NË ÇIKAGO E KAM PASURINË

Nga Luan Çipi

 

Në qiellçarëse, te djali, kati njëzet e shtatë,

Çikagua shumëmilionëshe, më ka gllabëruar,

Sodis nga dritarja, herët që me natë:

Vargu me makina nuk ka të mbaruar.

Rendin për në punë, po ku shkojnë vallë,

Miliona makina me dritat pa shuar?

Dikush për në zyra për të zgjidhur hallë,

Ca të tjerë bizneset për të menaxhuar.

Tufë njerëzish në shfaqjet, ca në muzeum,

Në futboll, hendboll, apo diku tjetër,

Radhë të gjatë kanë zënë, për në “Akuarium”,

Ca shkojnë për tregtim te “Westfildi” i vjetër.

Në “Tempullin e Bahait”, besnikët qëndrojnë,

Nga “Milja Magjike”, nuk u ndahet xhani,

Ca te “Planetarja” rijnë, fotografojnë,

Një det i pafund duket “Miçigani”,

Lundrojnë anije, skafe gjithfarëlloj

Dhe ato veç ikin, sfidojnë shpejtësinë

Dhjetëra imbarkuar në mole qëndrojnë,

Çajnë avionët qiejt, prishin qetësinë.

Deri vonë në mbrëmje rilindin magjitë,

Miliona makina kthehen nga kanë ardhur,

Shkojnë të pushojnë, grumbullojnë fuqitë,

Për t’u nisur rishtas mëngjesit pa zbardhur.

Punon Amerika, lufton, vigjilon

Për Botën, Kosovën dhe për Shqipëri.

Një këshillë të urtë, plaku ju dërgon:

Ndiqeni nga pas, me shumë dashuri!

*

Pse o Çikago e Madhe, ma prish qetësinë?

Ishe Ti fatmadhe, që më ndolle mallin,

Se aty, te Ti, kam gjithë pasurinë,

Njerëzit më të dashur: nusen, nipat, djalin!

Vlorë, më 30.09.2017

 

 

 

Comments

comments

-----