiferente para një katastrofe njerëzore që ishte duke e kapluar Shqipërinë.

Në vazhdim të kësaj veprimtari Zoti Elshani foli edhe për jetën dhe veprën e Musine Kokalarit, duke theksuar se ajo ishte e para shkrimtare femër në Shqipëri, intelektuale, disidente dhe e para femër shqiptare që formoi një parti politike, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë. Studimet për letërsi i përfundoi në Rome në vitin 1941 me një studim për Naim Frashërin. Ka botuar tri permbledhje me tregime: “Siç më thotë nënua plakë” (Tiranë, 1941), “… sa u tunt jeta” (Tiranë, 1944), “Rreth vatrës” (Tiranë, 1941). Gjatë studimeve ka mbajtur edhe një ditar, i cili do të botohet së shpejti. Ndërsa ka lënë një dorëshkrim për jetën e vet: “Mbi jetën time”. Brenda një kohe të shkurtër Musineja u afirmua si një shkrimtare serioze, me brumë, si një mjeshtre e tregimit dhe sipas Lasgush Poradecit, ajo kishte sjellur diçka origjinale, nje stil të ri në letërsi dhe ishte një talent i pamohueshëm. Veprimtarinë e saj letrare e politike Musineja e filloi në një periudhë të turbullt, të trazuar, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty nga fundi i luftës komunistët i kishin pushkatuar dy vëllezërit e saj pa gjyq  dhe për këtë ajo ishte e mllefosur, e indinjuar dhe kërkonte drejtësi e shpagim. Për këtë shkak dhe për shkakun se ajo më 1944 ishte themeluese e Partisë Socialdemokrate Shqiptare dhe organit të saj, “Zëri i lirisë”, ajo u arrestua më 17 janar 1946. U dënua me 20 vjet burg dhe për 18 vite qe burgosur në burgun famëkeq të Burrelit. U lirua më 1964 dhe menjëherë u internua në Rrëshen, ku u caktua të punojë si fshesare. Aty edhe vdiq nga kanceri në vitin 1983. Dikur e dënuar si armike e popullit, ajo sot është shpallur Qytetare Nderi e Qytetit të Gjirokastrës, nga Presidenti i Shqipërisë është shpallur Martire e Demokracisë, ndërsa një shkollë fillore në Tiranë e mban emrin e saj.

Në gjyq Mysineja mbajti një qëndrim dinjitoz, të përjetësuar me atë foton me velin e zi në kokë, vel që nuk do t’i hiqej kurrë gjatë tërë jetës së saj tragjike. Është ai qëndrim i grave burrnesha shqiptare: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mun të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen” – ajo deklaroi në gjyq.

“Çfarë tmerri, çfarë trishtimi, çfarë zhgënjimi, kur një intelektuale si Musine Kokalari përfundon fshesare në Rrëshën?!” – u shpreh z. Elshani dhe vazhdoi: “Shpesh mendoj sesi Musineja ka mundur t’i përballojë këto tmerre, një grua që tërë jetën kishte studiuar, kishte punuar për të arrirur diçka, një grua me plot ëndrra, shumë plane për te ardhmen, për zhvillimin e kulturës në Shqipëri, emancipimin e vendit. Por ja që fatin e saj e kishin në dorë injorantët, të padijshmit, cinikët, kriminelët. Si ka mundur të qëndrojë Musineja pa u çmendur?! Siç duket ajo kishte krijuar disa mekanizma mbrojtës, duke jetuar fizikisht në një botë të tmerrshme dhe shpirtërisht në një botë tjetër, në botën e saj, ku ndihej e qetë.”

Zoti Elshani e përfundoi paraqitjen e tij duke bërë një vlerësim të lartë për këto dy gra të jashtëzakonshme, shembëlltyrë e intelektualit të angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare e vlera të larta njerëzore: “Janë përmendore, simbole të qëndresës, fisnikërisë, trimërisë shqiptare. Janë mishërim i fjalës “burrneshë”, që populli ynë e ka krijuar për gra të tilla… Ato e meritojnë nderimin dhe adhurimin e çdo shqiptari, jo vetëm për të arriturat e tyre profesionale, por edhe qëndresën, guximin e tyre për t’u përballuar me diktaturën dhe vetë diktatorin. Kur diktatura i kishte gjunjëzuar edhe burrat, intelektualët e shquar të Shqipërisë, ishin pikërisht këto dy gra që e sfiduan regjimin komunist, duke e sakrifikuar edhe jetën e tyre… Populli ynë i ka borxh Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit dhe shumë të tjerëve. Le të jetë kjo veprimtari e shoqatës sonë një shënjë mirënjohje e respekti për jetën dhe veprën e tyre të ndritur.”

Meqënëse më 2 tetor ishte ndarë nga jeta albanologu i njohur, Robert Elsie (1950 – 2017), organizatorët vendosën që në këtë veprimtari të thuhen disa fjalë edhe për këtë ambasador të kulturës shqiptare. Për jetën dhe veprën e Robert Elsie-t foli gazetari i njohur dhe ish kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, zoti Llazar Vero. Figurën e Robert Elsie-t ai e vlerësoi lart, duke e radhitur atë në mesin e albanologëve më të njohur, më punëtorë, më prodhimtarë e më të përkushtuar. Robert Elsie ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për ta bërë të njohur letërsinë dhe kulturën shqiptare në botë. Duke gjurmuar nëpër arkivat e qyteteve të njohura të botës, Robert Elsie ka zbuluar shumë materiale të panjohura për historinë e Shqipërisë, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Robert Elsie përktheu mjaft vepra letrare të letërsisë shqiptare, përfshirë këtu edhe “Lahutën e Malcis”, që ishte një punë  mjaft e vështirë. Për punën e tij madhështore në fushen e albanologjisë, Zoti Vero e cilësoi Robert Elsie-n si një institucion, akademi më vete.  Për ta përjetësuar dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, Robert Elsie kishte lënë testamentin që të varrosej në Alpet Shqiptare, në Theth. Tani ai është bërë pjesë e përjetshme e botës shqiptare.

Për ta bërë këtë veprimtari sa më cilësore, organizatorët kishin bërë edhe një përzgjedhje me disa video ku flitej për jetën dhe veprën e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit, si dhe kronikat për veprimtaritë që ishin zhvilluar në Tiranë e Prishtinë me rastin e këtyre përvjetorëve. Jo rastësisht ishte përzgjedhur edhe “Sonata e dritës së hënës” (“Moonlight Sonata”) e Betovenit. Kur më 1931, me rastin e 40 vjetorit të themelimit të Institutit Qiriazi, mësuesja e pianos, Aferdita Osmani, kishte lozur këtë pjesë muzikore, Musineja kishte mbetur e mahnitur, ishte frymëzuar nga kjo pjesë. Shkrimtarja Eglantina Mandia librin për jetën e Musine Kokalarit që është një rrëfim artistik, e ka quajtur “Sonata e hënës”. Kjo pjesë e veprimtarisë u mbyll me këngën “Nuse e panusëruar”, kënduar nga grupi Argjiro dhe i kushtohet Musine Kokalarit me rastin e 100 vjtorit të lindjes së saj. I tillë ishte fati i jetës së Musinesë, ajo kurrë nuk e vuri velin e bardhë të nusërisë, por tërë jetën e mbajti velin e zi  të trishtimit.

Veprimtaria u mbyll me koktejlin tonë tradicional: “Bukë e kripë e zemër”. Gjatë veprimtarisë si dhe gjatë koktejlit bashkatdhetarët këmbenin mendime për jetën, veprën e Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit e Robert Elsie, shprehini adhurimin për veprën e tyre dhe shprehnin keqardhje për fatin tragjik të Sabiha Kasimatit e Musine Koikalarit.

Sadik Elshani

Filadelfia, Tetor 2017

 

Comments

comments

-----