FAQJA E BARDHË E HISTORISË

Kolec Traboini, Miti i Hotit, Tiranë 2017

Nga ANTON GOJÇAJ

 

Kolec Traboini shpërtheu si krijues pas rënies së sistemit monist. Është autor i rreth 30 veprave letrare. Spikat në lirikë dhe publicistikë. Një apostull i fjalës së lirë dhe i kulturës demokratike. Vepra e tij më e freskët, “Miti i Hotit”, tipologjikisht paraqet një përzierje diskursesh (diskursit historik, publicistik, letrar). Të gjithë artikujt, ose kapitujt, mund të cilësohen si ese, përveç njërit që është reportazh. Fija që i lidh kapitujt është tematika e Hotit dhe hotjanëve.

Mite në shkencë quhen rrëfimet e lashta për hyjnitë dhe shejtnitë para së gjithash greke, por jo vetëm greke. Ky libër nuk bën fjalë për hyjni greke as iliro-pellazgjike, por flet për disa figura luftëtarësh të shquar malësorë, gjegjësisht hotjanë. Fjala “mit” këtu përdoret në kuptimin e lavdisë, në vend të saj mund të qëndronte “legjenda”, ose personalitete të lavdishme nga Hoti…

Në epokën tonë (aktualisht) pëlqehet më shumë demitizimi, deheroizimi… Zëra të ndryshëm, në media, nga foltoret, në libra, theksojnë nevojën për “çmitizimin” dhe deheroizimin e personalitete të caktuara, deri edhe të kryetrimit (ndër)kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Dhe nuk ndalen vetëm me të.

Traboini u bie ndesh rrymave të çastit, të cilët kapërcejnë nga njëri ekstrem në tjetrin, deri dje ishin adhurues të mëdhenj të të njëjtëve heronj, deheroizimin e të cilëve e kërkojnë tani me ngulm. Këto rryma përfaqësohen nga intelektualë dhe kuazi intelektualë që zhurmojnë në kor, si t’i dirigjonte dikush, të njëjtat refrene të mësuara përmendësh, të kopjuara nga qarqe perëndimore, por që (atje) janë thënë e thuhen në kontekste për shumë arsye të papërputhshme me realitetin tonë. Puna ka ardhur deri aty, sa individë të caktuar siç është Koleci, duke rrezikuar që dikush t’i marrë për donkishotë të cilët kanë humbur sensin e arsyes, ndjejnë detyrimin t’i kundërvihen kësaj tendence duke shkruar një apologji të llojit të vet. Një apologji e tillë është “Miti i Hotit” i Kolec Traboinit dhe në perspektivën e “frymës apologjike” e kam përjetuar edhe gjuhën dinamike, nganjëherë glorifikuese, që zbardh dhe analizon bëmat e hotjanëve të njohur gjatë shekujve. Qëllimi apologjik i veprës e përligj ligjërimin panegjirik.

Mitin e Hotit hotjanët e krijuan me gjak. Ai nuk i përket vetëm një prijësi apo vetëm dy-treve prej tyre, megjithëse është një praktikë e përbotshme që lavdia t’u vishet prijësve. Vërtetë, vlerat e një fisi, bashkësie, vendi, maten me arritjet e bijve dhe bijave më të mirë, ashtu siç maten bjeshkët për nga majat më të larta. Mirëpo, pjesë në atë lavdi duhet të ketë edhe shumë luftëtarë të tjerë, tashmë të harruar, heroizmi dhe vetëflijimi i të cilëve u pushtua nga heshtja dhe u mbulua nga sintezat përgjithësuese dhe relativizuese të historive zyrtare, të cilat gjithmonë diktohen nga interesat e kohës të rrymës që mban pushtetin.

Ky libër nuk synon edukimin e kreshnikëve të rinj sipas kallëpit të moçëm. Epoka e luftëtarëve ka ikur. Kreshnikët e sotëm armë e kanë librin.

Ajo që dhemb është shpërfillja, keqinterpretimi dhe nganjëherë shpërfytyrimi i heronjve të Hotit në debate dhe tryeza shkencore dhe kuazi-shkencore. Me këtë libër autori sikur porosit: jepuni kreshnikëve çka u takon kreshnikëve! Një vend të dinjitetshëm, si faqja e bardhë e historisë kombëtare.      

Vlera e këtyre eseve nuk qëndron te datat e sakta dhe te citimi i dokumenteve zyrtare apo i literaturës historike. Këto të fundit janë krehur dhe përshtatur (lexo: manipuluar) shpesh, sipas nevojave të qarqeve me pushtet. Megjithatë, shembujt, të dhënat dhe sqarimet që jep autori janë interesante dhe të qëndrueshme. Ai shpesh nxjerr sinteza të ndjeshme dhe të paanshme, si p.sh.: “Shteti komunist e ka vlerësuar Dedë Gjo Lulin, por në një anë e vlerësonte në anën tjetër gjithë familjen e fisin e tij e persekutoi në mënyrën më të egër e më çnjerëzore.” (f. 51)

Figurat me të cilat Koleci e hartoi “Mitin e Hotit” janë personalitete historike, prej mishi e gjaku, me biografi reale dhe të mirënjohur për pjesëtarët e fisit të tyre por edhe të kombit në kohën kur ata vepruan. Emrat e tyre vështirë i gjen në tekstet historike apo në enciklopeditë kombëtare të autorëve të cilët më shumë sesa shkencëtarë të mirëfilltë janë burokratë servilë, të cilët duke u ikur “fytyrave” dhe ngjarjeve të vërteta i bëjnë lëmsh të gjitha. Jo gjithmonë nga padituria, por edhe nga smira. Do të ishte shumë më keq, e ka indicione se kjo po ndodh, që kështu veprojnë me një mision të caktuar akoma të mbajtur pas kulisave, për t’u përgatitur terrenin ideologjive të caktuara të cilat presin pjekjen e kushteve për të dalur në mënyrë të hapur. Heronjtë e tij kanë karaktere dhe ideologji të ndryshme, Dedë Gjon Luli është tribun popullor, Nikoll Gojçi partizan e komunist, kurse Gjelosh Luli antikomunist. Por të gjithë e ndoqën me pasion dhe me konsekuencë idealin e vet, me çmimin e jetës.

Stili i autorit nuk është i një opinionisti anemik, të dashuruar në vetveten. Karakteri i tij nuk i duron dhelpëritë intelektualiste, të cilat shpesh të vetmin qëllim e kanë bishtërimin e së vërtetës. Retorika e Kolec Traboinit është e rreptë dhe provokuese. Ai jo vetëm mbron, por edhe godet. Jo vetëm konteston, por edhe hulumton. Edhe kur priret kah subjektivizmi, jep argumente e veta me një logjikë sa racionale aq edhe burrërore. Është një polemist i lindur, që t’i kujton polemistët tanë klasikë, F. Bardhin, Gj. Fishtën, F. Konicën etj.  

Ky libër vlen të lexohet. Atë duhet kuptuar dhe konsideruar si një gurë me peshë në digën parandaluese kundër ideologjive të reja që duan të shpërfillin historinë reale për të vendosur një paradigmë të re historike, që mbështetet mbi fabrikimin dhe falsifikimin e historisë. Ky libër është homazh për Hotin dhe hotjanët kudo që janë, e në veçanti për ata që sakrifikuan veten, e ndonjëri edhe gjithë familjen, për atdhe e liri.        

 

Comments

comments