Çfarë? Nuk është dashuri kjo?

Nga Përparim Hysi

 

Ka një shkak që lind dashuria. Ky shkak mund të jetë fare i rastësishëm dhe,sado që në fillim duket pak shpotitës, vjen dhe “trashet” e “trashet”,sa bëhet,sa tundues dhe aq sundues. Si histori,thënë në ligjëratë të drejtë, më është treguar nga shoku im Vilson Shtëmbari dhe unë po e sjell ashtu siç ma ke treguar ai? Dhe pyetjet po i sjell drejtpërdrejt nga ai, që, në një farë mënyre janë si pyetje retorike,përgjigjen çdo lexues e jep sipas gjykimit të vet.

                                *     *    *

Isha tek një nga kioskat për të blerë një kartë telefoni. Para meje, me kokën të futur brenda sportelit, një zonjë i bënte shenjë shitsit për atë që kërkonte. Unë qeshë përbri me zonjën,e cila, pasi bleu mallin, u kthye nga unë duke u përplasur   me mua. Përplasja qe e beftë dhe, tek tentova që të”mbrohesha” sado pak, ajo sikur thirri: – Ou,- bërtiti,- sinqerisht të më falni, se, pa dashje, u  vrava.

Mua,- tregoi ai,- hunda më hante për “sherr” dhe,aty për aty, ia prita:- Moj zonjë, mos u shqetësoni fare. Pastaj një”vrasje” të tillë unë e ble dhe me para dhe jo si kjo që ndodhi pa dashje. E zbraza kështu “tymse” dhe thashë: të dalë ku të dalë. Zonja qe nga ato që “bukën nuk e hante thatë” dhe batutës sime se “një vrasje të tillë e blija me para”, iu përgjigj flakë për flakë:- Ore “sherri” do edhe nge, por dhe para. Me sa shoh,  i paske të dyja, ndaj hajde të ulemi tek kafja për ta vazhduar më tej “sherrin”.

Po si mos t’i përgijgjesha asaj sfide kaq të hapur?
                                 *      *     *

U ulëm tek kafja që qe dyçapa më tej dhe,sa u ulëm, bëmë porosinë: ajo kapuçino dhe unë expres. Mandej,secili prej nesh hapi “kutinë e tij  të Pandorës”.

Mua më quajnë Olimbi, shkurt më thonë Ola,- tha ajo. Punoj si kasiere në një bankë private dhe  sot, për fat të mirë, jam pushim. E kam kohën me pashë.

Mua,- i thashë unë,- më quajnë Vilson, shkurt më thërresin Coni dhe jam jurist privat. Ngaqë jam i tillë, kohën e lirë e kam pa hesap.

Ou,- tha tërë ilaritet ajo,- kohën pa hesap,ndaj dhe për”sherrin” qe hazërxhevap. Pas kësaj batute, qeshëm që të dy dhe sikur u çliruam nga  një gërç, siç ndodh me gjithë njohjet të tilla. Duke gjerbur kafet tona, unë fillova t’i tregoja, në vija të trasha,se kush isha. Natyrisht, nuk u zgjata shumë dhe, sidomos, kur erdhi fjala që t’i flisja për ndarjen me timeshoqe, u mjaftova vetëm kaq: u ndamë se nuk na u puqën karakteret. Unë i rrëmbyer që kam nevojë për fre dhe ajo, jo vetëm e ngadaltë, por dhe në intimitet gati e ftohtë si copë mermeri. Kur po i tregoja, natyrisht që ndiqja me syrin e një mashkulli me përvojë se si reflektoja tek ajo. E pashë që më ndiqte me vëmendje dhe kjo gjë më tregonte se “partnerja” ime nuk qe pa përvojë në këto çështjet e çifteve familjare apo dhe për ata me bashkëjetesë. Për t’i dhënë të kuptonte se radhën e kishte ajo, shtova vetëm kaq: tani jam i lirë dhe nuk kam as edhe një lidhje, qoftë dhe të rastësishme.

Qe vajzë e zgjuar (siç e çmoja, vërtitej aty rreth të  tridhjetave) dhe, tek e mori fjalën, tha:- Rastësisht, u  njohëm dhe, ngaqë kjo njohje ndodhi nga një rastësi fare e vogël, ja kush jam unë.

Jam  30-vjeç. Kam mbaruar ekonomikun dhe punoj në një bankë private. Sado në këtë moshë, nuk kam ndonjë partner intim. Për të qenë e sinqertë me ty: unë nga ferra nuk kam dalë. Kam patur një”lidhje” që më përpara u zgjidh se sa u”lidh”. Nuk dua të flas më gjatë  për të. Se nuk ia vlen. Ka ndodhur gati 10-vjet më parë dhe, kur thonë, u dogja nga qulli dhe kam kohë që po i fryj kosit. Pra, dhe unë jam e lirë. Si bëmë një pauzë (sikur donim të mbusheshim me frymë, për t’u mbushur me  energji për ta vazhduar bisedën më tej),e mora fjalën unë.

Po ju jini me familje këtu apo jetoni vetëm?

-Jo.Familja ime është në Korçë.Unë jetoj bashkë me një shoqe,me të cilën ndajmë dhe qeranë e shtëpisë ku banojmë.

Duke marr edhe këtë informacion nga ajo, unë po tirrja atë”shtëllungën” e së ardhmes. Në një shikim të përgjithshëm, ajo jo vetëm kish një portret të pëlqyeshëm, por dhe tërheqës. Tek e vështroja pak skiç (se kështu e kërkonte etika), vura t’ia hedh të gjithë “nishanet” në panelin e mendjes sime. Ay për aty, për të nuk kishe se ç’thoshe. Po unë, ngaqë qeshë djegur nga zjarri i parë,  i mendoja ngjarjet me gjakfohtësi dhe nuk ngutesha.

Qëndruam edhe ca. Lundruam në dete paqësore dhe, kur do ndaheshim, i thashë:- Si thuaj,a do ta vazhdojmë “sherrin?!”.

– Dakord,- pranoi ajo.

Shkëmbyem numrat e telefonit dhe secili shkoi në punë të vetë.
                      *    *   *

Secili shkoi në punë të vetë, por kaq është vetëm një fjalëgoje. Në mbrëmje,as që po më merrte gjumi. Mendja, kuptohet:tek ajo. Ta marrë, mos e marrë? Mëdyshja, sikur të qeshë axhami. Kot nuk thonë: jep një grosh dhe hyn në valle, jep pesëqindë dhe nuk del dot. Më së fundi, u bëra trim. I rashë numrit të saj dhe, tek prisja të më përgjigjej, e kisha bërë gati shkakun: sikur kisha një problem me bankën time dhe  kërkoja gjykimin e saj si specilaiste. Por qeshë shqetësuar kot. Sa mori telefonoin, më tha:-  Sa do të kisha marrë vet. Shoqja po vonohet dhe unë thashë:-Po e marrë  njëherë atë mikun tim. Kur cërrrrrrrrr,qenke ti.

A e di se si thonë andej nga anët tona?- Kobure kanë të tërë,po kush e zbraz i pari të vret.

Ou,- tentova t’i përgjigjesha shpotisë së saj  me shpoti. Me demek,të vrava. Po ngaqë të”vrava”,- i thashë,- do të vij e do të ngjallë, se edhe më dhimbsesh,por dhe më lipsesh.

Qeshi me shpotinë time dhe tha:- Por ti sikur paske lindur nga ne? Kam qenë ushtar në Kolonjë dhe  xhëku mbaj mend një “çiçkë”.

Ah,- tha ajo,- këtë “çiçkë” e kemi tonën ne.

Mandej, pothuaj të gjithë ofertën time e harxhuam. E lamë që do  takoheshim të shtunën,se banka e saj nuk punonte,unë po vet myfti e vet kadi dhe,mezi prisja të vinte e shtuna.

Ore,- m’u drejtua duke qeshur,- dashuria të merr mendjen dhe të humb edhe gjykimin. Në çfarëdo moshe, katandise si axhami. Kisha rënë brenda dhe,këtë radhë, qe “rënie” e rëndë.
                           *    *    *

Erdhi dhe e  shtuna. E kisha lajmëruar më parë që me makinën time do hanim një drekë jashtë Tirane. Qe veshur sportive  si të shkonim në “piknik” dhe,sa hyri në veturë, u zgjat nga unë. E putha si me politesë dhe, tek u nisëm, më tha:- Unë qysh nesër do filloj pushimet e verës.

Epo, pushime të gëzuara,- urova, por kurioziteti nuk më linte rehat:- Vetëm do shkosh me pushime apo me dikë tjetër?

Vetëm, vetëm dhe,deri tani, nuk kam asnjë plan. Kaq m’u desh dhe mezi prisja sa të sosnim atje ku kisha bërë porosinë. E kaluam aq mirë drekën dhe si, thelë mbi bisht, biseda jonë u bë e ngrohtë. Si për  t’u relaksuar pas asj dreke të shijshme,e ftova për një shetitje në pyllthin për karshi. Qe një mjedis  që të kënaqte dhe ca më tepër vera na e kish ndezur gjakun dhe qemë gati për”sherr”. Aty mes një peizazhi të gjelbër dhe të mbushur me cicërima zogjësh, u  ulëm mbi një batanie pambuku, të marrë enkas, dhe mu aty  e putha ngrohtësisht. Ndjeva gjakun të nxehtë dhe, reciprokisht, putthja qe në të njëjtën gjatësi vale. Dhe, mandej, si dy pëllumba që gugasin dashurisht, ju dhamë njëri-tjetrit. Nuk kish nevojë as për propozim dhe as për premtim.Çdo gjë lindi vetvetiu dhe, fillimisht, nga një shkak fare i vogël. Shkak i vogël, por kot nuk thonë: ferra e vogël, fsheh lepur të madh. Pushimet vendosëm t’i bënim bashkë. Por ç’them dhe unë? Por bashkë me të jemi dhe  sot e kësaj dite. Dhe, nëse ta tregova të tërë këtë hsitori, e di pse e bëj? Dua të të pyes:- Çfarë? Nuk është dashuri kjo?

 

                               Tiranë, 29 shtator  2017

 

 

Comments

comments

-----