Mitrovica, qëndresë dhe paqe

Mbresa nga vizita një ditore në Mitrovicë, më 19 gusht 2017

Nga Viron Kona

 

Më 19 gusht  2017, së bashku me sociologun e njohur shqiptar prof. dr. Zyhdi Dervishi, me studiuesin dhe gazetarin Nuri Dragoj, si dhe me publicistin Kadri Tarelli, u ndodhëm në Prishtinë ku na prisnin për një takim dhe vizitë miqësore z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani, Suedi dhe z. Bajram Muharremi, zëvendëskryetar i kësaj shoqate. Kishim lënë ta takoheshim në hotel “Grand” në Prishtinë. Sapo ne mbërritëm, pamë nga xhamat e lokalit tek po vinin drejt nesh mikpritësit tanë.

 

U përshëndetëm me dorë nga larg dhe, sa u afruan u përqafuam me mall dhe dashuri vëllazërore, duke shprehur me emocion dhe zemër fjalët e para  të mirëseardhjes dhe të vëlla-pritjes. Fillimisht një kafe te “Grandi” dhe ndërkaq nisëm të bisedonim për vizitën tonë disa orësh-e. Por, duket ne kishim bërë të tjera plane, sepse me dëshirën e   sinqertë dhe këmbëngulëse të mikpritësve Hysenit edhe Bajramit, pranuam me kënaqësi propozimin që, pas një shëtitje të shkurtër në Prishtinë, të shkonim për një vizitë më të gjatë në qytetin e Mitrovicës, atje do ta kalonim drekën, por dhe do të vizitonim qytetin, që është njëherazi edhe vendlindja e Hysen Ibrahimit e Bajram Muharremit e ku ata kanë kaluar fëmijërinë dhe rininë…Vëllezërit tanë, duke na befasuar krejt, i kishim menduar të gjitha deri në detaje. Edhe vizitën, edhe drekën, edhe bisedë në TV e Mitrovicës, edhe shëtitje e fotografi… Unë nuk kisha qenë tjetër herë në Mitrovicë, kështu që e prita me shumë kërshëri shkuarjen në atë qytet historik të kombit shqiptar, vendlindja e Isa Boletinit dhe e sa e sa figurave të tjera historike,  simbole të luftërave për liri dhe pavarësi.

   

Nga  majta:K. Tarrelli, Z. Dervishi, V. Kona, H. Ibrahimi, N. Dragoj, B. Muharremi

           Mbijetesë dhe rezistencë e një populli heroik dhe vital 1).

Nga leximet dija se Mitrovica ishte qytet i dytë i Kosovës, i vendosur në pjesën veriore, i banuar historikisht nga shqiptarët, mes të dy lumenjve Ibër dhe Sitnicë. Kisha lexuar se emri Mitrovicë, rrjedh nga “Shën Dhimitri” bizantin. Historianët mendojnë se emri Mitrovicë, ka mbetur për shkak të ekzistencës së një kishe të vjetër paleokristiane, e njohur si “Kisha e Shën Dhimitrit”.

Dihet botërisht se banorët më të vjetër paraardhës të kësaj treve shqiptare, dardanët, fis ilirë, u morën kryesisht me bujqësi. Pas pushtimit nga Roma, vendi u shndërrua në një postë ushtarake dhe vend përpunimi i metaleve. Në vazhdim treva ra nën sundimin e Carit bullgar Simeonit, 879-927, teksa më pas sundimi u zëvendësua nga familja e Njemanjve. Gjatë sundimit të kësaj familje, territori dardan u mbushë me ardhacakë sllavë. Këtu fillon periudha më e vështirë për popullsinë shqiptare. Sundimtarët serbë e shndërruan këtë trevë në qendër politike, ekonomike, kishtare të shtetit të tyre, duke zbatuar fare hapur një politikë asimiluese… Shumë emërtime të vjetra ilire-shqiptare u zëvendësuan me emërtime të reja sllave…Ndërkaq zona dallohej për disa vlera të veçanta: në gjysmën e dytë të shek. XIX, në afërsi të Mitrovicës, në fshatin Boletin, prodhoheshin gurë mulliri “kosovar”. Është për t`u përmendur sidomos Albaniku (Monte Argentarum), i pasur me argjend e plumb. Këto minerale të çmuara janë shfrytëzuar nga paraardhësit tanë ilirët, më pas nga pushtuesit: bizantinët, turqit, serbët… Vendburimi polimetalor i Pb,(plumb) Zn(zink), Ag(argjend) dhe Au(ar) në Stantërg, është ndër vendburimet polimetalore më të njohura në Evropë, për nga madhësia, por dhe nga shumëllojshmëria e mineraleve si dhe bukuritë kristalore…

Arkeologjia dëshmon se në territorin e sotëm të trevës së Mitrovicës janë zbuluar gjurmë ndërtesash të lashta, një nekropol ilir, statuja të ndryshme prej balte e prej plumbi, një sarkofag, figura e Terpsikorës (Muzës së vallëzimit) etj.

Në shekullin XX janë të njohura luftërat për liri të popullatës shqiptare të kësaj treve të udhëhequra nga heronj dhe luftëtarë si Isa Boletini. Në fund të korrikut 1912 kryengritësit shqiptarë çliruan tërë Kosovën. Por, me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, Serbia e ndihmuar nga Rusia, arriti ta pushtojë Kosovën. Në Mitrovicë, e cila paraqiste një interes të veçantë politik dhe ekonomik, Serbia solli më shumë ushtarë se ç’kishte banorë. Në tokat dhe pasuritë shqiptare u vendosën dhunshëm kolonë serbë e malazezë. Shumë familje u shtrënguan që të braktisin vatrat e tyre stërgjyshore e të shpërngulen në Turqi e gjetiu. Më 1938, Konventa turko-jugosllave, parashikonte shpërnguljen masive të shqiptarëve, sidomos nga fshatrat e rrethit të Mitrovicës dhe nga vetë qyteti. Në vitin 1945 u vendos okupimi i Kosovës nga ushtria Jugosllave, okupim ky që u shoqërua me veprime terroriste, me operacione ndëshkimore, me masakra masive ndaj popullsisë shqiptare. Më 1966, pas shkarkimit të ministrit të punëve të brendshme të Jugosllavisë, Rankovicit, shqiptarët morën pakëz frymë dhe kërkuan të drejtat e tyre për arsim, për kulturë, për flamurin kombëtar, e deri rishikimin dhe ndryshimin e statusit politik të Kosovës. Më të indinjuar ishin shqiptarët e Mitrovicës, sidomos minatorët e Trepçës, të cilët punonin natë e ditë, ndërsa djersën e tyre e shfrytëzonte Beogradi. Më 27 nëntor 1968, në mesin e mijëra demonstruesve në Prishtinë ishin edhe studentët nga Mitrovica, të cilët, me flamurin kombëtar në duar kërkonin Kushtetutë, Vetëvendosje, Republikë, Universitet…Si rrjedhojë e pakënaqësisë, në Mitrovicë, si në të gjithë Kosovën, shpërthyen demonstratat e marsit të vitit 1981, ku morën pjesë qytetarët e Mitrovicës, nxënës, studentë, mësimdhënës, punëtorë, minatorë, bujq. Në këto demonstrata u vranë dhjetëra qytetarë, u burgosën qindra të tjerë. Ngjarjet e vitit 1981 u pasuan nga një fushatë e egër kundër shqiptarëve. Në fillim të vitit 1989, nën kërcënimin e armëve, Serbia likuidoi autonominë e Kosovës. Të parët që ngritën zërin kundër këtij vendimi ishin minatorët e Stantergut, të cilët u vetë-ngujuan në galeri të nëndheshme (22-28 shkurt 1989) dhe kështu sensibilizuan opinionin ndërkombëtar për gjithë atë që po ndodhte në Kosovë. Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli “Republikën e Kosovës”. Në këtë drejtim kontribuuan edhe delegatët nga Mitrovica. Një vit më vonë, më 26-30 shtator 1991, si kudo në Kosovë, edhe në Mitrovicë u organizua referendumi për t’i dhënë Republikës së Kosovës legjitimitetin e nevojshëm. Pas grevës së përgjithshme më 3 shtator, mijëra punëtorë shqiptarë u dëbuan nga vendet e tyre të punës. U larguan me dhunë nga objektet shkollore edhe mijëra nxënës e mësimdhënës… Lëvizja çlirimtare në Mitrovicë e rrethinë mori hov në vitin 1998 me aksionet e para të UÇK-së. Populli rroku armët për t’iu kundërvënë agresionit serb …Më 24 mars, forcat e NATO-s filluan të godasin pozicionet ushtarake serbe, të cilët reaguan me krime të njëpasnjëshme, duke vrarë dhe djegur qytetin si dhe fshatrat, por dhe objekte kulturore, gjithçka, ndërkaq ata dëbuan nga qyteti dhe fshatrat të gjithë shqiptarët. Gjatë luftës dhe masakrave të tmerrshme u vranë qindra njerëz, madje edhe gra, fëmijë e pleq, u dëbuan në Shqipëri e gjetkë mijëra të tjerë. Pas luftës janë zbuluar dhjetëra varreza masive. Ende nuk dihet për fatin e shumë të zhdukurve. Vetëm pas luftës banorët shqiptarë u kthyen në vatrat e tyre stërgjyshore dhe filluan t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre…

Shkoj nëpër mend të gjitha këto, ndërsa vijonim rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Shihja me interes të veçantë fushat, kodrat, luginat, bregoret e zonës së Prishtinës, të Vushtrrisë-vendlindjes së Hasan Prishtinës, pastaj periferinë dhe më pas qytetin  Mitrovicës. Ndihesha i prekur kur mendoja se sa gjak shqiptari ishte derdhur në ato treva, sa pushtime si dallgët e detit, sa krime dhe masakra çnjerëzore, ku shqiptari, ndonëse në shtëpinë e tij prej mijëra vjetësh, dhunohej, vritej, masakrohej, dëbohej dhe persekutohej. Ishte një rezistencë me përmasa gjigante, beteja pas betejash të vazhdueshme dhe të pandërprera, të atilla, që shekujt do t`i përcjellin me ankthe dhe dhembje tronditëse njëri-tjetrit. Ishin përpjekje të një populli vital, të pathyeshëm, ishte një luftë që kishte në themel të saj ëndrrën dhe veprimin për ta fituar doemos dhe me çdo çmim lirinë, pavarësinë…

                           Mitrovica një margaritar i vyer

Shihnim pamjet e Mitrovicës dhe bashkëbisedonim, duke treguar nderim për veprën e madhe heroike të popullit shqiptar, heroizmin e luftëtarëve dhe dëshmorëve të UCK-së, ndërsa flisnim edhe për pozicionin e shkëlqyer gjeografik dhe të lakmuar të të gjithë territorit të rrethinës së Mitrovicës. Në këtë trevë priten rrugë të rëndësishme që çojnë në brendinë e Gadishullit Ilirik, në bregdetin Adriatik, në Detin Egje dhe në Detin e Zi… Lumi kryesor është Ibri me degët e tij: Sitnica, Lushta, Trepça, Bistrica etj. Lugina e Ibrit ka peizazhe piktoreske. Përgjatë kësaj kalojnë rrugë komunikacioni. Më kryesorja është magjistralja e Adriatikut, e cila lidh Mitrovicën me Malin e Zi, teksa bukuri të veçantë paraqet liqeni i Gazivodës, burimi i Zhegovcit…

Treva e Mitrovicës është mjaft e pasur me ara, livadhe, kullosa dhe sipërfaqe malore, ku rriten bimë e drunj të ndryshëm, ahu, qarri, bungu, pisha, plepi, shelgje, në tokën buzë Ibrit kultivohet gruri, misri, tërshëra, thekra, elbi, pjepri, shalqiri, speci, lakra, trangulli, jonxha; ka kullota të pasura dhe ujëra të bollshme… Ndërkaq, Mitrovica ofron kushte të shkëlqyera për turizëm veror dhe dimëror,  gjueti të kafshëve të egra dhe të peshkut në lumin Ibër,…Vend i begatë që Zoti ua dha shqiptarëve dhe janë ata të zotët, janë ata që e mbrojnë me jetë dhe gjak, që e begatojnë me djersë dhe me punë të jashtëzakonshme…

       Disa monumente historike dhe institucione kulturore

Kisha lexuar për monumente të shumta me rëndësi historike të Mitrovicës, por edhe për vlerat e tyre të rralla me të cilat krenohet Mitrovica: “Muza e qytetit të Mitrovicës” e shekullit III-II para erës sonë, Manastiri i Sokolices, Hamami i Mitrovicës, Muzeu Shtetëror i Mineraleve në kompleksin Trepça, qyteza e vjetër e Stantërgut, kulla  e Asllan Tupellës, kulla  e Isa Boletinit në Boletin,

 

    Kështjella dardane në Mitrovicë               Kulla  e Isa Boletinit në Boletin

kulla e Imer Imerit, kulla e Sali Kajtazit, kulla e Nezir Zasellës, kulla në Zhazha-kulla e Hajzer Ahmet Pecit, kisha katolike në Vinarc të epërm, kisha katolike   “Shën Pjetri”, hotel “Jadran”, “Enti për punësim”, xhamia e Vllahisë, ‘Qyteti i Rashanit’, kështjella e Zveçanit, ura e Ibrit, peizazhet dhe bukuritë e shumta natyrore të rajonit të Mitrovicës, të cilat janë pa fund. Ndërkaq tërheqin vëmendjen shtatoret e Isa Boletinit, Shën Terezës, bustet e dëshmorëve të kombit, luftëtarë të UÇK-së si: Meh Uka, Shemsi Ahmeti, Avni Shabani…Në Mitrovicë funksionon Biblioteka “Latif Berisha”, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, Muzeu i Qytetit, Shtëpia e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Teatri i qytetit “Sandër Prosi”, Teatri amator “Aleksandër Moisiu”, Qendra Kulturore për Komunitetet… Grupi i këngëve dhe valleve, Klubi letrar “Lumi i Bardhë”, Revista letrare “Fjalë e valë”…, funksionojnë disa radio, televizioni, stadiumi “Adem Jashari”… Mitrovica është edhe vendlindja e Bajram Rexhepit (3 qershor 1954 – 21 gusht 2017), kirurg dhe politikan, kryeministri i parë i Kosovës (Mars 2002). Qyteti ka emra të njohur në fushën  e muzikës: Rona Nishliu, Teuta Kurti, Mc Kresha, Blerim Muharremi (BLERO), Vedat Ademi, Memli Krasniqi, Ferki Shala, grupi muzikor “Marigona” me këngëtarin Vullnet Sefaja. Skuadra e futbollit  “Trepça `89” suprimoi këtë vit me rezultatet e saj; shfaqet përherë me talent të rrallë shahisti kampion Nderim Saraçi. Mitrovica ka dhjetëra personalitete të skenës, teatrit dhe filmit, ka emra të shquar në fushën e kulturës, të letërsisë, sporteve…Ata përbëjnë një enciklopedi të veçantë, një tjetër pasuri të vyer të kësaj treve të ndritshme dhe të zjarrtë, me njerëz heroik dhe liridashës, që duan punën, artin, kulturën, paqen, të ardhmen…

                           Mbërritja në Mitrovicë

Sapo iu afruam Mitrovicës, u mbusha me emocion, i cili më shoqëroi gjatë tërë vizitës. Ndjeja gjakun të më vërshonte në deje, ndjeja dashuri dhe nderim për çdo fije bari dhe  gur të këtij trualli heroik, përfytyroja, bashkëbisedoja me veten, për ato ngjarje të mëdha, atë heroizëm të jashtëzakonshëm popullor…. Hyseni me të drejtën e  të zotit të shtëpisë, duke manovruar Benzin e  tij, herë na rrëfente lagjen Shpat, ku ai ka lindur në vitin 1962, herë vendndodhjen e shkollës fillore, mjedisin rreth e qark ku ai u rrit dhe kishte luajtur kur ishte  fëmijë, na tregoi shtëpinë në ngjyrë të bardhë, ku kishte banuar e ku tani jetonin njerëz të fisit.

Hysen Ibrahimi

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe

Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi” XI Albani,Suedi

Hyseni vazhdonte të na tregonte me shumë dashuri gjithçka që ne shihnim me kërshëri nga xhamat e makinës, ndërkohë që unë përpiqesha ta përfytyroja këtë djalë Mitrovice në demonstratat e 3 dhe 4 prillit të vitit 1981 në Mitrovicë…një luftëtar të ri të lirisë, i cili edhe sot në emigracion në Veriun e largët të Evropës, nga Suedia e zhvilluar dhe e përparuar, sjellë përherë në vendlindje dhe mes miqve dhe shokëve të tij vlera të freskëta lirie dhe demokracie, duke dëshiruar me zemër dhe shpirt ta shikoj vendlindjen Mitrovicën dhe të gjithë Kosovën, të lulëzuar dhe të begatuar, ashti siç mijëra shqiptarë e kanë ëndërruar në shekuj, ashtu siç e meriton ky popull i shumë vuajtur nga shtypja, shfrytëzimi, luftërat dhe betejat e pandërprera për liri e pavarësi.. 

Shkollën e mesme e ekonomike Hyseni e kreu në Mitrovicë, ndërkaq në vitin 1988 ai emigroi në Suedi, ku u diplomua për Informatikë dhe Politikë Ndërkombëtare…Hyseni ka një begraund të pasur, të arritur me vullnet e pasion, të lakmueshëm nga kushdo. Krahas funksioneve drejtuese dhe organizuese si veprimtar  dhe mbështetës i lëvizjeve të shqiptarëve të emigracionit për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, demokratike dhe që ecën drejt zhvillimeve e sigurt dhe krenare, Hyseni në vitin 2011 në Förslöv të Suedisë u zgjodh kryetar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë   “Papa Klementi XI – Albani“ për Suedinë, të cilën po e drejton me sukses edhe sot e në vazhdim. Ndërkaq ai ka shumë vepra të shkruara, por edhe me mençuri dhe modesti ai ka organizuar së bashku me kryesinë e shoqatës edhe botimin  e librit madhor me shumë volume “Thesari Kombëtar”, i cili deri më sot shënon 8 libra, duke pasqyruar në mënyrë të vazhdueshme punën dhe veprimtarinë  e gjallë dhe dinamike të shoqatës që ai drejton… I palodhur në punën me librat, ai në vitin 2013, në Koblenz të Gjermanisë, u zgjodh edhe Nënkryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë për Mërgatë (LKSHM).

Janë shumë nisma e punë atdhetare që ky njeri me mendje dhe zemër Kosovën, kryen në dobi të paqes, lirisë dhe demokracisë, teksa sot ka në krah njërin nga zëvendëskryetarët e tij, Bajram Muharremin, veprimtarin aktiv dhe poetin, që, bashkë me shokët atje në mërgim, punojnë me penë dhe me veprimtari të palodhshme  atdhetare për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, për afirmimin e vlerave kombëtare të kombit shqiptar, për forcimin dhe shëndoshjen plotësisht të Kosovës.

                                            Gjatë drekës

…Për drekë Hyseni kthehu makinën drejt lokalit modern  “Ibri”, një ndërtim me arkitekturë alpine, me një pamje tërheqëse dhe një kombinim ngjyrash që shkonte aq shumë me mjedisin e gjelbër natyror të fushës dhe kodrave përqark. Ishte një bukuri e pasosur, një lokal ku shërbehej gjithë klas në mjediset e brendshme dhe ato në natyrë. Na u desh të lëviznim më shumë se dy herë për të  vendosur se ku më në fund do të drekonim, ngaqë njëra pamje ishte më e bukur se tjetra, ndërkohë që vëmendjen na e tërhoqi numri i madh njerëzve që frekuentonin të qetë atë lokal, prania atje e një sheshi lojnash për fëmijë në barin dhe tapetin e  gjelbër, po ashtu dhe një shatërvan i këndshëm dhe tërheqës. Na afruan pije, lëngje, verë të  kuqe…Porosita verë, e cila siç më shpjegoi Hyseni, ishte prodhim nga shqiptarët e Malit të Zi, një verë  e rrallë dhe  me shije të shkëlqyer që mua më kujtoj verën e Nartës në Vlorë, të cilën e kemi konsideruar si një nga verërat më të mira në Shqipëri. Ndërkohë, mezet e shijshme, kuleçtë që më pëlqyen aq shumë, shërbimi me kulturë, teksa biseda jonë rridhte aq natyrshëm dhe ngrohtë, bisedë mes vëllezërish.

Flisnim për Kosovën dhe zhvillimet e saj, për Prishtinën, për Mitrovicën dhe gjendjen tani disi më të qetë pas konflikteve të vazhdueshme tek ura e  lumit Ibër. Por nënvizonim dhe perspektivën e dukshme të Kosovës, e cila nga viti në vit po tregonte identitetin e saj si pjesë e shkëlqyer e kombit shqiptar. Ideja-ëndërr shqiptare, ajo e bashkimit të trojeve, ishte ndër temat që bisedohej, por që theksonim se, afrimi dhe bashkimi kulturor, e, veçmas ai i zhvillimit ekonomik, do të ishin ata që do t`çelnin udhën natyrshëm më vonë edhe bashkimit fizikë të trojeve të copëtuara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha. Atë që shtetet përqark nesh e kanë dashur me të drejtë për veten dhe për kombet e tyre, lirinë dhe pavarësinë, pikërisht atë gjë aq të vyer, nuk ia kanë lejuar kombit shqiptar! Një absurditet dhe arrogancë e atyre, që e konsiderojnë veten më të fortë dhe më të fuqishëm! Doemos që Evropa e sotme duhet t`u japë fund përfundimisht këtyre lloj vendimeve absurde  të përfaqësuesve të saj dekada më parë, që vendosën si të ishin kasap të vërtetë copëtimin mos më keq të Shqipërisë e që sot, mbase është i vetmi popull, që kufizohet thuajse nga të katër anët me vetveten.. E cili nga shtetet e tjerë evropianë, po të ishte i copëtuar dhe në pozitat që jemi sot ne shqiptarët, nuk do ta kërkonte bashkimin kombëtar?

Ishte një moment i veçantë kur  njëri nga punëtorët e  lokalit, shkoi te bahçja fare pranë nesh, e mbjellë me speca, domate dhe perime të tjera dhe ai, pasi këputi atje disa perime të freskëta, na i afroi në tavolinë. Zgjata dorën  me padurim dhe mora një spec dhe një domate, duke i shijuar si fruta dhe prodhime të drejtpërdrejta nga toka e begatë e Mitrovicës. Ndërkaq, nga një mjedis tjetër i lokalit, disi më larg nesh, vinin tingujt e  një muzike të  ëmbël dasme: pritej të vinte helikopteri nga Tirana dhe të merrte vajzën-nuse nga Mitrovica, e cila po martohej në Tiranë…

                                Bisedë në TV “Mitrovica”

Pas drekës, Hyseni dhe Bajrami kishin planifikuar një emision të veçantë të TV “Mitrovica”, ku, gazetari i televizionit z. Muharremi, do të bisedonte me ne rreth përshtypjeve tona, si dhe do të zhvillohej një ceremoni e shkurtër ku do t`u dorëzohej dokumenti Anëtar Nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemendit XI Albani”, Suedi, dy personaliteteve të shkrimtarisë dhe të kulturës ardhur nga Tirana – prof. Zyhdi Dervishit dhe studiuesit Nuri Dragoj.

Ceremonia dhe bashkëbiseda ishin mbresëlënëse. Hysen Ibrahimi informoi rreth shoqatës që ai drejton, veprimtaritë që ajo kryen në Suedi dhe në mërgatë, si dhe shfaqi kënaqësinë që, aty në vendlindjen e tij, bashkëbisedoi aq ngrohtësisht me vëllezërit e ardhur nga Shqipëria. Folën aty dhe prof. Zyhdi Dervishi, studiuesi Nuri Dragoj, poeti dhe veprimtari Bajram Muharremi, si dhe publicisti i njohur shqiptar nga qyteti i Durrësit Kadri Tarelli. Ndër të tjera, edhe unë shpreha emocionin që ndodhesha në vendlindjen e Isa Boletinit dhe të popullit shqiptar të Mitrovicës që jetonte prej mijëra vjetësh në trojet e veta. Nënvizova se ishin luftëtarët e lirisë, që e hapën rrugën duke na e bërë më të lehtë ne shqiptarëve komunikimin mes njëri-tjetrit. -Ne erdhëm fare kollaj dhe lehtë me makinë nga Tiranë në Prishtinë e Mitrovicë, ndërsa Isa Boletinit dhe trimave të tij iu deshën përpjekje disa ditore e javore, beteja dhe sakrifica të jashtëzakonshme për të shkuar në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912, për të bashkuar atje duart rreth flamurit kombëtar së bashku me Ismail Qemalin dhe përfaqësuesit e  tjerë të trojeve shqiptare e, që të gjithë bashkë, shpallën pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor të  vitit 1912. Rrugën që bëmë ne sot, e kanë bërë mijëra qytetarë të tjerë të Shqipërisë dhe të Kosovës, ndërkohë që rruga Mitrovicë-Vlorë, përbënë edhe një rrugë festash. Në kohët e sotme, të hapjes së Shqipërisë me botën, të lëvizjes së lirë të njerëzve, veçanërisht ne, që jemi banorë të truallit të përbashkët shqiptar, e bëjmë këtë rrugë edhe pa arsye, edhe pa shkaqe, e bëjmë ashtu siç shkon vëllai te vëllai, siç shkojnë bijtë te nënat dhe baballarët… Askush nuk na pyeti se ku po shkonim kur u nisëm për këtu, askush nuk na pengoi, përkundrazi gjetëm gjithandej ngrohtësi dhe buzëqeshje, dashuri vëllazërore, atë dashuri që ndjenë edhe mitrovicarët kur për 100-Vjetorin e Pavarësisë përshkuan rrugën Mitrovicë-Vlorë, si kalorës hipur në kuaj dhe festuan atje në Vlorën e Flamurit bashkërisht, në një festë të madhe, Pavarësinë e Shqipërisë…

Një foto pranë shtatores së Shën Terezës

Në vazhdim emocionet tona u shtuan kur nisëm të vizitojmë qytetin e  Mitrovicës, rrugët, sheshet, godinat, institucionet, komunën e qytetit, bustet e heronjve dhe dëshmorëve të UCK-së dhe, veçanërisht shtatoren e Isa Boletinit, atë të Shën Terezës, urën mbi lumin Ibër, që zgjatet e bukur dhe moderne, që të afrojë më shumë dhe të bashkojë ngrohtësisht të gjithë banorët e Mitrovicës…

 –Durim dhe shpresë,- thosha me vete, – do të vijë koha që edhe në këtë zonë kaq delikate, mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndarëse, që janë shpesh herë më të fortë se muret dhe urat, do të sheshohen, do të treten dhe gjithçka të shkojë në rrjedhën normale,  duke bashkëjetuar e punuar pranë e pranë shqiptarë e serbë….

                       Komuna Mitrovicë

U ndjeva më në paqe kur Amiri, kameramani i televizionit, më shpjegoi se, diku më tej, lumi Ibër formon disa liqene, që janë një pamje  mrekullueshme për të kaluar çaste të këndshme pushimi dhe argëtimi, ndërsa shikoja lëvizjen e qetë të njerëzve, frekuentimin e lokaleve, buzëqeshjen e banorëve kur këmbenin shikime me ne, gjelbërimin dhe erën e ngrohtë që frynte nga lumi …

 

                                                     Ura

Siç dëgjuam ura në Mitrovicë mbi lumin Ibër është ndër urat më të mira në vend, ajo është projektuar nga ekspertët francezë menjëherë pas luftës.

Nga dokumentet del se ura ka qenë ndërtuar në shekullin e XV dhe ka shërbyer gjithnjë për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në të dyja anët e lumit. Si tërë urat e vjetra, ajo i është nënshtruar kohës, është prishur dhe ndërtuar disa herë, nga një lloj “viku” siç e përmend Pjetër Bogdani në shekullin e XVII. Në vazhdim, në shekullin e XVIII, kjo urë ka pësuar transformime dhe përmirësime të herëpashershme, kurse në vitin 1933, pranë saj u ndërtua ura e hekurit e cila mbijetoi deri në vitet 70’, kur u zëvendësua me një urë të re prej betoni në vitin 1975. Në vitin 2000 ura mori pamje tjetër.

 U rindërtua  me një donacion nga  KFOR-i francez. Ata i dhanë emrin ura “Austerlitz”, në kujtim të betejës në Austerlitz, Bërno, Sllovaki, e ku më 1805 është zhvilluar një betejë e famshme në mes të Francezëve dhe Rusve -Austro-prusianëve, betejë kjo për të cilën flet edhe Leon Tolstoj te romani i tij i famshëm “Lufta dhe Paqja”. 2).

Diçka e mban ende të papërfunduar plotësisht mjedisin rreth urës, një rrethim, disa materiale ndërtuese dhe një punë e nisur dhe e pambaruar kush e  di pse!? Si pasojë, hapësira dhe mjedisi i lirë i urës, nuk ka marrë formën e duhur dhe të plotë! Doemos që i zbehet bukuria atij vendi aq të begatë, e ku njerëzit, në të dy anët e urës me prirje tërësisht paqësore, me siguri, të gjithë, e duan atë hapësirë fare të lirë, sepse të gjithë e duan jetën, paqen, zhvillimin…Mbase disa paragjykime të pamotivuara, ndonjë “komedi” e sajuar, që ende ekzistojnë te njerëz të veçantë të pjesës së komunitetit serb apo gjetkë…?!

Pranë monumentit të Isa Boletinit: K. Tarelli,H. Ibrahimi, N. Dragoj, B. Muharremi, V. Kona, Z. Dervishi

Shqiptarët, në vendin e vetë, banorë të fisit ilir të dardanëve, që banojnë aty prej mijëra vitesh, edhe në kushtet aktuale tregohen njerëz paqësorë. Me urën ata mbajnë të zgjatur dorën e miqësisë, të bashkëpunimit reciprok dhe presin me durim…Mbase Ibri  me rrjedhjen e tij, që buron nga Alpet shqiptare, me bukurinë dhe shkëlqimin e bardhë të dëborës, do t`i marrë me vete dhe do t`i pastrojë përfundimisht ato pak mbetje dhe mentalitete dhe, në vazhdim jeta do të lulëzoj dhe  do të shkumojë, ashtu si dhe vetë Ibri, emri i të cilit ka kuptimin i bardhë,  shkumon…Mitologjia thotë se nga shkuma e bardhë e ujit, ka lindur perëndesha e bukurisë dhe e dashurisë… Le të priremi e të përfytyrojmë më mirë këtë legjendë, të bukurisë dhe të dashurisë, dhe jo atë të murosjes, që përmendet herë-herë në ndonjë artikull publicistikë…E, teksa ne largohemi, duket se Isa Boletini dhe Shën Tereza, nga piedestalet e shtatoreve të tyre, na shohin dhe na shoqërojnë me vështrim nga larg, na përshëndetin dhe duken  sikur  na porositin për qëndresë dhe paqe, se, ja, po vjen koha që edhe kombi ynë, më në fund, do të shndrit, jo më i copëtuar, por si një komb i bashkuar dhe vital…

1).Të dhënat historike janë mbështetur në Wikipedia.

 

2). Austerlitz është një vend 8 km në jug-perëndim të qytetit Bërno në Sllovaki ku më 2 dhjetor 1805 është zhvilluar një betejë në mes të Francezëve dhe koalicionit Rusve -Austro- prusianëve. Beteja njihet edhe si “Beteja e tre perandorëve”. Vetë Bërno nuk ishte përfshirë në betejë. Beteja është komanduar dhe fituar  nga Napoleon Bonaparti, i cili kaloi disa net aty. Për hir të kësaj beteje, në kujtim të të rënëve, shumë urave u është vënë emri Austerlitz.

 

 

 

 

 

Comments

comments

-----