Një portret i Petraq Kolevicës

Nga Qerim Vrioni

Këtë fotografi (portret) të arkitektit, poetit, përkthyesit, intelektualit e, njëkohësisht mikut tim Petraq Kolevica, e kam bërë në shtëpinë e tij para rreth 14 vitesh. Ato kohë, gjatë bisedave të këndëshme me të, ai jo rrallë, më dhuronte edhe ndonjë libër të tij (origjinal ose përkthim) të sapobotuar dhe të shoqëruar përherë me autograf tepër miqësore.

   Prej atëhere, shëndeti i z.Kolevica është rënduar, edhe si pasojë e moshës, ai ecën më me vështirësi dhe ka humbur thuajse fare shikimin (nuk mund të lexojë dhe as të shkruajë). Gjithsesi, kafet e bisedat me miqtë e tij e gjallërojnë. Veçse, tashmë librat e tij, të cilat vazhdojnë të  botohen nga familjarët, m’i dhuron sërish me shumë kënaqësi, por…pa autografe, gjë që edhe mua më pezmaton.

   Sidoqoftë, nga bisedat e fundit me z.Kolevica, unë “gjej” dhe “lexoj” sërish në vendet bosh të autografeve intelektin, kulturën dhe botën e artistit, të cilat me gjithë kalimin e viteve si edhe gjendjen jo të mirë fizike të tij,  nuk  duket se kanë pësuar ndonjë ndryshim  tek ai.

 

 

Comments

comments