Linja e qendisur dhe pata*

In memoriam,  At DHIMITËR  PRIFTIT

Nga Përparim Hysi

 

Ashtu, në të ngrysur, Xox Lundra u kthye në shtëpi. Ia kish marrë këngës. Edhe ia thoshte, por dhe ia mbante. Vara,e shoqja, ia dinte huqet. I shoqi shquhej për këngë. Këndonte edhe nga qejfi, por dhe nga marazi. Ajo e dinte se, kur e dublonte këngën, si me demek po ma mban dikush, qe se ishte çakërrqejf: xhëku kish kthyer ndonjë faqore dhe, nëse vetëm ia thoshte, qe i mërzitur dhe me këngë e bënte def marazin. Dhe ajo e hidhte vallen sipas muzikës: kur ish në qejf, dilte me profilin e saj të plotë dhe priste ndonjë rromuzë si në rini të saj; nëse qe ndryshe, humbiste diku me ndonjë qoshe, se, gjasme, qe aq e zënë me punë,sa nuk kish ngenë e askujt. Sa nuhati gazin tek i shoqi, u rrëfye ballas dhe ai, sa e pa, i tha:

-Digjo ç’të them! Sa pa errur mirë, ma zërë atë patën matkuar se nesër është e martë dhe ditëpazari. Do ta shes dhe do të ble një linjë të qendisur.
Ajo, sado i erdhi mirë nga ç’dëgjoi, bëri atë gruan nikoqire dhe të sakrificës,siç bëjnë gjithmonë gratë e mira,sidomos në fshat, mori guximin  dhe i tha:- Mban, mban dhe copraherë kjo e shkretë linjëza ime dhe patën matkuar, kur vjen koha  e shtrojmë prapë e shohim e bëjmë.

– Moj ti,- e rriti dha ca zërin i shoqi,- mos gjë kërkova mejtim nga ti apo urdhërova.
Dhe Vara që nuk e hante bukën thatë, u tregua hazerxhevap: – Epo fjalë e burrit mu në vesh të Perëndisë.
Si tha kështu, hyri në kotec dhe,pasi zuri patën matkuar, ia lidhi këmbët dhe e la në koridor. Çakërrqejfi, kur pa që urdhëri shkoi në vend, tha:

– Do ngrihem me natë që, sabahu, të më zërë në kasaba, muana. Se që ta marrish vesh, që me të gëdhirë, pazari është për hair; në inqindi (mbasdite) pazari është i lirë.
                                  *     *     *

Ndryshe nga netët e tjera,Xox Lundra, ra më shpejt në shtrat dhe,siç vuri  re Vara,fjeti si qingj. Kjo, vërtet që ra si zakonisht,por gjumi mezalla se e zinte. Fukarai,kur mendon se do blejë një plaçkë të re, bëhet si  ai fëmija në një pavijon lodrash. Dhe ajo mbeti me sytë kllap për atë linjëzën e qendisur që do i blinte i shoqi. Kur i hipën në kokë këtij, timit,- molloiste në shtrat,-  hapi rrugë. Dhe ndjehej mirë që i shoqi do shkonte në pazar vetëm e vetëm për të. E sa për atë”linjëzën e qendisur”, ajo bariste me kujtime tutje çupërisë, kur kish patur një “linjëz” të tillë dhe Xoxi,  djalë në vakt, jo vetëm ia kish parë në festën e Shën Mërisë, ditën e 15 gushtit, aty, tek oborri  qishës, por si këngëtar që ishte ia kish thënë këngës:

“Tek  oborri i qishës
Dit’n e Shën Marisë
Pashë”linjzën e qendisur”
Qendisur me bizë”.
Ia  tha Xoxi, mahere, dhe Gori Dhespoti ia mbajti. Pa erdh u mblodh njerëzia dhe kënga gjym. Kënga gjym, po secila prej nesh, mendjen tek linjëza. Unë,për vete, të qendisur e kisha,por sa çupa kish fshati? Hane, bir, ta llogorisje,de. Llogorisje, nuk lllogorisje,por muana,ama, më fshiku kënga dhe, në më vuri re, qy,laço, nuk e dija,por Dafina, komshia më tha:- Moj sikur po merr flakë. Se kaq do Xoxi, në hodhi sytë e të pa, ta ngriti këngën. – Pupu,- bëra mahere, una dhe sa më erdhi turp nga fjalët e Dafinës,aq më erdhi mirë për këngën që këndoi Xoxi. Thashë:- Ta dijë ai, mbirdreqi, që e kam linjën (këmishën) të qendisur me bizë? Epo  ç’ta njac kot muhabetin. Me qenizma  pa qenizma linjën, por ç’është nisur, do  soset dhe ja tek u bëra nuse e këtij Xox Këngëtarit. U ndjeva mirë, kur erdhi dhe më kërkoi, por pa sosur viti mirë, u bëmë me fëmijë. Hë këtë sene një, hë tjetrën dhe u mbush vattha me plot 7 fëmijë. Filllimisht qemë mirë e bukur, se imshoq hidhte lundrën. Pakogjë sot dhe pakogjë nesër, por dilnim tej matan. Por kot nuk thonë: mos u gëzo,o i gëzuar! Mos u hidhëro, o i hidhëruar. Se do vijë një kohë,- thoshte Shën Kozmai,- që do hajë ropi ropin.
                                           *     *   *

Prisja të  kthehej qy nga lundra dhe,sado që u vonua më shumë se herët e tjera, dëgjova që këndonte. Qe me një zë.

Ç’ta ketë këtë maraz, xhanëm,se mos  është zënë me njeri? Por jo,- thashë me vete,- s’është nga ata lloji Xoxi im; nuk ka këngëtar që bën sherre. Erdhi, hyri brenda dhe hapa napën  që të hante. Aha,- më tha,- jam i ngrënë  dhe i ngopur.

Kish një brengë që ia shihja mu në ballë. Ta pyesja më, e  dija që ishte nga ata qetë që nuk durojnë bodec, ndaj e mbylla shkarpën. Mbylla unë shkarpën, po hapi ai shtegun. E more vesh?- bëri sikur pyeti. Unë ngrita supet. Doli fjala e Shën Kozmait. Sa digjova emrin (qishën e kemi dy çapa larg), bëra kryqin dhe po prisja. – Vdiq lumi!- bubulloi ai.

Thashë mos ish lajthitur dhe rashë në gjunjë për t’iu lutur Perëndisë.Por nuk m’u durua:- Pse rop është lumi që të vdes?!Unë them vdiq dhe nuk ngjallet më. Mbeti si pellgaçe që nuk ka ujë më dhe na “dhjenë” mu në lundër. Dy këmbët tani na i vunë në një këpucë. U pikëllova dhe thashë:- Po si gjithë njerëzia dhe ne. Kaq sa thashë, qe fjalëgoje se na hipi një fukarallëk që,siç e shihni,m’u ngjit linjëza pas trupit.
                                          *    *   *

Sado që nuk mbylli sy tërë  natën e natës, u ngrit para të shoqit,i bëri mëngjesin gati dhe,pasi ia futi patën në trastë, e përcolli të shoqin deri tek lesa (porta).

-Digjo,- bubulloi ai,- po shkoj kastile për tyja në Fier dhe,  si të shes patën, do ta ble linjëzën e re. Ardhur pa ardhur una, linjëzën e vjetër ta kesh djegur. Në mos,as ke për ta parë me sy të renë.

Vara qe grua e bindur dhe, sa mori kthesën i shoqi, ndezi zjarrin në oborr dhe e dogji linjëzën e vjetër që ish bërë si “pjesë e lëkurës”. I shkoi një drithërimë e ëmbël në stomak dhe mendoi për Xoxin e saj aq të  mirë. E do me qendizma si atë kohë,- mendoi.

Merresh me punë,por me mendje qe nga rruga, nga ku do rrëfehej i shoqi me linjëzën e qendisur. Qe thyer dielli i pasditës dhe ndjeu një zë. Doli dhe pa Najen, komshien e saj.

– Nuni im erdhi,- tha Naja dhe Xoxi i kish thënë se do vonohej dhe ca, ndaj erdha që mos bëhesh merak. Po hajde brenda,- e ftoi Vara,- se pimë ndonjë sapllake me dhall. Najes i hanin brirët për muhabet dhe u  ul si punëterezi. Llaf pas llafi, po, ndërkaq, dielli hyri dhe Xoxi nuk po dukej.

– Epo nuk iu durua Varës, pa i thënë Najes. Xoxi im po vonohet,se ka nxjerrë patën matkuar në pazar për të blerë një linjëz me qendizma për mua.

-Ua,- bëri të habiturën Naja. Mos më thënçin Naje Dhespoti muana, po nuk ia shkula musteqet atij Nunit tim una. Sot Xoxi; të martën tjetër Nuni im,pulëzën e detit. Ndënji dhe pak dhe,kur po ngrihej të ikte,i tha:- Nesër,sa të dalin burrat nga shtëpia,ardhsh dhe una të ta shoh.Dobarem ta zë me dorë se na u ngjit linjëza pas trupit. S’kish as dhjetë minuta që ksih ikur Naja, Vara që qe bërë sy e vesh nga oborri, dëgjoi lesën që u hap. Erdhi,- bërtiti si fëmijë e gëzuar,- dhe rendi t’i dilte të shoqit para. Kur ç’të shihte? Xoxi i zgjati trastën me gjithë patë. Nuk më pyeti ropi gjallë se sa shkonte dhe mirë më tha Nuni:- Nuk është korriku për pata,Xoxi! Mirë e kishte ai,por kot nuk thonë:- E sheh tjetrin me një pallë,po nuk e di se si e ka hall. Varës sa nuk i ra trasta nga dora,por Xoxi i bër tym, urdhëroi:- Bjerë naxhaken këtu. Vara gjeti naxhaken dhe, më shumë e vdekur se e gjallë, ia zgjati të shoqit. Ai mori patën, ia vendosi kokën në kërcu dhe me një të rënë të naxhakes,ia preu kokën. Ripe dhe vër çerepin. Sa pjekur,pa pjekur dërgo çunin tek Nuni se kemi gosti sonte. Nuni që një gardh matan qe, mbrriti dhe, tek ia thanë këngës,  e kthyen dynjanë përmbys. Xoxi që me një gur vriste dy zogj, i thirri: “Tek oborri i qishës… o i qishës,o i qishës, ia mbante Nuni/unë të pashë “linjëzën e qendisur… o të qendisur,ia kthente Nuni. Dhe mend oshtiu shtëpia nga gazi apo marazi,hajde ta gjeje.Por dhe vet Vara, tek u shërbente “këngëtarëve”,pothuaj, e harroi “linjëzën e qendisur” dhe,dashje pa dashje,shpinte buzën në gaz. Se të varfërit e përqeshin me të qeshur varfërinë në Myzeqe.

 

* kam ruajtur të folmen e krahinës dhe emrat janë veç përkime të rastit. Rrëfimin,në vija të  trasha, ma ka bërë At Dhmitër Prifti që e kujtoj me mirënjohje.

 

 

                                   Trianë, 16 tetor   2017

 

 

Comments

comments

-----