NE TREGUAM SE E KEMI SHPIRTIN, PLOT ME DASHURI NJERËZORE…

Nga Filadelfia, përcjellje për në Atdhe, e të ndjerit ALTIN HAXHIRAJ

Nga Llazar Vero

publicist-Amerikë

Për ne, janë gëzimet dhe hidhërimet!? Por gëzimi shtohet dhe hidhërimi pakësohet, me shokë dhe miq. Për t’u gëzuar së bashku, ne shqiptarët, sikur bëhemi më sqimatarë. Ndërsa në fatkeqësi bëhemi të gjithë bashkë, afrohemi dhe i gjendemi pranë njëri – tjetrit, siç i thonë, pa dallim moshe, krahine, bindjeje. Dhe kjo është gjë e mirë. Shumë e mirë! Por sikur t’i kalonim ca më shumë së bashku edhe në gëzimet, hallet e vogla, të mirën e përbashkët, do të ishte më mirë. Jeta i kërkon të gjitha. Larg Atdheut, ca më shumë.

Shkak për këto shënime u bë një fatkeqësi, që ndodhi në bashkësinë tonë , në Filadelfia të Amerikës. Bashkatdhetari ynë, nga Memaliaj, Altin Haxhiraj u nda nga jeta papritmas, pas një sulmi të rëndë në zemër. Nuk i kishte mbushur ende të 45 pranverat. Pra, ishte i ri. Njeri i dashur dhe i shkuar me të gjithë bashkatdhetarët. Për të, flasin mirë dhe me respekt: kuksiani dhe fieraku, dibrani dhe gjirokastriti, të gjithë . Njeri, që dhuronte dashuri, pa kursim. I ndjeshëm dhe zemërgjërë, që falte dhe kërkonte përherë dashuri dhe respekt të pastër. Punëtor i palodhur dhe bujar, si ai…

Unë, që po shkruaj këto rradhë për Altinin, nuk e njihja nga afër. Ky portret, apo skicë porterti për atë, u bë me ndihmën e shokëve dhe miqëve të tij: Marselit, Florit, Mexhitit, Neritanit… Ishte Flori dhe Marseli, që më dhanë të parët lajmin e ndarjes së tij nga jeta.  U thashë se duhet të takoheshim së bashku, te ndërtes e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të nesërmen mbrëma. Njoftova kryesinë e Shoqatës sonë dhe pkrisht të nesërmen, në lokalin e saj, u mblodhën, jo 3-4 veta, por rreth 20. Ishin: kryetari i Shoqatës, që si zot shtëpie, priste të gjithë bashkatdhetarët, zëvendëskryetari dhe përgjegjës i financës së shoqatës, Bujar Gjoka, Marseli, Flori e Neritani. Pak më vonë erdhën: baca Ahmet Shabani, nga Kukësi e Mexhit Kaboci, me tjerë shokë… Disa, megjithëse vinin për herë të parë, përshëndeteshim, si miq të vjetër. Kishte dhimbje dhe shqetësim në fytyrat e të gjithëve. 

Kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Tajar Domi njoftoi bashkatdhetarët për fatkeqësinë, që kishte ndodhur, ndarjen e papritur të Altin Haxhirajt nga jeta, duke shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe detyrat për organizimin e lamtumirës, këtu në Filadelfia dhe përgatitjet për udhëtimin e fundit të tij, për në Shqipëri, pranë familjes. “Për të gjitha këto, – tha ai, – duhen një shumë të hollash, që ne mendojmë se mund t’i mbledhim së bashku. Këtë e kemi bërë edhe më parë, siç ndodhi me bashkatdhetarin tonë, nga Kukësi , të ndjerin Hasan Kotarja”. Ende pa mbaruar fjalën, Marseli, Mexhiti fajlëpak e punëshumë, Neritani, Flori, baca Ahmet… shprehën gatishmërinë për të përballuar nevojat nga ata vetë, si fillim.

Pastaj kryetari Tajar Domi ndau detyrat për secilin. Ndërkohë, Bujar Gjoka me Florin, kishin përpiluar lajmërimin për humbjen e Altinit dhe e shumëfishuan atë. Të gjithë donin të bënin diçka. U tha që lajmërimet të afishoheshin në të gjitha kafenetë shqiptare, në Northeast dhe Riçmond të Filadelfias, të shoqëruara me një fletë- listë, për dhuruesit. Bile, që aty, në sallën e kafenesë së Shoqatës, filluan dhurimet e para.

U tha që  arkivolin, me të ndjerin Altin Haxhiraj, në udhëtimin e tij të mbramë për në Shqipëri, duhej ta shoqëronte dikush. Dhe, mënjëherë,  Neritan Manushi dhe Florian Ferko shprehën gatishmërinë për ta kryer këtë detyrë dhe nder, ndaj shokut dhe mikut të tyre.

Shumë shpejt filluan të mblidheshin paratë. Në fillim, 5.700 dollarë, pastaj  9.850… Baca Ahmet Shabani, që shkonte mengjezeve në çdo kafene, filloi të ndihej më i qetë për realizimin e qëllimit. Mexhit Kobaci lajmëronte me telefon shokë e miq, për fatkeqësinë, që kishte ndodhur dhe ndihmën, që duhej siguruar. Kiço Kokthi, me të dy djemtë, ishin ndër të parët, që dhanë ndihmesën e tyre. 

Pastaj filluan të vijnë ndihma dollarë, nga Nju Jersi dhe Nju Jorku, nga miq dhe të njohur të të ndjerit dhe familjes së tij. Listat po mbusheshin njëra pas tjetrës. Vetëm në kafenenë e Shoqatës u mbushën dy të tilla, me një shumë të konsiderueshme. Ajo çka ishte e veçantë, në këtë aksion, ishte pjesëmarrja e madhe e bashkatdhetarëve dhe kjo të bënte të ndjeheshe mirë, në mes të ketij hidhërimi.

Dhuruesit ishin nga të gjitha krahinat e vendit tonë, duke filluar nga Kosova e Çamëria, Gjirokastra dhe Shkodra, Korça dhe Durrësi, Fieri dhe Tirana… E kishin marrë vesh nëpërmjet fejsbukut të Shoqatës , lajmërimeve të afishuara, telefonatave me njëri-tjetrin…nëpërmjet dhimbjes dhe dashurisë.

Më 27 shkurt 2017,në orën 6.00 pm, në shtëpinë e funeraleve Fluer &Sons Inc. në 3301-15 Cottman Ave. të Filadelfias, Shoqata Atdhetare “Bijtë e Shqipes”, së bashku me shokë dhe miq të të ndjerit, organizuan ceremoninë e lamtumirës, për bashkatdhetarin tonë, Altin Haxhiraj.  Në emër të Shoqatës dhe të dy bashkatdhetarëve nga Kukësi, Mexhit Kobaci dhe Ahmet Shabani, u vendosën dy kurora me lule. Pastaj edhe shokë të afërt të Altinit sollën buqeta me lule.

– Por ju, sikur thatë se nuk ka asnjë nga familja dhe të afërmit e tij?!, -foli një punonjës i moshuar, i shtëpisë së funeraleve.

 -Ja, ne jemi familja  e tij këtu, – iu përgjigj njëri nga shokët e Altinit, si i fyer – Nuk mjaftojnë !?

Vërtetë, ne ishim, si një familje e madhe. Në sallë e mori fjalën Llazar Vero. Në emër të Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, lexoi letrën, që do t’u dërgohej: nënës, motrës dhe vëllezërve të Altinit, në Memaliaj. Aty shprehej ngushëllimi e dhimbja, për ndarjen nga jeta e njeriut të tyre të dashur dhe mikut tonë të prbashkët. Pas leximit, ai i ftoi pjesëmarrësit për të mbajtur një minutë heshtje, në nderim të jetës dhe kujtimit të të ndjerit.

Pas ceremonisë, në shtëpinë e funeraleve pjesëmarrësit u ftuan për një kafe, në ndërtesën e Shoqatës. Lokali u mbush plot, shumë shpejt. Selfo Muça, që kishte ardhur bashkë me djalin, kishte sjellë me vete edhe nje shishe raki Shqipërie. Tek ekspresi i kafesë shërbente ing. nga Kosova, Fitim Hamzai, i ndihmuar nga agronomi prej Elbasani, Bashkim Bërdufi dhe Llazari shërbente rakinë…

Ndërkohë, kryetari i Shoqatës, Tajar Domi e mori fjalën. Pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit , jo vetëm në këtë ceremoni por në të gjithë aksionin për mbledhjen e të hollave. I përmendi me emër ata, që ishin në krye të punëve, si: Bujar Gjoka,  Llazar Vero, Mexhit Kobaci, Ahmet Shabani, Marsel Meçe, Neritan Manushi, Florian Beka dhe Florian Ferko… Po kështu, i informoi pjësmarrësit për shumën prej 19.875 dollarësh, të mbledhur deri në atë çast, pa llogaritur ato, që ishin duke ardhur orëve të fundit.  Ai falenderoi edhe pronarët e lokaleve: Petro Kukuri, Kalosh Kupa, Nevin Abedinaj, Spiro Lica, Sefret Ferko, Krenar Hoxha eFoto Kopali, që morën përsipër të grumbullonin dhurimet, që do të bëheshin. Po ashtu, sqaroi pjesëmarrësit edhe se si ishte menduar të shpenzoheshin këto shuma. Pas mbulimit të shpenzimeve për shtëpinë e funeraleve dhe biletat e udhëtimit për shoqëruesit, shuma tjetër do t’i dorëzohej nënës së Altinit të ndjerë, në nderim të jetës dhe dashurisë sonë për të.

Për të gjitha këto , vazhdoi më tej Tajar Domi, do të kishim një informim të detajuar dhe të dokumentuar në ëeb-in dhe fb e Shoqatës, në ditët që pasonin.

– Ju faleminderit dhe u takofshim vetëm për gëzime! – ishin fjalët e mbylljes  së kryetarit të Shoqatës.

 Pastaj e mori fjalën Neritan Manushi, që lexoi një falënderim, të ardhur në celularin e tij, nga një vëlla i Altinit, në Memaliaj. Folën edhe shokë e miq të afërmt të Altinit, si Marsel Meçe etj.

Kishim të gjithë një dhimbje, por zemrën e kishim të ngrohtë. Kishim bërë një punë të mirë. Nderuam veten dhe bashkatdhetarin tonë. Jo për nga vlera monetare. “Ka një kapital pa vlerë në treg,- thotë miku  im i mirë, Sefedin Çela, në Tiranë.- Ai të mban në këmbë dhe bën të ndihesh i pasur: dashuria, zemra plot, shpirti plot. Një komb shpirtzbrazur nuk është i varfër, është i vdekur!?”

Kështu, të gjithë së bashku, ne treguam se e kemi shpirtin plot me dashuri njërëzore, se  e duam jetën dhe njëri-tjetrin.

Filadelfia, 28 shkurt 2017

Comments

comments

-----