DUKE SHFLETUAR POETIN AGIM SHEHU TE ESSEJA “PËR GJINOKASTRËN”

Nga Luan Çipi

 

Vetëm një dashuri e pafundme dhe ndjenja e një nderimi të madh për një qytet, ku Agim Shehu kalon gati çerekun e jetës së vet, mund të shfaqet me kaq bukuri dhe pasion, nga një njeri si Ai, artist e me zemër të madhe.

Unë krenohem me Gjirokastrën, që është qyteti im i origjinës, por u entuziazmova dukshëm dhe menjëherë më shkoi mendja te “Kronikë në Gur” e Kadaresë, sipas meje e tejkaluar në këtë esse, vetëm me pak faqet që posa lexova.

Çfarë kisha humbur!? Eseja, me sa duket, ishte aty në internet qysh para do kohe dhe unë, sa keq, nuk e kisha ditur!

Të faleminderit Agim Shehu, talent, që dhe në prozë vazhdon të ngelesh poet i madh!

Naum Priftin, Agim Shehun, Petro Zhejin, Pëllumb Kullën, Moikom Zeqon, nuk e di pse, por ndofta edhe nga që jemi bashkëmoshatarë, i kam pasur prej kohësh, në zemrën time, të veçantë, për bukurinë e fjalës, thellësinë e mendimit dhe nxitjen e ndjenjave më të mira njerëzore, që ata të fusin në shpirt, sa i lexon.

Agim Shehu, qysh herët, më ka tërhequr për tematikën e larmishme dhe leksikun e fjalët e zgjedhura të paraqitura me art e bukuri dhe me shije letrare të rrallë; për përdorimin e figurave artistike të shumëllojshme e të kërkuara; për ritmin dhe muzikalitetin e përsosur. E merr çdo libër të tij dhe nuk e heq nga dora, madje të duhet t’i rikthehesh, për ta shijuar më mirë dhe, për ta kuptuar plotësisht. Ai edhe prozën e ka të veçantë, si të ishte poetike, me argumente të zgjedhura e bindëse, për idetë e hedhura dhe të pasuruar me referime folklorike, filozofike e historike. Thjesht, atje gjen vetëm të vërteta jetësore të zgjedhura e të dobishme për çdo njeri, të paraqitura me ndjenjë dashurie e mirëkuptimi, që të grishin e të mësojnë të jesh gjithnjë e më i mirë, më i dobishëm dhe më i afërt për familjen, shoqërinë dhe kombin, duke u ndjerë krenar që je shqiptar.

Gjirokastra

Pse Eseja për Gjinokastrën më tërhoqi e më bëri deri entuziast: Agim Shehu është progonatas, i lindur në zemrën e Kurveleshit, bir në Progonat dhe nip në Golem. Ai i përfaqëson denjësisht fshatrat e origjinës së vet te poezitë, tregimet dhe romanet e tij të mrekullueshme, ku shfaqet bukur dhe me interes bota e gjallë për mbarë shqiptarët, duke qëndruar fort, me mbështetje të fuqishme te folklori i pasur lab dhe te humori i dëgjuar karakteristik e i këndshëm i zonës së vet.

Po, 20 vjetët e jetës së tij aktive në qytetin e Gjirokastrës, ndikimi i gruas së tij qytetare vlonjate, lidhur ngushtësisht me Gjirokastrën, si dhe mjedisi i përafërt me krahinën ku lindi, që qytetin e Gjirokastrës e ka kufi ndarës midis Labërisë dhe Çamërisë, e ka kthyer poetin në thellësinë e shpirtit të tij edhe në një gjirokastrit të denjë.

Ndryshe nuk mund të bëhej kjo Ese e mrekullueshme për Gjirokastrën dhe gjirokastritët, për ta vendosur kështu, sipas meje, autorin e nderuar në radhët e para të eseistëve më të shquar të vendit tonë.

Gjinia letrare e Esesë është fort e vështirë, se ta paraqitësh saktësisht, kërkon njohuri të gjera për problemin që trajton, argumente historike dhe referenca të zgjedhura studimore e shkencore. Në radhë të parë çdo Ese e vërtetë, do që ta dashurosh objektin studimor dhe ta njohësh thellësisht atë.

Dhe duket në këtë drejtim, progonatasi karakteristik, që në përgjithësi ka qenë i lidhur historikisht me Gjirokastrën, duke dhënë e marrë me të për shumë kohë si kryeqendra etno kulturore edhe administrative, me 20 vjet pune dhe me pleksjet e shumta shpirtërore e fizike, e them sërish se e ka arritur dhe ndofta tejkaluar këtu, Ismailin e Madh, gjirokastrit safi, si me kohën e gjatë të qëndrimit të vet atje, ashtu dhe me pleksjen e njohjen realisht e nga afër të gjirokastritëve.

Lexon Esenë dhe e sheh Gjirokastrën krenare, të plotë e të madhe në histori deri në lashtësi, si territor, si traditë e zakone, me botën e pasur shpirtërore të qytetarëve të saj, me zgjuarsinë, fisnikërinë dhe veprat e shquara kombëtare të gjirokastritëve, si dhe lexon e njihesh më shumë me ta, nëpërmjet kujtesës, për dhjetëra emra dhe mbiemra tipike gjirokastritë, nga personalitetet e shquara e deri te njerëzit e thjeshtë.

Nga kjo edhe unë, i lindur e i rritur në Vlorë, ndihem krenar për origjinën time dhe vendlindjen e prindërve të mi, për paraardhësit e mi gjirokastritë, pjesëtarë të fisit tim të madh në numër, si dhe lidhjet e krushqitë e panumërta, thjesht me fise gjirokastrite.

Ndaj më lejoni, i ndikuar thellësisht nga poeti i spikatur, të hedh këtu disa vargje modeste për Gjirokastrën dhe, me këtë rast, të falënderoj dhe të përshëndes tani mikun tim të zemrës, poetin edhe eseistin e shquar Agim Shehu, si dhe të gjithë gjirokastritët e mirë:

 

                        GJIROKASTRA

                      Vendi i origjinës

 

                     

 

Rrugët me kalldrëm dhe çdo gjë e pastër,

Çatitë pllaka guri, një shtëpi mbi tjetrën

Ky qytet i lashtë quhet Gjirokastër

Andej kam prejardhjen, origjinën e vjetër.

 

Gjurmët e të parëve shikohen kudo,

Portale e kamare me gurë të latuar,

Mure dhe bedena, lartë në Palorto,

Fisi i Çipatëve vite ka jetuar.

 

Po të teleshohësh, ndër qindra vjet

Gjen njerëz të thjeshtë, po dhe gjeneralë,

Tregtarë, juristë, nëpunës në shtet,

Ndesh në dijetarë, komitë e koshallë.

 

Pasuri e prona radhë në Fushë Dropull,

Bagëti të imtë, karvanë me kuaj

Qytetarë të mirë, me emër në popull,

Dhe dera e hapur, gjer për miq të huaj.

 

Pleksjet dhe krushqitë një tjetër dritare,

Me dyert e lashta, thjesht gjirokastritë,

Dhe, vetëm nga lidhjet, duket ashiqare

Sa i madh është fisi, sa jep e merr dritë.

 

Peshkëpi, Sharë, Drasë, Çiço, Poshatë,

Zazanë e Halulaj, Budo dhe Hoxhatë,

Dosti dhe Omaraj, Çelo dhe Zekatë,

Budo edhe Dobi, gjer te Mezinatë.

 

Çikago, 6 janar 2011

 

 

Marrë nga libri im  “PORTRETE MIQSH”

 

 

Comments

comments

-----