BABI IM, SHOFERI PARË NË VLORË

Nga Luan Çipi

 

Gati njëqind vjet më parë u ktheve nga Amerika,

Ti, babai im i dashur, atje dhjetë vjet mërguar,

Punove edhe mësove larg nga mjerimi dhe frika,

U riktheve në Atdhe me përvojë grumbulluar.

 

Erdhe si shofer i parë, me një makinë shoqëruar,

“Kuindiçiter” e kish emrin, mijëra dollarë kushtuar:

Frena, marshe e borie jashtë, sa thahej fytyrë e duar,

Ti, lëvizje pa u ndrojtur dhe pse në rrugë të pashtruar.

 

Në linjën Vlorë – Janinë, udhëtarë transportoje,

Kapërceje qafa e humnera, kthesa të forta çapraz,

Shihnin njerëzit plot çudi: ç’është ky kalë që ti harboje?

Ikte vrap me uturimë, nxirrte tym të zi nga pas!

 

Ishte vërtet trimëri të udhëtoje në ato kushte,

Rrugët kalldrëm e çakëll, pa pika ndime e shërbimi,

Pa policë, pa asnjë mbrojtje, rrezik për rrahje me grushte

Nga grabitësit mes rrugësh, i dyshimtë ishte dhe kthimi.

 

Të kujtoj, baba i dashur dhe për ty ndihem krenar,

Detyrë e rëndomtë duket, se sot gjithkush është shofer,

Po dikur, në ato vite, gati njëqind vjet më parë,

Të udhëtoje disa herë, ish guxim dhe punë me vlerë.

 

Vlorë, më 10.09.2017

 

Shënim: “Shoferi i parë në Vlorë, me autoveturën e vetë,

 qysh nga viti 1923, ka qenë Kaman Çipi”.

 Shkruan studiuesi, ing. Stefan Bitri.

 

 

 

Comments

comments

-----