Zemërimi i dallgëve

Nga Viron Kona

Pushues dhe turistë kureshtarë vërshojnë,

të shijojnë plazhet e argjendta në “Lungomare”,

por sapo prekin ujin, t`futen më tej s`guxojnë,

mbi valë pluskojnë mbeturina vaj dhe nafte.

Zullumqarët me anije, peshkatarë a tregtarë,

për ligësi, injorancë apo  për çdo përfitim,

hedhin naftën në det, bëjnë krim mjedisor,

ia shëmtojnë dhe ia zbehin Vlorës bukurinë.

E vuajnë pisllëkun vendas dhe turistë,

pushues nga Shqipëria, Kosova dhe bota,

kanë kursyer diçka për të provuar plazhet,

ku llamburit reklama: “Ju mirëpret Vlora!”

Flasin me nervozizëm dhe pakënaqësi,

tregojnë me duar ngjyrën e verdhë të ujit,

“Lungomare,-thonë,-e bukur,natyra, deti,

por, shumë keq nafta, pisllëku i ambientit!”.

Fëmijë të pafajshëm vrapojnë si zogjtë,

sa shkojnë buzë ujit prindërit u thërresin,

“Jo andej, këndej, nuk shihni nga sytë,

kuçedra e verdhë na ka zaptuar detin!”.

Unë vlonjati vete-vijë me dhimbje në shpirt,

teksa dallgët e zemëruara përplasen në breg,

protestës së dallgëve i bashkohem dhe unë,

kundër krimit që i bëhet natyrës së shenjtë.

Shënim: Në datat 1 deri në 6 gusht 2017 shkova për të bërë disa ditë plazh familjarisht në Lungomare, më saktë në plazhin publik të Ujit të Ftohtë. Natyra e bukur, gjelbërimi, ajri i pastër i detit, peizazhi i mrekullueshëm i Gjirit të Vlorës…, të gjitha ishin tërheqëse dhe, si dhe herë të tjera, ndihesha krenar me bukuritë natyrore të qytetit tim. Por, ashtu siç ndodh kur në një pjatë të bukur dhe të kushtueshme të servirin një ushqim të shijshëm, por me një mizë brenda, edhe mua m`u prish humori dhe u ndjeva keq sapo vura këmbët në ujin e detit. Në vend të dallgëve të kaltra dhe shkumës së tyre të bardhë, këmbët e mia u përlyen me lëngun e verdhë të naftës. Ngrita sytë dhe pashë që zona dhe harta vaji dhe nafte përhapeshin disa dhjetëra metra pranë bregut, pikërisht aty ku lahen nënat dhe fëmijët. Shumë pushues, shqiptarë, por dhe të huaj nga Maqedonia, Polonia, Italia që guxonin të futeshin në ujë, e largonin me duar shkumën e zezë apo të verdhë të naftës, u thërrisnin me britma familjarëve dhe fëmijëve t`u shkonin pas “jo andej, këndej!” dhe bashkërisht përpiqeshin të notonin në shtigjet e pastruara me duar që shpejt ndoteshin përsëri…

Një pamje e dhimbshme por dhe shumë revoltuese, që e kisha vënë re edhe disa vite më parë, por edhe sot… Natyrisht që u ndjeva keq dhe më përfshiu për gryke zemërimi i protestës ndaj kësaj shëmtie mjedisore, e cila sigurisht i ka përgjegjësit e saj…

E shpreha këtë zemërim në vargje, sepse ashtu më erdhi më mbarë dhe, mbase komenti që po vijoj në prozë është i panevojshëm, por kështu m`u duk se nuk jam i vetëm, si të thuash e shndërrova veten nga një, në dy protestues…Thuhet se një zile nuk dëgjohet, por ama shumë zile, duke u bashkuar  kthehen në kambana të fuqishme për ta mbajtur dhe për ta bërë sa më të bukur Shqipërinë tonë të shtrenjtë, jo duke u larguar fizikisht prej saj, jo duke fyer dhe sharë,  por duke bërë çmos që secili të ndihmojë në zhdukjen e njollave dhe shërimin e plagëve…

 

 

Comments

comments

-----