Panik në Linjën Shkup – Tiranë

Nga Mirjeta Dema 

Shtator 2017, Tiranë

Biseda që pata pak ditë më parë me një miken time me tronditi pa masë, e që nga ai moment mendova, se do të ishte mirë të shkruaja diçka, për të informuar mbarë opinionin qytetar dhe qeveritë përkatëse për të marrë masat e duhura. Më poshtë mund të lexoni tregimin e saj.

***

Jetoj në Amerikë, por në muajin shtator mu desh të udhëtoja për në Tiranë, e më pas në Shkup. Udhëtimi Tiranë – Shkup shkoi shumë mirë, pa asnjë avari, vetëm dy ndalesa pati shoferi, një ishte dogana shqiptare dhe një ajo maqedonase. Të them të vërtetën qendra e qytetit të Shkupit më pëlqeu. Kishte shumë ndërtime antike, Aleksandri i madh mbi kalë, muzeume, ura të vjetra me arkitekturë që i kishte rrezistuar kohës, e të bukura. Buste, monumente figurash historike, pamvarësisht se kujt periudhe historike i përkisnin, por që nuk kishin pësuar asnjë dëmtim, thyerje apo vandalizëm, çfarë tregonte që edhe pse shumë protesta e revolta popullore që kishin ndodhur atje, nuk ishin thyer e shkatërruar veprat e artit e monumentet në Shkup. Muzeu i Nënë Terezës ruhej nga shteti, sigurisht pasi ata e quajnë të tyren, paçka se Gonxhe Bojaxhi është shqiptare, gjë që e ka deklaruar edhe vetë ajo.

Por ajo çfarë unë dua të tregoj në këtë shkrim është shqetësimi dhe paniku që ndodhi në autobusin e linjës Shkup – Tiranë, në autobusin me targë           TE – 5918 AB. Mesa kishim pyetur e informuar, ishte se bandat nuk dilnin më rrugëve për të plaçkitur e masakruar udhëtarët nëpër makina e autobusë, por ajo që kishte ndryshuar ishte se, hajdutët ishin sofistikuar e vidhnin me stil modern.

Autobusi u nis nga Shkupi mbrëmjen e datës 10 shtator 2017, ora 9 pm. Hypi kush kishte për të ndjekur këte linjë e shoferi e mbajti  ndalesën e parë në Strugë, aty u zëvëndësua me një tjetër shofer (punë e tyre), shoferi “i ri” vijoi rrugën më tej. Autobusi bëri shumë ndalesa, disa prej tyre mu dukën edhe të panevojshme, vende pa drita, errësirë, dukeshin zona të pabanuara, ndoshta gabohem, por u bë si një linje lokale, ku zbrisnin e hypnin pasagjerë të ndryshëm. Kur autobusi ndaloi në Ohër, dikush që zbriti dhe hypi përsëri në autobus thërriti i shqetësuar se i kishin humbur dy valixhe dhe një thes me speca. Puna e lodhja e ditës, e buka e gojës për familjen. Dikujt tjetër po ashtu i kishin vjedhur dy valixhe, sipas shoferëve autorët e krimit të shëmtuar ishin të panjohur e “anonim”!!! 

Vazhdoi ky bashkëbisedim me shoferët, ndërkohë që ishin bërë dy shoferë, që herë e merrte njëri timonin e herë tjetri, e më pas rruga vazhdoi. Ndalesa përsëri, e përsëri valixhe të vjedhura. Këtë herë ishte një meso grua që kërkonte dy valixhet e saj të vjedhura, dhe një djalë i ri po ashtu. I pashë jashtë mase të tronditur e të mërzitur që nuk po gjenin mallin e tyre dhe kishin të drejtë. Tensioni dhe paniku po rritej brenda udhëtarëve, të gjithë u frikësuan, diçka nuk po shkonte si duhej. Në çdo ndalesë udhëtarët dilnin për të parë nëse valixhet e tyre ishin nën bagazh apo kishin “fluturuar”. 

Një grua tjetër pyeti shoferët: A keni kamera brenda dhe jashtë autobusit. 

“Jo tha njëri prej tyre”. 

Po kapakët e bagazheve a janë të mbyllyra me çelës, apo hapen lirshëm pa çelësa? pyeti perseri gruaja. 

“Po tha i njëjti shofer, janë me çelësa”. 

– Epo –  vazhdoi udhëtarja – nëse janë me çelësa, si ka mundësi që të hapen dyert poshtë tek bagazhet e të vidhen valixhet, e ju si shoferë mos të kuptoni apo dini asjgë???!!!

S’kemi parë asgjë thanë të dy shoferët dhe heshtën, heshtje që linte vend për dyshime… Ndoshta si autore e këtij shkrimi gabohem, por mendja më shkoi deri aty.

 

Comments

comments

-----