Bisedë me Dr. Begator Llacin, djalin e suksesshëm shqiptar në Athinë

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

 

Dr.Begator Llaci nga ndihmës infermier në Greqi sot është mjek i specializuar dhe zv.shef në spitalin më të madh të përgjithshëm universitar në Athinë, Greqi.

 

Për të shuar kuriozitetin e lexuesve le të hidhemi në fëmijërinë tuaj.  Cila është fëmijëria juaj, origjina dhe çfarë do të kujtoni me shumë prej saj?

Së pari dua t’ju falenderoj juve për intervistën dhe interesimin tuaj. Gjithashtu një përshëndetje të ngrohtë për të gjithë emigrantët shqiptarë në Amerikë. Kam lindur në qytetin e Tepelenës në vitin 1972 nga një familje e thjeshtë punëtore. Nga fëmijëria kujtoj pasionet e mia për muzikën dhe futbollin. Gjithashtu, mbresëlënse kanë qenë pjesëmarrjet e mia në festivalet e fëmijeve si në Tepelenë dhe në Shkodër në rang kombëtar ,në të cilat jam nderuar me çmime të para.

Përveç këtyre dy pasioneve një interes të vecantë kisha për mësimet.

Ju keni mbaruar gjimnazin në Tepelenë, me mësuesë tejet të përgatitur sa ju ka ndihmuar niveli i mësimdhënies se tyre?                      

Kam mbaruar shkollën e mesme “Abaz Shehu “në Tepelenë, në vitin 1990. Stafi pedagogjik kishte një përgatitje të lartë profesionale, ndër ta mund të përmend: mësuesin e historisë Z.Nekim Liçaj ,mësuesin e matematikës z.Jani Dine, mësuesin e fizikës Z.Arqile Peri,mësuesin e fizkulturës z.Mihal Çimi etj…Sigurisht pergatitja e tyre e lartë profesionale luajti rol në formimin tonë të ardhshëm intelektual dhe profesional.

Dhe meqenëse m’u  dha rasti dua ti falenderoj të gjithë për kontributin e tyre ndaj nesh.

Ju mbaruat studimet e larta për mjekësi ne Tiranë dhe ndërkohë njehësuat  diplomën dhe vazhduat specializimin për patologji të përgjithshme në Greqi. 

Çfarë ndryshime pozitive dalloni midis nivelit mjekësor shqiptar dhe atij Helen?                                                         

Siç thatë edhe më sipër kam mbaruar studimet e larta për mjekësi në Tranë. Më pas u ktheva në qytetin tim, ne Tepelenë ku punova për një vit si mjek i përgjithshëm. Pasi emigrova kam njehsuar diplomën në universitetin e Athinës,më vonë u specializova për patologji të përgjithshme në spitalin universitar të  Niqes, Pire të  Athinës. Sigurisht që ka ndryshime në nivelin mjekësor shqiptar dhe atij grek: së pari është tradita që ka  Greqia në fushën e mjekësisë jo vetëm në rang europian, por edhe në atë botëror, gjë që në Shqipëri lë akoma për të dëshiruar .Së dyti si një shtet i ikuadruar më shpejtë në nivelin europian i dha përparësi dhe zhvillimeve në fushën e mjekësisë.

Sa e vështirë ka qenë për të arritur këtë sukses kaq te lartë jashtë vendit tënd në Greqi, ku ju shkuat thjeshtë si emigrant?                                                    

 

  Së pari të emigrosh në një vend krejtësisht të huaj, ku nuk njeh as gjuhën e komunikimit është sigurisht i vështirë integrimi në këtë shoqëri. Dhe unë integrimin tim e fillova pikërisht në këtë pikë: duke studiuar në fakultetin e filologjisë për gjuhën greke në universitetin e Athinës në vitin 2003. Më vonë pasi isha legalizuar fillova si infermier në spitale të ndryshme të Athinës, për periudha të ndryshme. Punësimi si infermier dhe jo si mjek vinte si shkak i mosnjehsimit të diplomës shqiptare në Greqi. Njehësimin e diplomes e kryeva në universitetin e Athinës në vitin 2005 duke dhënë dy provime plotësuese në patologji dhe në kirurgji. Ishte një obligim shumë i madh dhe orë të tëra studimi të përditshme për të arritur këtë sukses dhe njëkohësisht kam punuar.  Më vonë kam ushtruar profesionin tim si mjek në ishujt e dëgjuar të Egjeut Mikono, Tino dhe Siro. Gjithashtu kam punuar dhe në një klinikë private  turistike në Korfuz, në të cilën drejtoja dhe stafin mjekësor.  Më vonë u specializova për patologjii të përgjithme në spitalin universitar të” Niqës”  Pire Athinë, në vitet 2011 -2016.  Gjithashtu në harkun kohor 2014-2007 mbrojta masterin për kancerin e mushkërisë në spitalin universitar” Sotiria”dhe mbarova një specializim një vjeçar për sëmundjet infektive dhe të përgjithshme të mëlcisë,në spitalin periferik infektiiv “Agjia Varvara” të Athinës . Sigurisht për të arritur deri këtu duhej një punë kolosale me përpjekje të vazhdueshme. Sot punoj si zv.shef në klinikën e parë patologjike në spitalin universitar të “Niqes”Pire, Athinë qysh prej një viti..                

Ju punoni në një nga spitalet më të mëdha shtetërore te përgjthshme në Athinë, në Niqa Pire dhe çdo ditë  ju përballeni  me pacientë të sëmundjeve të ndryshme . Cili  është qëndrimi juaj profesional dhe emocional gjatë ushtrimit të profesionit tuaj?                                       

 

 Eshtë më se e vërtetë që unë përditë përballem me pacientë me sëmundje të ndryshme dhe të moshave të ndryshme .  Ndërthurrja e anës profesionale dhe emocionale në përballje me sëmundjen e pacientit janë gjithmonë në shkallën sipërore.  Mundohem gjithashtu të jem sa më afër pacientit  që të ndihet sa më pozitiv nga ana psikologjike për përballimim e sëmundjes.                                

Ju keni mbajtur disa kumtesa të ndryshme ne fushën e mjekësisë në Greqi. Si jeni prezantuar në këto konferenca akademike mjekësore greke dhe mbarëkombetare?               

Shkenca e mjekësisë është një shkencë në zhvillim dhe si gjithmonë është në kërkime dhe zbulime të reja. Kam qënë i pranishëm në 30 konferenca mbarëkombëtare, në të cilat janë diskutuar tema të ndryshme mjeksësore si psh: studime të reja mbi sëmundjet e sistemit tretës, sëmundje të tensionit arterial të lartë, mjekimi i sëmundjeve infektive të mëlcisë, të rejat bashkëkohore për sistemin kardiovaskular e shumë tema të tjera.  Gjithashtu së bashku me një ekip kolegësh grekë kam marrë pjesë në 10 studime të ndryshme mjekësore në lidhje me ndikimin e hepatiteve në kancerin e mëlçise. Në të gjitha pjesëmarrjet e mia jam munduar të bëj paraqitje sa më të denjë profesionale.

Në shtetin fqinj helen jetojnë dhe shumë emigrantë shqiptarë. Sigurisht, jeni përballur edhe me bashkëkombasit tanë gjatë ushtrimit të profesionit tuaj. Mund të na përshkruani emocionet tuaja si mjek dhe si shqiptar?                      

Profesioni i mjekut nga vetë natyra e tij eshtë human dhe nuk mund t’i ndajmë pacientët nga përkatësitë kombëtare. Për ne pacientët  janë të gjithë njelloj, megjithatë përballë shqiptarëve është një obligim emocional i natyrshëm sepse jemi bashkëkombas dhe mundohem ti ndihmoj sa më mirë duke komunikuar dhe në gjuhën tonë .       

Cila është familja juaj në Greqi?           

Prej 12 vjetësh kam krijuar familjen time nga e cila erdhi në jetë dhe një djalë. Familja ime më ka mbështetur dhe më ka përkrahur në çdo hap dhe është pjesë e arritjeve të mia.

Dhe së fundi, mendoni se një ditë do te ktheheni në qytetin tuaj të lindjes në Tepelenë për të ofruar përvojën tuaj si mjek i specializuar i ardhur nga një shtet europian me mjekësi më të zhvilluar se vendi ynë?                     

E përse jo? Rëndësi ka të na mbështesë shteti ynë, sepse në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar sistemi shëndetësor, sidomos në periferi të vendit. Le të shpresojmë…

Ju falënderoj për intervistën dhe ju uroj suksese të mëtejshme në profesionin tuaj.

Gjithashtu dua të bëj një falenderim të veçantë për emigrantët shqiptarë kudo që janë duke u uruar fat dhe suksese në jetë .

Faleminderit dhe shumë urime Dr.Llaci!

 

Manhattan, New York

1 Nëntor, 2017

 

 

 

Comments

comments

-----